Gradimi i Dyshimtë në Profesorë i Pesë Dekanëve të UP-së

Një punim  i Bujar Dugollit i publikuar më 2005 në revistën javore Fokus që drejtohej nga Rasim Selmanaj i AAK-së,  i është llogaritur atij si publikim me recension ndërkombëtar nga një komision vlerësues i Universitetit publik të Prishtinës. 

Kjo i ka ndihmuar Dugollit, dekanit të Fakultetit Filozofik që të avancohet në shtator të vitit të kaluar nga profesor asistent në gradën profesor i asociuar. 

Kjo gradë është e dyta për nga rëndësia, pas asaj të profesorit të rregullt.

Por kjo revistë nuk është pjesë e listës së revistave me Impact Factor (IF) të publikuara në faqen zyrtare të Thomson Reuters Journal Citation. Me IF llogariten revistat, punimet e të cilave janë të cituara nëpër revista shkencore ndërkombëtare. 

Përveç këtij punimi që trajton rrethanat politike e shoqërore të Perandorisë Osmane gjatë viteve 1907-1912, Dugollit i janë llogaritur edhe disa të tjera si punime shkencore me recension ndërkombëtar (Impact Factor). 

I janë vlerësuar si punime me recension ndërkombëtarë dy punime që janë publikuar në revistën “Diskutime” që e nxjerr një institut i Universitetit të Tiranës.

Vlerësim të tillë kanë marrë edhe shtatë të tjera në revistën “Vjetari” që e nxjerr Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe një në revistën “Scupi” që botohet nga një institut shqiptar me seli në kryeqytetin e Maqedonisë. 

Statuti i UP-së dhe Ligji mbi Arsimin e Lartë kërkojnë që kandidati për profesor të asocuar të ketë së paku tri punime të publikuara në revista shkencore me recension ndërkombëtar. 

Rektorati i UP-së bën përgjegjës anëtarët e komisioneve për gradimet.

 “Për të gjitha çështjet që shkruhen në raport për zgjedhjen, ose avancimin e kandidatëve, përgjegjës ose kompetent është Komisioni Vlerësues-Profesional që shkruan recension për kandidatin përkatës”, ka thënë Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm në UP.

Avancimi i Dugollit u bë në të njëjtin muaj kur ndodhi edhe gradimi në thirrjen profesor i rregullt, i rektorit të dorëhequr Ibrahim Gashi. 

Ish-rektori u avancua falë botimeve në një revistë të dyshimtë indiane, duke dhënë dorëheqje pas një javë protestash të nisura nga studentët. 

Përkundër faktit që Dugolli është i njohur si një prej liderëve kryesorë të protestave të studentëve gjatë nëntëdhjetave, ai ishte kritik i ashpër i protestave të studentëve të muajit të kaluar që kërkonin, mes tjerash, verifikim të avancimeve të profesorëve në UP. 

Këto protesta rezultuan me dorëheqjen e rektorit të UP-së dhe gjithë Këshillit Drejtues, por jo edhe të dekanëve, të cilët kanë avancuar në mënyra të dyshimta. 


Foto: Atdhe Mulla

Profesori Selim Daci mbron shefin e tij

Dugolli, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë,  deklaroi se punimet e tij janë publikuar në revista të rëndësishme ndërkombëtare, por që nuk kanë impact factor. 

 “Atë formular nuk e kam bërë unë dhe është faji i komisionit recensues që i ka radhitur publikimet e mia te revistat me impakt faktor”, ka thënë Dugolli.

Por Selim Daci, anëtari i komisionit recensues që ka dhënë pëlqimin për avancimin e Dugollit, ka thënë që publikimet e kandidatit kanë impakt factor, edhe pse diçka e tillë është mohuar nga vetë dekani. 

 “Kemi vendosë ashtu, pasi punimet janë të tilla, ndërsa Dugolli e ka merituar avancimin për profesor të asocuar e edhe më lartë”, ka thënë Daci që është profesor në Fakultetin Filozofik dhe njëkohësisht vartës i Dugollit.

Janë kandidatët të cilët në dosje ua dërgojnë shënimet, të dhënat dhe publikimet shkencore personale, ndërsa komisionet vlerësuese i vendosin në rubrika përkatëse të dhënat e tyre.

Por në formularin e komisionit recensues thuhet që kandidatët duhet pasur kujdes që ta bëjnë dallimin mes revistave ndërkombëtare me dhe pa impact factor.  

Në mesin e të avancuarve në shtator të vitit të kaluar janë edhe katër dekanë tjerë të Universitetit të Prishtinës. 

Avancimi i Izet Zeqirit dhe Hakif Zeqirit

Rasti i ngjashëm si i Dugollit është edhe ai i dekanit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, Izet Zeqirit, i cili  është avancuar me thirrjen profesor i rregullt. 

Komisioni i përshkroi nëntë punime të tij si të publikuara në revista me impact factor. 

Në revistën turke  “Journal of International Environmental Application and Science”, Zeqiri ka publikuar tri punime, ndërsa në revistën bullgare “International Multidisciplinary Scientific Geo-Conferences SGEM”, gjashtë. 

Asnjëra prej tyre nuk e listuar si revistë me impact factor.

Për ta marrë gradën më të lartë, Zeqiri duhej të kishte së paku pesë publikime në revista me recension ndërkombëtar, ashtu siç kërkohet me Statut të UP-së për profesorë të rregullt. 

“Formularët i kanë mbushur anëtarët e komisioneve recensuese dhe ata kanë bërë një gjë të tillë, për të cilën unë nuk jam në dijeni”, ka thënë Izet Zeqiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka shtuar më tej që publikimet e tij janë të rëndësishme, por që nuk kanë impact faktor.

Bajram Shabani, kryetari i Komisionit Recensues, i cili bashkë me dy anëtarët e tjerë kanë dhënë vlerësim pozitiv për Zeqirin, ka pranuar që komisioni i ka vendosur punimet e tij te revistat me impakt factor, ndonëse ato nuk ishin verifikuar.

“Në bazë të vlerave të punimeve edhe i kemi vendosur te revistat me impakt factor punimet e Zeqirit. Kemi mendu që janë ashtu edhe ashtu i kemi vendosur”, ka thënë Shabani. 

Ngjashëm është avancuar në profesor të asocuar edhe Hakif Zeqiri, dekan në Fakultetin e  Shkencave të Aplikuara në Mitrovicë që është degë e Universitetit të Prishtinës.

Në raportin e komisionit recensues atij i janë prezantuar 9 punime ku është autor kryesor si publikime me impact factor.

Nga të gjitha punimet e tij, asnjëra nuk është publikuar në revista me impact factor. 

Punimet e Zeqirit janë prezantime në disa kongrese, por jo edhe në revista me impact factor. 

Madje, si punim të publikuar në revistë me impact factor atij i prezantohen edhe publikimet në “Alb-shkenca”.

“Alb-shkenca” është forum diskutimi joforma, i formuar në internet për të shkëmbyer informata mes shkencëtarëve dhe komentatorëve shqiptarë, por nuk është revistë shkencore. 

Hakif Zeqiri i ka thënë gazetës se nuk e di a kanë ose jo publikimet e tij impakt faktor, ndërsa nuk ka dhënë përgjigje se pse komisioni recensues i ka vendosur punimet e tij te revistat me impakt factor. 

“Punimet e mja i kam publikuar në revista të Austrisë, e për atë se a kanë apo nuk kanë impakt factor nuk e di, veç duhet me pas besoj”, ka thënë Zeqiri.

Avancimi i Sedat Kuçit dhe Bedri Dragushës

Sedat Kuçi, dekan në Fakultetin Filologjik, është avancuar  në thirrjen më të lartë, atë të profesorit të rregullt, ndonëse nuk ka pasur asnjë punim të publikuar në revistat me recencion ndërkombëtar – me impact factor.

Kërkohen së paku pesë për të marrë gradën e profesorit të rregullt. 

 “Prof.asoc.dr. Sedat Kuçi është autor i punimeve të botuara në revistat e përmendura pa impakt factor, por që në shkencën albanologjike, në albanalistikë, si në Kosovë ashtu edhe në botë, kanë prestigj të lartë shkencor’, thuhet në raportin e Komisionit Vlerësues për Sedat Kuçin. 

Ai arriti të avancohet pa publikime në revista me recension ndërkombëtar, ndonëse diçka e tillë është parakusht me ligj të arsimit për t’u avancuar në gradën e profesorit të rregullt.

“Kam bërë publikime albanologjike, albanistike dhe jam në dijeni që nuk kanë impakt faktor, pasi nuk ka të tilla për shkenca albanologjike”, ka thënë Kuçi.

Në formularin e Komisionit Recensues atij i përshkruhen vetëm publikime në revista vendore e rajonale, monografi dhe publikime në kongrese ndërkombëtare. 

Të tilla ishin punimet nga kongreset dhe seminaret, shumica prej të cilave ishin të mbajtura në Prishtinë, një në Tiranë dhe një në Prizren.

Pa publikime në revista me impact factor është avancuar në thirrjen akademike  profesor i asocuar edhe Bedri Dragusha, dekan në Bakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë. 

Atij nuk i ishte përshkruar asnjë punim në revista me impakt factor, qoftë si autor, ose bashkautor.  

Ndërsa i janë përshkruar vetëm tri publikime shkencore në revista pa impact factor si autor kryesor, si dhe në dy publikime të tjera si koautor. 

Ai ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovës lidhur me avancimin e tij.