Dugolli-Detaje të Reja për Ngritjen e Dyshimtë në UP

Një punim i Bujar Dugollit me titull “Propaganda serbe në kohën e prezencës osmane në hapësirën shqiptare në fund të Shekullit XIX”, i cili figuron në raportin e komisionit vlerësues si punim shkencor, nuk është pjesë e dosjes së tij të aplikimit për titullin “Profesor i Asociuar”.

Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik, i dorëzoi Gazetës Jeta në Kosovë dosjen e punimeve me të cilat kishte aplikuar për gradë në UP, pas intervistës që u zhvillua me të në mars të këtij viti. 

Në raportin e komisionit recensues shënohet se ky punim është publikuar në revistën shkencore “Favorita Papers” të Akademisë Diplomatike të Vjenës në vitin 2008.

Dugolli nuk deshi të komentojë se pse ky punim që nuk gjendet në dosjen e tij është pjesë e raportit të komisionit vlerësues dhe është i vlerësuar me impakt faktor. 

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se i ka deklaruar të gjitha në reagimin me shkrim drejtuar redaksisë së Gazetës dhe në intervistën dhënë emisionit Jeta në Kosovë. 

Përgjigjja e tij në intervistë është e ngjashme me atë që e përmend në reagimin drejtuar Gazetës Jeta në Kosovë. 

Kur gazeta kishte shkruar më parë për avancimin e Dugollit në shkurt të këtij viti, ai kishte reaguar. 

Komisioni vlerësues i kishte vlerësuar publikimet e tij si punime me impakt faktor, përkundër që ato nuk klasifikoheshin si të tilla. 

Vetë Dugolli e pranon se revistat ku janë publikuar punimet e tij nuk e kanë këtë epitet dhe nuk i ka prezantuar si të tilla kur ka aplikuar për avancim në UP.

Megjithatë Dugolli në reagimin e tij e mbron titullin “Profesor i Asociuar” të marrë nga Universiteti i Prishtinës dhe deklaron se Statuti i UP-së dhe ligji për arsim nuk kërkojnë domosdoshmërisht që punimet të jenë të publikuara në revista me impakt faktor. 

“Më lejoni të deklaroj që të gjitha thirrjet e mia janë dhënë në përputhje me Statutin e UP-së dhe ligjeve në fuqi. Lidhur me thirrjen e fundit kam paraqitur si pjesë të dosjes sime të aplikimit, dëshmitë për 18 publikimet e mia deri në momentin e aplikimit. Prej tyre, 6 në revista me recension ndërkombëtar, 2 në revista rajonale dhe 9 në revista shkencore vendore dhe 1 fejton që është botuar në revistën  javore ‘Fokus’ në pesë vazhdime në vitin 2005”, kishte shkruar ai në reagimin e tij.

Anëtari i Komisionit Vlerësues, Selim Daci, njëherësh profesor i historisë në Fakultetin Filozofik, nuk deshi të komentojë se si ky punim që Dugolli nuk e kishte dorëzuar kur aplikoi për profesor të asociuar u gjend në mesin e të vlerësuarve.

Megjithatë, Daci pati dhënë më herët përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me avancimin e Dugollit. 

 “Kemi vendosë ashtu, pasi punimet janë të tilla, ndërsa Dugolli e ka merituar avancimin për profesor të asociuar e edhe më lartë”, kishte thënë Daci për gazetën.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në shkurt të këtij viti se komisioni vlerësues i llogariti si punime me impakt faktor shtatë publikime të Dugollit në revistën  “Vjetari”, që e nxjerr Agjencia Shtetërore e Kosovës, një në revistën “Scupi”, që botohet nga një institut shqiptar me seli në kryeqytetin e Maqedonisë dhe një të publikuar  më 2005 në revistën e përjavshme “Fokus” që drejtohej nga Rasim Selmanaj i AAK-së, aktualisht kryetar i Deçanit.

Dugolli përmend ISSN-në si vlerë të punimeve të tij

Ndërkaq dy punime tjera të Dugollit të shënuara në raportin e komisionit si punime me impakt faktor janë botuar në revistën “Diskutime”, ku Dugolli është anëtar i redaksisë.  

Revista botohet nga Instituti për Studime Evropiane (ISE) i Universitetit të Tiranës dhe Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare Ballkanike në Shkup.

Por kjo revistë nuk është pjesë e listës së revistave me impakt faktor (IF) siç e përshkruan Komisioni vlerësues.

Bashkë me Dugollin pjesë e redaksisë është edhe Bajram Kosumi, një ish-bashkëpartiak i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Dugolli pati mbajtur pozitën e ministrit për Tregti e Industri, ndërsa Kosumi pozitën e kryeministrit të Kosovës gjatë kohës sa i përkisnin AAK-së. Më pas të dy kishin lënë AAK-së duke konkurruar për deputetë si pjesë të listës së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Asnjëri prej tyre nuk arriti të fitojë votat e duhura për t’u bërë pjesë e legjislativit të vendit. 

Në numrin 1 dhe 2 të revistës Diskutime, i botuar në tetor dhe nëntor 2012, Dugollit i ishte botuar shkrimi “Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe ripushtimi i Kosovës”, me ç’rast Dugolli figuron si anëtar i redaksisë së revistës, ndërsa në numrin 3 dhe 4 të po kësaj reviste i është publikuar punimi me titull “Diskriminimi në arsimin e lartë dhe rezistenca civile në Kosovë 1997-1998”, ku Dugolli figuron si anëtar i Bordit Shkencor Ndërkombëtar.

Dugolli, i pyetur nëpërmjet e-mailit lidhur me këtë çështje, nuk ka dashur të komentojë duke thënë se nuk ka se çfarë të shtojë më shumë sesa atë që e ka thënë në reagimin e tij drejtuar Gazetës Jeta në Kosovë dhe në intervistën për emisionin Jeta në Kosovë. 

Dugolli, kur u intervistua nga emisioni Jeta në Kosovë, deklaroi se është i bindur se të gjitha punimet e tij kanë recension ndërkombëtar, pasi që revistat ku i ka botuar këto punime mbajnë kodin ndërkombëtar ISSN.

Ai e pranon se revistat ku janë publikuar punimet e tij nuk kanë impakt faktor, por sipas tij punimet janë të vlefshme, pasi që ato e përmbajnë këtë kod ndërkombëtar.

Por vendosja e këtij kodi në revista ndërkombëtare nuk nënkupton edhe cilësinë e tyre. 

Bazuar në përshkrimin në faqen zyrtare të ISSN-së thuhet qartë se “ISSN është një kod me 8 numra që identifikon gazetat, zhurnalet, revistat javoret/mujoret të të gjitha llojeve që gjenden në të gjitha mediat e printuara dhe elektronike”. 

“Roli i ISSN-së është të identifikojë publikimet. Është një kod digjital pa ndonjë kuptim të brendshëm, nuk përfshin ndonjë informatë lidhur me origjinën dhe përmbajtjen e publikimit, nuk garanton kualitetin dhe validitetin e përmbajtjes. 

ISSN është i lidhur me titullin e publikimit”, thuhet në faqen zyrtare të International Standard Serial Number (ISSN).