Rrëfimi i Zonjës së Medicus-it

Në një të dielë të rezervuar për vizita te bashkëshorti dhe i biri i saj që po mbaheshin në burg nën akuzën për trafikim të njerëzve dhe organeve, Vjollca Dervishi do të merrte me vete librin humoristik “Pse shqiptarët nuk kanë mend” të Ali Mehmetajt. 

Ishte viti 2008 dhe familjarët e saj po mbaheshin në paraburgim.

Për gruan e Lutfi Dervishit, drejtor dhe pronar i klinikës Medicus, që në fund të prillit të vitit të kaluar, është gjendur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz duke u dënuar me tetë vjet heqje lirie dhe me gjobë prej dhjetë mijë eurosh, procesi gjyqësor 2008-2013 ka qenë qesharak, por tepër i vështirë për jetën e saj martesore. 

Por para gjashtë vjetësh, libri i ishte dërguar Arban Dervishit, birit të saj, ekonomist në klinikë, që është gjetur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim dhe është dënuar me shtatë vjet e tre muaj burg bashkë me pagimin e 2 mijë e 500 eurove si gjobë. 

Ky libër kishte bërë që familja Dervishi që në këto katër vjet ishte përmendur në të gjithë botën, të relaksohet, përpara se procesi ndaj tyre të merrte krejt drejtim tjetër. 

E ky është vetëm një nga detajet që Vjollca Dervishi ka sjellë në librin e saj “Medicus, e vërteta dhe trillimet”, që thotë ta ketë shkruar në vend të ditarit. 

Librin po e shpërndan falas, por Dervishi nuk flet me numra kur pyetet për sasinë e kopjeve të shpërndara të librit. 

Megjithatë thotë se po përgatitet botimi i dytë i tij. 

Por çka e ka shtyrë që ta shkruajë këtë libër? Fakti se vetë Medicus-i ishte ideja e Vjollca Dervishit, është vetëm fillimi i arsyes që solli librin. 

Ideatorja e Medicus-it që nuk u beson mediave 

Edhe pse bashkëshorti dhe i biri i saj po presin në liri vendimin  e shkallës së fundit pas ankesës që kanë bërë për dënimin e marrë nga gjykata, zonja Dervishi këmbëngul se ata janë krejtësisht të pafajshëm. 

Zonja e familjes Dervishi thotë se Medicus-i ka qenë një klinikë altruiste që në këmbim të pak parave ka shëruar qindra njerëz. 

Por, gjykata kishte gjetur se veshkat transplantoheshin në këmbim të shumave të mëdha të parave që kapnin koston deri në 90 mijë dollarë për një transplantim.

Prokurori Jonathan Rathel kishte arritur të bindte gjykatën se heqja e organeve ishte bërë për këtë arsye. 

Por për zonjën Dervishi krejt kjo është një konspiracion.

Ankohet se mediat kanë qenë pjesë e këtij konspiracioni kundër familjes së saj. 

Zonja Dervishi punon në Administratën Tatimore të Kosovës. Përpara kësaj, ka punuar në Ndërmarrjen Publike Banesore. Në intervistë ajo është e shoqëruar nga kolegia e saj e punës që ka përvojë me raportet me mediat, Hava Ademi, ish zëdhënëse e ATK-së. Gjithë intervistën Dervishi e incizon me telefonin e saj teksa kolegia mban shënime. 

“Ende nuk u besoj mediave”, thotë Dervishi e cila ankohet pse mediat kosovare nuk e kanë kontaktuar asnjëherë për të marrë rrëfimin e saj. 

Por në promovimin e librit të saj, të bërë në shkurt të këtij viti, ka pasur shumë media. Aty kanë qenë të pranishëm edhe deputetë. Njëri nga ta ishte Azem Syla.

Madje një pjesë të madhe të librit mbi 150 faqesh të redaktuar nga shkrimtari Shyqyri Galica, ua kushton raportimeve të mediave. Këto raportime Dervishi i cilëson me ironi “arritja e mediave”. 

Shkruan me gjuhë metaforike ku shpjegon bastisjet dhe arrestimet e bëra në vitin 2008 në klinikën e familjes së saj. 

“Më saktë këtë ngjarje mund ta quajmë si pasojë e lodrave ditore, sikur i quante dikur ngjarjet në Kosovë grupi i famshëm muzikor Minatori – ‘Reshje politike’”, shkruan Dervishi në faqen 65 të librit. 

Në librin me plot përshkrime të gjendjes së saj emocionale, prezantohen edhe disa dokumente të cilat sipas autores shpërfaqin trillimet në rastin e klinikës Medicus, e cila sipas Dervishit është krijuar me iniciativë të saj. 

“Unë kam qenë shkaktarja që e kam shtyrë Lutën të punojë në Medicus, sepse unë e kam regjistruar. Lutfiu ka pranuar të punojë aty pas shumë lutjesh që ia kam bërë”, thotë Dervishi teksa sqaron arsyen se përse ka vendosur ta shkruajë librin. 

Thotë se nga vizitat në burg, ka material edhe për 1 mijë faqe libër në lidhje me Medicus-in. 

Për ta shkruar librin Dervishi shpjegon se nuk i janë dashur shumë kohë e as shumë para krahasuar me ato që janë shpenzuar për avokatët. Por zonja e familjes Dervishi nuk pranon të flasë për koston.

Njohja e Dervishit me “Doktor Frankenstein-in”

Zonja Dervishi që vjen nga Drenasi thotë se libri nuk është një kundërpërgjigje ndaj gjykatës. 

Në fund të librit të saj ajo e citon Nelson Mandela-n që thotë se “koha i shëron plagët e dukshme por plagët e padukshme jo”, kur shkruan për të vërtetën e vetme në Kosovë që sipas saj është “thithja e ajrit të ndotur”. 

Rrëfimet tjera në Kosovë, sipas saj, janë të ndërtuara mbi spekulime.

Por thotë se beson se do të vijë një ditë kur për familjen e saj do të zbardhet e vërteta. Por deri atëherë Dervishi thotë se jeton me thënien “Mos të rrokshin përpara uji, zjarri dhe hyqymeti”. 

Dervishi citon edhe Nënën Terezën: “Më mirë është ta ndezim një qiri se ta mallkojmë terrin”, kur flet për veprimtarinë e burrit dhe të birit që sipas saj kanë “kontribuar në shëndetin e popullatës”. 

Në libër Dervishi ka futur edhe disa letra falënderuese të pacientëve të klinikës Medicus që sipas saj kanë ardhur gjatë procesit të gjykimit të bashkëshortit dhe të birit të saj. 

Për Medicus-in ka edhe dokumentar. Vitin e kaluar, regjisorja daneze Ric Esther Bienstock kishte sjellë në DokuFest, dokumentarin “Tales from The Organ Trade” (Tregime nga Tregtia e Organeve). 

Aty thuhet që Kosova ka qenë vetëm një vend ku është kryer krimi. Mjeku kryesor del që ka qenë turku Youssuf Sonmez , ndërmjetësi për shtije dhe blerje ka qenë izraeliti Moshe Harel, njerëzit që kanë shitur organet nuk kanë qenë kosovarë, e kosovarët nuk kanë qenë ata që kanë blerë organe. 

“Përfshirja e vetme e Kosovës në gjithë këtë histori është se objekti dhe shefi i atij objekti ka qenë kosovar”, kishte thënë Bienctock, në një konferencë për media pas shfaqjes së dokumentarit. 

Zonja Dervishi thotë se nuk e ka parë dokumentarin, por ka lexuar për të. Por ajo nuk pajtohet se ka pasur palë të kontraktuara në Medicus që kanë qenë pjesë e tregtisë me veshka siç konkludoi gjyqi.  Thotë se ata ishin pacientë që kishin nevojë për shërim.

Thotë se nuk i intereson çfarë kanë bërë jashtë Kosovës, mjekët Sonmez dhe Harel dhe se pacientët që kanë ardhur në Medicus e kanë bërë këtë me vetëdëshirë dhe në mënyrë legale. 

“Edhe për arsye se në Medicus çmimet kanë qenë të lira”, thotë Dervishi. 

Por Somnezin që aktualisht ndodhet në arrati, Dervishi e cilëson si një mjek të vlerësuar për punën  dhe profesionalizmin e tij.

“Kam pasur dëshirë ta njoh sepse ka qenë duke punuar në spitalin e familjes sime”, thotë Dervishi. 

“Teatër në burgje”  

Teksa e lexon librin e Dervishit  kupton se zonja Dervishi e ka përjetuar rëndë vizitat në burgje dhe procesin gjyqësor ndaj bashkëshortit dhe djalit të saj. Por në libër, Dervishi i drejtohet shpesh burrit të saj me parashtresën “zotëri” ose “doktor”. E djalit i drejtohet si “ekonomist”. Vetëm kur flet për vizitat në burg, ose kur shpjegon anën emocionale, u drejtohet me afërsi familjare. 

E burgun e quan teatër. 

“Përderisa nuk ka drejtësi dhe nuk vlerësohet e drejta e njeriut, burgjet mbesin teatër. Ne kemi qenë kukulla dhe të tjerët kanë luajtur me neve duke i plotësuar nevojat e veta”, thotë Dervishi. 

Në libër Dervishi tregon sesa rëndë e ka pasur ta shohë të birin e saj Arbanin në uniformë të portokalltë, të zbehtë dhe të shqetësuar. Tregon sesi nuk ka mundur të qëndrojë në këmbë kur e ka parë në atë gjendje. 

“Të gjithë e përqafuam radhazi duke u munduar t’i buzëqeshnim dhe duke i thënë se ‘burgu është për burra’. U mundova që këtë çast tepër të rëndë për ne, ta ktheja në një atmosferë më relaksuese”, shkruan Dervishi në faqen 80.

Më pas tregon sesi Arbani e kishte vërshuar atë me pyetje se çfarë po ndodh me familjen dhe Medicus-in dhe se kur do të lirohen. 

“Qetësohu, – i thashë – mundohu që këtë ngjarje ta paramendosh sikur je duke lexuar ndonjë roman,ose ndonjë film aksion, të cilët shumë i herë i shikonim bashkë dhe e di si: Gjithherë në fund fitojnë heronjtë, të drejtët sikur ti”, shkruan Dervishi në librin e saj. 

Më pas tregon sesi edhe burri i saj Lutfi Dervishi gjithmonë i ka thënë se krejt ky proces është “një lojë” e cila do të përfundojë shpejt. 

Librin thotë ta ketë shkruar si një dokument që do t’i mbetet arkivit familjare dhe atyre që u intereson rasti Medicus. 

“Nuk më intereson sesi e shohin të tjerët dhe sesi ata e marrin këtë libër”, thotë Dervishi e cila planifikon që librin ta botojë edhe jashtë vendit. 

“Duhet t’i marrin vesh të gjithë të vërtetat dhe trillimet”, thotë Dervishi.