Përfitimi në Emër të UÇK-së

Qazim Gashi, invalid i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çdo ditë del për të punuar në parkingun që gjendet në mes të banesave shumëkatëshe në lagjen Dardania në kryeqytet. 

Detyrë e Qazimit dhe e gjashtë shokëve të tij, është marrja e të hollave çdokujt që dëshiron të parkojë veturën në atë hapësirë publike, duke përfshirë edhe banorët e lagjes.

“Neve për të bërë këtë punë na ka shtyrë gjendja e vështirë ekonomike”, thotë ai. 

Në vitin 2008, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së ka vendosur një rampë dhe një vendqëndrim te hyrja e këtij parkingu, para së cilës ndalen të gjitha veturat për të paguar. 

Çmimi për një biletë ditore në vendparkingun që zë rreth 100 vetura është 1 euro, kurse banorët e lagjes paguajnë 10 euro në muaj.

Fitimi ditor sipas Qazim Gashit është rreth 60 euro, edhe pse parkingu gjatë tërë kohës është i mbushur dhe nga aty hyjnë e dalin shpesh vetura.

“Kur është koha e mirë, fitimi është më i madh,” tregon ai. 

Banorët e pjesës prishtinase me emrin e dikurshëm antik të Kosovës ankohen që duhet të paguajnë për parkingun pranë vendit ku banojnë. 

Njëri nga ta është Granit Rexhepi, i cili jeton që tre vjet në lagjen Dardania.

“Kjo është pronë e banesave dhe nuk besoj se është e drejtë të paguaj. Mbi të gjitha këta nuk ofrojnë siguri për veturat tona. Këtu nuk mund të parkosh pa paguar, edhe nëse duhet të qëndrosh vetëm pesë minuta nëse ke punë diçka në shtëpi”, thotë ai. 

Në kuponin që vlen vetëm për një hyrje dhe u jepet klientëve të parkingut shkruan: “për dëmtimin e veturave nuk marrim përgjegjësi”. 

Rexhepi mendon se shteti duhet t’u mundësojë jetë më të mirë invalidëve, në mënyrë që ata të mos dalin të kërkojnë para në këtë mënyrë.  

Ligji që rregullon statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetorin e vitit 2011, invalid të luftës e konsideron personin, organizmi i të cilit është dëmtuar mbi 20 për qind nga plagët, lëndimet apo sëmundjet si luftëtar. 

Varësisht nga shkalla e invaliditetit, pjesëtarët e dëmtuar të UÇK-së marrin edhe pensionet e tyre. Ata që kanë invaliditet mbi 80 për qind, paguhen nga shteti 358,50 euro në muaj, ndërsa ata që konsiderohen me lëndime trupore mbi 20 për qind, marrin pension prej 180 eurosh. 

Shoqata e invalidëve merr para edhe nga dy parkingje të tjera në Prishtinë – njëri në rrugën Tirana, që ka hapësira për rreth 40 vetura, dhe tjetrin në Kodrën e Diellit ku ka hapësirë për parkimin e rreth 60 veturave.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se edhe në tri komuna tjera-Lipjan, Ferizaj e Gjilan- ku parkingjet menaxhohen nga ish-ushtarët e UCK-së ka pasur parregullsi duke përfshirë borxhet ndaj komunave, operimin pa leje si dhe punësimin e atyre që nuk janë veteranë të UÇK-së.  


Bileta të cilën e marrin qytetarët kur parkojnë veturat | Foto: Nektar Zogjani

Parkingje pa leje

Shoqata e Invalidëve të UCK nuk  ka leje nga autoritet komunale të Prishtinës për të menaxhuar parkingjet. 

 Po ashtu, rreth 9 mijë euro të hyra mujore që burojnë nga këto parkingje nuk mbikëqyren apo kontrollohen nga autoritetet komunale dhe ato shtetërore-Administrata Tatimore e Kosovës.

Sylë Vitija, kryetar i degës së ShIL-it të UÇK-së për Prishtinë, i cili sipas Qazim Gashit mbledh fitimin mujor nga parkingu, e pranon se nuk kanë leje për të menaxhuar parkingun, por thotë se për të bërë këtë i ka shtyrë gjendja e rëndë e invalidëve të luftës.

“Ne kemi kërkuar të bëjmë një marrëveshje me shkrim, por komuna nuk ka mundur me lëshu ndonjë pëlqim. Por pasi që kemi marrëveshje me banorë, ne kemi vazhduar punën”, thotë Vitija.

Sipas Komunës së Prishtinës, ShIL-i i UÇK-së ka pëlqimin e 142 banorëve të asaj lagjeje, por nuk ka leje.

Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës thotë se nuk ka mundur të gjejë ndonjë dokument tjetër përveç peticionit të banorëve të lagjes, siç janë raporte financiare dhe inspektim të komunës.

Sami Hamiti, shef i grupit parlamentarë të LDK-së në Prishtinë dhe ish-kryesues i Kuvendit Komunal ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me çështjen e parkingjeve të menaxhuara nga organizata e invalidëve të UÇK-së.

Ndërkohë sipas Vitijës, shoqata nuk i paguan ndonjë tatim shtetit, meqë ky aktivitet nuk është biznes, por ndihmë ndaj bashkëluftëtarëve.

Por nga Administrata Tatimore e Kosovës thonë se të gjithë personat, të cilët merren me aktivitete afariste dhe krijojnë të ardhura, obligohen të regjistrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike dhe të pajisen me numër fiskal, në të kundërtën ndaj tyre merren masa.  

Mirëpo ATK-ja nuk i është përgjigjur pyetjes nëse kanë dalë që të kërkojnë që kjo shoqatë të pajiset me një numër fiskal.

Mjetet financiare që përfitohen nga këto parkingje, siç thotë Vitija, shfrytëzohen për pagat prej 200 eurosh për 26 personat që punojnë nga 12 deri në 13 ditë në muaj.  Ato që mbesin shkojnë për shpenzime administrative të zyrës së ShIL-it në Prishtinë si dhe për ndihmimin e invalidëve të tjerë.

Sipas tij, ndihma ndaj invalidëve të tjerë përfshin dhënien e parave për mjekim, për të ndërtuar shtëpi, e të tjera.

Keqpërdorime në Gjilan dhe Ferizaj

Gazeta Jeta në Kosovë ka hulumtuar rreth menaxhimit të këtyre parkingjeve edhe në komuna të tjera, në të cilat janë gjetur parregullsi.

Në komunën e  Gjilanit, një organizatë tjetër e dalë nga UÇK-ja ajo e veteranëve të luftës ka punësuar në këto parkingje njerëz që nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së, ndërsa në komunën e Ferizajt shoqata e luftës nuk ka pagur qiranë sipas marrëveshjes dhe rrjedhimisht është në borxh te komuna.

Në Gjilan Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së menaxhon me tri parkingje që nga viti 2008.

Gjatë bisedës me Gazetën Jeta në Kosovë, Ahmet Daku, kryetari i OVL të UÇK-së për komunën e Gjilanit, ka thënë se shoqata që ai drejton ka pasur leje për të menaxhuar me ato parkingje.

Sipas tij, memorandum me komunën ka pasur për të gjitha vitet dhe marrëveshje është nënshkruar çdo 31 dhjetor.

Por, Daku që figuron në listën e kryetarëve të nëndegëve të AAK-së për Gjilan, ka ofruar vetëm dy të tillë –  njërin për vitin 2008 dhe tjetrin për vitin 2009. 

Ai ka thënë se marrëveshjet e tjera “ose janë diku në shtëpi, ose janë përzier diku në arkiv.”

Por gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Komunës së Gjilanit, të cilët kanë konfirmuar se nuk kanë arritur të gjejnë memorandume për vitet 2012 dhe 2013.  Veteranët edhe në vitin 2014 menaxhojnë pa leje këto parkingje.  

Por për dallim nga ShIL-i në Prishtinë, Ahmet Daku i ka dërguar raporte financiare ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafës.  

Në vitin 2010, sipas të dhënave nga kjo shoqatë, ka pasur të hyra prej 26 mijë eurosh, në vitin 2011 të hyrat kanë qenë rreth 24 mijë euro, kurse në vitin 2012 ato ishin rreth 28 mijë euro.  Daku thotë se për vitin 2013 ende nuk ka bërë bilancin përfundimtar.  

Ai nuk tregon të dhënat as për vitet 2008 dhe 2009.  “Nuk i kam, duhet të jenë në arkiv diku”, arsyetohet ai. 

Por edhe pse thotë se arsyeja që i ka shtyrë për të ndërmarrë këtë aktivitet është ndihma ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së,  nga 9 persona që aty punojnë, jo të gjithë janë të tillë.  


Parkingu në rrugën “Ilaz Kodra” | Foto: Nektar Zogjani

Xhelal Muji që është menaxher i këtyre parkingjeve, nuk është veteran i luftës

Gazeta Jeta ne Kosovë ka kontaktuar me Mujin, i cili e ka pranuar një gjë të tillë. 

Ai tregon se punon që rreth dy vjet aty dhe është ftuar pa konkurs nga OVL e UÇK-së pasi që kishte nevojë për një vend pune.    

Po ashtu, edhe Afrim Ajeti që punon në njërin nga parkingjet e menaxhuara nga OVL-ja në Gjilan pranon se nuk është veteran i luftës.  

Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa ende nuk  ka dhënë përgjigje lidhur me këtë cështje.

Në anën tjetër, menaxhmenti i ri i Komunës së Gjilanit është i interesuar që këtë punë ta rregullojë në bazë të ligjit.

Sipas Zyrës për Informim, në një seancë të mbajtur këtë muaj është vendosur që pronat publike komunale të jepen për shfrytëzim përmes ankandit.

“Një ndër ato pika janë edhe parkingjet komunale, të cilat pas themelimit të komisionit do t’i jepen konkurruesit më të favorshëm për Komunën e Gjilanit”, thuhet në përgjigjet e kësaj zyreje.

Ndërkaq në Ferizaj menaxhuesit e parkingut nuk i kanë paguar qeranë me rregull Komunës së Ferizajit. 

Lirije Syla, drejtoreshë e Financave në Komunën e Ferizajt, ka treguar se shoqatat e dala nga lufta nuk kanë respektuar obligimin e tyre për të paguar qiranë prej 3 mijë eurosh në muaj për shfrytëzimin e dy parkingjeve. 

Borxhi që këto shoqata kanë ndaj komunës është 100 mijë e 560 euro ndërsa kanë paguar 81 mijë euro qe nga viti 2006, sipas Komunës së Ferizajit.

Nazmi Krasniqi nga Shoqata e Veteranëve të Luftës ka thënë se Komuna e Ferizajit i morri më pas një pjesë të parkingut që e kishin në menaxhim. 

Ai ka thënë se arsyeja pse nuk është paguar borxhi është se tani kanë më pak hapësirë në shfrytëzim.

“Kemi pasur biseda me komunën që të bëhet një zgjidhje e re, qoftë ulje e qirasë, por ata nuk kanë shprehur gatishmërinë për këtë gjë”, tha ai. 

Kontrata nuk u respektua as në Lipjan

Në vitin 2003, Hekurudhat e Kosovës kishte lidhur një marrëveshje me Shoqatën e Invalidëve të Luftës që këtyre të fundit t’u lejohej menaxhimi i një hapësire ku janë parkuar veturat.

Kjo hapësirë shoqatës i ishte dhënë përgjysmë më lirë, sesa një personi tjetër që kishte menaxhuar me atë hapësirë dhe kjo ishte bërë me qëllim që të ndihmohen invalidët. 

Por, Agim Emini, zyrtar ligjor në Hekurudhat e Kosovës thotë se kjo shoqatë nuk ka respektuar marrëveshjen që parashihte pagimin e 290 eurove të qirasë dhe për më tepër ka vendosur aty një kioskë dhe  një park të lojërave për fëmijë.

Bujar Kartuzi, kryetar i degës së Shoqatës së Invalidëve në Komunën e Lipjanit, pranon se nuk e kanë paguar me rregull qiranë.

Ai thotë se tani nuk kanë më marrëveshje për të menaxhuar me ato parkingje, por se kanë filluar bisedimet që prapë të mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Edhe pse tanimë nuk kanë marrëveshje, aty ende vazhdon të mbetet logoja e UÇK-së, si dhe të punojnë disa punëtorë që marrin paratë e atye që i parkojnë veturat në këtë hapësirë.

Tekstiti i kontribuan edhe monitoruesit e BIRN-it nëpër Kosovë