“Hidromorava” Degradon Sindikalistët (TV)

Vendi i punës i është ndërruar edhe kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të “Hidromoravës”, Kadri Reqanit.

Reqani tregon se nga viti 1999 deri vitin e kaluar punoi si vozitës i automjeteve të kompanisë që dilnin në terren për të sanuar rrjedhjet e ujit nga sistemi i gypave të ujësjellësit.

Prej tetorit të 2013-ës ai punon si ndihmësmjeshtër, një pozitë që thotë se “nuk ekziston në organogramin e organizatës”.

“Vendi i punës më është ndërruar pa paralajmërim, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe nuk e di arsyen e ketij ndërrimi “, shpjegon Reqani .

Ai mendon se në rastin e tij janë shkelur neni 17 i Ligjit të Punës dhe neni 24 i ligjit për Sindikata.

Neni 17 i Ligjit të Punës thotë se i punësuari caktohet në vendin e punës për të cilin ka nënshkruar kontratën, ndërsa nëse i ndërrohet vendi i punës, ai duhet t’i përshtatet përgatitjes profesionale të punonjësit.

Kryesindikalisti i “Hidromoravës” tash punon si sanues i prishjeve në terren, punë për të cilën thotë të mos ketë përgatitje profesionale.

Neni 24 i Ligjit për Organizim Sindikal në Kosovë përcakton imunitetin e punëtorëve që merren me aktivitete sindikale. Aty thuhet se vendi i punës së një anëtari të sindikatës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e sindikatës së asaj ndërmarrjeje.

 Fatin e kryesindikalistit të “Hidromoravës” e kishte edhe anëtari i kryesisë së kësaj sindikate, Sutki Abdullahu.

Abdullahu që për njëzet e katër vjet kreu punën e faturistit, tash është duke punuar si arkëtar në ndërmarrje. Faturistët përcaktojnë shpenzimet e ujit për klientët në bazë të të dhënave të matjeve që u vijnë nga terreni.

“Si anëtarë të sindikatës jemi ankuar me shkrim që ka keqpërdorime dhe nëse s’ka qenë diçka në rregull kryeshefen e kam kundërshtu”, thotë Abdullahu, teksa është i bindur se pikërisht angazhimi sindikal ndikoi që t’i ndërrohet vendi i punës.

Të njëjtën gjë e thotë edhe kryesindikalisti Kadri Reqani.

“ Kemi kërku dhe u kemi sugjeru që të ndalen keqëpërdorimet sepse ka shumë dhe arsye tjetër nuk ka, vetëm pse jam kryesues i sindikatës dhe të gjitha shkresat kanë shkuar përmes meje“ thotë Reqani.

Avdyl Hasani, kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Kompanisë “Hidromorava “, mohon se Reqanit i është ndërruar vendi i punës, pse është kryesues i Sindikatës.

“ Kur është bërë miratimi i risistemimit të vendeve të punës nuk është folë për emra. Ndryshimi i vendit të punës nuk i është bërë vetëm Kadriut [Reqanit], por edhe një pjese të punëtorëve në ‘Hidromoravë’, duke mos përjashtu as stafin e lartë “, thotë Hasani.
 
Por Hasani e di se Reqani pretendon që pozita i është ndëruar për shkak të kujdesit për punëtorët, si sindikalist.

“Rastin e Kadriut e kemi shqyrtu si ankesë të kryetarit të Sindikatës në ‘Hidromoravë’ dhe pretendimet janë se i është ndryshu vendi i punës vetëm se është kryetar i sindikatës “, tregon Hasani.
 
Risistemimet- zyrtarisht për shkak të një gabimi

Zyrtari i lartë financiar në “Hidromoravë” Xhelal Shabani thotë se lëvizjet e punëtorëve nga një vend në një vend tjetër të punës, janë bërë kinse për shkak të një gabimi të punëtorëve të faturimit, një favori, një korrigjimi të gjendjes [faturave të ujësjellësit] të një punëtori.

“ Punëtori që është fajësu se ka bërë gabim, punon që 34 vjet në faturim dhe ka mundur të gabojë sepse jemi njerëz dhe gabimi nuk ka qenë material që e ka dëmtu kompaninë kushedi se sa dhe për shkak të tij, ndërrimi ka shkuar në mënyrë zingjirore “, thotë Shabani.

Sutki Abdullahu, anëtari i Kryesisë së Sindikatës thotë se në maj të vitit 2008 drejtori i atëhershëm menaxhues Flamur Zeqiri, kishte marrë një vendim për korrigjim të borxheve që i kishin ujësjellësit vetë punëtorët e “Hidromoravës”.

Sipas vendimit punëtorëve të kompanisë u korrigjohej borxhi i akumuluar deri më 31 mars 2008 në shkallë prej 500 eurosh.

“ Pas muajit prill 2008 të gjithë punëtoret që e shfrytezojnë ujin e ujësjellësit janë të obliguar të paguajnë ujin si çdo konsumator tjetër “, thuhej në vendimin e ish-drejtorit.

Zyrtari i lartë financiar Xhelal Shabani thotë se nuk ka njohuri për nivelin e pagave

“ Për nivelin e pagave s’jam pyet, nuk e di, e as nuk kam qasje, sa paguhet as shefi i inkasantëve e as faturisti”, thotë Shabani

Por ai tregon se më së keqi nga këto ndërrime të pozitave në ndërmarrje e ka pësuar shefi i inkasantëve. Sipas Shabanit, ky shef tash lexon ujëmatës në terren.

Por për degradim ankohet edhe Sutki Abdullahu.

“Këtu më ka qitë Myrvete Hoti kryeshefja ekzekutive kinse kemi bërë shkelje të rëndë duke ua përmirësuar gjendjen punëtorëve të ‘Hidromoravës’“, thotë Avdullahu.

Policia heton keqpërdorimet në “Hidromoravë”

Kryesuesi i Sindikatës Kadri Reqani tregon se manaxhmenti i kompanisë që furnizon me ujë rajonin e Gjilanit po bën edhe punësime familjare.

“Kryeshefja ekzekutive Myrvete Hoti, e ka punësuar si arkëtare vjehrrën e djalit Igballe Salihun, ndërsa anëtarja e Bordit Elhame Shefkiu e ka punësuar vajzën e motrës Albulena Salihun si asistente”, thotë Reqani.

Atij nuk i duket ndonjë shkelje e madhe punësimi si asistente i Albulena Salihut, por e brengos ngritja në pozitë e saj. Sipas Reqanit vajza e motrës së anëtares së Bordit të “Hidromoravës” me lëvizjet e të punësuarve, nga asistente është bërë faturiste. 

Elhame Shefkiu e pranon se e ka vajzë të motrës faturisten e tashme të “Hidromoravës”.

“Është e vërtetë që vazja e motrës punon aty, por ajo është pranu me konkurs dhe procedurë të rregullt dhe as që i kam ndihmuar”, thotë Shefkiu për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Edhe anëtari i Kryesisë së Sindikatës Sutki Abdullahu, dyshon se vendi i punës i është ndërruar për ta sjellë aty ndonjë të afërm të zyrtarëve të lartë.

“Ndoshta [kryeshefja ekzekutive] ja ka premtu dikujt atë vend pune , sikur që e ka pru çikën e motrës së anëtares së Bordit në vendin tim”, thotë Avdullahu, i cili pas 24 vjetësh të punës si futurist, është degraduar në arkëtar. 

Myrvete Hoti, kryeshefja ekzekutive e “Hidromoravës”, ende nuk u është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë për keqpërdorimet e mundshme në ndërmarrje dhe punësimet familjare. Ajo nuk është pëgjigjur as në numrin e saj të telefonit dhe nuk ka qenë në zyrë në disa raste kur ekipi i gazetës e ka kërkuar.

Kryesindikalisti Reqani thotë se në shkurt 2014 rastet e keqpërdorimeve të tashme dhe të vitit 2011 i kanë lajmëruar në polici.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan thotë se në vitin 2013 është denoncuar një rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kompaninë publike “Hidromorava”.

“ Bëhet fjalë për drejtoreshën e kompanisë, drejtorin teknik dhe shefin e inkasantëve, që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare “, tregon Hashani .

Hashani thotë se rasti i kompletuar me prova të gjetura është dorëzuar në prokurori me kallzim penal.

Por në “Hidromoravë” nuk e dinë se po hetohen zyrtarët e lartë të ndërmarrjes.

“ Jo, zyrtarisht nuk më ka njoftu askush, por edhe nëse ka pretendime kjo është e shëndetshme  jo vetëm për kompaninë Hidromorava, por edhe më gjerë dhe nëse ka shkelje secili duhet të përgjigjet para ligjit  “, thotë kryetari i Bordit Avdyl Hasani.