Lokali i Natës Që Pengon Qytetarët e Vitomiricës (TV)

Banorët e Vitomiricës ankohen në zhurmën e një lokali nate që është hapur në fshatin e tyre pak ditë para zgjedhjeve të tre nëntorit, ndërsa thonë se prania e lokalit “L&D” ka ulur edhe nivelin e sigurisë.

Granit Jusaj, nga Vitomirica tregon që kafe-bari nga i cili del muzika e lartë, është duke i penguar ata në vazhdimësi.

“Këtu po zhvillohen veprimtari të ndryshme, toni i muzikës është shumë i lartë për familje, edhe për rreth e kojshi. Jemi konë një lagje shumë e qetë, kemi pasë një rehati shumë të mirë, kemi pasë raporte shumë të mira mes veti, por tash problemi kryesor është te kjo shpija që po krijon këtë muzikë kaq të madhe, saqë nuk po mundem as m’u qetësu, as me pushu”, thotë ai duke bërë me dorë në drejtimin e shtëpisë pas shpinës së tij.

Jusaj më pas ngreh shqetësimin e pranisë së njrëzve të ndryshëm në lokal e rreth tij dhe sipas tij banorët hezitojnë të dalin te njëri-tjetri për shkak të pranisë së këtyre njerëzve nën ndikimin e pijeve alkoolike.

Ai thotë se banorët kanë nënshkruar edhe peticion dhe e kanë dërguar në stacionin policor në Vitomiricë, por që sipas tij policia e ka humbur peticionin.

“E kemi bo listën, nënshkrim nga krejt kojshitë e kemi dërgu në polici, po çka o bo me atë letër, a o shku në adresë të gabume a çka kanë bo me to, ne  nuk e dimë”, thotë Jusaj.

Edhe një banore e lagjes që për shkaqe të sigurisë nuk ka dashur që t’i bëhet i ditur identiteti, thotë që lokali të jetë bërë një pengesë e madhe.
 
“Mas pari është çështja e moralit se ajo çka po shohim na aty nuk është aspak e moralshme, edhe unë vetë si femën friksohna, mas pari o frika prej ketyre njerëzve, e tani muzika normal që më pengon shumë, sidomos natën kur dojmë me pushu me flejtë, s’ka shanca me flejtë, dhe prej orës 11.00 e deri në katër të mëngjesit është e pamujshme me flejtë”, thotë banorja në fjalë.

Sipas saj rreth lokalit sillen edhe njerëz që e ruajnë atë vend dhe se siç thotë ajo është ulur niveli i sigurisë.

Edhe ajo sikurse fqinji i saj Graniti, thotë se e kanë nënshkruar një peticion për të kundërshtuar punën e këtij lokali në lagjen e tyre, por që sipas saj i njëjti është pranuar nga ana e komandantit të policisë në Vitomiricë, Gani Zeneli, e që më pas është humbur qëllimisht nga ai, duke kërkuar nga banorët që ta bëjnë edhe një peticion tjetër.

Edhe një banor tjetër i lagjes që nuk dëshiron të bëjë publik emrin, është ankuar në muzikën e lartë që vjen nga lokali

Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë Rajonale në Pejë, thotë se policia është në dijeni të lokalit të natës “L&D” , por ai mohon që t’i jetë ofruar ndonjë peticion komandantit Zeneli nga ana e qytetarëve lidhur me atë lokal.

“Janë bërë disa kontrolle nga ana e policisë në ketë lokal, është kërkuar dokumentacioni i punës nga ana e pronarit, i cili ka prezantuar certifikatën e biznesit dhe të numrit fiskal. Ai ka prezantuar edhe licencën e rregullt të punës me numër 07-33017627 si dhe licencën speciale për orarin e zgjatur të punës deri në orën 02:00”, thotë Ibraj.

Sipas Ibrajt, rreth këtij lokali janë iniciuar dy raste për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe për bezdisje publike.

“Gjithashu në një kontroll të përbashkët me inspektorët komunalë lidhur me zhurmën nga ana e inspektorëve i është shqiptuar një masë gjobe”, thotë Ibraj.

Muharrem Shabanaj, shef i Inspektoratit të Tregut dhe Komunikacionit në Komunën  e Pejës, thotë se kanë shkuar në lokal dhe në stacionin policor në Vitomiricë për të hetuar rreth veprimtarisë së tij.

 “Mbas paralajmërimit, ne kemi shkuar në regjionin e Vitomiricës dhe e kemi ba inspektimin në atë lokal, ka qenë lokali i mbyllur, kemi shku në stacionin policor-njësia në Vitomiricë, kemi kontaktu me shefin e policisë, kemi parë se për lokalin dhe pronarin në fjalë ekzistojnë raport-incidente gati po thuaj çdo natë, e i cili punon pa dokumentacion edhe bon zhurmë, prish rendin dhe qetësinë publike”, thotë Shabanaj.

Ai më pas thotë që të kenë kërkuar nga policia e Vitomiricës që ato raporte t’i sjellin në dikasterin përkatës, me qëllim që të ngrihet procedura ndaj këtij biznesi.

Edhe pse Ibraj kishte thënë se janë dy raste të iniciuara për prishje të rendit dhe të qetësisë publike, Shabanaj tha se janë më shumë se dy sosh, si dhe raporte të tjera për zgjatje të orarit të punës, pa dokumentacion dhe pa licenca speciale, si dhe pa aktvendim për kushte higjieno-sanitare dhe pa licencë të rregullt të pijeve alkoolike, të cilat sipas tij ende nuk i posedon nga komuna.

Pyetur nëse Inspektorati i Ambientit, i cili është kompetent për matje të zhurmës të kenë dalë në vendin e ngjarjes dhe të kenë bërë matjen e nivelit të zhurmës, Shabanaj tha që të mos kenë pasur veturë dhe të mos kenë pasur kërkesë nga ana e policisë.

Pak ditë pas prezencës së Gazetës Jeta në Kosovë, lokali “L&D” është mbyllur, ndërsa pronari i saj Sami Haziraj thotë se e ka mbyllur lokalin për mungesë punëtorësh.

“I kom krejt licencat…për ato pesë muaj krejt i kom pas… E kom lejen e vjetshit, sivjet jom t’u i rregullu”, thotë Haziraj përmes telefonit.

Ai habitet pse dikush është ankuar në zhurmën që vjen nga lokali 

“Muzika e lartë?! Ajo kërkujna nuk i pengon, sepse kojshi përreth nuk ka”, thotë Haziraj, ndërsa shtëpia e parë afër lokalit është jo më sumë se 100 metra. “Banorët nuk kanë ankesa, ata vetë janë tu ardhë”.

Haziraj pranon se në lokalin e tij ka valltare, por thotë se ato vetëm vallëzojnë dhe se marrin rroga dhe u paguhen kontributet si çdo punëtori tjetër.

“Me të parin do ta hapi përsëri, besoj”, thotë Haziraj në fund.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili gjatë kohës së fushatës zgjedhore ndër premtimet e tij për kandidim kishte edhe çështjen e sigurisë në këtë qytet, ka thënë që të ketë ndërmarrë masa duke shikuar se si i është dhënë leja atij lokali.

“Kom ndërmarrë masa, kemi shiqu se si oshtë dhonë ajo leje për funksionim të atij lokali, kemi pa se i ka skadu ajo leje speciale për me bo muzikë deri në ora 2 pas mesnatës, besoj se drejtori i ri i Inspektoratit dhe ai i Zhvillimit Ekonomik nuk do të lëshojnë më këso leje dhe normal në bashkëpunim me policinë këto lokale që pengojnë qytetarët do të mbyllen”, thotë Muhaxheri.