Policia e Ranillugut me 2 Vetura Zbulon 92% të Rasteve (TV)

Togeri Nebojsha Popoviq, komandant i Stacionit Policor të Ranillugut, është i kënaqur me punën e vartësve të tij, të cilët kanë arritur të zgjidhin gati të gjitha rastet e shkeljes së ligjit në këtë komunë.

“Që nga hapja e stacionit nuk kemi asnjë ankesë nga ana e qytetarëve ndaj policëve“, thotë Popoviq.

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në këtë stacion gjatë viti 2013 janë hapur 93 raste.

“55 raste kanë qenë nën hetime, nga to 25 raste janë zgjedhur me fletëparaqitje penale, 22 janë mbyllur me raport të veçantë në konsultim me prokurorin, 4 raste i kemi NN(me kryes të panjohur), ndërsa  3 raste i kemi ende të hapura“, thotë Popoviq .

I njëjti efikasitet duket se e ndjek stacionin policor të Ranillugut edhe në vitin 2014.

“Në vitin 2014 i kemi 7 raste, 5 janë zgjidhur, ndërsa 2 raste janë nën hetime“, thotë Popoviq.

Ai përmend si rast të veçantë zbulimin e një vjedhje në Crep, në një kompani për shitjen e të pjesëve të vjetra për vetura.

“Në Crep janë zbuluar dy raste në bashkëpunim me qytetarët, të cilat na kanë dhënë informata të vlefshme që na kanë dërguar në zgjidhjen e tyre“, thotë Popoviq.

Komandanti i stacionit që është hapur në vitin 2011, thotë se rastet e ndodhura në këtë komunë nuk janë edhe aq të rëndë.

“Në territorin tonë kemi raste të vjedhjeve të vogla, nuk kemi raste të komplikuara dhe asnjë rast ndëretnik nuk e kemi pasur deri më tash“, thotë Popoviq.

Popoviq i kishte premtuar ministrit Bajram Rexhepi, se stacioni i Ranillugut do të jetë ndër më të mirët.

“Me rastin e hapjes së stacionit në vitin 2011 i kam premtuar ministrit Bajram Rexhepi se do të jemi  njëri ndër stacionet më të mira në tërë territorin e Republikës së Kosovës“, thotë Popoviq.

Ai mendon se ky stacion është në mesin e tri stacioneve më të mira.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth punës së policisë.

Pera Gjorgjiq, banor i komunës së Ranillugut, ka fjalë të mira për policinë e Kosovës.

“Nuk mund të them asgjë të keqe deri më tash , deri tani është shumë mirë“, thotë Gjorgjiq.

Por, Amir Hotlani pronari i kompanisë që shet pjesë të veturave, nuk është shumë i kënaqur me policinë.

“Janë vjedhë të gjitha mjetet e punës, fellne dhe pjesë tjera që as vetë nuk e di, hajnat janë zbulu dhe rreth 80 për qind e mjeteve janë kthye , ndërsa fellne , goma dhe pjesë makinash nuk janë kthyer“, thotë Hotlani.

Popoviq thotë se pjesa tjetër e gjësendeve nuk ka mundur të gjendet, sepse janë shitur jashtë kufirit.

Edhe Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit e konfirmon se stacioni i Ranillugut është një prej stacioneve policore të suksesshme.

“Komuna e Ranillugut i ka pasë rreth 90 raste me një zbulueshmëri të kënaqshme“, thotë Hashani.

Sipas Hashanit edhe në satcionet tjera policore që u takojnë komunave  të reja është një situatë e kënaqshme e sigurisë.

Stacioni i policisë në Ranillug ka 21 oficerë policorë, prej të cilëve 11 serbë dhe 10 shqiptarë. Ky stacion ka në përdorim vetëm dy vetura, ndërsa njëra gjendet në servis për më shumë se një vit në mungesë të motorit.

Komuna e Ranillugut ka rreth 6.000 banorë , 99% serbë dhe vetëm 1% shqiptarë .

Kjo komunë ka 13 zona kadastrale dhe 3 lagje me gjithsej 77.62 km2. Kryetar i saj është Gradimir Mikiq nga Iniciativa Qytetare “Srpska “.

Në raportin vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2013 thuhet se ka rritje të zbulueshmërisë së rasteve në nivel të Kosovës.

Në vitin 2012 janë  paraqitur 45.379 raste, ndërsa në vitin 2013, 54.180.

Në vitin 2012 janë zbuluar 64.79 për qind e rasteve, ndërsa në vitin 2013 66.8 për qind, thotë raporti i policisë.