Bashkëfshatari i Kryetarit Merr Bufenë e Komunës në Shfrytëzim (TV)

Shfrytëzuesi i bufesë komunale në Suharekë për arsye shëndetësore dhe në mënyrë vullnetare më 23 dhjetor 2013 ka shkëputur kontratën me komunën e Suharekës, me arsyetimin se nuk kishte mundësi t’i përmbushte obligimet që rrjedhin nga kontrata dhe shërbimet që duhej t’i kryente ndaj stafit të komunës.

Pas tre ditësh, më 26 dhjetor, në këtë bufe është vendosur kafiteria “Miqësia”, e pronarit Gazmend Zeqiraj, pa u shpallur tender por përmes një aktvendimi të Sali Asllanajt, kryetarit të komunës.

Pas dy javësh komuna shpall tender për këtë bufe dhe më 14 janar 2014 Zyra e Prokurimit shpall një njoftim për kontratë për shërbimet e bufesë për stafin e komunës, ku fitues shpallet kafiteria “Miqësia”, me pronar Gazmend Zeqirajn.

Në këtë tender kishin marrë pjesë tre ofertues, ndërsa Gazmend Zeqiraj ka dalë si më i liri.

Opozita në Suharekë e sheh me dyshim vendosjen e kafiterisë “Miqësia” në bufenë komunale, ndër të tjera për arsyen se pronari i kësaj kafiterie vjen nga i njëjti fshat prej nga vjen edhe kryetari Sali Asllanaj.
 
Leonard Shala nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kryetari Sali Asllanaj ka filluar punën me shkelje ligjore.

“Është dashur të respektohet ligji i prokurimit, të shpallet tenderi dhe më pastaj të dihet fituesi. Aktvendimi nuk është i bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, tha Shala.

Sipas tij kryetari nuk mund të japë astetet e komunës me një direktivë.

Edhe Nadire Hoxha nga AAK-ja tha për Gazetën Jeta në Kosovë se dhënia e bufesë në shfrytëzim, pa i respektuar procedurat e prokurimit, ka të bëjë me një vendim të kundërligjshëm të kryetarit Asllanj, pasi Ligji i Prokurimit nuk parasheh dhënien e bufesë me një vendim të përkohshëm.

Por, kryetari i komunës së Suharekës Sali Asllanaj, nuk mendon se veprimi i tij është i kundërligjshëm.

Ai nuk jep përgjigje të qartë se pse me aktvendim është zgjedhur një kompani nga fshati Gjinoc, prej nga vjen edhe vetë ai, por thotë se me tender është zgjedhur kompania më e lirë.

“Në situata të tilla ti nuk mundesh me prit t’i kryejmë një herë procedurat, e masanej të pijmë kafe’. Kemi pas nevojë për shërbime të bufesë komunale dhe në këtë aspekt absolutisht asgjë nuk ka të keqe”, tha Asllanaj.

Bujar Kuqi, shef i Prokurimit në komunën e Suharekës, thotë se nuk ka qenë në dijeni për aktvendimin e kryetarit.

“Ne kemi zhvilluar procedurën e prokurimit sipas kërkesës që ka ardhur nga Drejtoria e Administratës”, tha Kuqi.

Sipas tij në këtë tender interesim kanë paraqitur tri kompani, dy prej tyre kanë sjellë dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa ka fituar kompania “Miqësia” me çmimin më të ulët prej 12.40 cent për njësi.

Safet Hoxha, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se kryetari i komunës nuk mundet që me vendime administrative të japë bufenë në shfrytëzim.

Sipas tij në këtë rast ka anashkalim të Ligjit të Prokurimit.
 
Ndërsa ai që ka përfituar më së shumti në këtë rast është Gazmend Zeqiraj, pronar i kafiterisë “Miqësia” dhe shfrytëzues i bufesë së komunës.

Ai thotë se kishte dëgjuar që ish-shfrytëzuesi ka lëshuar bufenë para skadimit të kontratës dhe se më këtë rast i ishte ofruar komunës që ta marrë në shfrytëzim deri në hapjen e tenderit.

“Kam qëndruar rreth dy javë me atë aktvendim dhe pastaj kam fituar në tender. Kam fituar, sepse kam qenë më i liri. Këtë mund ta shihni edhe në dokumentet e Zyrës së Prokurimit”, tha Zeqiraj.

Ai mohon që në marrjen e bufesë të ketë pasur ndikim fakti që kryetari i komunës vjen nga fshati i tij.

“Të dy kandidatët për kryetar komune kanë qenë nga Gjinoci. Njëri gjithsesi është dashur të fitojë”, tha pronari i kafeterisë “Miqësia”.

Sipas kontratës, kafiteria “Miqësia”, nuk do të paguajë shpenzimet për rrymë e për ujë, pasi bufeja është brenda objektit të komunës dhe këto shërbime paguhen nga komuna.