Kolegji Victory- 450 Mijë Euro Borxhe ndaj Shtetit

Bedri Selmani, pronar i “Kosova Petrol-it” që bën biznes me 35 pompa të derivateve që nuk kanë licencë për të vepruar në tregun e naftës, përveç që ka borxhe ndaj shtetit për qira të papaguar dhe akuza nga punëtorët e tij për mosdhënie të pagave, ka borxhe edhe ndaj Administratës Tatimore.

Kolegji universitar “Victory” që Selmani e kishte hapur në vitin 2006,  ka një borxh prej 450 mijë eurosh ndaj ATK-së.

Moskryerja e obligimeve ndaj ATK-së, e shtyri këtë institucion që të mërkurën e javës së kaluar- me 23 prill- të ndalë punën e kolegjit “Victory”, për disa orë.

Ndalimi i punës u ndërpre në të njëjtën ditë pas një marrëveshjeje në mes të dy palëve, e cila parasheh që “Victory” të kryejë me këste obligimet që ka ndaj shtetit në afat prej 24 muajsh. 

Nëse nuk bëhet respektimi i pagesave sipas marrëveshjes së nënshkruar, ATK-ja thotë se do të zbatojë legjislacionin tatimor të Kosovës duke e mbyllur prapë këtë institucion.

Borxhi i grumbulluar prej 450 mijë eurosh, sipas Zyrës për Informim në ATK, ka të bëjë me mospagesë të tatimit mbi vlerën e shtuar, tatimit të mbajtur në burim, qirasë  dhe kontributeve pensionale.  

ATK-ja i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ky biznes ka borxhe ndaj shtetit që prej vitit 2007 dhe se për gjashtë vjet ka arritur shumën e 450 mijë eurove. 

Por në kolegjin “Victory” thonë se borxhi daton që nga viti 2009 e jo nga viti 2007.

Sipas përgjigjeve që ky institucion arsimor ka dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë, borxhi është krijuar pasi që studentët nuk kanë bërë pagesat e shkollimit.   

“Për arsye të grumbullimit të borxheve të studentëve që nga viti 2009 e deri më tani, kolegjit ‘Victory’ rrjedhimisht i është grumbulluar po ashtu një borxh në Administratën Tatimore të Kosovës”, tha Skënder Syla, shef i administratës në kolegjin “Victory”.

Syla tha se tash e tutje kolegji do të paguajë borxhet me këste ashtu siç është marrë vesh me Administratën Tatimore të Kosovës.

Kolegji Victory i themeluar në vitin 2006, ka studentë në programet e studimeve universitare në drejtimet Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Ekonomi Biznesi-Tregti e Jashtme, Menaxhim të Biznesit Ndërkombëtar dhe Ekonomiks dhe Menaxhment në nivelin bachelor. Sipas uebfaqes për t’i ndjekur ligjëratat në këto drejtime, studentët duhet të paguajnë 1 mijë e 200 euro.

Ndërkohë biznes me të njëjtin emër sikurse kolegji, Bedri Selmani kishte ndërtuar hotelin në pronën e ndërmarrjes shoqërore “Auto Prishtina”, te rrethi i madh në Prishtinë. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar në janar të vitit 2012  se prona ku është ndërtuar hotel “Victory” ishte uzurpuar pas luftës nga biznesmeni Selmani që në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës mbante pozitën e këshilltarit për çështje ekonomike të kryeministrit Hashim Thaçi. 

Më shumë rreth aktiviteteve të Bedri Selmanit mund të lexoni këtu:

Shteti “Gjunjëzohet” para Njerëzve të Pushtetshëm

Mesic e Sanader Nuk e Lëkundën Kosova Petrol’in

Bedri Selmani Miliona Euro Borxh Shtetit

Kontrollon Hotelin “Victory” Përkundër Vendimeve të Gjykatave

Aplikacione të Pasuksesshme të Biznesmenit të Fuqishëm

Shteti e Çon në Gjyq Kosova Petrol-in

Zvarritja e Shtetit Dështon Afatin e Kryerjes së Rrethrrotullimit

Punëtorët Kërkojnë Rrogat e Papaguara Nga Kosova Petrol-i