Gjurmët e Përgjakshme të “Çakejve” Nëpër Fshatrat e Pejës

“Unë aktualisht gjendem në një situatë të vështirë, këtu në vendin tim, mu për shkak të kësaj që po flas. Kam nevojë që kjo të dëgjohet, ta nxjerr nga vetja, sepse mjaft ka pasur heshtje. Kanë kaluar 14 vjet, e askush nuk flet për këtë”, tha Zoran Rashkoviq në emisionin Jeta në Kosovë.

Paramilitari serb, dëshmitar i shumë krimeve në fshatrat e Pejës gjatë luftës, u rrëfye për herë të parë si në kishë para një mediumi shqiptar. 

“Dua t’i tregoj popullit tuaj, të më dëgjojnë shqiptarët. T’ua sqaroj se nuk kanë qenë këta fqinjët serbë. Këtë e kanë bërë mercenarët që kanë ardhur nga pjesë të ndryshme. Dua që të flas, që të më dëgjojnë, së pari nëna dhe babai im që kanë qenë atje poshtë. Ata nuk e dinë çfarë ka ndodhur”, vazhdoi Zoran Rashkoviq. 

“Unë aktualisht gjendem në një situatë të vështirë, këtu në vendin tim, mu për shkak të kësaj që po flas. Zoran Rashkoviq

Në Qyshk, Lubeniq, Pavlan e Zahaq, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, në prill e maj të vitit 1999, nga njësiti “Çakejtë”, u vranë qindra civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë. 

Nga dëshmia e Rashkoviqit, e dhënë në vitin 2010, Gjykata për Krime Lufte e Serbisë, prej dy vjetësh po akuzon 13 pjesëtarë të kësaj njësie, të dyshuar për vrasjen e mbi 100 shqiptarëve. 

Rashkoviq tha se njësia ka vrarë më shumë njerëz. “Unë nuk kam dashur të jem ‘Çakall’. Ishte kohë e çmendur, kohë lufte”, u arsyetua ai. 

Refugjat dhe shkaktues refugjatësh 

 “Ne kemi qenë të manipuluar. E atëherë, kur nëna ime Serbia më ftoi të luftoj, unë shkova për të luftuar. Tash, para 3 vjetësh, kur nëna Serbi më ftoi për të thënë të vërtetën, dola para gjyqit serb dhe po e flas të vërtetën”, tregoi transformimet e tij Rashkoviq.

I lindur në Rjekë të Kroacisë në vitin 1978, Rashkoviq u largua si refugjat nga atje, për t’u kthyer në Pejë, në vendlindjen e të atit, ku përfundoi shkollën e mesme. Pastaj shkoi në ushtri, ndërsa “Çakall” u bë si 19 vjeçar, në vitin 1998, kur në Kosovë po luftohej. 

“Tash jam në Serbi. Person pa shtetësi, pa letërnjoftim, pa…jam apatrid (pa atdhe) në vendin tim. 

Kur forcat serbe në qershorin e vitit 1999, pas Marrëveshjes së Kumanovës, u tërhoqën nga Kosova, Rashkoviq e provoi për herë të dytë qenien refugjat. 

“Tash jam në Serbi. Person pa shtetësi, pa letërnjoftim, pa…jam apatrid (pa atdhe) në vendin tim”, u ankua ai gjatë emisionit.  

“Përndryshe, jam dëshmitar i vrasjeve të më se 200 shqiptarëve, duke përfshirë gratë e fëmijët dhe i përndjekjeve të 10 mijë vetave”, vazhdoi rrëfimin ai, teksa përshkroi ditën e masakrës së Qyshkut, të kryer më 14 maj 1999. 

Masakra në fshatin e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së 

Rashkoviq shpjegoi se nga Peja në orën 8 e 30 të mëngjesit në ditën e shtatë të bombardimit të NATO-s me 1999, drejt Qyshkut u nisën 30 pjesëtarë të “Çakejve”, të shpërndarë në shtatë deri në dhjetë automjete. U printe Nebojsha Miniq, i ashtuquajtur “Mrtvi” (i vdekuri), komandant i njësisë. 

Rashkoviq rrëfeu se nuk e ka ditur pse po shkonin në Qyshk dhe nuk ka pasur njohuri se atje do të kryheshin krime të tmerrshme. Këtë, sipas tij nuk e kanë ditur as ushtarët tjerë të formacionit, përveç strukturës komanduese. Në këtë fshat pranë qytetit më të madh të Dukagjinit atë paradite maji u vranë 44 banorë, ndërsa 400 u detyruan të lëshojnë shtëpitë. 

“Njëri i ndante 10 [fshatarë], tjetri 10 të tjerë, tjetri 15, majtas, djathtas, me tradhti, duke u thënë se e prisnin policinë të vinte për t’i legjitimuar. Pastaj, po, u vranë në shtëpi. U dogjën. Ky ishte Qyshku me të gjitha, të gjitha, të gjitha,tmerret e tjera, traktorët, gratë, fëmijët, vjedhjet, goditjet, të gjitha sjelljet e mundshme jonjerëzore”, shpjegoi mënyrën e ekzekutimit të civilëve Rashkoviq. 

“Unë e di që Agim Çekut sot, me siguri më vështirë i vjen për këta 50 fshatarët tjerë, se për ata të shtëpisë së tij.

Ai tregoi se më vonë e mori vesh që ky fshat ishte vendlindja e komandantit të luftës së shqiptarëve, gjeneralit Agim Çeku, tash ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës. 

Çeku e mori detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në vitin 1999, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, kundër Unionit Serbi-Mali i Zi, të nisura më 24 mars të para 14 vjetëve, ndërsa edhe më parë këshillonte luftëtarët për liri të Kosovës. 

“Ne “Çakejtë”, më saktë “Mrtvi” dhe kush tjetër ishte, ia kanë prerë babanë, xhaxhanë, duke e qëlluar në kokë dhe për dënim kishin vrarë edhe 50 fshatarë. Unë e di që Agim Çekut sot, me siguri më vështirë i vjen për këta 50 fshatarët tjerë, se për ata të shtëpisë së tij”, tregon Rashkoviq për vrasjen e të afërmve të Agim Çekut. 

Kështu tha edhe Agim Çeku, kur foli dhjetë vjet më vonë për humbjet personale, në një intervistë të vitit 2009, të publikuar në gazetën shqiptare në Zvicërr,“Tung.ch”. 

“E dhimbshme është, po unë rrallë e përmendi këtë, sepse shumë baballarë, shumë vëllezër, shumë familje janë vra dhe është e padrejtë që dikush të flasë vetëm për dëmin e vet”, tha atëherë Çeku. 

Hasan Çeku, kur u vra e më pas u dogj, në shtëpinë e tij në Qyshk, ishte 69 vjeçar, ndërsa Agimi pranoi se ai u vra vetëm pse ishte babai i tij. 

“Jam shumë krenar për mënyrën se si është mbajtë ai. Ka thanë: ‘Unë jam babai i Agimit, kta të tjerët falni krejt, s’keni punë me ta, keni me mu’, kujtoi fjalët e fundit të babait, të transmetuara nga të gjallët, gjeneral Çeku. 

Paramilitari Rashkoviq, tregoi se asnjë plumb nuk është shkrepur kundër tyre, në fshatin Qyshk. 

Ai tha se në vendlindjen e Agim Çekut, komandanti i “Çakejve”, Nebojsha Miniq-“Mrtvi”, la të gjallë një fëmijë 17 vjeçar. 

“Jam shumë krenar për mënyrën se si është mbajtë ai . Ka thanë: ‘Unë jam babai i Agimit, kta të tjerët falni krejt, s’keni punë me ta, keni me mu. Agim Çeku

“Ishte djalë i ri, më kujtohet, ai mbijetoi. Dhe kur e pyeti ky tjetri i cili donte ta vriste, se përse po e linte të jetonte? ‘Mrtvi’ tha se e bënte që të ketë kush t’u tregojë të nesërmen arnautëve për këto. Të tregojë për atë frikë dhe për ato që kishin ndodhur. Kështu u përgjigj”, tregoi Rashkoviq. 

Arnaut është mënyra përbuzëse me të cilën turqit u drejtoheshin shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane.

Ekspedita ndëshkuese, atë ditë dhe ditën vijuese, krimet i vazhdoi në fshatrat Zahaq e Pavlan, ku u vranë edhe 35 civilë të tjerë. 

“Qyshku ka qenë prioritet. Fakti që kaluam edhe nëpër 2 fshatra tjera dhe që u vranë dhjetëra njerëz, kjo është vetëm efekt anësor i asaj dite dhe i një dite të tillë. Një dite të çmendur. Natyrisht se kemi lënë gjurmë të gjakosura pas nesh”, vazhdoi rrëfimin ish-“çakalli”. 

I mbijetuari rrëfen shpëtimin e tij 

Gazeta Jeta në Kosovë gjeti të mbijetuarin e asaj dite. 

Ai është bërë dëshmitar në gjykimin për krime lufte të kryera në vitin 2009, që po zhvillohet në Beograd.

Erzen Lushi nga Qyshku, që sot i ka 32 vjet, ishte djaloshi i ri të cilin “Mrtvi” e kishte lënë gjallë, kur i kishin vrarë shumicën e burrave në këtë fshat. 

 “Mua Nebojsa Miniqi-“Mrtvi”, më ka urdhëru me i mbledh paratë, me i fut me në një  çantë dhe me ua dorëzu atyre.  Para se me i vra gjithë ata burra, ata 3 orë na kanë maltretu, plackit e torturu dhe pasi që na kanë vrarë familjarët, na udhëruan të hypim në traktora dhe të ikim në Shqipëri”, rrëfen ai.

Ai thotë se deri më tash nuk e ka ditur pse mbeti i gjallë atë ditë.

“Dhjetë minuta para se me ma vra babën dikush e ka pyet këtë Mrtvin -çka me bo me këtë djalë? – kaq kam kuptu. Erzen Lushi

 

“Dhjetë minuta para se me ma vra babën, dikush e ka pyet këtë “Mrtvin” çka me bo me këtë djalë? – kaq kam kuptu. Përgjigjen e tij serbisht nuk e kam kuptu, por e kuptova prej intervistës ku Rashkoviqi ma konfimoi që i paskan thanë që këtë djalë duhet me lanë gjallë, se duhet me tregu çka kanë bërë ushtarët serbë”, thotë Erzen Lushi.

Thotë se ka dëgjuar intervistën e Rashkoviqit dhënë emisionit Jeta në Kosovë dhe se pret nga ai që të identifikojë edhe paramilitarët tjerë që kanë kryer krime.

“Pres t’i identifikojë edhe tjerët, sepse po gjykohen vetëm 13 paramilitarë e ushtarë, e atë ditë kanë qenë më së paku 50 vetë”, thotë Lushi.

 Lidhur me dëshirën e Rashkoviqit që të kthehet në Kosovë Erzeni thotë:

 “Rashkoviqi duhet me u kthy, me u rrëfy edhe për krimet e veta që i ka bërë, edhe me u dënu në Kosovë për gjithë ato krime në të cilat ka qenë pjesëmarrës vetë, qofshin ato dëbime të popullatës, plaçkitje, apo pjesëmarrje në vrasjë” thotë Erzeni 

“Çakejtë” nuk drogoheshin”

Ndërkohë Rashkoviq gjatë rrëfimit të tij përmendi se si njëri nga paramilitarët gjeti në Zahaq një gomar, e shaloi atë dhe në stilin e kaubojëve bërtiste “ihaaaa, ihaaaa”. Kur i pyeti disa të tjerë, pse ai e bënte këtë, mori përgjigjen: “lëre, po i jep vetes një lehtësim të vogël”. 

Ishte pasditja e 14 majit, kur u krye masakra e Qyshkut. Por Rashkoviq, mohoi se grupi të cilit i takonte gjatë luftës, drogohej. 

“Jo, me sa di unë nuk janë droguar fare. Nuk ishte ky një asi grupi. Bëhej fjalë për veteranë që kishin kaluar nëpër luftëra më parë, kishin përvojë nga Bosnja, e nga Kroacia. Këso ushtarësh. As të dehur, as të droguar, por në atë kohë të çmendur”, foli për shoqërinë e tij Rashkoviq. 

“Jo, me sa di unë nuk janë droguar fare.

“’Çakejtë’ kanë qenë ‘qen të luftës’. Asi qen që ka në çdo ushtri, në çdo popull. Grup që punon për llogari të vet. Atyre nuk u pengon as besimi, as kombi. Ata kryejnë ato punët e pista, të cilat askush tjetër nuk i do dhe nuk mundet”, vijoi më tej Rashkoviq. 

13 të akuzuarit me fjalët e Rashkoviqit, ngarkohen edhe për masakrën e Lubeniqit, një tjetër fshat i Pejës. Aty këta paramilitarë vranë 66 banorë. 

Trimëria e plakut me plis në Lubeniq 

Në Lubeniq “Çakejtë” hynë pak pas orës shtatë të mëngjesit të 1 prillit 1999. “Dita ishte vërtet e bukur, më kujtohet ajo ditë e bukur”, rrëfeu paramilitari. 

Në anënë tjetër Alban Bushati, një banor i fshatit, në atë kohë po flinte si shumë të tjerë. 

“Ishte kohë lufte dhe njerëzit grumbulloheshin, disa familje rrinin në një shtëpi”, kujton ai, pas 14 vjetësh, ditën e masakrës së Lubeniqit. 

Bushati që dëshmoi në gjykatën e Beogradit kundër “Çakejve”, tha se një fqinj i lajmëroi se duhej të dilnin nga shtëpia, si të gjithë fshatarët tjerë, pasi forcat serbe të ardhura në fshat po e kërkonin një gjë të tillë. 

Ai tregon se me anëtarë të familjes së tij, në kolonë i kishin nisur drejt Shqipërisë. Serbët ndanin burrat nga gratë, por Albani rrëfen se gratë e fshatit i fusnin burrat dhe djemtë mes tyre, duke u përpjekur që t’i maskonin, në mënyrë që serbët të mos i shihnin. 

Ai edhe sot nuk është i sigurt nëse nuk e kanë parë, apo vetë e kanë lëshuar të gjallë, të dalë nga Lubeniqi. 

Por të gjithë nuk e kishin këtë fat rrëfen dëshmitari tjetër Rashkoviq. 

“Njerëzit detyroheshin, fshatarë të thjeshtë, të varfër. Ata u përzunë nga shtëpitë, ato kolonat, si delet për t’u therur, të humbur, të frikësuar. E të gjithë ata që ishin meshkuj, diku nën xhami diku, e kishin gjetur një vend të hapur dhe aty i kishin grumbulluar”, thotë Rashkoviq. 

“Ishte kohë lufte dhe njerëzit grumbulloheshin, disa familje rrinin në një shtëpi. Alban Bushati

Por, Bushati mban mend të ketë dëgjuar të shtëna, derisa kolona e refugjatëve lëvizte këmbë në drejtim të Gjakovës, drejt Qafës së Prushit, pikës kufitare me Shqipërinë. 

I mbijetuari thotë ta kenë pyetur në Beograd se a mund ta identifikojë ndonjërin nga sulmuesit e fshatit të tij. Bushati u ka thënë se “mund ta identifikoj vetëm uniformën, ngase po t’i shikoje në sy, paramilitarët të vrisnin”. 

Ndërkohë ish-paramalitari serb Rashkoviq tregoi për një plak në Lubeniq, që iu kundërvu me fjalë grupit të tyre. 

“Nuk e di a ka qenë plak i fisit, apo i fshatit. Doli ky burri me plis dhe tha pse po ndërhyni këtu si kriminelë, si grabitës. Ne kurrë nuk i kemi krijuar problem shtetit serb, policia këtu kurrë nuk ka pasur problem, fliste ky i vjetri. Dhe pa e përfunduar, “Mrtvi”…..trtrtrtrtrt….dhe pastaj ngriti kokën dhe vazhdoi. Iu bashkuan edhe tri tyta”, shpjegoi njërën nga vrasjet, pjesëtari i penduar i “Çakejve”. 

Alban Bushati tregon se plaku me plis ishte Adem Aradini. Bushati kishte dëgjuar se Aradini u kishte thënë forcave serbe “pse po i digjni shtëpitë”, duke u grindur me ta. E kishin vrarë pa i përfunduar fjalët. 

“Po më pyet përse, përse, përse? Çmenduri, çmenduri e kohës, çmenduri e luftës, çrregullim total! Vjen koha kur budallenjtë flasin, të mençurit heshtin, e fukarenjtë pasurohen. Kush mund ta shpjegojë. Ma shpjego ti mua, përse?”, iu drejtua Rashkoviq Jeta Xharrës gjatë intervistës, teksa fliste për krimet në Lubeniq. 

Edhe në Lubeniq nuk ishte zbrazur asnjë plumb kundër njësitit vrastar. 

Por, dënimi i kryesve të këtyre krimeve për Alban Bushatin “është njëlloj lehtësimi”, edhe pse ai ka dyshime se “Çakejtë” do të dënohen. 

Në Zahaq, paramilitari shpëtoi një familje shqiptare

Rashkoviq kujton se në fshatin Zahaq, një paramilitar, me mbiemrin Kastratoviq ka shpëtuar një familje të madhe shqiptare me mbiemrin Kastrati, duke i mbrojtur me trupin e tij, kur ata ishin para ekzekutimit. Aty sipas Rashkoviqit ishin vrarë 20 familje. 

“Ai me trupin e tij…kishte mbrojtur tërë familjen…..mua kjo m’u kujtua. Për këtë ka ardhur një grua e Kastratëve nga Zahaqi dhe ka dëshmuar. Ka pasur edhe shembuj të tillë”, gjen diçka të mirë mes të keqes Rashkoviq. 

“’Mrtvi” e shante, pas asaj ndodhie, këtë Kastratoviqin me fjalë të tmerrshme. E shante me nënë dhe thoshte se janë një m… i njëjtë, ata (Kastrati), e ai Kastratoviq”, vazhdoi të tregojë Rashkoviq. 

“Ai me trupin e tij…kishte mbrojtur tërë familjen…..mua kjo m’u kujtua.

Njëri nga të akuzuarit për krime lufte në fshatrat e Pejës është Slavisha Kastratoviq. 

Rashkoviq beson se komandantin e “Çakejve” Nebojsha Miniq-“Mrtvin” e dënoi Zoti për krimet që shkaktoi. Ai vdiq në vitin 2005 në Argjentinë, ndërsa Agjencia AFP, raportoi se vdekjen dyshohet t’ia ketë shkaktuar sida. 

“Ai ka ndërruar jetë në Argjentinë nga sida, është shpërbërë. Unë mendoj që e kanë zënë (nga lart)  të bëmat. Ky është mendimi im”, tha Rashkoviq. 

Ende më vjen keq nga ajo kolonë 

Rashkoviq tregon se një e njohur e tij, po ashtu pejane, si ai, i dha forcë për të vazhduar të flasë. 

“Sot ka Facebook. Mu lajmërua një shoqe nga Peja. Shoqe e mirë. Kemi jetuar bashkë në Pejë, në ndërtesë. Donte të shihej me mua. Dolëm me të për një pije dhe natyrisht e prekëm edhe këtë temë. Ajo më tha me pëshpërimë, edhe pas 15 vjetëve me pëshpërimë. Më tha, mua edhe sot më vjen turp prej asaj kolone. Me vështirësi i tha këto. Por mua më dha forcë të pabesueshme”, tregoi më tutje “çakalli”.  

“Këto janë skena shumë të rënda, shkonin pa ujë, në këmbë, të fyer. 

Kolonë e stërzgjatur refugjatësh u krijua në Pejë-Deçan, kur ata në prillin e vitit 1999 u urdhëruan të shkonin drejt Shqipërisë. “Këto janë skena shumë të rënda, shkonin pa ujë, në këmbë, të fyer”, kujtoi Rashkoviq. 

“Kam parë edhe të këqijat tuaja” 

Në një moment gjatë emisionit, Rashkoviq filloi të flasë edhe për serbë të vrarë nga shqiptarët. 

“Kam parë, shumë trupa të vdekur, edhe të njërës edhe të palës tjetër në Kosovë. Në gjendje të shpërbërë, të freskët, gjithfare. Në vitin 1998 e 1999 kam parë edhe disa gjëra tuaja … kam parë të keqen. Kam parë edhe Kleçkën …… edhe kanalin e Gllogjanit”, thotë Rashkoviq. 

Ai thotë se ka parë 22 serbë të vrarë në Kleçkë më 27 gusht 1998, derisa tetë të tjerë në shtatorin e të njëjtit vit ishin gjetur në kanalin e liqenit të Radoniqit. 

“Kam parë, shumë trupa të vdekur, edhe të njërës edhe të palës tjetër në Kosovë.

Fatmir Limaj, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte, u lirua si i pafajshëm në vitin 2007, për t’u gjykuar dy herë nga EULEX-i për rastin Kleçka. Në të dy herat gjykata ia vërtetoi pafajësinë. Ai u lirua së fundi në shtatorin e 2013-ës. 

Edhe Ramush Haradinaj, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjatë luftës, ku i binte edhe liqeni i Radoniqit, u lirua nga tribunali i Hagës në vitin 2008, për t’u kthyer në rigjykim të pjeshsëm dy vjet më vonë. Në të dy rastet, i dyshuar për krime lufte. Ai u lirua më 29 nëntor të vitit të shkuar. 

Rashkoviq përmendi edhe kafiterinë Panda në Pejë, vendin ku u vranë gjashtë të rinj serbë dhe 15 u plagosën, më 14 dhjetor të vitit 1998. Të njëjtën ditë në një pritë të organizuar nga forcat ushtarake serbe ishin vrarë 40 pjesëtarë të UÇK-së, mes tyre edhe Mujë Krasniqi, njëri nga tre njerëzit e parë të këtij formacioni luftarak, të shfaqur në Llaushë, në paraqitjen e parë publike më 27 nëntor 1997. 

Dëshmitari i vrasjeve të kryera në Lubeniq, Alban Bushati, thotë se nuk e di ku do të shkojnë 13 paramilitarët e dyshuar për krime lufte, edhe nëse dënohen. 

“Ata që kanë vrarë shqiptarë për serbët janë heronj, njësoj si për ne ushtarët e UÇK-së që kanë vrarë serbë”, shpjegon ai. 

Rashkoviq kërkoi që edhe shqiptarët të flasin për krimet e kryera ndaj serbëve, teksa tregoi se me dëshirë do të kishte vendosur nga një qiri në secilin vend ku serbët kanë vrarë shqiptarë, por edhe aty ku ka ndodhur e kundërta. 

Ai gjatë emisionit kërkoi të dijë pse në Pejë jetojnë sipas tij vetëm 7 serbë, ndërsa shtoi se para luftës jetonin rreth 30 mijë të tillë. 

Por, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Pejë jetojnë 332 serbë, ndërsa as në vitin 1991, bazuar në të dhënat e censusit të organizuar nga organet e dhunshme serbe, të instaluara në Kosovë nuk ka pasur më shumë se 8 mijë serbë. 

“Ata janë këtu në Beograd, shëtiten. Më kërkojnë, më kërkojnë çdo ditë. Ka edhe kërcënime.

Vetë Rashkoviq, dëshiron të kthehet në Pejë, edhe pas rrëfimit të tij. Thotë se prej 250 vjetësh ka tokë në këtë vend. Nuk ndihet i sigurt nga ish-paramilitarët, teksa jeton në kryeqytetin serb.

“Ata janë këtu në Beograd, shëtiten. Më kërkojnë, më kërkojnë çdo ditë. Ka edhe kërcënime”, shpjegoi ai. 

Në emision nuk e hodhi poshtë edhe mundësinë e mësimit të gjuhës shqipe, edhe pse tha se është nga më të vështirat në botë. Tërë kohën Kosovës i tha “Kosmet”, ndërsa në vend se të thotë “albanci” në gjuhën e tij, përdori termin poshtërues “shiptari” për shqiptarët. Tha se edhe ju e dini që keni qenë qytetarë të dorës së dytë. 

Megjithatë, pranoi një të vërtetë. 

“Po, keni fituar. Ju, jeni shumicë. E keni fituar në mënyrë të vështirë. Kjo është e vërtetë”, tha Rashkoviq për Kosovën.