Holandës i Kërkohet Përfshirje në Tribunalin për Kosovën

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga qeveria holandeze që të ndihmojë Task Forcën Speciale të BE-së për ndjekjet e mundshme penale në momentin kur hetimet për pretendimet për trafikim organesh të kompletohen.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës Frans Timmermans ka informuar parlamentin javën që shkoi për kërkesën për ndihmë që do të ndodhë pasi që Task Forca për Hetime Speciale e BE-së të përmbyllë hetimet për pretendimet për krime lufte dhe akuzat tjera që dalin nga raporti i Dick Martyt para Këshillit të Evropës në dhjetor 2010.

Letra ministrore, të cilën e ka siguruar BIRN-i, thotë se BE-ja ende po negocion me Kosovën për modalitetet e ndjekjeve penale.

Timmermans më tutje thotë se “roli i saktë i Holandës është akoma i paqartë,” por ajo që është e sigurt është se Holanda do të përfshihet në “një numër të caktuar rastesh për një periudhë të caktuar kohore”.

Sipas ministrit, gjykata e re “nuk do të jetë një tribunal i ri ndërkombëtar për Kosovën me seli në Holandë”, por një tribunal special, ku disa procedura do të zhvillohen në Holandë “e të cilat kanë të bëjnë me dëgjimin e dëshmitarëve”.

Letra tutje thotë se Holanda do të mund të ofronte asistencën e kërkuar nga BE-ja, “duke marrë parasysh përvojën unike që ka Holanda në jurisprudencën ndërkombëtare”.

Por Holanda për mbështetjen  e tribunalit ka vënë kusht që gjykata të “plotësojë standardet më të larta të së drejtës penale ndërkombëtare dhe standardet e dala nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Këto dy kushte duhet të përmbushen nga autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me BE-në”, theksoi ministri.

Gjykatë speciale në mandatin e EULEX-it

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara aktualisht janë duke negociuar mandatin e kësaj gjykate me Kosovën dhe sipas burimeve të BIRN-it në BE thuhet se kjo gjykatë do të integrohet në sistemin ligjor të Kosovës me një status special.

Por seancat e gjykatës do të mbahen jashtë vendit dhe gjyqtarët, prokurorët e stafi tjetër do të jenë ndërkombëtarë.

BIRN-i gjithashtu mëson se në momentin kur procedurat e konsultimeve të mbarojnë, BE-ja dhe Kosova do të shkëmbejnë letra për zgjatjen e mandatit të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, i cili mandat skadon më 14 qershor. Letrat gjithashtu qartësojnë themelimin e gjykatës speciale përgjegjëse vetëm për ndjekjen e rasteve që vijnë nga Task Forca Speciale për Hetime.

Burimet e BIRN-it brenda Bashkimit Evropian, në anonimitet thonë se mandati i gjykatës do të bazohet efektivisht në raportin e përpiluar nga Marty.

Akoma ngelet e paqartë nëse tribunali i ri do të merret me trafikim organesh, por ajo që dihet është se do të merret me rrëmbimet dhe deportimin e rreth 500 personave, kryesisht të serbëve që ngelën të pagjetur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë, në korrik 1999.

Raporti i Martyt gjithashtu pretendon që ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe pjesëtarët e të ashtuquajturit Grupi i Drenicës, duke përfshirë edhe kryeministrin e tanishëm Hashim Thaçi dhe deputetin Shaip Muja – kanë qenë të përfshirë në veprime të organizuara kriminale, duke mbajtur edhe rrjetin ad hoc të objekteve për ndalim në territorin e Shqipërisë.

Sipas raportit, ata kanë vendosur për “fatet e të burgosurve të cilët janë mbajtur nëpër këto objekte”. Disa pjesëtarë të grupit Drenica tashmë janë duke u gjykuar për krime lufte, por Thaçi dhe Muja nuk janë përballur me ndonjërën nga akuzat nga raporti i Dick Martyt.

Që të dytë kanë mohuar akuzat e këtij raporti.

Christopher Lamont, profesor asistent në Universitetin holandez të Groningenit, tha se gjykata e re “do të mundësojë një forum ku do të vazhdohen edhe disa hetime të iniciuara më parë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi”.

“Derisa supozimi ishte që meqë, Tribunali i Hagës ka mbyllur dyert e veta, gjykatat vendore do të vazhdonin punën e vet, në territorin e ish-Jugosllavisë, por një gjë e tillë nuk është dëshmuar të ketë ndodhur”, tha ai për BIRN-in.

David Phillips, nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut nga Universiteti Kolumbia, mendon që ndjekjet e krimeve të luftës ngelin të jenë problematike për gjykatat nacionale.

“Shtetet e reja në Ballkan nuk kanë kapacitete dhe vullnet politik të hetojnë krimet e luftës, posaçërisht kur kryesit e këtyre veprave gjenden në qeveri, ose janë të afërt me qeverinë”, tha ai për BIRN-in.

Tribunali kërkon ndryshime ligjore në Kosovë

Njësoj sikur që Task Forca Speciale për Hetime funksionon në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, njësoj do të funksionojë edhe tribunali.

Dhe për një gjë të tillë do të nevojiten ndryshime ligjore në Kosovë.

Nora Ahmetaj, drejtoreshë në Qendrën për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim në Kosovë, tha se ekzistojnë disa opsione në tavolinë.

Opsioni i parë do të ishte që Presidentja e Kosovës të iniciojë ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për krijimin e tribunalit.

Presidentja Atifete Jahjaga tha të premten se “Institucionet e Kosovës kanë demonstruar gatishmërinë e tyre për të punuar me partnerët ndërkombëtarë”, duke siguruar Jonathan Moore-in, drejtorin e Zyrës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore të Departametit të Shtetit të SHBA-ve, se “Kosova ka treguar guxim dhe lidership në ballafaqimin me të kaluarën”.

Opsioni i dytë, sipas Ahmetajt mund të jetë që BE-ja dhe Kosova të nënshkruajnë një letër  “dhe më pas të bëhet ratifikimi nga Kuvendi i Kosovës”.

Ajo tha se një opsion tjetër do të mund të ishte që një kryesues i një grupi parlamentar, ose një grup deputetësh të propozojnë një projektligj në Kuvend për krijimin e një tribunali të tillë.

“Kuvendi pastaj do të debatonte dhe/ose të votonte për ose kundër ligjit për themelimin e tribualit.. por duke marrë parasysh dinamikën e grupeve të ndryshme të interesit në Kuvend, dyshoj që kjo punë të mund të ecën lehtë .. pa pasur presion nga jashtë”, thekson Ahmetaj.

Disa diplomatë i kanë thënë BIRN-it se presioni nga BE-ja dhe SHBA-ja sa vjen e shtohet që Kuvendi i Kosovës të pajtohet me tribunalin.

Por, Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, ka paralajmëruar se një vendim i tillë për krijimin e një tribunali të ri, ose zgjatjen e mandatit të EULEX-it duhet të bëhet me miratimin e dy të tretave të deputetëve.

Disa zëra në Kuvend kundërshtojnë hapur një ide të tillë, duke filluar nga lëvizja nacionaliste në opozitë Vetëvendosje.

“Themelimi i këtij tribunali do të dëmtojë interesat e shqiptarëve për së paku dy vjetët e ardhshëm”, tha Glauk Konjufca, deputet nga Vetëvendosje.

“Në të gjitha mediet ndërkombëtare shqiptarët nuk do të portretizoheshin si luftëtarë të lirisë, por si njerëz që janë involvuar në krime të dyshimta siç është trafikimi me organe”, deklaron deputeti.

Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, mendon gjithashtu që krijimi i një tribunali të tillë do të paraqesë dilemë për Kosovën.

“AAK-ja nuk parapëlqen krijimin e një tribunali të tillë. Kosova ishte viktimë në luftë. Por ne duhet tani të vendosim nëse do të themelojmë apo jo tribunalin dhe të mos lejojmë që këtë ta bëjë Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Gjini.

Sipas Ahmetajt, ky është opsioni tjetër i radhës – që kjo të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk voton krijimin e tribunalit, atëherë çështja automatikisht do të jetë në duar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të hapte rrugën për krijimin e gjykatës bazuar në Rezolutën 1244”, shtoi ajo.

“Dhe kjo mund të ketë implikime tjera politike, meqë autoritetet e Kosovës nuk do të preferonin që një tribunal i tillë të themelohej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo do të konsiderohej e dëmshme për Kosovën”, përfundon ajo.

Mbrojtja e dëshmitarëve paraqet problem

Sipas burimeve të BIRN-it, një arsye pse BE-ja ka vendosur që të gjejë një zgjidhje jashtë Kosovës është gjendja problematike e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Në rastet e ndjeshme të krimeve të luftës në gjykimet para Tribunalit të Hagës, por edhe në gjykatat e BE-së në Kosovë, dëshmitarët shpesh kanë ndryshuar dëshmitë e dhëna. Disa prej tyre janë kërcënuar dhe disa madje edhe janë vrarë.

Ahmetaj pajtohet se mungesa e mbrojtjes së duhur të dëshmitarëve ka bërë që të mendohet “se disa procedura të ndjeshme, siç është dëgjimi i dëshmitarëve, të mos ndodhin fare brenda Kosovës”. Por megjithatë ajo tha se selia e gjykatës duhet të jetë në Kosovë.

Gjykata do të ketë në përbërje staf ndërkombëtar, meqë EULEX-i tashmë edhe ka shprehur shqetësimin se gjyqtarët vendorë ka mundësi të mos jenë në gjendje të trajtojnë rastet e ndjeshme.

Në një letër të përbashkët, 17 gjyqtarë të EULEX-it kanë thënë se juristët ndërkombëtarë duhet të kenë rolin udhëheqës në rastet e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe jo që këto raste të kalohen te gjyqtarët vendorë gjatë kësaj vere, siç ishte propozuar.

“Ne besojmë se akoma nuk kemi ardhur në atë stad ku rastet shumë komplekse dhe tejet të ndjeshme, siç janë krimet e luftës, korrupsioni i rëndë dhe krimi i organizuar, të kalohen tërësisht te gjyqësori vendor”, thuhet në letrën e dërguar në janar te kryesuesi i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it.

Deri tani janë ndjekur penalisht 15 raste që kanë të bëjnë me krimet e luftës.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare këmbëngul që gjykata e tillë duhet të përbëhet vetëm nga ndërkombëtarët, me një panel apeli të përbërë vetëm nga ndërkombëtarët, atëherë kjo flet shumë për besimin që gëzon gjyqësori i Kosovës në përgjithësi”, tha znj. Ahmetaj.

“Unë themelimin e kësaj gjykate e shoh si shuplakë të dyfishtë fytyrës, jo vetëm ndaj gjyqësorit të Kosovës, por edhe të EULEX-it. Gjyqësori në Kosovë ka dështuar për të ofruar e drejtësi”, tha Ahmetaj për BIRN-in.

Lamont pajtohet duke e quajtur tribunalin e ri “një shprehje të frustrimit të plotë me paaftësinë e gjykatave vendore për të ndjekur rastet e vështira brenda vendit”.

“Përkundër përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe të Tribunalit të Hagës për krime në ish-Jugosllavi, për të ngritur kapacitetet gjykatave vendore, mungesa e vullnetit politik për të hetuar dhe ndjekur rastet e profileve të larta tregon që hetimet janë politikisht problematike dhe nga perspektiva e vënies në cak të një ane të konfliktit, tregohet që thjesht këto nuk janë prioritete për gjykatat vendore,” përfundon ai.