Prevalla- Duke Pritur Bagerët

Janë dy pjesë ku pushojnë njerëzit në Prevallë, zonën prej mbi 1 mijë e 800 metrash lartësi mbidetare. 

Njëra në kampin veror dhe tjetra në fshatin turistik dhe vetëm një kodër e vogël i ndan këto dy lokacione.

Mbi 170 objekte të lëvizshme dhe statike të kampit veror nuk janë më që nga 18 tetori, kur Ministria e Mjedisit kishte urdhëruar rrënimin e tyre, pasi që asnjëri objekt nuk kishte bazë ligjore për këto ndërtime.

“Ky kamp u shndërrua në vendbanim (qëndrim të përhershëm) ”, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë Dardan Gashi, ministër i Mjedisit. 

Sipas tij kampi parashihej të ishte një vend për pushime të përkohshme. 

Ministria e Mjedisit filloi edhe fazën e dytë të planit të saj për Prevallën. Tani në fshatin turistik cak janë shtëpitë të cilat nuk kanë leje ndërtimi. Sipas ministrit Gashi janë 23 shtëpi të ndërtuara pa leje.

Kreshnik Berisha, zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit,  deklaroi më 5 dhjetor për Gazetën Jeta në Kosovë se aksioni pritet të fillojë javën e ardhshme. 

“Ende jemi duke shtjelluar dokumentacione të shtëpive atje. Besoj se do të fillojmë javën e ardhshme”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit kishte shpërndarë vendimet e saj më 20 nëntor të këtij viti, ku kërkonte nga pronarët që t’i rrënojnë vetë shtëpitë brenda 15 ditëve, ose të kundërtën do ta bëjë vetë, siç ka bërë me kampin.

Afati i fundit për rrënimin e tyre nga vetë pronarët është data 5 dhjetor. 

“Ministria e Mjedisit parasheh që të zhvillojë edhe fazën e tretë”, ka deklaruar Gashi në intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Faza e tretë përfshin shtëpitë në fshatin turistik, të cilat kanë tejkaluar planin e ndërtimit dhe Ministria e Mjedisit kërkon korrigjimin e tyre. 

Plani i shkelur për Prevallën 

Prevalla është rreth 30 kilometra larg Prizrenit. Një sipërfaqe prej 27 hektarësh atje, kishte nisur para gjashtë vjetësh të shndërrohej në qendër turistike, me vendim të komunës së Prizrenit.

Planifikoheshin 360 vila në atë zonë. Një numër prej 35 syresh planifikonte t’i ndërtonte vetë komuna, që pastaj t’i jepte në shfrytëzim, ndërsa 315 vila planifikoheshin të ndërtoheshin nga personat privatë. 

Ndërtimi mendohej të kryhej brenda dy vjetësh, 2007-09. Por, gjatë asaj periudhe qenë ngritur vetëm 60 vila. 

Tani atje janë mbi 100 vila të ndërtuara sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, por 90 prej tyre vlerësohet se u ngritën në shpërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më herët se ndërtimet në Prevallë kanë vazhduar, përkundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në maj të këtij viti se në fshatin e luksit të palejuar kanë shtëpi edhe figura të njohura publike. 

Prej njerëzve të politikës në listë figuron Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Prizrenit. 

Në listë nuk është emri i Ardian Gjinit, një prej politikanëve të rrallë që përfliten dhe që konfirmon se ka shtëpi në Prevallë. 

“Po, kam shtëpi në emër timin. Me leje e kam. Absolutisht ashtu si është dhënë leja, ashtu e kam edhe shtëpinë”, thotë deputeti i AAK-së. 

Një tjetër zyrtar i lartë që konfirmoi se ka ndërtuar në Prevallë është Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren.

“Vilës sime as vilë s’mundem me i thanë. Është më e vogla në Prevallë dhe nuk ka tejkalim të lejes”, thotë Hoxha.