Udhëheqja 16 - muajshe e Universitetit Nga Ish-Këshilltari i Pacollit (TV)

Kur Ibrahim Gashi po intervistohej dy javë pas zgjedhjes së tij në pozitën e rektorit, thoshte se njihet më shumë si profesor sesa si politikan. 

“Mendoj që në qarqet akademike më shumë më njohin si Ibrahim, më shumë si profesor, sesa si politikan, sepse gjatë kohës sa kam qenë në politikë kam publikuar katër libra në fushën e historisë dhe libra universitarë”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë më 16 korrik të vitit 2012.

Më 1 korrik kishte marrë besimin e Këshillit Drejtues në mënyrë unanime për të udhëhequr universitetin për periudhën 1 tetor 2012 – 1 tetor 2016. 

Por pikërisht imazhi i tij i profesorit, u godit nga akuzat për mashtrim të kryer përgjatë rrugës për të marrë titullin profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës. 

Studentët gjatë kësaj jave bllokuan Rektoratin, duke protestuar përditshëm në kërkim të dorëheqjes së rektorit Gashi.


Protestat e studentëve | Fotot : Nektar Zogiani

Ai nuk e ka ndërmend që të dëgjojë thirrjet e studentëve.

Rektorati nëpërmjet një kumtese për media më 3 shkurt të këtij viti, njoftoi se Gashi nuk e ka përmendur asnjëherë opsionin e dorëheqjes.

E kritikuar është edhe ardhja e tij në krye të UP-së. Kishte mbajtur pozita të rëndësishme politike para saj dhe kjo i ishte përmendur atij nga kritikët. 

Zgjedhje politike e kishte klasifikuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. 

“Zgjedhja e zotit Gashi rektor i UP-së është rast eklatant i vazhdimit të politizimit të këtij Universiteti përmes imponimit politik të kandidatit të preferuar”, thuhet në një kumtesë për media të KMDLNj-së të 31 korrikut të vitit 2012.

Gashi pohoi në emisionin Jeta në Kosovë se është zhveshur nga politika, para se të merrte  postin e rektorit.

“E pranoj që kam qenë pjesë e një partie politike. Por kam dhënë dorëheqje nga çfarëdo aktiviteti politik”, tha Gashi. 

Që nga viti 2007 deri në vitin 2011 Gashi u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe kreu funksionin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ishte deputet i partisë së Behgjet Pacollit. 

Më 23 maj të vitit 2011 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme. 

Ai mbajti edhe një pozitë tjetër të rëndësishme dhe shumë të afërt me Pacollin. Ishte këshilltar i parë politik dhe shef i Kabinetit të presidentit Pacolli, gjatë periudhës 22 shkurt -30 mars të vitit 2011.

Megjithatë ai nisi punën si rektor më 1 tetor të vitit 2012 dhe aty filluan problemet.

Viti i ri akademik nis me protesta

Ditët e para të mandatit të tij u shoqëruan me protesta. Më 1 tetor Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për protestën e Parlamentit të Studentëve lidhur me emërimin e Nuri Bexhetit në postin e prorektorit për arsim. Kurse rektori Gashi, përzgjedhjen e Nuri Bexhetit për prorektor e pati cilësuar si të bazuar në ligj. Kësaj proteste iu desh ndërhyrja e Njësisë Speciale të Policisë. 

Në Shkenca Politike – rreth 150 studentë sa konkurs

Në qershor të vitit 2012 Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu kishte raportuar se si në Fakultetin Filozofik, në degën e Shkencave Politike ishin pranuar afro 150 studentë më shumë, apo dyfishi i studentëve të paraparë me konkurs. Sipas hulumtimit të gazetës, del se 37 prej këtij dyfishi figurojnë si të regjistruar në janar 2013, kurse katër të tjerë janë regjistruar në mars të po atij viti, pasi kishte përfunduar semestri i parë i vitit akademik.

Ndonëse konkurset për pranimin e studentëve u shpallën para se Ibrahim Gashi të bëhej rektor, megjithatë studentët që u pranuan në janar e mars të 2013-ës ishin në kohën kur Gashi veç ishte rektor.

Universiteti kontrakton kompaninë me parregullsi

Në prill të vitit 2013 Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për një kompani nga Drenasi, pronë e një afaristi i cili vjen nga i njëjti fshat me rektorin Ibrahim Gashi, e cila kompani ishte angazhuar në procedurë të mbyllur nga Universiteti i Prishtinës në projektin për shërbime të udhëtimit me autobusë për studentë përgjatë njësive akademike. 

Fjala është për kompaninë “Vëllezërit Thaçi”, e cila më herët kishte pasur vërejtje nga Komuna e Drenasit për moszbatim siç duhet të një kontrate publike. Madje sipas gazetës, ishte konstatuar se kompania lejonte vozitës pa patentë-shofer dhe se një minibus i saj kishte shkelur dy nxënës.

Përzgjedhjen e kësaj kompanie, rektori Gashi e pati quajtur si ofertën më të lirë dhe me shërbime më të mira.

UP-ja regjistron qindra studentë jashtë kritereve

Në nëntor të vitit 2013, Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar edhe për memorandumin në mes Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, që konsiderohej se është bërë pa bazë ligjore.

Sipas këtij memorandumi, shoqatat e veteranëve të UÇK-së, të invalidëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve, e përpilojnë një listë me emrat e fëmijëve të dëshmorëve për t’u pranuar si studentë, të cilën ia dërgojnë Rektoratit. Emrat që janë në atë listë i nënshtrohen provimit pranues. Por edhe nëse nuk tregojnë rezultate të mira, emrat e tyre dërgohen në Rektorat për regjistrim në fakultetet ku i janë nënshtruar testit.

Edhe pse memorandumi në fjalë nuk ishte nënshkruar në kohën e rektorit Gashi, megjithatë një praktikë e tillë është ndjekur edhe në mandatin e tij.

Arrestimet në Fakultetin e Mjekësisë

Në dhjetor të vitit 2013, skandali që bëri bujë ishte ai i arrestimit të 11 personave kryesisht nga Fakulteti i Mjekësisë, prej tyre asistentë, mjekë nëpër spitale e qendra të mjekësisë familjare, si dhe bashkëpunëtorë të tyre, me arsyetimin për “marrje ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë”.

Pasi shpërthyen këto probleme në Fakultetin e Mjekësisë, rektori Ibrahim Gashi vendosi ta shkarkojë nga detyra dekanin e këtij fakulteti Naim Halitin dhe disa nga asistentët që ishin në marrëdhënie pune në Universitetin e Prishtinës.

Haliti iu tha medieve  në dhjetor se përgjegjësia është individuale dhe se raste të ngjashme kanë ndodhur në tërë UP-në. 

Sipas tij përgjegjësia duhej kërkuar në rektorat e jo në njësi akademike.

Problemet me konkursin e doktoratave

Në dhjetor të vitit 2013, emisioni “Jeta në Kosovë” pati raportuar se si Senati i Universitetit të Prishtinës një muaj pas mbylljes së konkursit dhe pasi studentët tashmë kishin aplikuar në bazë të kritereve të konkursit, vendosi t’i ashpërsojë kriteret nga ato vlerësuese në kritere eliminuese.

E ky vendim hiq nuk u pëlqeu së paku 67 kandidatëve për këto studime, të cilët u hoqën nga listat e të pranuarve. Por siç duket, pakënaqësitë ishim edhe më të mëdha. Sepse në dyert e Rektoratit trokitën mbi 150 ankesa.

Më pas, kandidatët që mbetën jashtë listave, organizuan protestë para Rektoratit duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Senatit të 26 nëntorit 2013, me të cilin u ashpërsuan kriteret e konkursit.

Rektori Gashi u pati premtuar të pakënaqurve se do t’i shqyrtojnë me kujdes ankesat një nga një.

Senati në mbledhjen e 21 janarit 2014 i shqyrtoi ankesat dhe i refuzoi të gjitha, përveç njërës. Ankesat u refuzuan mbi bazën e vendimit të 26 nëntorit 2013. 

Kurse vendosi t’i plotësojë vendet e mbetura nëpër degë me kandidatët që e kanë notën mesatare mbi 8.00 në secilin nivel të studimeve, që në të vërtetë ishte kriteri i parë i vendimit të fundit të Senatit. Por nuk përmendi edhe kriteret tjera, siç ishte testi i gjuhës angleze APTIS dhe intervista me kandidatët, të cilat po ashtu ishin pjesë eliminuese në vendimin e fundit të Senatit.

Puna me këtë konkurs nuk përfundoi këtu. Tash e tutje Rektoratit dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës do t’i dalë punë me Gjykatën, sepse u paditën prej 17 kandidatëve të grupit të të pakënaqurve me vendimet e Senatit, pas përfundimit të afateve të parapara me konkursin e datës 25 shtator 2013.

Kontestimi i karrierës së rektorit Gashi

Përpos problemeve që rektori Gashi i pati me Universitetin, kohëve të fundit atij po ia kontestojnë edhe karrierën shkencore. 

Zëra nga brenda universitetit janë shprehur publikisht se tri punime shkencore në të cilat figuron si kontribuues edhe rektori Gashi, janë publikuar në një revistë të rreme shkencore të Indisë.

Rektori Gashi në emisionin  “Jeta në Kosovë”, të datës 30 janar të këtij viti e ka pranuar se emri i tij figuron në ato punime, por arsyetohet se nuk ka qenë autor i parë, por vetëm kontribues. Madje ai e pranon se kontributi i tij në to ishte minor. Ai ka thënë se bazuar në kontributin e dhënë, emri i tij do të duhej të ishte i fundit, e jo i dyti.

Tha se emri i tij ka përfunduar si i dyti për shkak se e kishte pozitën e rektorit.

Për zërat që po e kritikojnë, Gashi thotë se nuk po ia kontestojnë cilësinë e punimeve, por kredibilitetin e revistës në të cilën janë botuar. 

Ai arsyetohet se revistën nuk e ka përzgjedhur ai, por autori i parë i punimeve.

Por tash po ia kontestojnë edhe cilësinë e punimeve të publikuara. 

Njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, ka thënë në debatin e emisionit “Jeta në Kosovë” se ka mbetur “i habitur” se si rektori merr pjesë në punimet që nuk janë nga fusha e tij – historia, por flet për xehetarinë.

Rektori Ibrahim Gashi arsyetohet duke thënë se edhe në të kaluarën ka pasur historianë që kanë doktoruar me tema të xehetarisë. 

Temat e punimeve që janë publikuar në revistën e dyshimtë në Indi janë “Mineralet dhe menaxhimi i tyre”, “Privatizimi dhe sfidat e ardhshme në ekonominë e tregut të lirë”, “Sfidat e menaxhimit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Komisioni Vlerësues për Përzgjedhjen e Stafit Akademik në UP, në përbërje të prof. dr. Selim Dacit (kryetar), prof. dr. Gazmend Rizajt (anëtar) dhe prof. dr. Karl Kazer-it (anëtar) , gjatë vlerësimit të karrierës së tij shkencore, tri punimet që tashmë po kontestohen, ia patën vlerësuar si punime me “impakt faktor”,  të botuara në revista shkencore ndërkombëtare. 

Lidhur me këto zhvillime, duke filluar nga telashet në Fakultetin e Mjekësisë, më pas konkursin për studime të doktoratës, e deri te avancimi i dyshimtë i rektorit Gashi dhe disa profesorëve në UP, disa organizata studentore janë duke mbajtur protesta para Rektoratit, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Gashit. 

Në këto protesta u desh ndërhyrja e policisë.

Rektori Gashi deklaroi në emisionin Jeta në Kosovë se nuk e sheh të arsyeshme të japë dorëheqje, pavarësisht situatës së krijuar kohëve të fundit në UP. 

Sipas tij, sulja po i bëhet sepse ky menaxhment (duke aluduar në veten) për herë të parë nisi të bëjë ndryshime në këtë institucion.