Sahatkulla e Ferizajt Pa Akrepa dhe Pa Leje (TV)

Në vendin ku dikur në vitin 1981 dhe 1989 u bëhej rezistenca më e madhe forcave policore të ish-Jugosllavisë në Ferizaj, që më shumë se 4 vjet është ngritur objekti i quajtur Orëkulla Shqiptare, si përkujtim për ato ngjarje.

Por ky objekt që ndodhet në parkun e qytetit e pranë hekurudhës, nga fillimi ka vetëm funksion simbolik-përkujtues, ngase nuk funksionon praktikisht.

“Sa i përket sahatkullës, mund ta quajmë edhe kulla pa sahat, pasi që nga 2009-ta, është pa orë, pa sahat”, thotë drejtori i Urbanizmit Faik Grainca që mori detyrën pas zgjedhjeve lokale të 2013-ës.

Funksionalizimin e sahatkullës e duan edhe të tjerët.

“INPO-ja gjatë një reagimi gjatë vitit 2013 me një performancë artistike ka kërkuar nga komuna e Ferizajt që sahatkullën ta shndërrojë në objekt normal, që sahatkullën ta pajisë me orë dhe akrepa, si çdo sahatkullë normale, thotë Alban Haliti nga kjo organizatë. 

“Ajo sahatkullë duhet të funksionalizohet, të ketë një orë aty, e cila do të shërbejë për qytetarët e Ferizajt”, thotë Xhavit Zariqi, ish-kandidati për kryetar të Ferizajt nga AAK-ja, që në kohën e ndërtimit të këtij objekti ishte pjesë e PDK-së. 

Orët për orëkullën mund të vijnë në qershor

Ismet Shamolli, pronari i kompanisë “Drenica” që ndërtoi sahatkullën si dhuratë për ferizajasit, ndërsa duhej ta pajiste objektin edhe me orë dhe akrepa, ka shpjegimin  e tij për këtë mungesë. Mungesën e orëve në orakullë e quan problem teknik

“Vitin e kaluar, sa më kujtohet, në mars, janë porositur orët e Orëkulles në një firmë të specializuar, pasi që nuk janë të rëndomta me orët e zakonta. Është bërë pagesa në masën 60 për qind dhe për arsye të pajustifikueshme, akoma nuk i kanë sjellë, por më kanë premtuar që deri në muajin qershor do t’i prodhojnë dhe do importohen për në Kosovë”, thotë ai.

Por mungesa e orës nuk është problemi i vetëm i “Orëkullës Shqiptare” të Ferizajt. Ky objekt është edhe pa leje.

“Sahatkulla për fat të keq është një ndërtim pa leje. Ne jemi në përfundim të planit detaj urbanistik për atë pjesë të qytetit dhe nëse sahatkulla do të inkorporohet në të, do të mbetet si e tillë. Nëse nuk do të inkorporohet në planin urbanistik, natyrisht se do ta rrënojmë”, thotë drejtori i Urbanizmit Faik Grainca.

Se objekti është pa leje, e konfirmoi edhe organizata INPO, me fjalë të ngjashme si Grainca.

“Kjo sahatkullë ende nuk ka leje. Komuna duhet të shikojë nëse mund të integrohet në planin urbanistik. Nëse nuk mund të integrohet në planin urban, të rrënohet”, thotë Alban Haliti nga INPO-ja.

“Orëkulla Shqiptare”, u ndërtua nga kompania Drenica, si dhuratë për qytetin e Ferizajt në vitin 2009. Kjo kompani fitoi tenderin për nënkalimin e këtij qyteti dhe afër tij ndërtoi edhe sahatkullën. 

Orëkulla pa leje, por me pëlqim komunal

Ismet Shamolli, pronari i kompanisë Drenica, tregon ecurinë e ndërtimit të orëkullës që thotë se e ngriti si donacion për qytetin.

“Pas shfaqjes se dëshirës dhe gatishmërisë time, si pronar i firmes “Drenica” qe t’i dhuroj qytetit tim këtë vepër publike-ndërtimin e orëkullës shqiptare, mora miratimin nga ana e kryetarit të komunës që të realizoj këtë vepër, duke mos pasur implikime financiare nga ana e komunës”, tha Shamolli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ish-kryetari i Ferizajt Bajrush Xhemajli, në kohën e të cilit u ndërtua sahatkulla, nuk u është përgjigjur pyetjeve për këtë objekt të dërguara nga gazeta.

Shamolli thotë se orëkullën e ka ndërtuar me pëlqimin komunal, ndërsa çdo objekt sipas tij duhet të ketë leje.

“Pas marrjes së pëlqimit kam filluar ndërtimin. Pikërisht duke u nisur nga fakti se ishte donacion, rrjedhimisht dhe pajisja me leje ndërtimi ishte pothuajse e prolonguar në heshtje në një moment, ndërsa ne anën tjetër ne kishim bashkëpunim me drejtorin e urbanizmit për caktimin e vendit ku edhe do fillojë ndërtimi i kësaj vepre publike”, shpjegon Shamolli.

Në vitin 2009 kur u ndërtua orëkulla, drejtoreshë e Urbanizmit në Ferizaj ishte Qazime Vata. Ajo i tha shkurt Gazetës Jeta në Kosovë se “Orëkulla nuk ka leje”, pa dashur të flasë më tutje, ngase nuk është më në këtë pozitë.

“Sahatkulla në Ferizaj i ka dy simbole kryesore. Pesë troje shqiptare (pesë orët) në një trung dhe plisi në majë”, i tha gazetës në vitin 2011, Ismet Shamolli . pronari i kompanisë “Drenica”.

Mendime të ndryshme për orëkullën në Ferizaj

 Por mendimet rreth orëkullës në Ferizaj janë të ndryshme. Faik Grainca thotë se “Ka pasë mendime se nuk i shkon qytetit tonë. Ka pasë nga ata që thonë se është një objekt i mirë”.

Ish-kandidati për kryetar të Ferizajt nga radhët e AAK-së, Xhavit Zariqi, mendon se orëkulla duhet të rimodelohet. “Jam që të riparohet në mënyrë të kënaqshme, sepse ka pasur shumë spekulime për formën e epërme që ka “, thotë ai.

“Nuk më pëlqen as pamja e jashtme e sahatkullës. Janë munduar ta ndryshojnë me disa ndërhyrje, por prapë po duket si raketë në pritje për t’u lansuar në hapësirë”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë në vitin 2011, Petrit Palushi nga INPO-ja. http://gazetajnk.com/?cid=1,979,944

Derisa Drejtoria e Urbanizmit dhe INPO-ja nuk e përjashtojnë mundësinë e rrënimit të këtij objekti, Xhavit Zariqi mendon se orëkulla duhet të mbetet.

“Sahatkulla nuk e pengon qytetin  e Ferizajt, por vetëm mund ta pajisë me diçka që nuk e ka pasur deri më tani”, thotë Zariqi.

Sahatkullat ishin objekte të larta që ndërtoheshin në kohën e Perandorisë Osmane, kur  shumica e njerëzve nuk kishin orë dore, ndërsa orientoheshin në kohë e hapësirë nëpërmjet tyre. Ato janë rikthyer edhe në Gjilan e Gjakovë.