Kryeshefi i "Pastrimit" në Konflikt Interesi

Feim Salihu, kryeshef i Kompanisë Regjionale “Pastrimi”, ishte betuar se do të kryente me nder dhe me ligj punët si këshilltar komunal i LDK-së i zgjedhur nga qytetarët. 

Por,  kur ai po jepte betimin si asamblist më 26 dhjetor të vitit të kaluar, po thyente një prej ligjeve të Kosovës. 

Agjencia Kundër Korrupsion… i dërgoi kompanisë “Pastrimi” më 5 mars të këtij viti opinionin ku konstatohet se situata në të cilën gjendet Salihu paraqet mospajtueshmëri dhe gjendje të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. 

“Ushtrimi i funksionëve publike si Kryeshef Ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” dhe Anëtarit të Kuvendit Komunal në Komunën e Prishtinës, paraqet papajtueshmëri të funksioneve dhe konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik”, shkruan në opinionin e AKK-së.

“AKK-ja rekomandon që të ndërmerren masat konform këtij opinioni dhe të njoftohet agjencia për vendimet e marra”, thuhet në arsyetimin  e vendimit të 24 shkurtit të këtij viti që i është dërguar më vonë kompanisë rajonale “Pastrimi”. 

Kur Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me Feim Salihun me 4 mars, ai nëpërmjet zyrtares për informim Arbnore Ademi tha se janë në pritje të vendimit të AKK-së.

“Në momentin kur të kemi interpretimin ligjor nga organet kompetente, ashtu si e parasheh interpretimi ligjor, Kryeshefi do të veprojë, nëse ka të drejtë të mbajë të dy postet apo jo, konform ligjit”, tha Ademi.

Por pas vendimit të AKK-së, zyrtarja për informim Ademi tha se kompania “Pastrimi”, më 5 mars 2014 ka pranuar përgjigjen nga Agjencia Kundër Korrupsion, por sipas saj ende nuk është vendosur nga cila pozitë do të heqë dorë Feim Salihu. 

“Ia kemi dorëzuar Kryeshefit Ekzektutiv shkresën, të cilën shkresë do ta shikojë dhe analizojë, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të marrë një vendim se cilën pozitë do ta mbajë”, tha ajo.

Zëdhënësja e kompanisë shtoi se kryeshefi Salihu kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion të interpretohej ligji për situatën e tij.

Në të njëjtën kohë një interpretim ishte kërkuar edhe nga Komuna e Prishtinës. 

Komuna në muajin janar i ishte drejtuar ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal duke kërkuar sqarim për pozitën e këshilltarit të sapozgjedhur.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal me 27 shkurt  konkludoi se Salihu nuk mund të mbajë dy postet në të njëjtën kohë. 

Në përgjigjen e kësaj ministrie dërguar Kuvendit Komunal të Prishtinës, thuhej se bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale drejtorët e ndërmarrjeve nën autoritetin e komunës nuk mund të jenë njëkohësisht edhe anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose kuvendit komunal.

MAPL-ja gjithashtu citoi edhe ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, sipas të cilit Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi Sh. A”.-Prishtinë ishte përcaktuar si ndërmarrje lokale.

Në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsion, si kryeshef i ndërmarrjes Pastrimi Salihu ka shkruar se merr 15 mijë 300 euro pagë vjetore, deri sa paga për një këshilltarë komunalë është rreth 250 euro në muaj.