Dëshmitarët Rrëfejnë Për Kontroll Mizor Të Komandantëve të Drenicës

Më 23 maj të vitit 1998, tre ushtarë të UÇK-së ndaluan trenin për udhëtarë të relacionit Gllogovc-Pejë, duke zbritur nga ai të kërkuarin prej tyre, Ivan Bulatoviqin, komandantin e stacionit policor të Gllogovcit. 

Bulatoviq, ish-pjesëtar i policisë serbe, i lindur në Pejë ishte duke udhëtuar me gruan e tij, kur u zu nga ushtarët, ndërsa bashkëshortja e tij u la ta vazhdojë rrugën. 

Ishte kohë lufte dhe UÇK-ja po tregonte “muskujt” e saj, duke kontrolluar një pjesë të territorit të Kosovës, ndërsa forcat e policisë dhe ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, granatonin e digjnin shtëpi në Klinë, Deçan e Rahovec, raportonte për këtë ditë maji Qendra për Informim e Kosovës QIK, një medium i afërt me LDK-në. 

Në kronikat e kësaj dite të pranverës, kjo qendër tregonte për arrestime e keqtrajtime qytetarësh prej policisë serbe në Glogovc e Pejë, vendet e nisjes dhe mbërritjes së trenit nga u nxor Bulatoviqi. 

15 vjet më vonë, pesëmbëdhjetë ushtarë dhe komandantë të UÇK-së, po akuzohen nga prokurori i Eulex-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Maurizio Salustro, për vrasje, rrahje e cenim të integritetit trupor të të burgosurve, të mbajtur në një qendër ndalimi në Likovc, gjatë vitit 1998 dhe në fillim të ’99-ës. 

Sipas aktakuzës, të pandehurit e ngarkuar me vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, i mbanin të ndaluarit në dhoma të një objekti që më parë ishte stacion i policisë serbe. 

Aty, prokuroria e misionit evropian thotë se duke filluar nga pranvera e vitit 1998, ishin vendosur shumë figura të larta të UÇK-së, me bazë gjysmë të përhershme, mes tyre edhe tash të pandehurit Sylejman Selimi e Sami Lushtaku, komandantë të asaj kohe dhe zyrtarë ushtarakë e politikë të pasluftës. 


Sylejman Selimi | Foto: Ministria e Forcës së Sigurisë 

Në grupin e të akuzuarve ndodhen një deputet, një ambasador, dy kryetarë komunash, një truprojë e kryeministrit dhe një drejtues policie, teksa katër të pandehur janë vëllezër me mbiemrin Demaj dhe katër të tjerë me mbiemrin Demaku. 

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Avni Zabeli, Isni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku po qëndrojnë në paraburgim nga 31 maji i 2013-ës, atëherë kur Gjykata e Apelit ua ndryshoi masën e arrestit shtëpiak me paraburgim. 

Shtatë të akuzuarve të mëparshëm, në nëntor iu shtuan edhe tetë të tjerë: Agim, Bashkim, Selman e Driton Demaj, Fadil e Nexhat Demaku, Sabit Geci e Ismet Haxha. 

Prokurori Salustro në bazë të provave të mbledhura, thotë se ka dyshim të mirëbazuar për të akuzuarit, ndërsa gjatë procesit pritet të dëshmojnë 20 dëshmitarë, disa nga të cilët, të mbrojtur e të koduar me shkronja alfabeti. 

Të enjten u mor në pyetje nga Eulex-i edhe gazetari Milaim Zeka, ngase sipas misionit, në një edicion të tetorit të emisionit Pa Rrotlla, zbuloi identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në gjykimin kundër pesëmbëdhjetë të akuzuarve. 

Ambientet familjare, ato të punës dhe makina e Zekës u bastisën të njëjtën ditë, ndërsa atij të nesërmen i erdhi ftesa që të paraqitet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, më 25 nëntor. 

Dëshmitarët detyroheshin të rrihen mes vete 

Aktakuza ngarkon Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale me të cilat ngarkohen, i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc. 

Aktakuza mes tjerash thotë se të ndaluarit janë keqtrajtuar “duke i rrahur ata me grushte dhe shkopinj druri, duke detyruar Dëshmitarin A dhe Dëshmitarin B të rrahin njëri tjetrin, duke e pickuar Dëshmitarin A nga organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe tërhequr me të duke e zvarrisur nëpër dysheme”. 

Dëshmitari A nga rrahjet në grup, pësoi thyerje brinjësh dhe plagë në organet gjenitale, ndërsa iu lëndua edhe njëri bërryl. 

Për vrasjen e komandantit të policisë serbe në Gllogovc, tash Drenas, Ivan Bulatoviqit, të mbajtur po ashtu në Likovc, që mendohet të ketë ndodhur në fillim të qershorit 1998, nga prokurori akuzohet direkt Sabit Geci, ndërsa sipas aktakuzës Gecin e ndihmoi gjatë ekzekutimit, edhe Sahit Jashari. 

Vrasja në aktakuzë përshkruhet si mizore. Dëshmitari  C, edhe vetë i ndaluar në këtë fshat të Skënderajt, por që njihej familjarisht me njërin nga të pandehurit dhe më pas duhej të paraqitej çdo ditë në Likovc, tregon se në një rast ka parë Sahit Jasharin dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së ta kenë nxjerrë Bulatoviqin në sheshin e fshatit, duke treguar kush është dhe duke i ftuar ata që dëshirojnë për ta rrahur. 

C-ja më tutje sipas aktakuzës shpjegon se si u vra Bulatoviqi. 

“Sabit Geci u ul pranë Bulatovićit. Pastaj, një ushtar i paidentifikuar i UÇK-së solli një motor sharrë, e ndezi dhe ia dha Sabit Gecit. Ky i fundit e mori motor sharrën dhe me të ia preu kokën Bulatovićit. Pastaj, Geci bëri disa prerje të thella në kraharorin, kofshët dhe këmbët e Bulatovićit”. 

Aktakuza këtë informatë e quan të besueshme, ndërsa sipas saj trupi i zyrtarit të policisë serbe nuk është gjetur kurrë. Në vebfaqen e Qeverisë së Serbisë, Bulatoviq figuron si i zhdukur. 

“Ai ka qenë polic serb i njohur për keqtrajtime ndaj shqiptarëve. Kjo shpjegon se pse UÇK-ja ushqente ndjenja armiqësore dhe hakmarrjeje ndaj zotëriut Bulatoviq dhe po ashtu shpjegon arsyen për brutalitetin e ekzekutimit”, thotë Dëshmitari A, edhe ai i ndaluar dhe i keqtrajtuar në Likovc. 

Në muajin kur mendohet se është vrarë Bulatoviqi, më 23 qershor, UÇK-ja hyri në fshatrat Grabovc dhe Bardh të Madh të Obiliqit, duke futur nën kontroll mihjen sipërfaqësore të këtij fshati. Ajo në këtë kohë iu afrua më së shumti Prishtinës, duke u pozicionuar 17 kilometra larg kryeqytetit. 

Raporti i QIK-ut, këtë ditë e përshkruan me granatime në fshatrat e Klinës, tensionim të madh në fshatrat e Obiliqit dhe fluturim helikopterësh e aeroplanësh të forcave serbe mbi qiellin e Prishtinës. 

Në kundërofensivë, forcat serbe sipas dëshmitarëve të prokurorisë hynë në Likovc në fillim të gushtit 1998, duke djegur objektin e shtabit të UÇK-së, ku mbaheshin më parë edhe të ndaluarit. UÇK-ja qëndroi në Bardh të madh vetëm një javë. 

Sylejman Selimi në këtë kohë i kishte 28 vjet, ndërsa të ndaluarit thonë t’i kenë dëgjuar ushtarët, ta quajnë komandant Selimin edhe në prani të Sami Lushtakut. 

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, i arrestuar në majin e vitit 2013, ngarkohet edhe për rrahje në bashkëkryerje me grushte e mjete të forta të Dëshmitarit A, B, I dhe dy personave të panjohur nga fshatrat Gllanasellë e Shipol. 

Selimi , sipas aktakuzës, bashkë me disa nga të pandehurit tjerë, ka “cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë, duke i mbajtuar ata të lidhur me zinxhirë, në kushte të papërshtatshme, nxehtësi të madhe, mungesë higjiene, ushqim të pamjaftueshëm, e rrahje të shpeshta, kryesisht gjatë shtatorit të vitit 1998, por edhe më herët”. 

Në shtator QIK-u raporton për ofensivë të forcave serbe në Shalë të Bajgorës, Podujevë e Vushtrri, derisa këto forca në javën e fundit të shtatorit u ngjiten edhe maleve të Çiçavicës në Drenicë. 

“Në çdo luftë bëhen krime…(por) askush s’është mbi ligjin”, u tha Selimi hetuesve të Tribunalit të Hagës, kur ata e intervistuan në vitin 2003, lidhur me veprimet e UÇK-së që lidheshin më shumë me rastin Kleçka, për të cilin dy vjet më vonë ngarkohej Fatmir Limaj. 

Njeriu që për shkak të emrit dhe mbiemrit që lidheshin me dy sulltanë osmanë, nofkën luftarake e pati “Sulltani”, ndërsa u tha hetuesve të Hagës se deri në klasën e parë të fillores, ka menduar se e ka emrin kështu, pasi të gjithë i thonin sulltan, që më shumë se pesë muaj nuk është duke jetuar jetë sundimtarësh të tillë. 

Sami Lushtaku akuzohet për vrasje 

Sami  Lushtaku që fitoi edhe një mandat kryetari të Skënderajt në zgjedhjet e tre nëntorit, duke qenë gjatë procesit zgjedhor në paraburgim, akuzohet për mbajtje në kushte çnjerëzore të të ndaluarve, për ekspopzim ndaj rrahjeve prej të të tjerëve të Dëshmitarit F dhe për vrasje të një civili të panjohur shqiptar.  

Sipas aktakuzës Lushtaku e ka kryer vrasjen me një pistoletë të tipit TT në shtatorin e 1998-ës, ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc. 

Këtë vrasje në aktakuzë thuhet se e shpjegoi detajisht Dëshmitari D, i pranishëm gjatë saj. Personi i panjohur që prokuroria thotë se më vonë u vra, ishte kapur dhe po mbahej nga ushtarët e UÇK-së, kur Lushtaku e ekzekutoi. 

“I burgosuri bërtiti në shqip “Mos më vrisni!” Sami Lushtaku pastaj nxori pistoletën dhe shkoi drejt tyre. Ushtarët e lëshuan të burgosurin nga krahët. Sami Lushtaku ia vuri të burgosurit pistoletën në kokë prapa veshit të majtë dhe e qëlloi. Ai ra në gjunjë dhe Samiu e qëlloi edhe dy herë të tjera me pistoletë në kokë”. 

Sami Lushtaku | Foto:site: kk.rks-gov.net 

Dëshmitari D thotë ta ketë pyetur më pas Lushtakun se pse e vrau këtë njeri, ndërsa Lushtaku, duke e urdhëruar të futej në xhip, ia shpjegoi se e kreu këtë vrasje, ngase sipas tij i vrari ia kishte vrarë një kushëri, për t’ia marrë një pistoletë. 

Kushëriri i Sami Lushtakut,  A. L., që kishte qenë civil, ishte vrarë në Çiçavicë afër maleve. 

Aktakuza përshkruan se në lidhje me rolin e tij në Zonën Operative të Drenicës, ekzistojnë prova që Sami Lushtaku ka ushtruar kontroll të përgjithshëm dhe komandë në Shtabin e Likovcit dhe qendrën e ndalimit.  

Dëshmitari D ka deklaruar që Sami Lushtaku ka qenë “komandanti i përgjithshëm” i Shtabit të Likovcit. 

“Gjithashtu ekzistojnë prova që z. Lushtaku ka pasur autoritetin të shqiptojë, ndryshojë apo të heqë masa të ndalimit te të burgosur të caktuar. Dëshmitari F, në veçanti, dëshmon që në një numër rastesh gjatë burgosjes së tij ai është vizituar nga z. Lushtaku,  që u prezantua si “komandanti i rajonit të Drenicës””, thuhet në aktakuzë. 

Sabit Geci, që po vuan një dënim me 15 vjet burg, të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës më 29 korrik 2011 për krime të luftës kundër popullatës civile të kryera gjatë prillit dhe qershorit 1999 në zonën  e Krumës dhe Hasit në Shqipëri, përveç për vrasjen e policit serb Bulatoviq, akuzohet edhe për cenim të integritetin trupor dhe shëndetit të dëshmitari C dhe B, duke i goditur me shkop bejsbolli përkatësisht me shkop polici.

Sahit Jashari i njohur në kohën e luftës me pseudonimin “Qopa”, akuzohet për tetë vepra të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Ai ngarkohet për pjesëmarrje në vrasjen e Ivan Bulatoviqit dhe kryerje të cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të dëshmitarit C, Ivan Bulatoviqit, dëshmitarit F, dëshmitarit E, dëshmitarit I dhe dy civilëve të paidentifikuar [vajzë dhe babë]. 

Komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zabeli po akuzohet për katër vepra të ndryshme penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. 

Për mbajtje në kushte çnjerëzore të të ndaluarve në Likovc, për cenim të integritetit dhe shëndetit trupor të Dëshmitarit F, për rrahje të tij dhe të një civili tjetër të panjohur nga Prizreni. 

Dëshmitari F në aktakuzë përshkruhet të jetë rrahur nga tre ushtarë të maskuar të UÇK-së, ndërsa gjatë kësaj të pranishëm ishin Avni Zabeli, Sami Lushtaku, personi me inicialet Xh.Ll. Dëshmitarin e kishte rrahur edhe Sahit Jashari. 

“Gjatë rrahjes, dëshmitarin e kanë pyetur ‘Pse nuk i ke shkruar emrat e bashkëpunëtorëve serbë?’ Dikur në një pikë dëshmitarit i ra të fikët për shkak të goditjeve që kishte marrë. Gjatë natës, dëshmitarit i kishte dalë gjak nga hunda dhe veshët, si rezultat i të rrahurave”, thuhet në aktakuzë. 

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Fadil Demaku dhe vëllai i tij, kryetari i Drenasit me këtë parti Nexhat Demaku, akuzohen për keqtrajtim në bashkëkryerje edhe me të tjerët të dëshmitarëve A dhe B, duke i detyruar ata që edhe të rrihen mes vete. 

Me akuza të njëjta ngarkohen edhe Agim, Bashkim, Selman,  Driton Demaj, Zeqir Demaku, Isni Thaçi e Jahir Demaku.  

Zeqir Demaku e Isni Thaçi ngarkohen edhe për rrahje në një rast tjetër të Dëshmitarit A, njësoj si Jahir Demaku që përveç kësaj, akuzohet edhe për rrahje të një të ndaluari të panjohur nga Shipoli i Mitrovicës në Likovc. 

Ismet Haxha një i pandehur tjetër akuzohet se ka shtënë me plumb pistolete, duke plagosur në këmbë Dëshmitarin F, derisa po udhëtonin në fshatin Vaganicë. 

Në aktakuzë përshkruhet Haxha t’i ketë thënë Dëshmitarit F “Ti spiuni serb, a ke menduar se ne nuk do mund të të kapnim?” 

Dëshmitari F, këtij cilësimi i ishte përgjigjur: “Nëse jam spiun serb, ti ke 10 vjet eksperiencë më shumë se unë si spiun”. 

Aktakuza precizon që Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku kishin autoritet dhe kontroll vendimtar në shtabin e Likocit, ndërsa Sahit Jashari e Avni Zabeli konsiderohen persona që kanë mbikëqyrur dhe ushtruar kontroll menaxherial të qendrës së ndalimit, të burgosurve dhe rojeve të burgut.

Selimi, duke përshkruar kushtet e luftës, mohoi marrjen në pyetje të të ndaluarve nga UÇK-ja, në vitin 2003, kur foli me hetuesit e Tribunalit të Hagës.  “S’kam pasur rast, s’kemi pasur ku”,  tha Selimi para dhjetë vjetësh. 

Protesta në mbrojte të Grupit Drenica

Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm para prokurorit Salustro. Në pafajësinë e tyre besojnë qindra qytetarë që protestuan të hënë para zyrave kryesore të EULEX-it, në lagjen e spitaleve. 

Me parullat si “Liri për çlirimtarët”, “Poshtë EULEX-i”, e “Drenica”, protestuesit kanë marshuar nga Qendra e Studentëve deri te zyrat  e misionit evropian në Kosovë, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të të akuzuarve në Grupin e Drenicës. 


Protesta në mbrojte të Grupit Drenica | Foto: Meritë Krasniqi

Përfaqësuesit e protestës u bënë thirrje EULEX-it dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndalojë padrejtësinë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, pasi sipas tyre kriminelët e vërtetë të luftës janë në veri të Kosovës.

 “Jemi këtu në mbrojtje të vlerave të UÇK-së, për të cilët janë ngritur akuza të pabaza. Le ta shohë EULEX-i se UÇK-ja ishte ushtri e cila mbronte civilët, të cilët masakroheshin nga ushtria serbe, ku të njëjtit persona shëtisin të lirë në Beograd”, tha Veton Raci, njëri nga organizatorët e protestës.

Ata paralajmëruan se protesta do të bëhet më masive në ditët e ardhshme, nëse nuk ndryshohet situata 

“I tregojmë (EULEX-it) se ne jemi këtu deri sa të lirohen çlirimtarët. Protesta do të masivizohet ditët e ardhshme dhe nuk jemi përgjegjës për veprimet që do të bëhen”, deklaroi Raci. 

Protestës së ditës së hënë përveç studentëve i janë bashkuar edhe organizatat e dala nga lufta dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Protestuesit në dorë mbanin fotografi të të akuzuarve si dhe foto nga masakrat serbe në Kosovë.