Policët-Shkelës të Ligjit Gjejnë Mbrojtje Nga Eprorët

Më 11 janar të këtij viti teksa po voziste me makinë, Gani Berisha nga Prizreni në vendin e quajtur “Tregu i Shqipërisë”, pasi bëri tejkalim të kolonës së veturave, u ndal nga policia. 

Dy zyrtarët policorë të patrullës për shkak të kundërvajtjes në trafik ia morën dokumentet e makinës, duke e dënuar për shkeljen. 


Gani Berisha

Berisha, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shkoi për ta marrë tiketën kundërvajtëse në stacionin e Njësisë së Trafikut në Prizren, për ta shlyer dënimin dhe marrë dokumentet, ngase e ka një djalë me sëmundje kronike dhe i duhet shpesh ta dërgojë për shërim në Prishtinë. 

Por ai tregon se nuk kaloi mirë brenda ambienteve të stacionit policor. Sipas Berishës, njëri nga dy policët, i pranishëm në stacion, pasi ia kishte lidhur duart e kishte goditur me grushta në kokë, duke e rrëzuar përtokë. Ai rrëfen se goditjet ia shkaktuan edhe humbjen e vetëdijes. 

Berisha më pas me makinën e ndihmës së shpejtë u dërgua drejt emergjencës së Spitalit Regjional të Prizrenit. Pranimin e Berishës në këtë institucion shëndetësor, e konfirmon edhe mjeku Sadri Hulaj. 

“Ne e kemi pranuar pacientin Gani Berisha, në orën 16: 55, i cili është sjellë me ambulancën e emergjencës, në gjendje jo të rregullt. Ai tregonte se ishte sulmuar nga persona tjerë, në stacionin policor të Prizrenit”, thotë shefi i Emergjencës, Hulaj. 

Ai tregon se personeli mjekësor kreu detyrën e vet. 

“E jona ka qenë që të marrim diagnozën, sepse pas sulmeve fizike zakonisht pacientët janë të shqetësuar. Ne si mjekë i kemi ofruar ndihmën mjekësore, kjo ka qenë e rëndësishme”, shpjegon Hulaj. 


Sadri Hulaj

Eprori policor “bëhet” mjek 

Lulzim Shala, komandanti i Stacionit Policor të Njësisë së Trafikut në Prizren, thotë se ka njohuri për rastin nga ankesa e Gani Berishës. Ai mori rolin e mjekut, kur foli për Gazetën. 

“ Unë nuk kam informata ta ketë sulmuar dikush, të paktën kështu më kanë thënë policët, ai është rrëzuar vetë, me siguri vuan nga ndonjë sëmundje siç është epilepsia”, thotë komandanti Shala.

Por Hulaj, doktori që mjekoi Berishën më 11 janar, thotë se pacienti kishte shqetësime dhe dhembje nga goditjet e marra, duke shtuar se si profesionist shëndetësor nuk ka vërejtur shenja të ndonjë sëmundjeje te pacienti i tij. 

“Sikur të vuante nga ndonjë sëmundje kronike, pacienti do të kishte poseduar edhe dokumentacionin për sëmundjen përkatëse”, shpjegon Hulaj. 

Se ka ndonjë sëmundje e mohon edhe vetë Gani Berisha. 

“Unë përveç gripit sezonal kurrë sëmundje tjetër nuk kam pasë, për këtë jam i gatshëm t’i bëj analizat në prezencë të policisë. Mu m’ka ra dy herë grusht në kokë polici, nuk jam rrëzu vetë”, thotë Berisha.  

Ai tregon se nuk ia di as emrin policit që e sulmoi. 

“Po m’ka ra, as nuk e kam fyer, as nuk e kam sha, po vetë ai polic më ka sha, se emrin nuk ia di, po tri herë në gjuhën serbe më ka sha”, vijon Berisha. 

Lulzim Shala, komandandanti i Stacionit Policor të Njësisë së Trafikut, nuk e pranon se ndaj qytetarit Berisha zyrtarët policorë kanë përdorur forcë. Ai thotë se kur përdoret forca fizike ndaj personave që nuk zbatojnë urdhrat e policies, zyrtarët policorë plotësojnë raport rreth përdorimit të forcës. Shala thotë se në rastin e Gani Berishës nuk ka raport të tillë. 

“Në bazë të raportit të mjekut, nuk shihet se ka lëndime, vetëm se është ankuar për shkak të stresit dhe dhembjes së kokës. Dhimbje koke edhe na po kemi ndonjëherë, kur po zgjohemi në mëngjes”,  deklaron komandanti Shala. 


Lulzim Shala

Por mjeku Hulaj thotë se në raportin e tij, përveç dhimbjeve të kokës për të cilat ankohej pacienti, janë përmendur edhe lëndimet e shkaktuara nga goditjet. 

“Është cekur në raport se dhimbjet e kokës kanë ardhur si pasojë e goditjes, sepse ka pasur mufatje në kokë. Këto lëndime besoj se janë marrë nga goditjet me grushta apo këmbë”, thotë Sadri Hulaj. 

Gazeta kontaktoi edhe me policët I.V. dhe F.G. të cilët i kishin shqiptuar tiketën  kundërvajtëse qytetarit Berisha, njëri prej të cilëve i dyshuar ta ketë përdorur edhe forcën fizike, por pasi Inspektorati Policor i Kosovës po zhvillon hetime ndaj këtyre zyrtarëve policorë, biseda me ta ishte e pamundur. 

“IPK-ja ka pranuar një ankesë nga një qytetar, ku dyshohet se policia ka tejkaluar autorizimet e saj. Rasti ka kaluar në Departamentin e Hetimeve, natyrisht në konsultim edhe me prokurorin. Një gjë është e sigurt, se hetuesit janë duke dhënë maksimumin e tyre”, thotë zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka. 

Polici shkakton aksident të rëndë 

Por nuk janë vetëm policët që po dyshohen për rrahje të Gani Berishës, si shkelës të vetëm të mundshëm të ligjit. 

Më tetë korrik të vitit 2012, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë qendrës tregtare “Ben-Af” në Prishtinë, një person i panjohur nga shpejtësia e madhe e vozitjes me makinë, doli nga rruga, duke goditur me veturën e tij tre kalimtarë të rastit. 

Shkaktuesi i aksidentit atëherë iku nga vendi i ngjarjes, pa u ofruar ndihmë mjekësore të lënduarve. Florent Krasniqi dhe Hana Mehmetaj, u lënduan rëndë, ndërsa Valon Prapashtica shpëtoi më lehtë. 

Mehdiu, babai i të lënduarit Florent Krasniqi që aksidenti ia theu dy unaza të boshtit kurrizor, zbuloi se kush ia kishte shkelur djalin me makinë, dhjetë ditë pas ngjarjes së rëndë. Mehdi Krasniqi, teksa kishte dalë për të blerë bukë, u takua rastësisht me një dëshmitar okular të aksidentit, i cili kishte shkruar tabelat e regjistrimit të makinës që lëndoi tre qytetarë të Prishtinës. 


Mehdi Krasniqi

Këto tabela ishin të makinës së policit Shefki Qerimi. Dëshmia e njeriut që pa aksidentin, shtyri Inspektoratin Policor të Kosovës të paraqesë kallëzim penal kundër tij në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. 

Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Qerimit, duke e ngarkuar atë me veprat penale rrezikim të trafikut publik dhe mosdhënie të ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik. 

Për secilën nga këto vepra, Kodi Penal i Kosovës parashikon denim me burgim, nga gjashtë muaj, deri në pesë vjet. 

“Pak kam pasë shpresa që të gjendet kryesi i kësaj vepre, sepse ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes, kjo është e tmerrshme, aq më shumë kur ta mendosh se këtë e ka bërë një zyrtar policor”, thotë Mehdi Krasniqi. 

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 nëntor të vitit 2013, me aktgjykim policin Shefki Qerimi, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimin unik prej 9 muajsh burgim. 

Qerimi nuk deshi të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë, me arsyetimin se është ankuar në Gjykatën e Apelit për këtë denim dhe po e prêt vendimin e saj. 

Sipas aktakuzës, në një vend ku shpejtësia e lejueshme është 50 kilometra në orë, Qerimi po voziste gati me dyfishin e kësaj shpejtësie (95 km/h). 

Kapiteni i policisë mbron kolegun e tij 

Polici Shefki Qerimi, atë ditë korriku nuk kishte goditur vetëm tre kalimtarët në trotuar, por edhe vazot e betonta të luleve që pengojnë parkimin në këtë hapësirë, duke dëmtuar edhe makinën. 

Hetuesve të Inspektoratit Policor, kur nisën të mbledhin informata për këtë rast, u interesonte nëse Qerimi kishte ngjyrosur veturën e tij të tipit BMW që shkaktoi aksidentin dhe kur e kishte bërë këtë. 

Një zyrtar policor me gradën kapiten, u kishte thenë hetuesve se Qerimi ngjyrosi veturën e tij në muajin prill, për të humbur lidhjen e policit me aksidentin. 

Gjatë gjykimit të Qerimit, gjykata vërtetoi se ngjyrosjen e makinës, shkaktuesi i aksidentit, e kishte bërë në korrik, pikërisht në kohën kur goditi në trotuar tre kalimtarë. 


Arbër Beka

Arbër Beka nga IPK-ja nuk e përjashton mundësinë që ky kapiten policie të hetohet për deklarim të rremë, por thotë se Inspektorati, po e pret përfundimin e procesit gjyqësor. 

“Në momentin që do të pranojmë aktgjykimin e plotfuqishëm nga gjykata, atëherë edhe njëherë do të analizohen të gjitha deklaratat që janë dhënë dhe në qoftë se ka ndonjë element të shkeljes displinore, ose vepër penale, do të niset procedura nga IPK-ja”, përfundon Beka.