Rekomandimi i Dyshimtë Për Asistent në UP

Mentor Ismaili është në rrugë për t’u bërë asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, falë prezantimit joreal të notës mesatare të tij në raportin e komisionit recensues.

Nota e tij mesatare në studimet bachellor në departamentin e Kimisë është më e vogël se 8.0 ,gjë që ia pamundëson atij të angazhohet në pozitën: asistent universiteti. 

Statuti i UP-së kërkon që kandidati të ketë notë më të lartë se 8.0, për të punuar në këtë pozitë. 

Por, një komision i ngritur nga Fakulteti i Mjekësisë në përbërje të tre profesorëve, që e ka vlerësuar performancën e 23 kandidatëve në garë për dy vende asistenti, ka sugjeruar edhe punësimin e Ismailit për asistent në Fakultetin e Mjekësisë. 

Rekomandimi është dorëzuar në Komisionin Universitar për Studime.  Senati i universitetit publik, pas shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve nga Komisioni Universitar për Studime vendos për punësimin ose jo të asistentëve universitarë. 

Në raportin e Komisionit Recensues të Fakultetit të Mjekësisë, shënohet se Ismaili ka notën mesatare 8.07  në studimet bachellor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. 

Kjo nuk është nota mesatare reale e tij. Ai ka mbaruar studimet në kimi inxhinierike me notën 7.76.

Ismaili ka deklaruar se ka konkurruar për asistent në Fakultetin e Mjekësisë me notën reale të tij që është 7.76, por sipas tij gabimi është bërë nga komisioni. 

Megjithatë , në raportin e komisionit recensues thuhet që Ismaili i ka plotësuar kushtet për pranim. 

Por, raporti i Komisionit Recensues të Fakultetit të Mjekësisë i datës 19 shtator 2013,  i siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, nuk përmban të dhëna specifike që arsyetojnë favorizimin e këtij kandidati në raport me të tjerët.

Kushti kryesor statutar që duhet të plotësohet nga kandidatët është nota mesatare mbi 8.0.

FSHMN-ja nuk kishte pranuar Ismailin për asistent 

Për Mentor Ismailin nuk është hera e parë që mësyn rrugën për t’u bërë pjesë e stafit akademik të universitetit më të madh publik në Kosovë.

Fillimisht ai kishte provuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në një konkurs të mëparshëm. Në raportin e komisionit recensues të datës 16 qershor 2011,  i ishte prezantuar nota mesatare në bachelor më e vogël se 8.0.

“Ka kryer studimet bachelor në Departamentin e Kimisë të FSHMN-së me notë mesatare 7.76 si dhe studimet master në Departamentin e Kimisë, drejtimi Kimi Analitike dhe Kimi e Mjedisit me notë mesatare 8.88”, thuhet në raportin e komisionit recensues për zgjedhjen e stafit akademik në FSHMN, në rubrikën që përmban shënimet për kandidatin Mentor Ismaili.

Ai kishte marrë vlerësim negativ nga komisioni recensues i fakultetit përkatës, shkaku i notës.

“Mbështetur në dosjen të cilën ne e kemi në FSHMN, Mentor Ismaili të vetmen notë mesatare e ka 7.76”, ka thënë Agim Gashi, prodekan në FSHMN. 

Sipas tij ndryshimi i notës mesatare nuk është përgjegjësi e FSHMN-së. Ai ka thënë të mos varet nga fakulteti që ai përfaqëson, se çka ka bërë Ismaili ose edhe komisioni recensues, gjatë procesit të zgjedhjes së asistentëve në një fakultet tjetër. 

Ndërkohë, mesatarja e notës mesatare të Ismailit në studimet bachelor në Kimi Inxhinerike , sipas Komisionit Recensues të Fakultetit të Mjekësisë,  është 8.07.

Mesatarja e notës në studimet master të shkencave të kimisë, sipas komisionit, është 8.8.

Komisioni llogariti dy notat mesatare të tij dhe konkludoi se Ismaili ka notë mesatare të përbashkët 8.47 në dy nivelet e studimeve, bachelor plus master. 

Vetë Ismaili e ka pranuar që nota mesatare e tij është më e ulët se ajo që është prezantuar në Komisionin Recensues. Mirëpo, ka thënë se kjo nuk është bërë me fajin e tij.

“Unë studimet themelore(bachelor) i kam përfunduar me notë mesatare 7.76 dhe për master 8.88”, ka thënë Ismaili. “Krejt mendojnë që Mentor Ismaili ka bërë dokumente fallc, por kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Ismaili për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, janë anëtarët e Komisionit Recensues, ata të cilët e kanë bërë gabimin, kur e kanë përshkruar notën. 

“E përbashkëta e të dy mesatareve (bachelor dhe master) e jep mesataren e notës së bachelorit 8.07”, ka thënë Ismaili. 

Por, në fakt Komisioni konkludoi se nota mesatare e studimeve bachellor të Ismailit është 8.07. 

Ndërkaq, mesatarja e  notave në dy nivele studimi-bachellor e master është 8.47.

Raporti i komisionit të Fakultetit të Mjekësisë është nënshkruar nga komisioni  më 19.09. 2013.

Statuti i UP-së nuk lejon që të mblidhet nota e përbashkët mesatare e të dy niveleve të studimeve. 

“Statuti i UP-së në nenin 178 përshkruan kushtet që duhet përmbushur kandidatët që mëtojnë të bëhen asistentë të Universitetit. Pika 1.4 e këtij neni kërkon që kandidati duhet “Të ketë notën mesatare në studimet bachelor dhe master jo me pak se 8, në secilën prej këtyre studimeve”.


Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto: uni-pr.edu

Komisioni recensues e dekanati nuk japin shpjegime 

Në Fakultetin e Mjekësisë, ku i kanë përshkruar recension pozitiv për zgjedhje Mentor Ismailit, nuk kanë treguar gatishmëri për ta sqaruar situatën dhe as nuk kanë treguar se si është bërë përzgjedhja e tij.

Gazeta ka kontaktuar me dy nga tre anëtarët e Komisionit Recensues, të cilët kanë vlerësuar përformancat e 23 kandidatëve për asistentë dhe kanë vendosur të sugjerojnë Ismailin për asistent, duke ia përshkruar atij një notë mesatare të rreme.

Adnan Bozaliu ka qenë kryetar komisioni. Ai ka refuzuar të flasë për rastin.

 “Nuk di asgjë se si është zgjedhë. Pyeteni dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, prodekanët apo Rektoratin. Ata dinë më mirë”, ka thënë Bozaliu.

Edhe Selim Kolgeci, anëtar i këtij komisioni, ka thënë që nuk di asgjë në lidhje me këtë kandidat, për të cilin është dhënë vlerësim pozitiv. Ai u arsyetua se vetëm formalisht ka qenë në këtë komision. 

“Kjo ka ndodhur para 5 muajve dhe kam harru se si e kemi zgjedhur asistentin për mjekësi. Edhe ashtu formalisht kam qenë në komision”, ka thënë Kolgeci. 

Sipas tij, për këtë çështje duhet të pyetet kryetari i komisionit recensues.

Por, Bozalia e Kolgeci  kanë vendosur nënshkrimet në fund të vlerësimit të Komisionit Recensues, mbi të cilin bazohen senatorët, kur të vendosin se kë ta zgjedhin për asistent.

Në anën tjetër, sa i përket mesatares së kandidatit Mentor Ismaili, Agim Gashi, prodekan në FSHMN deklaron se  “Mbështetur në dosje të cilën ne e kemi në FSHMN, Mentor Ismaili të vetmen notë mesatare e ka 7.76”.

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë e ka miratuar raportin e Komisionit Recensues. 

Gazeta Jeta në Kosovë  ka bërë përpjekje disa herë që të kontaktojë me zyrtarë të këtij fakulteti, por në dekanat nuk kanë shprehur gatishmëri për të folur për këtë çështje. Gjatë gjithë javës, sekretaresha (asistentja) e dekanit Naim Haliti nuk ka aranzhuar një takim me të, ose edhe me dekanin për Mësim, Hilmi Islamin.

Gazeta Jeta në Kosovë takoi shkurtimisht dekanin Haliti.

Sipas tij përgjegjës për përzgjedhjen e Ismailit është komisioni recensues. 

Drejtuesi i Fakultetit të Mjekësisë ka thënë se dosja e konkurrimit të Ismailit për asistent, për të parë se çfarë  note ka shënuar, nuk mund të shikohet në dekanat, pasi është dorëzuar në rektorat.

 “ E gjithë lënda ka shkuar në rektorat dhe pritet vendimi i senatit për të”, deklaroi Haliti. 

Komisioni i studimeve mund të anulojë rekomandimin e Fakultetit të Mjekësisë 

Fakulteti nuk është hallka e fundit që vendosë për zgjedhjen e asistentëve. 

Raporti i Komisionit Recensues, i miratuar nga fakulteti, aktualisht ndodhet në Komisionin e Studimeve në nivel të Universitetit. Ky  komision bën vlerësimin e fundit të perfomrancës së kandidatëve, para se propozimet të vihen në Senatin e Universitetit për aprovim final. 

Komisioni i Studimeve ka përfunduar punët me kandidatët e fakulteteve të tjera dhe aktualisht ka në shqyrtim dosjen e Fakultetit të Mjekësisë. 

Raportin që sugjeron Ismailin asistent, nuk e ka shqyrtuar akoma.

Në Rektorat kanë dhënë premtimin se, nëse ky kandidat ka notën mesatare më të ulët se 8.0, ai nuk do të zgjidhet asistent, pavarësisht vlerësimit pozitiv që i ka dhënë Mjekësia.

 “Nëse ajo që thoni ju është e vërtetë, kjo duhet të vlerësohet kur të vijë në Komision. Është komisioni që vlerëson nëse janë dy certifikata të lëshuara dhe kjo ndodh pasi t’i vijë rendi kësaj lënde, sepse ka shumë tjera që do të hyjnë në komision para kësaj lënde”, ka thënë Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit Ibrahim Gashi.

Ismaili nuk është zgjedhur asnjëherë asistent në formë të rregullt.

Ka katër vjet që ai ka marrëdhënie pune me UP-në. Është angazhuar me kontratë mbi vepër në Mjekësi. 

Angazhimi në mësimdhënie i është prezantuar si përparësi ndaj kundërkandidatëve për pozitën e asistentit.

“Mentor Ismaili … ka prezantuar kontratën e punës për angazhim në procesin mësimor si asistent (01.10.2012-15.02.2013), si dhe vërtetimin e lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë, ku vërtetohet se ky kandidat ka qenë i angazhuar si asistent në Fakultetin e Mjekësisë – Departamentin e Farmacisë, nga viti 2009-2010, si dhe në vitin 2011 (numri i kontratës 4-10)”, thuhet në raportin e Komisionit Recensues.

Në Rektorat kanë thënë se nga ky vit më nuk do ta angazhojnë Ismailin.

“Në vitin akademik 2012/2013 ka pasur kontratë me honorar, ndërsa për këtë vit nuk e ka propozuar Fakulteti i Mjekësisë për angazhimin e tij me kontratë honorar”, ka thënë Ardian Kastrati.