Të Preferuarit e Shefit Punësohen Pa Meritë

Ardian Rexhepi beson se i është bërë padrejtësi kur është vendosur nga Fakulteti i Mjekësisë që ai të mos vazhdojë punën si asistent i angazhuar. 

Ka notën mestare mbi 8-të, por në vend të tij janë pranuar kandidatë që nuk përmbushin këtë kriter që kërkohet me Statutin e universitetit publik. 

 “Mua më është bërë eliminim direkt në mënyrë që të më pamundësohet avancimi im në universitet, ku për hir të favoreve ndaj të tjerëve unë kam mbetur pa kontratë të re”, deklaron Rexhepi.

Thotë se është ankuar në Rektorat, por se ende nuk ka marrë përgjigje.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se në mesin e 20 asistentëve të angazhuar (me honorare) në lëndët që jep profesor  Azem Lajçi, janë pranuar 4 kandidatë që nuk kanë notën mestare mbi 8-të, kandidatë që dyshohet se kanë falsifikuar notën mesatare dhe kandidatë që nuk kanë diplomë masteri. 

Asistentët janë angazhuar në lëndët Kimi Organike, Kimi Fizike, Kimi Mjekësore dhe Kimi Analitike. 

Ata u pranuan nëpërmjet konkursit intern të shpallur më 17 shtator të vitit të kaluar.

Angazhimi i tyre për semestrin dimëror bazuar në kontratat me universitetin filloi më 1 tetor 2013 dhe përfundoi me 15 shkurt.

Arsyetojnë pranimin e kandidatëve kundër rregullave

Azem Lajçi, shef i Katedrës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe profesor i katër lëndëve, thotë se është i nevojshëm numri i madh i asistentëve për shkak të numrit të madh të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Thotë se ka këshilluar anëtarët e komisionit vlerësues se cilët asistentë duhet të përzgjidhen për lëndën e tij. 

Për kandidatët që nuk e kanë notën mesatare mbi 8-të thotë se janë pranuar për shkak se nuk kishte më të mirë në garë.

Por Lajçi ka një arsyetim tjetër për mospranimin e kandidatit Ardian Rexhepi që plotëson këtë kusht.

 “Ai (Ardian Rexhepi) ka një punë tjetër dhe ne sigurisht u japim përparësi atyre personave që nuk punojnë, edhe në qoftë së kanë notën më të ulët”, thotë Lajçi.

Lajçi nuk ka ofruar bazën ligjore sipas së cilës nëse ke një punë tjetër nuk mund të angazhohesh në mësimdhënie.

Gloria Staka, e cila ishte në përbërjen e komisioni tre anëtarësh për përzgjedhjen e asistentëve me angazhim, pranon se u angazhuan asistentë përkundër mosplotësimit të kritereve.

“Është dashur të pranohen, pasi ka pasur mungesë të kuadrove”, deklaron Staka.

Mehmet Maxhuni i cili në atë kohë ka qenë prodekan për Çështje Mësimore, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se komisioni i formuar për përzgjedhjen e asistentëve ka vendosur cilët të pranohen, por që  fillimisht shefat e katedrave kanë bërë propozime të emrave për t’u angazhuar si asistentë. 

Lidhur me përzgjedhjen e asistentëve me honorar në Fakultetin e Mjekësisë, në Rektorat ende nuk kanë dhënë përgjigje. 

Punësimi i asistentit që dyshohet për falsifikim note dhe i të fejuares së tij

Derisa Rexhepi nuk është angazhuar përkundër notës mbi 8.0 në Fakultetin e Mjekësinë u punësuan Mentor Ismajli dhe e fejuara e tij Lauresha Këpuska që të dy me notë më të ulët se kaq. 

Këpuska në shtator të vitit të kaluar kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë si asistente e rregullt. 

Kishte marrë vlerësim negativ nga Komisioni recencues, pasi që nuk i përmbushte kriteret statutore. 

E pengonte nota e ulët e studimeve themelore, të cilën e kishte 7.75. 

Por e  njëjta mesatare nuk u bë pengesë që ajo të të angazhohet si asistente me honorar për vitin shkollor 2013-2014.

 “Nuk mundem me tregu si u pranova, sepse këtë vendim nuk e kam marrë unë po komisioni”, thotë Këpuska, duke refuzuar të flasë më shumë nën pretekstin se është e zënë. 

Angazhimi i asistentëve me honorare bëhet nëpërmjet konkursit intern dhe një komision brenda fakultetit vendos lidhur me kandidatët. 

Ndërkaq angazhimi i asistentëvë të rregullt duhet të kalojë nëpërmjet vlerësimit të komisionit të ngritur nga Rektorati. 

Ngjashëm si Këpuska, edhe Ismajli ka probleme me notën mesatare dhe nuk kishte mundur të punësohej si asistent i rregullt.

Përkundër kësaj, Ismajli kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se plotësoi kushtet e kërkuara në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë.

Ismajli ka notë mestare të studimeve themelore 7.76, ndërsa në raportin e komisionit recensues të Fakultetit të Mjekësisë i përshkruhej ndryshe , ishte ngritur në 8.07, pati raportuar Gazeta Jeta në Kosovë. 

Ismajli fajësonte komisioni për përllogaritje të gabueshme të notës së tij në shtator të vitit të kaluar, kur kishte konkurruar për asistent të rregullt.

Por profesori Azem Lajçi e mbron atë, përkundër dyshimeve për notën e tij mesatare. 

 “Mentori e ka notën reale të studimeve themelore 7.76, por  Komisioni vlerësues e ka bërë një gabim atëherë kur e ka përshkruar notën e tij”, thotë Lajçi.

Ai tregon se ka preferuar që të zgjidhet Ismajli, pasi që e vlerëson si asistentin me të mirë të lëndës. 

Bëhet asistent edhe pa diplomë masteri

Armend Qaflleshi është njëri prej asistentëve i cili ka përfituar nga konkursi intern, e po ashtu ka nënshkruar kontratën si asistent me angazhim, ndonëse ende nuk ka diplomë masteri.

Ai është i angazhuar si asistent në Fakultetin e Mjekësisë që nga viti 2008 me vetëm një diplomë të studimeve themelore. 

Statuti i UP-së kriter të domosdoshëm për të marrë titullin e asistentit universitar ka edhe përfundimin e studimeve bachelor dhe master. 

Përkundër që është i vetëdijshëm për këtë kriter të statutit, Qaflleshi ka pranuar që ende nuk ka diplomuar në master, por që është aryestuar se ai i përket sistemit katërvjeçar.

“Nuk kam diplomë masteri, ndonëse jam në përfundim e sipër, pasi provimet i kam përfunduar e më ka mbetë vetëm tema e diplomës”, thotë Qaflleshi.

Ndërsa profesori Lajçi, i cili po ashtu e ka pasur asistent të tij edhe Qaflleshin, e ka mbrojtur atë, ngjashëm si Mentor Ismajlin, duke e quajtur si asistentin më të mirë që ka. 

“E di që nuk ka diplomë masteri, por që ai është më i miri prej të gjithë asistentëve dhe unë vazhdimisht kam këmbëngulur që ai të angazhohet si asistent”, thotë Lajçi për Qaflleshin.

Përveç Ismajlit e Qaflleshit, janë edhe dy asistentë tjerë që nuk i përmbushën kriteret për t’u angazhuar.

Erzen Bajrami është një tjetër asistent që ka notë më të ulët se 8.0 të studimeve bachelor.

“Kam apliku dhe jam zgjedhë nga komisioni”, deklaron Bajrami, duke treguar që të mos jetë nën përgjegjësinë e tij përzgjedhja e kandidatëve.

Ndërsa Fitim Sopjani,  njëri prej asistentëve të pranuar jashtë rregullave të përcaktuara, ka thënë të mos ketë pasur kritere në konkurs. 

Edhe ai e ka notën më të ulët se tetë.

Sipas tij përzgjedhja e asistentëve është bërë në bazë të preferencave të profesorit Azem Lajçi, i cili sipas tij është bazuar në punën e mëhershme të kandidatëve.

“..bazuar në punën  tonë edhe na ka propozuar”, thotë shkurt Sopjani.