Grupi i Avokatëve të Favorizuar

Osman Zajmi është avokat në rajonin e Prizrenit. Ai çdo ditë del në zyrën e tij dhe krahas punëve tjera, pret edhe thirrje nga institucionet e drejtësisë ose Oda e Avokatëve të Kosovës për të marrë në mbrojtje të dyshuar në raste penale sipas detyrës zyrtare. 

Gjatë vitit të kaluar nga përfaqësimi i të pandehurve që nuk kanë para për të paguar avokatë Zajmi arkëtoi 4 mijë e 58 euro. 

 “Kryesisht unë jam i angazhuar përmes ftesës që më bëhet përmes Odës së Avokatëve të Kosovës, pra është ndonjë rast i rrallë kur më thërret gjykata apo prokuroria“, tha avokati Zajmi. 

Por avokati Halil Dërguti nga komuna e Mitrovicës thotë se thirret për të përfaqësuar palët pa mundësi pagese për mbrojtës, nga prokurorët dhe gjyqtarët e kësaj komune.

“Ne shkuam aq herë sa na kanë thirrë policia dhe prokuroria“, tha Dërguti, në emisionin Drejtësia në Kosovë të transmetuar të dielën në RTK. 

Ky avokat gjatë 2013-ës u pagua gjithsejt 3 mijë e 157 euro nga mbrojtja sipas detyrës zyrtare. 

Disa nga avokatët, sipas hulumtimeve të emisionit janë të privilegjuar nga prokurorët dhe gjykatësit, duke marrë më së shumti raste të mbrojtjes ex-officio, ndërsa ka avokatë që thirren shumë rrallë për të kryer një mbrojtje të tillë, apo edhe të tillë që nuk kontaktohen fare. 

Kur avokatët thirren nëpër seanca gjyqësore, ata paguhen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ndërsa kur ftohen për të pandehur nën hetime në prokurori dhe polici, paguhen nga Këshilli Prokurorial i vendit. 

Lista të avokatëve që mund të kryejnë punën e mbrojtjes ex-officio kanë edhe këshilli gjyqësor edhe ai prokurorial. 

Sipas ligjit angazhimi Ex-Officio i njohur ndryshe si angazhimi sipas detyres zyrtare, bëhet atëhere kur shteti angazhon mbrojtës (avokat) për mbrojtjen e të drejtave të personave në proceduren penale. Kjo bëhet nëse një i dyshuar për vepra penale, nuk ka mjete të mjaftueshmë për angazhimin e avokatit në fazat hetimore dhe gjyqësore. 

Emrat e avokatëve më të paguar 

Në Prizren, për punën ex-officio vitin e kaluar nëpër seanca, ka edhe më të paguar se Osman Zajmi, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Hana Cana ka fituar (ose arkëtuar) 5 mijë e 400 euro, Hajrip Krasniqi 4 mijë e 924 euro, Avni Berisha 4 mijë e 881 euro. I katërti në këtë listë është Zajmi. 

Në krye të listës së më të paguarve të KGjK-së janë edhe avokatët Drita Hoxha me 4 mijë 467 euro,  Zymrete Munishi- Zeka me 4 mijë e 386 euro, Adem Ademi me 4 mijë e 216 euro dhe Ali Beka me 3 mijë e 948 euro. 

“Drejtësia në Kosovë” shfaqi gjatë emisionit edhe listën e avokatëve më të paguar për 2013-ën nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Avokati Arsim Bilalli mori nga përfaqësimi ex-officio 3 mijë e 642 euro , ish-gjykatësi Halil Dërguti 3 mijë e 157 euro, Fatmire Braha 2 mijë e 784 euro dhe Hana Canaj 2 mijë 504 euro. 

Avokatët tjerë të paguar më së shumti për punën ex-officio nuk deshën të flasin për emisionin, përveç Halil Dërgutit nga Gjilani që është i dyti për nga shuma e parave të marra nga shteti në listën e Këshillit Prokurorial dhe Osman Zajmit nga Prizreni, i katërti në listën e atyre që janë paguar nga KGjK-ja. 

Oda e Avokatëve të Kosovës për t’i ikur privilegjimit të anëtarëve të saj nga gjyqtarët dhe prokurorët hartoi vitin e kaluar një mënyrë përfaqësimi të avokatëve në punët ex-officio me anë të një liste.  

OAK-u, sipas shkresës që ua dërgoi KGjK-së, KPK-së, stacioneve policore, gjykatave  prokurorisë më 27 qershor 2013, njoftoi se më nuk do të dërgojë listat e avokatëve për punët ex-oficio në gjykata, prokurori dhe polici. 

Sipas OAK-ut këto lista do t’i dërgohen administratorit të Degëve Regjionale të Odës dhe i njëjti do të thërrasë avokatin mbrojtës sipas renditjes nga regjioni në të cilin mbrojtësi kërkohet nga gjykatat, prokuroritë, ose policia. 

KGjK-ja injoron për ca kohë shkresën e Odës… 

Drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës Yll Zekaj tregon se disa avokatë thirren me preferenca personale, ndërsa disa të tjerë nuk thirren asnjëherë në përfaqësimet ex-officio.

“ Absolutisht kjo po i bie se nëse avokatët e njëjtë përfaqësojnë në shumë raste në gjykatë, prokurori dhe polici, atëherë aty lind dyshimi se ata angazhohen me preferenca personale“, tha Zekaj. 

Ai shtoi se ende nuk po zbatohet metodologjia e Odës… 

“Shihet që ende ka probleme në terren, një numër i vogël i prokurorëve e respektojnë, kurse gjyqtarët varen prej vullnetit të kryetarëve të gjykatave apo prej vullnetit të vetë atyre për zbatimin e kësaj metodologjie“, tha Zekaj. 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës hezitoi për disa muaj që ta miratojë metodologjinë e Odës së Avokatëve të Kosovës për përfaqësimin ex-officio të avokatëve.

Zëvendëskryesuesi i KGjK-së Muharrem Shala, i tha Gazetës Jeta në Kosovë në janar të 2014-ës se Këshilli ka miratuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës e cila krijon rend në sistemin  përfaqësimit të palës sipas detyrës zyrtare.

“Unë e di se është marrë vendim, por në çfarë date saktë nuk e di”, tha atëherë Shala. 

Por kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, mohoi se ka marrë një vendim të tillë, kur u pyet nga “Drejtësia në Kosovë” në janar. 

“Unë duhet të besoj shumë se ajo zgjidhje që ofrohet nga KGjK-ja është kontabile me kërkesën që ofron OAK-u, por unë deri sot që po flas me ju, nuk jam në posedim të një vendimi të tillë“, tha Ibrahimi. 

KGjK-ja mori vendim ta mbështesë shkresën e Odës së Avokatëve të Kosovës vetëm në shkurtin e vitit 2014, tetë muaj pasi jo shkresë iu dorëzua mes organeve tjera edhe Këshillit…

Vendimi u mor në mbledhjen e KGjK-së të mbajtur më 5 shkurt, edhe pse zëvendëskryesuesi i këtij institucioni Muharrem Shala insistonte e i njëjti vendim është marrë në vitin e kaluar. 

“Unë sa mbaj mend e di që është vendosur në mbledhjen e KGjK-së po a është marrë ai vendim me ju dërgu OAK-ut sinqerisht po them nuk e di“, deklaroi Shala.

Por më pesë shkurt për vendimin me të cilin rregullohet përfaqësimi i avokatëve ex-officio, votoi edhe vetë Shala. “Drejtësia në Kosovë” e pyeti atë nëse mund të votohej për të njëjtën gjë dy herë. 

“Nuk ndodh, nuk bën, një herë duhet të vendoset. Dy pleqni nuk ka në gjyqësi“, tha Shala për emisionin. 

Mirëpo në anën tjetër Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Enver Peci, fillimisht u mundua ta arsyetojë zëvendësin e tij në lidhje me vendimin e KGjK-së të vitit të kaluar. 

“Ndoshta e ka thënë zëvendëskryesuesi por nuk e ka pasë qëllimin të thotë se ajo punë është e kryer, ndoshta ka menduar në kuptimin se është zgjedhë kjo me OAK-un“, deklaroi Peci. 

Peci e pranoi se vitin e kaluar nuk është marrë vendimi për të mbështetur shkresën e OAK-ut, por tha se një gjë e tillë ka ndodhur për të gjetur zgjidhje më të mirë sesa ajo që ka ofruar oda. 

“Që katër vjet jemi në mes të gjetjes se si do ta gjejmë zgjidhjen për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare”,  theksoi Peci.

Ai e pranoi faktin se disa avokatë janë më të favorizuar dhe disa të tjerë nuk angazhohen fare.

“ Po më shqetësojnë disa fakte këtu dhe po flas me prova konkrete që disa avokatë janë të favorizuar, sepse çdo muaj po marrin atë pagesën që e garanton KGjK-ja që është 500 euro“, theksoi i pari i KGjK-së, Enver Peci. 

Me rregulloren për pagesat e avokatëve ex-officio, asnjë mbrojtës sipas detyrës zyrtare nuk mund të paguhet më shumë se 500 euro në muaj për këtë punë. 

Metodologjia e OAK-ut zbatohet pak në Prishtinë

Për dallim nga KGjK-ja, Këshilli Prokurorial i Kosovës metodologjinë e OAK-ut për avokatët ex-officio e miratoi në gushtin e vitit të kaluar, pak më shumë se një muaj pasi Oda e Avokatëve dërgoi shkresën drejt organeve të gjykimit dhe ndjekjes. 

Edhe pse edhe prokurorët aplikojnë ftesat e avokatëve në bazë të preferencave, sekretari i 

Këshillit Prokurorial, Shkëlzen Maliqi sheh përmirësime në fushën e caktimit të avokattëve ex-officio në krahasim me vitin 2012, ndërsa paralajmëron ndëshkime për prokurorët që nuk zbatojnë metodologjinë e OAK-ut për caktimin e avokatëve në bazë të listave. 

“Në rast se konstatohet se prokuroritë e caktuara nuk po e zbatojnë këtë vendim, atëherë është përgjegjësi e këshillit që të marrë vendim dhe nëse ata vlerësojnë, atëherë do të ketë masa disiplinore karshi prokurorive të caktuara“, theksoi Maliqi. 

Florim Shefqeti, administratori i Degëve Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës, i cili ka listat e avokatëve për punën ex-officio, thotë se metodologjia e thirrjes së përcaktuar nga Oda, më së paku zbatohet në Prishtinë. 

“Në Prishtinë janë më tepër se 100 avokatë të deklaruar sipas detyrës zyrtare dhe kemi një numër shumë të vogël të thirrjeve duke përfshirë prokurorinë, gjyqësinë dhe policinë. Në Prishtinë janë vetëm 70 thirrje që janë bërë“`, tha Shefqeti.

Sipas listës së siguruar nga “Jeta në Kosovë” rajoni i cili i është përgjigjur më së shumti këtij sistemi është Gjilani me 408 thirrje tek administratori për të caktuar avokatët ex-officio. Gjakova renditet e dyta me 295 thirrje të tilla. 

Avokatët ex-oficcio- mbrojtës sa për të thënë

Por disa nga monitoruesit e BIRN-it që ndjekin seancat gjyqësore, mendojnë se avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare nuk e kryejnë si duhet punën e tyre gjatë përfaqësimit të palëve që deklarohen se nuk kanë mundësi të paguajnë mbrojtës. 

“ Shumica e avokatëve që caktohen sipas detyrës zyrtare nuk e kryejnë punën mirë. Ka raste kur këta avokatë nuk ia dinë as emrin klientit të tij”, tha monitoruesja Mërgime Ujkani- Vrajolli.

E raste të ngjashme ka vërejtur edhe monitoruesi nga Ferizaj, Gazmend Rexhepi.

“ Në disa raste si në Departamentin për Krime të Rënda, avokati thirret një orë para se të fillojë seanca për përfaqësim. Kjo është një formë që avokatët nuk mund të përpunojnë lëndën”, tha Rexhepi.

Avokati Osman Havolli i pranon këto vërejtje. 

“ Ka raste kur janë të ngutshme dhe avokatët ftohen edhe nga korridoret dhe më e keqja është se avokati nuk është i familjarizuar me lëndën”, tha Havolli.