Papërgjegjësia Shtetërore Çoi në Mbylljen e Memorialit

Në vend që të gjejnë ndonjë zgjidhje, institucionet e Kosovës po fajësojnë njëra-tjetrën për mbylljen e Memorialit të UÇK-së në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt nga ana e investitorit amerikan Benito Mares.

Në Memorialin e Marinës, të ndërtuar gjatë 2005-ës në një vend të ngritur mbi disa kodra në magjistralen Drenas-Skenderaj, nga larg vazhdon të shihet vetëm unaza e bardhë në formë ovale që ngrihet drejt qiellit. 

Dyert e kompleksit memorial ku janë të shkruar emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve  të UÇK-së janë mbyllur përkohësisht të hënën e 7 prillit nga donatori kryesor i përkujtimores-amerikano-spanjolli Benito Mares, në shenjë proteste pse kjo vepër nuk po mirëmbahet dhe ruhet nga përgjegjësit institucionalë. 

Ai shkroi arsyet në një pllakë të vendosur jashtë telave rrethues të memorialit, me qëllim që qytetarët t’i marrin vesh arsyet e mbylljes. 

Duke treguar se vjedhje dhe dëmtime kanë ndodhur, në pllakë u kujtohet kosovarëve se duhet ruajtur këtë vend të nderit “për të gjithë burrat dhe gratë e vrarë në luftën për liri”.  

“Ju lutemi kontaktoni politikanët tuaj të nivelit lokal dhe atij qendror për të përmirësuar sa më parë që është e mundur këtë mospërfillje të turpshme”, thuhet në njoftimin e shkruar të lënë nga Benito Mares. Pranë emrit ai ka shkruar edhe numrin e tij “kosovar” të telefonit. 

Policia e Mitrovicës përmend raste të dëmtimit të kompleksit. 

“Në nëntor të vitit të kaluar, për shkak të vjedhjeve të disa pjesëve të rrethojave, policia e qytetit të Skenderajt ka arrestuar tre persona”, thotë Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë Rajonale të Mitrovicës. 

Zahiti tregon se edhe para 15 ditësh brenda kompleksit memorial është evidentuar një djegie e një barake prej drurit, e cila ka shërbyer për mbajtjen e veglave të punës. Zahiti thotë se për këtë djegie policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar.  

Përveç dyerve të mbyllura me dry, muri nga graniti me emra të dëshmorëve anash unazës së bardhë është mbuluar me pllaka llamarine. 

“Shumica e donatorëve (qytetarë amerikanë) ishin të brengosur për ndonjë dëmtim, ose fyerje të 2 mijë e 200 emrave të heronjve të rënë, të shkruar në murin e nderit prej granitit të zi, prandaj vendosa pllaka llamarine mbi këtë mur”, thotë Benito Mares për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Mundësia që për monumentet të kujdesen institucionet kosovare, e la pa punë Ruzhdi Gecin nga fshati Llaushë e Skenderajt. Ai ishte roje e Përkujtimores së Marinës për tetë vjet. 

“Qysh kam me u ndi si një njeri i papunë? Ma keq nuk ban hiq, po çka me ba. Unë kam qenë rojtari i Memorialit deri para gjashtë muajve”, thotë Geci. 


Tabela njoftuese që tregon mbylljen e përkohshme të memorialit

“Është i njëjti tregim për pesë vjet…”

Memoriali i Marinës u ndërtua në dy faza. E para u mbulua nga donatorët amerikanë me në krye Maresin dhe e dyta nga qeveria. 

“Unë dhe donatorët tjerë amerikanë siguruam gati 200 mijë euro në vitet 2004 dhe 2005 për fazën e parë të ndërtimit. [Me këto para] u ndërtua muri i nderit me emrat e të rënëve, hyrja, rrethi me bar e ulëse dhe betoni oval që ngrihet drejt qiellit”, thotë Mares. 

Sipas tij disa vjet më vonë ekzekutivi kreu fazën e dytë të punimeve, kur ngriti një ndërtesë për vizitorët dhe disa varre për ushtarë që mund të varrosen ndonjë ditë.

Kreshnik Berisha, këshilltari politik i ministrit të Planifikimit Hapësinor Dardan Gashit,  i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ndërtimi i fazës së dytë të Memorialit i ka kushtuar kësaj ministrie 308 mijë euro.

Mares tregon se që nga vitet 2004- 2005 kur nisi ndërtimi i kompleksit e deri në gjysmën e parë të 2013-ës, donatorët amerikanë paguan edhe për mirëmbajtjen dhe sigurinë e memorialit. 

“Që nga atëherë [vitet 2004- 2005] e deri në mes të vitit 2013 ne financuam mirëmbajtjen totale dhe sigurinë e memorialit me nga rreth 6 mijë euro në vit”, shpjegon ai. 

Por Adnan Lushtaku, pronar i kompanisë “Dreni Engineering” që ndërtoi memorialin, nuk e pëlqen veprimin e shtetasit amerikan. 

“Më ka ardhur keq prej amerikanit, ka kohë që nuk e kam parë, por nuk bëhet ashtu. Ndoshta ka edhe te drejtë se nuk është mirëmbajtur ajo punë, por nuk mbyllet ajo, nuk guxon askush me mbyllë atë”, thotë Lushtaku. 

Mares shpjegon se pse vendosi për këtë hap. 

“Pasi nuk mund t’u raportoja donatorëve tjerë rreth ndonjë hapi serioz për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e memorialit nga qeveria qendrore, ose lokale, nuk kishte zgjidhje tjetër. Ka pasur shumë zhurmë… për krijimin e agjencisë së memorialëve. Është i njëjti tregim për pesë vjet e më shumë”, thotë Mares. 


Muri me emrat e të vrarëve të UÇK-së, i mbuluar me pllaka llamarine

Agjenci pa buxhet për memorialët 

Më 19 mars 2013 Kuvendi miratoi Ligjin për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës.. 

“Agjencia është formuar në vitin e kaluar, por deri me 10 janar të këtij viti ka qenë vetëm kryeshefi i zgjedhur, kurse ne, nja tre veta, i kemi ndihmuar”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë Adnan Elshani drejtor i Administratës së agjencisë. 

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës aktualisht është duke u kujdesur vetëm për kompleksin përkujtimor të Prekazit. 

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi në seancën e 10 prillit për mbylljen e Memorialit të Marinës e bëri fajtore Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. 

“Kur kemi diskutuar për Ligjin për Buxhetin, unë kam thënë që Ministria e Planifikimit Hapësinor nuk ia ka qit Agjencisë buxhetin që i ka takuar me ligj. Prandaj, Agjencia nuk e ka përgjegjësinë. Përgjegjësia është e Qeverisë dhe e Ministrisë”, tha Krasniqi gjatë mbledhjes së Kuvendit. 

Ministri Dardan Gashi thotë se punën me kryeparlamentarin e ka sqaruar, ndërsa mendon se Krasniqi ka gabuar. 

“Kryetari Krasniqi ka gabuar se nuk është Ministria ajo që i ndan fonde [Agjencisë], por Kuvendi, sepse ajo është një agjenci e Kuvendit. Unë nuk kam pasur fonde për memorialin fatkeqësisht. Agjencia si agjenci është dashtë për të lypur mjete prej kuvendit”, thotë Gashi. 

Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi shpjegon ecurinë që duhet ndjekur Agjencia për të marrë fonde nga shteti për mirëmbajtjen e monumenteve. 

“Agjencia duhet vetë ta bëjë një draft- propozim, apo kërkesë në Ministrinë e Financave, pastaj ministria ia dërgon atë Kuvendit për miratim”, thotë Krasniqi. 

“Secila organizatë buxhetore është përgjegjëse që të përgatisë dhe t’i dorëzojë ministrit [të financave] propozim-buxhetin dhe kërkesën e saj për ndarje buxhetore në pajtim me tavanin e zbatueshëm të shpenzimeve”, thuhet në nenin 20 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. 

Në Agjenci thonë se kanë vepruar pikërisht kështu, por fondet nuk u kanë ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

“Fondet nuk i ka bartë Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor. Kjo ministri i ka marrë projektet nga Ministria e Financave dhe me ligj ka qenë e obliguar për t’i bartur në Agjenci”, thotë drejtori i Administratës në AMKM, Adnan Elshani. 

Ai shpjegon se përveç kompleksit memorial “Adem Jashari”, asnjë projekt tjetër nuk i është bartur Agjencisë nga Ministria e Planifikimit Hapësinor. 

Drejtori Idriz Blakaj ankohet për kompleksin e Marinës. 

“As projekti nuk na ka ardhur e lere ma buxheti, edhe pse është dashur me ardhë prej 1 janarit”, thotë Blakaj. 

Ai e quan shakaxhi ministrin Gashi.

“Ministri Gashi ka bërë hajgare, nuk e ka pasur përnime. Ministri Gashi për Marinë dhe Likoshan i ka pasur 450.000 euro nga buxheti i Kosovës, çka është bërë me to ai e di”, shton Blakaj. 


Memoriali i mbyllur

Mbyllja e memorialit prek ish-luftëtarët 

Benito Mares çuditet pse qeveria “nuk mori përsipër shpenzimet e pakta vjetore për mirëmbajtje dhe siguri”. 

“Është përgjegjësi e çdo qeverie serioze, jo e personave privatë dhe sidomos jo e të huajve të ndërtojë dhe mirëmbajë memorialët e heronjve të rënë”, thotë Mares. 

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, mbylljen e memorialit e cilëson turp për institucionet. 

“Absolutisht nuk është mirë dhe në një farë forme është faqe e zezë dhe një turp për të gjitha institucionet në nivel qendror dhe lokal mbyllja e memorialit, me vetë faktin se aty janë të skalitur të gjithë emrat e dëshmorëve që kanë rënë nëpër betejat e luftës së UÇK-së”, thotë Jashari. 

Ai beson se kjo situatë e pakëndshme rreth Memorialit të Marinës shpejt do të zgjidhet. 

Por zëdhënësi i Komunës së Skenderajt Hajriz Koci thotë se kjo komunë nuk ka kompetenca për memorialin. 

“Përgjegjëse për këtë është Ministria e Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinor, ne nuk kemi qenë pjesë e atij projekti dhe as nuk e mirëmbajmë dhe mbikëqyrim, as nuk e kemi kompetencë”, shpjegon Koci. 

Investitori amerikan Benito Mares nuk i ka rënë pishman pse ka ndërtuar memorialin. 

“Nuk do të ketë asnjë moment që unë dhe donatorët amerikanë do të mendonim se nuk do të duhej të humbnim kohë dhe të investonim para për nderimin e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm dhe trima të UÇK-së dhe luftës për liri”, përfundon Mares.