“Bufeja” e Shkollës Ku Shiten Edhe Fletore! (TV)

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 18.03.2014

Në shkollën fillore “Mihail Grameno” në Rahovec, që nga muaji nëntor është hapur një bufe për nxënësit.

Kjo bufe e cila gjendet në bodrumin e kësaj shkolle, shërben ushqim dhe pije, duke nisur nga byrekët, kiflet, hamburgerët, si dhe gjërat tjera ushqimore.

Edhe në menynë e kësaj bufeje figurojnë disa nga shërbimet dhe ushqimet që ofrohen atje, por para se të hapej bufeja ndryshe ishte prezantuar nga drejtori.

Drejtori i shkollës Enver Deliu në një mbledhje bashkë me Këshillin prindërve dhe atë të nxënësve, kishte shtruar nevojën e rregullimit të kuzhinës së shkollës, duke njoftuar edhe rreth asaj se çka do të shërbehet në bufe.

“Firma Danuza që bën përgatitjen e ushqimit siç janë kiflet, kanë bërë një ofertë që nxënësit të ushqehen me kifle të ndryshme, ku oferta e tyre është që secili nxënës për një muaj të ushqehet me kifle dhe pagesa për një muaj  është 4 euro për nxënës”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes, të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Zgjerim i shitjes përtej kontratës

Por kiflet nuk janë produkti i vetëm ushqimor që shitet në bufe. Përveç erës së ushqimit që përhapej nga bufeja, biznesi i firmës Danuza ishte zgjeruar edhe me shitjen e lapsave dhe fletoreve.

Pronari i pastiçerisë dhe byrektores “Endriti” Besim Danuza, këtë e arsyeton me kërkesat e ardhura nga nxënësit. Ai e pranon se nuk e ka të lejuar me kontratë shitjen e produkteve të tilla, sidomos atyre që përdoren për mësim.

“Po duhet të ndërrohet kontrata, sepse nxënësit kanë kërkuar lapsa dhe gjëra të tjera dhe duhet ta ndërrojmë atë kontratë”, thotë Danuza.

Ai shpjegon se në ofertë janë të përfshira vetëm kiflet, ndërsa gjërat tjera nga menyja nxënësit mund t’i blejnë vetëm duke paguar në bazë të çmimeve të vendosura te hyrja e bufesë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Rahovecit Behar Rama, kur vizitoi bufenë para katër javësh tha të ketë parë vetëm kifle dhe gjëra të lehta ushqimore, e jo prodhime skare, e aq më pak fletore.

“Çdo gjë ka qenë keqpërdorim aty, derisa kam shkuar unë, aty nuk guxon këmbë e gjimnazistëve të shkelë, aty nuk guxon të shiten hamburgerët, nuk guxon me zi aty, nuk guxon asgjë tjetër, ka me shitë kifle dhe gjëra të tjera ushqimore”.

Rama i tha Gazetës Jeta në Kosovë se bufenë do ta vizitojë edhe të martën (më 18 mars) dhe nëse vëren keqpërdorime do të denoncojë drejtorin e shkollës dhe pronarin e bufesë.

Tender njëburimor për bufenë

Kontrata për këtë bufe është bërë nga drejtori i shkollës Enver Deliu, nga 1 janari i këtij viti, por ajo e kishte filuar punën 2 muaj më herët.

Jetullah Kabashi, menaxher i Prokurorimit në Komunën e Rahovecit thotë se drejtori nuk ka përfillur procedurat e tenderimit për biznesin i cili do ta fitonte të drejtën të vepronte në këtë shkollë për shtatë muaj, e madje as prokurimin.

 “Prej se jam unë menaxher i Prokurimit, e që ka tre vjet, nuk kemi pasur përmes zyrës sonë një procedurë të tillë”.
 
Edhe drejtori Deliu e pranon se nuk janë respektuar rregullat për këtë biznes në shkollë.

“Operatori është përzgjedhur në bazë të njoftimit të biznesmenëve që frekuentojnë këtë lagje, dhe nuk është paraqitur askush përpos Danuzës, i cili e ka sjellë çmimoren, ka sjellë ofertë dhe mandej ne e kemi përzgjedhur pasi s’ka pasur të tjerë”, thotë drejtori Deliu.

Kurse sipas ligjit, një shpallje për dhënie kontrate do të ishte dashur të bëhej përmes Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Rahovecit dhe kontrata të lidhet përmes Zyrës së Prokurimit të kësaj komune.

“Kemi bërë një kërkesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit [për bufenë], por ata nuk na i janë përgjigjur, me arsyetimin se kanë pasur punë të tjera”, thotë drejtori Deliu.

Por ai nuk njoftoi as Këshillin e prindërve për hapjen e parakohshme të bufesë dhe zgjerimin e menysë së saj. 

Këshilli i prindërve nuk njoftohet për bufenë

“Ne nuk jemi të informuar dhe në qoftë se menyja është e zgjeruar me pleskavica e gjëra të tjera, atëherë mendoj se nuk është në rregull, gjithçka çka përdoret aty duhet të jetë nën kontroll”, thotë Fehmi Cena, kryetar i Këshillit të Prindërve.

Enver Deliu, mohon se nuk është njoftuar Këshilli i prindërve.

“Me pëlqimin e prindërve kemi marrë vendim që kuzhina e shkollës të rregullohet dhe përmes Këshillit të prindërve e kemi marrë vendimin që kuzhinën ta rinovojmë dhe t’i vendosim gjërat më të nevojshme për shërbim dhe kemi gjetur njeriun i cili ka investuar, që ka rinovuar dhe tash kuzhina po funksionon”, shpjegon drejtori Deliu.

Cena është kategorik se nuk është njoftuar për bufenë e hapur në shkollë.

 “Jo unë nuk jam i njoftuar as prej drejtorit e as nga dikush tjetër për hapjen e ndonjë bufeje këtu në shkollë”.

Ndërsa përfituesi i kësaj kontrate paguan një qira në muaj prej 50 eurosh, para këto që i merr vetë shkolla Mihail Grameno, e që sipas drejtorit përdoren për nevoja të saj.

Cena nuk është kundër që shkolla të ketë bufe.

 “Në këtë shkollë, ka pasur edhe më herët bufe të vogla ku është shërbyer ushqimi i lehtë, dhe është bërë me arsyetimin që nxënësit mos me dalë jashtë ambientit të shkollës dhe ne i kemi përkrahur ato më herët“, thotë kryetari i Këshillit të Prindërve.

Pronari i bufesë Besim Danuza, jo vetëm që e mban atë kundër rregullave, por është bërë edhe i fuqishëm në shkollën “Mihal Grameno” të Rahovecit. Atij i janë dhënë çelësat e shkollës nga drejtori Deliu, për të hyrë e të dalë kur të dojë.

“Në fillim kur e ka bërë renovimin e bufesë, sepse vinte edhe të shtunave edhe të dielave, ia kemi huazuar një kopje të çelësit, por ka qenë gjithmonë në prezencën e punëtorëve teknikë, dhe si është kryer renovimi i bufesë, pronari i bufesë ma ka dorëzuar çelësin mua”, thotë drejtori Deliu.