Natali Velija-Gjyqi Redukton Akuzat për Pasaportat

Natali Velija dhe të tjerët nuk do të gjykohen për të gjitha akuzat që rëndonin mbi ta.

Trupi gjykues i kryesuar nga Malcolm Simmons vendosi më 3 shkurt 2014 që disa pika të aktakuzës të mbeten, e disa të bien. Mbrojtja e të pandehurve kërkonte që të hidhen poshtë të gjitha akuzat ndaj grupit.

Por Natali Velija më nuk ngarkohet vetëm për vjedhje të rëndë, shpërdorim, keqpërdorim të besimit, falsifikim dhe rastet të posaçme të falsifikimit të dokumentit, por do të përgjigjet në gjykatë për krim të organizuar, pastrim të parave, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. 

Fisnik Blakaj, Betim Blakaj, Ergyn Dogan, Imer Fazlija dhe Nazmi Thaçi nuk do të ndiqen për pranim të mallrave të vjedhur. Ndërsa Gjykata Themelore do t’i gjykojë ata për krim të organizuar, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. 

Jakup Blakqorit, Sefedinin dhe Hashim Shalës, u mbeten akuzat e njëjta-pranim të mallrave të vjedhura dhe shmangie nga tatimi, për të cilat dyshoheshin edhe nga prokuroria. 

Natali Velija u paraburgos në nëntorin e 2012-ës, me akuzat për keqpërdorim të këtyre mjeteve. Një vit më vonë, në nëntorin e vitit 2013, prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzë me nëntë vepra penale për Velijan dhe tetë bashkëpunëtorë të saj. 

Gjithçka nisi më 5 nëntor 2010, kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi një njoftim për kontratë për furnizim me pasaporta biometrike. 

Në maj të vitit 2011, kompania u njoftua nga MPB-ja se mund ta fitonte tenderin. Në këtë kohë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të OeSD-së Reinhart Gausterer, u takua për herë të parë me Natali Velijan, pasi kompania ishte në kërkim të njerëzve që njihnin mentalitetin kosovar dhe austriak. 

Velija i plotësonte kushtet-kishte shtetësinë gjermane dhe njihte të dy gjuhët e subjekteve nënshkruese të tenderit-shqipen dhe gjermanishten. 

Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrike mes OeSD-së dhe MPB-së u nënshkrua në qershor të vitit 2011 dhe kishte vlerën 14 milionë, 127 mijë e 3.24 euro. Por një milion e 400 mijë euro nga kjo shumë nuk shkuan kurrë në llogarinë e firmës austriake, edhe pse MPB-ja nëpërmjet Velijas i pagoi ato. 

Gjykata arsyeton akuzat e mbetura 

Gjykata kur arsyeton veprën penale krim të organizuar, thotë se Natali Velija bashkë me Fisnik e BetimBlakajn, Nazmi Thaçin, Ergyn Doganin dhe Imer Fazlinë formuan një grup që nga dhjetori i 2011-ës. 

“Ka dyshim të mirëbazuar se të pandehurit e lartpërmendur formuan një grup të organizuar kriminal që ishte i strukturuar dhe përbëhej nga më shumë se tre persona, që ekzistoi nga dhjetori 2011 deri në nëntor 2012, me qëllim kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave, konkretisht pastrimit të produkteve nga paratë e supozuara të përvetësuara në mënyrë të kundërligjshme”, shkruan në aktvendimin e gjykatës. 

Gjithnjë sipas gjykatës, ky grup i organizuar bashkëpunoi në transferet bankare të 669 mijë eurove, duke ua ndryshuar atyre burimin dhe vendndodhjen. 

Sipas aktakuzës, Natali Velija nëpërmjet kompanisë së saj “Consulting EU”, transferoi te ndërmarrjet “Pirro” dhe “Qeramika” të të pandehurit tjetër Ergyn Doganit, 400 mijë euro, ndërsa 200 mijë të tjera i dërgoi në llogarinë e kompanisë “Ron ing” të Imer Fazlisë. 

Kompania “Pirro” që merret me ofrimin e shërbimeve të përgjithshme dhe sigurisë publike, e themeluar në vitin 2008, është e regjistruar në emër të të pandehurit Hashim Shala, por vetë Shala e pranoi para prokurorisë se emri i tij si pronar vetëm figuron nëpër dokumente, ndërsa sipas tij firmën e drejton Ergyn Dogan. 

Hashim Shala, përveç për pranim të mallrave të vjedhura, do të përgjigjet për shmangie nga tatimi të 200 mijë eurove, të cilat u transferuan nga kompania “Qeramika” dhe pronari i saj Ergyn Dogan, në dy raste të ndara, gjatë shkurtit e marsit 2012. 

Ergyn Dogan, përveç akuzave tjera ngarkohet edhe për shmangie tatimi në vlerën e 400 mijë eurove, të cilat erdhën nga Natali Velija drejt kompanive “Pirro” dhe “Qeramika”. 

“Qeramika”, e themeluar në janar të vitit 2012 nga Ergyn Dogan që si veprimtari parësore sipas Agjencisë së Regjistrimeve të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka shitjen me shumicë të drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjeve sanitare dhe furnizimeve, pranoi 200 mijë euro nga Natali Velija në dy raste të ndara gjatë shkurtit e marsit 2012. 

Edhe Sefedin Shala, pronari i kompanisë “Ron ing”, të themeluar në prillin e vitit 2010, përveç për pranimin e mallrave të vjedhura, ngarkohet edhe për shmangie nga tatimi të 200 mijë eurove. Këto para u transferuan nga xhirollogaria e Natali Velijas në dy ditë të ndryshme të dhjetorit 2011. Imer Fazlia, si person fizik i kësaj kompanie akuzohet bashkë me Sefedin Shalën për shmangie nga tatimi të shumës së njëjtë të parave. 

Jakup Blakqori, si përfaqësues fizik i kompanisë “Qeramika” akuzohet për pranim të mallrave të vjedhura në vlerën e 200 mijë eurove dhe për shmnagie nga tatimi të kësaj shume parash, njësoj si shefi i “Qeramikës”, Dogan.  

Nazmi Thaçi që i tha prokurorisë së është menaxher i firmës “Construction beton”, ngarkohet gjithashtu për shmangie nga tatimi të 69 mijë eurove. 

Në këtë kompani, të themeluar më 28 shkurt 2012, Natali Velija transferoi 69 mijë euro në mars e gusht të 2012-ës. Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i datës 3 shkurt 2014, thotë se akuzat për shmangie nga tatimi janë të mirëbazuara. Me akuzë të tillë për evazion fiskal të 11 mijë eurove, ngarkohet edhe Fisnik Blakaj. 

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes së Ergyn Doganit dhe Imer Fazlisë që klientët e tyre të amnistohen nga vepra shmangie nga tatimi, pasi sipas avokatëve, një vepër e tillë amnistohej nga Ligji për Amnisti, i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 11 korrik 2013. 

Gjykata argumentoi se kjo vepër penale amniston vetëm personat që e kanë kryer atë, në kuadër të thirrjes për rezistencë. Ligji për amnisti në nenin 1 të tij liron mes tjerash edhe nga shmangia e tatimit, personat që një vepër të tillë e kanë kryer para 20 qershorit të vitit 2013. Shmangia nga tatimi në ligj, është renditur nën veprën thirje për rezistencë. 

Gjykata: MPB-ja i dorëzoi-OeSD-ja nuk i mori paratë 

Gjykata në aktvendim konstaton se ka bazë edhe për ngritjen e akuzës për mashtrim kundër Natali Velijas. 

“Nuk është kontestuar se shuma prej 1,420,255.13 eurosh u pagua nga MPB-ja në llogarinë bankare të Consulting EU, e gjitha në pronësi dhe menaxhim të së pandehurës N.V. Më pas, kjo shumë të hollash u transferua në llogari bankare të ndryshme që u përkisnin personave të caktuar juridikë dhe fizikë. Rezultati përfundimtar është se kompania OeSD nuk i mori të hollat që kishte të drejtë t’i merrte, sipas kontratës me MPB-në”, thuhet në aktvendim. 

Gjykata, veprën penale pastrim parash e arsyeton me faktin se Natali Velija, u kishte thënë organeve të ndjekjes se OeSD-ja e kishte autorizuar të shpërndante 669 mijë eurot, nëpër xhirollogaritë ku ajo i dërgoi, por firma austriake dhe vetë pranuesit e këtyre mjeteve, sipas gjykatës, nuk e kishin thënë të njëjtën gjë. 

“Gjykata është e mendimit se ka dyshim të mirëbazuar se e pandehura me dashje nuk raportoi tek autoritetet tatimore shumën prej 1,613,545.23 eurosh si qarkullim për vitet 2011‐2012”, thuhet më tutje në aktvendim. 

Gjykata nuk i liron nga akuza për pastrim parash as Fisnik e Betim Blakajn, Nazmi Thaçin, Ergyn Doganin dhe Imer Fazlinë, duke arritur në përfundim se këta ndihmuan në fshehjen dhe maskimin e parave. 

Për gjykatën, vepra penale e mashtrimit e konsumon veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe rasteve të posaçme të falsifikimit të dokumenteve. 

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës shpjegon se nuk gjeti dyshime të mirëbazuara për vjedhje të rëndë, shpërdorim dhe keqpërdorim të besimit, akuza me të cilat, mes tjerash, Natali Velija ngarkohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit për vendimin e Gjykatës Themelore.