Ushtarë Pa Fat

Një plagosje në këmbë, Zhelko Vukeliçin e largoi nga lufta dhe e solli në shtëpi. Në Serbi, krenaria e humbur, e nisi për një luftë tjetër. Si plagë e vjetër, fronti i luftës e ka ndjekur pas.

“Është si Krajina”, thotë ai, duke krahasuar frontin ku u përball me forcat kroate 20 vjet më parë, me luftën e tij të sotme kundër qeverisë në Beograd.

“Ulesh dhe pret të ndodhë diçka, por e humbet durimin dhe thua “hajde ta vrasim njëri-tjetrin”.

Njerëzit që një herë e një kohë morën armët për kauzën serbe, tashti janë armatosur kundër shtetit serb. E akuzojnë Beogradin se i ka tradhtuar duke ua ndalur rrogat dhe përfitimet e luftës.

“Për dy orë mund të mbledh 20 burra të gatshëm për të vdekur, nëse ua kërkoj unë,” thotë Vukeliqi, për të theksuar dëshpërimin e shokëve të vet. Ai është sekretari i SVS-së, organizatës më të madhe të veteranëve në vend, që ka bërë fushata për më shumë të drejta.

Përtej kufirit, drejtuesi i veteranëve kroatë, Mirko Ljubiçiq, dëgjon pa i lëvizur asnjë muskul në fytyrë, lajmet e fushatës nganjëherë duke e tradhtuar shenjat e përkrahjes për ish-armiqtë e luftës.

Kreu i degës së Zagrebit të HVIDRA-s, një shoqatë e fuqishme e ish-ushtarakëve, Ljubiçiqi është krenar për peshën e organizatës së tij.

“Vetëm veteranët mund të mbledhin mbi 50.000 njerëz në sheshe publike,” thotë ai, duke iu referuar protestës së fundit në Kroaci mbi planet për të filluar përdorimin e shkrimit cirilik serb në tabelat rrugore.

Për dallim nga Vukeliqi, Ljubiçiqi e vlerëson lart politikën e qeverisë së tij kundrejt ish-ushtarakëve. Ai thotë se hapi tjetër për veteranët e Kroacisë, si “patriotë të sprovuar”, është të përfshihen në elitat e biznesit dhe politikës.

Ai bile sugjeron që ish-armiqtë e tij mund të nxjerrin mësime nga organizata e tij. “Jeni i lirë t’ua rekomandoni veprimet tona veteranëve në Serbi”, thotë ai.

Ky raport nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, tregon se si e kanë formësuar qëndrimin ndaj veteranëve, humbjet e Serbisë dhe mohimi i rolit të drejtpërdrejtë në shumicën e luftimeve në vitet 1990.

Ka pak simpati kundrejt qindra serbëve që luftuan në luftërat e Ballkanit. Imazhi i tyre jashtë është pashmangshmërisht i lidhur me krimet dhe masakrat. Deri edhe vetë bashkëkombasit e veteranëve serbë, mund të kenë mendime të përziera për ta.

Ljubiçiqi dhe shokët e tij nderohen në Kroaci si “branitelji”,ose “mbrojtësit”, fjalë me kuptim pozitiv. Serbët, që flasin të njëjtën gjuhë, i quajnë ish-luftëtarët e tyre me shprehje më asnjanëse si “veterani”, që rrjedh nga anglishtja, ose “borci”, që do me thënë “luftëtarë”.


Zheljko Vukeliçi thotë se përballja e tij me qeverinë serbe i kujton fushën e betejës.

Jashtë ligjit

Në luftërat që shkatërruan Jugosllavinë, territoret që siguruan autonomi më të madhe, ose shtetësi, si Kroacia, Kosova, Sllovenia dhe segmenti i Republikës Sërpska të Bosnjës, në fund shpallën fitoren.

Veteranët që luftuan për këto territore, tani shijojnë pensione të mira, përfitime, miratim shoqëror dhe njëfarë ndikimi politik.

Mirëqenia e tyre peshon rëndë mbi ekonomitë që janë të dobëta. Prapëseprapë, politikanët zakonisht kanë vendosur që më mirë të paguajnë, edhe pse pa qejf, sesa t’i inatosin njerëzit që elektorati i quan luftëtarë lirie.

Ekonomia e brishtë serbe, patjetër që është e papërgatitur t’i plotësojë kërkesat e veteranëve të vet. Por edhe qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë mundur të miratojnë ligje që i njohin veteranët si kategori e veçantë, një parakusht për t’u dhënë përfitime.

Serbia rezultoi si një nga humbësit më të mëdhenj të viteve 1990. Përgjatë asaj dekade, serbët dhe aleatët e tyre luftuan kundër kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve të Kosovës dhe në fund kundër NATO-s.

Zona nën kontrollin e Beogradit, një herë e një kohë krejt Republika Federale e Jugosllavisë, me gjasë do të mpakej dhe riemërtohej vazhdimisht përmes luftës dhe ndarjes, duke e lënë mbrapa shtetin modern serb.

Në fund të viteve 1990, Kroacia dhe Kosova kishin përvetësuar pjesë të mëdha territori, ku serbët kishin jetuar prej shekujsh. Njerëzit që u larguan prej aty si pasojë e këtyre disfatave, duke përfshirë shumë luftëtarë, kanë depërtuar në Serbi, duke i dhënë asaj popullsinë më të madhe të refugjatëve në Ballkan. Numri i të zhvendosurve shkon diku te 300.000-shi, ose afërsisht 4 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Megjithatë, nga të gjithë konfliktet e asaj dekade, Beogradi zyrtarisht ka pranuar vetëm njërin si luftë – përballjen e shkurtër me forcat e NATO-s më 1999.

Regjistrimet shtetërore u referohen angazhimeve të tjera si kryengritje, përplasje, ose ushtrime ushtarake, në përputhje me argumentin e Beogradit, se ai po luftonte vetëm për të ruajtur unionin e Jugosllavisë.

Për njerëzit që luftuan, kjo ka lënë si trashëgimi një problem. Ata s’mund të pretendojnë me lehtësi përfitimet e veteranëve të luftës që zyrtarisht s’ka ndodhur kurrë, nga një shtet që në atë kohë nuk ekzistonte në formën e tanishme.

Për më shumë, nuk ka përkufizim universal të veteranit serb, ngaqë luftëtarët rekrutoheshin me një larmi cilësimesh.

Imazhi ndërkombëtar i luftëtarit tipik serb mund të dominohet nga bosat e luftës si Arkani, por milicitë e tipit që drejtoi ai, ishin pakicë, të përbëra nga kriminelë, huliganë futbolli dhe nacionalistë të zjarrtë.

Shumica e luftimeve përballohej nga forca të parregullta dhe grupe paraushtarake të rekrutuara nga bashkësitë serbe brenda Kroacisë dhe Bosnjës. Ata nganjëherë mbështeteshin nga ushtria jugosllave që dominohej nga serbët dhe që përfshinte rekrutë dhe ushtarë profesionistë.

Gjithsesi, Serbia, ndryshe nga Kroacia, nuk ka ligj gjithëpërfshirës që të zbatohet mbi shumicën dërrmuese të këtyre njerëzve. Veteranët nuk kanë status, ose të drejta të veçanta, përveç atyre që i gëzojnë si qytetarë.

Nuk është se ka edhe ndonjë përllogaritje të besueshme për numrin e tyre. Grupet e veteranëve thonë  se janë 800.000. Olivera Markoviq, sociologe dhe eksperte mbi ish-luftëtarët, thotë se shifra e saktë mund të jetë mes 800.000 dhe gjysmës së kësaj shifre.


Një rezervist serb fle në një stol parku në Beograd më 1993. Foto| Drashko Gagoviç

Të traumatizuar dhe të izoluar

Në Serbi dhe Kroaci, veteranët organizohen nëpër qindra shoqata të vogla që shpeshherë përplasen me njëra-tjetrën. Ndërkohë që disa nga këto grupe janë të afërta me partitë nacionaliste, nuk ushtrojnë pushtet të drejtpërdrejtë politik.

Ndikimi i veteranëve mbi politikën duket se është proporcional me statusin e tyre në shoqëri. Në Kroaci, ata përgjithësisht shihen si heronj dhe për këtë arsye pak politikanë mund të rrezikojnë t’u dalin kundër.

“Veteranët veprojnë si mbrojtës të traditës, kurdoherë që në horizont shfaqen ndryshime radikale,” thotë Ozren Zunec, sociolog në Universitetin e Zagrebit, duke përmendur protestat e fundit mbi propozimin për të përdorur ciriliken për tabelat rrugore.

Sipas sociologes Markoviq, shoqëria serbe ende i lidh veteranët me drejtuesin e kohës së luftës, Sllobodan Millosheviqin. As mbështetësit dhe as kritikët e tij, nuk kanë respekt fort të madh për ish-ushtarakët.

“Për ata që ishin kundër politikave të Millosheviqit, veteranët janë vrasësit e tij,” thotë Markoviq. “Për ata që e donin Millosheviqin, veteranët janë shkaktarë për humbjen e luftës.”

Në prill të këtij viti, një veteran në një fshat serb vrau 13 njerëz, duke përfshirë edhe familjen e vet. Masakra, si dhe një varg vetëvrasjesh të profilit të lartë, kanë përforcuar një paragjykim popullor të veteranëve, si shpirtra të trazuar. Shumica e ish-ushtarakëve kanë probleme shëndetësore dhe financiare. Pak nga ata marrin përfitime, ose kujdes shoqëror.

Ljudevit Kolar, ish-mjek ushtarak që ndihmon trajtimin e veteranëve për çrregullimet nga stresi post-traumatik, thotë se shumica e shokëve të tij të vjetër janë kundër shoqërisë.

“Kanë përjetuar gjëra të tmerrshme që ende u sillen në kujtesë,” thotë ai. “Askush nuk i kupton.”

Kolar ishte ngarkuar me identifikimin e kufomave. Edhe vetë u traumatizua,  duke qëndruar “më shumë kohë i dehur, sesa esëll”, kur u kthye nga fronti.

Dragan Milakara, ish-ushtar që jeton në Novi Sad, thotë se nuk flet për luftën. “Çka të them? Që pashë një plumb të shkatërronte një tra druri afër kokës sime? Njerëzit do të më shihnin sikur të më kishte qëlluar në kokë”, thotë ai.

Milakara nuk pret ndonjë mbështetje nga autoritetet. “Nuk ka shtet”, shprehet ai. “Veteranët do të përballen me të njëjtin fat, si të çmendurit në një institucion psikiatrik. Pretendon se i trajton, por në fakt vetëm se pret që të kin në botën tjetër.”

Veteranët kanë përbuzjen më të thellë të mundshme për qeverinë në Beograd, të cilën e shohin si pasardhësen e autoriteteve që i rekrutoi në vitet 1990.

“Na e kanë kthyer shpinën të gjithë.  Familjet tona, fqinjët, kolegët dhe ç’është më e keqja, edhe vendi ynë”, thotë Mile Millosheviq, kryetari i SVS-së, organizatës më të madhe të veteranëve në Serbi. 

SVS-ja po lufton me qeverinë serbe për rrogat e prapambetura. Mosmarrëveshja e ka burimin nga konflikti i vitit 1999 në Kosovë, që mbaroi me ndërhyrjen e NATO-s.

Pretendimi po shqyrtohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, gjë ironike për Millosheviqin, i cili i ka ndjekur procedimet.

“Pashë 17 gjykatës nga 17 vende europiane, pothuajse secili prej tyre anëtar i NATO-s. Ata na bombarduan dhe tashti duhet t’u kërkojmë ndihmë, për të na mbrojtur nga vendi ynë”, thotë ai duke goditur tavolinën me grusht. “O burrë, kjo është çmenduri!”, shton ai. 


Ish-rezervistët e ushtrisë zhvillojnë grevë urie përballë parlamentit serb më 2008. Foto|Milovan Milenkoviç

Thirrja për luftë

Deri më 1999, Beogradi nuk e pranonte asnjë nga konfliktet ballkanike si luftë. Gjithsesi, ai u jepte mbështetje ushtarake, fonde dhe personel, bashkësive serbe që luftonin në Kroaci dhe Bosnjë.

Mohimi zyrtar i përfshirjes së drejtpërdrejtë në luftime, i ndërlikon përpjekjet e veteranëve serbë për të pretenduar të drejta më të mëdha sot.

“Duket sikur u përpoqën ta ngatërronin çështjen e veteranëve qysh prej fillimit të luftës”, thotë Milan Zhiviq, ish-ushtar që tani jeton në qytetin Baçka Palanka.

Zhiviqi thotë se u thirr ushtar, ndërkohë që vula në kartën e ushtarakut thoshte se ai do të merrte pjesë në “ushtrime ushtarake”. Vula shërbente si provë për dosjen e tij si ushtar dhe kishte vlerë për përfitimet e mëvonshme.

Mbas një kohe të shkurtër në front, Zhiviqi dhe shokët e tij u hodhën në protestë. Si pasojë, secili mori një vulë shtesë, që thoshte se ata kishin qenë në një “shërbim lufte”.

Sipas Predrag Ivanoviqit, president i një shoqate të veteranëve-invalidë të luftës, shumë ish-ushtarë nuk janë në gjendje ta provojnë se janë plagosur në luftime, sepse në kartat e tyre mungon vula kritike e “shërbimit të luftës”.

Ministria Serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN-it për të komentuar mbi vulat çorientuese në kartat e ushtarëve.

Mes bashkësive serbe në Kroaci dhe Bosnjë, thirrja për luftë nuk erdhi gjithmonë nga shteti. Shpesh, ajo u lëshua nga të fortët e vendit dhe u pasua nga kërcënimi i përdorimit të forcës.

“S’isha i interesuar për luftë. Çfarë lufte? Pse? Por ata më detyruan,” thotë Milakara, veterani që tani jeton në Novi Sad. Ai përshkruan një njoftim publik në qytetin e tij të vjetër të lindjes Glinë, që tani është pjesë e Kroacisë.

“Një tip i ashpër, si Ramboja – me automatik në njërën dorë dhe shami me kafka pirate në krye – qëndronte në një automjet ushtarak,” thotë ai.

“Kërkoi që të gjithë burrat mes moshës 17 dhe 77 vjeç të paraqiteshin në një datë të caktuar në një vend të caktuar. Ata që kundërshtonin do të vriteshin në vend. Ja pra. Guxon të rezistosh?”, shpjegon Milakara. 


Mirko Ljubiçiq, kreu i grupit të veteranëve kroatë, thotë se vendi i tij i ka nderuar ish-ushtarakët.

Masat mbrojtëse

Disa analistë kanë sugjeruar që Beogradi nuk i ka plotësuar kërkesat e veteranëve, sepse po ta bënte, do të merrej si pranim i detyrimeve të luftës.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Kroacia dhe Bosnja kanë kërkuar dëmshpërblime nga Serbia duke shtjelluar që vetë shteti, e jo drejtuesit e tij, ka përgjegjësi për masakrat në territorin e tyre.

Mosmarrëveshja me Kroacinë ende s’është zgjidhur. Mbrojtja e Serbisë në këtë rast përfshin argumentin që nuk ekzistonte si shtet gjatë viteve 1990 dhe prandaj s’mund të akuzohet si e tillë sot. Në teori, ky argument mund të zbatohet edhe mbi çdo pretendim për pension nga veteranët.

Në rastin e paraqitur nga Bosnja, të zgjidhur në vitin 2007, gjyqtarët vendosën se Serbia nuk ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për genocid, megjithëse mund të kishte bërë më tepër për ta parandaluar atë.

Gjatë atij gjyqi, avokatët e Bosnjës u munduan të argumentojnë që shteti serb ishte fajtor, sepse nga arkat e tij kishin dalë paratë që kishin shkuar në duart e luftëtarëve në territorin e saj. Gjithsesi, gjyqtarët nuk e pranuan që kjo tregonte se vetë shteti ishte përgjegjës.

Sipas Phon van den Biesen, avokatit holandez që ishte në ekipin gjyqësor të Bosnjës, hedhja poshtë e argumentit boshnjak mund ta lejojë Serbinë t’i paguajë veteranët e vet, pa pranuar domosdoshmërisht përgjegjësinë e detyrimeve të luftës.

Në fund të fundit, i thotë ai BIRN-it, nëse pagesat e kohës së luftës ndaj luftëtarëve nuk u pranuan si provë e fajësisë së shtetit, pse pensionet për veteranët duhet të merren si të tilla sot?

Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN-it për të komentuar se a lidhej mosplotësimi i kërkesave të veteranëve, me mohimin e rolit të drejtpërdrejtë në luftërat ballkanike.

Sipas një avokati që ka mbrojtur drejtuesit serbë ndaj akuzave për krime lufte dhe që foli me kusht anonimiteti, dëshira e Beogradit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian mund të ketë ndikuar politikën e tij kundrejt veteranëve.

Një marrëveshje me ish-ushtarët mund të duket keq në kryeqytetet perëndimore, ku mund të interpretohet si shpagim për nacionalistët dhe pranim i heshtur i përfshirjes në luftërat ballkanike. Shteti, me gjasë, e ka më të lehtë t’i shpërfillë veteranët e vet, sesa të shpjegojë se pse po i paguan.

“Qeveria serbe ndoshta shqetësohet më pak për çështjen ligjore, sesa për pamjen e jashtme,” thotë avokati.


Karta e ushtrisë e Milan Zhiviçit ka vula kontradiktore, thotë se ai ishte si n’ushtrime ushtarake ashtu edhe në luftë.

Nderuar nga ligji

Arsyetimi i Beogradit për anashkalimin e ish-ushtarëve, mund të mbështetet edhe mbi një përllogaritje politike. E bën këtë, sepse thjesht nuk ia del të paguajë.

Ndryshe nga homologët e tyre në Kroaci, veteranët serbë nuk kanë shumë vend në zemrat e publikut. Politikanët i kanë drejtuar pretendimet e tyre nga fondet publike, pa pasë frikë se mund të ketë ndonjë reagim negativ.

Të paktën tre projekte janë bërë për një ligj që do t’u jepte veteranëve të drejta më të mëdha. Asnjëri s’është miratuar.

Një përpjekje e SVS-së për të imituar legjislacionin kroat, u paraqit në parlament, por nuk shkoi më tutje.

Edhe një projekt tjetër i përgatitur nga Sasha Dujoviq, drejtues i një partie të vogël të veteranëve të luftës të lidhur me socialistët në qeveri, po pret vëmendjen e kuvendit.

“Më siguruan… se projektligji do të jetë në rendin e ditës në tetor”, i tha Dujoviqi BIRN-it. “Megjithatë, nuk e di a do të miratohet apo jo”, shtoi ai. 

Zyrtari më i lartë, drejtpërdrejt përgjegjës për veteranët, sekretari i shtetit Negovan Stankoviq, thotë se një këshill qeveritar ka përgatitur një draft të tretë që mund të jetë gati për miratim parlamentar në fund të vitit.

Ndërkohë që ish-ushtarët e Serbisë janë në amulli ligjore, homologët e tyre kroatë e kanë siguruar një vend në historinë e shtetit të tyre.

“Emrat e tyre do të jetojnë përjetësisht. Ne duam t’i nderojmë këta njerëz në mënyrë të veçantë,” thotë Predrag Matiq, ministri i veteranëve kroatë.

Matiq theksoi rëndësinë e pasjes së një ligji të gjerë, që i mungon Serbisë, ndërsa rregullon marrëdhëniet e veteranëve me shtetin.

“Përkufizimi statutor se kush mund të jetë veteran lufte, është i rëndësishëm për atë se mbron njerëzit që morën pjesë në luftë, gratë dhe fëmijët e tyre,” i tha ai BIRN-it. “Në fund të fundit, do të thotë të zgjidhen problemet shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike, me të cilat u përballën këta njerëz pas luftës.”

Veteranët kroatë gëzojnë të drejtën e trajtimit preferencial, nëse aplikojnë për strehim publik ose për arsim dhe punësim. Ata që u bënë të paaftë nga lufta mund të presin një pension mujor prej 800 eurosh.

Shteti gjithashtu u jep ish-luftëtarëve një pension minimal prej 260 eurosh kur dalin në pension. Shuma është e përafërt me mesataren e qytetarëve kroatë, por vlera e saj më e madhe është te garancia.

Serbia nuk ofron ndonjë pension të tillë të garantuar për shumicën e veteranëve të vet, përveç për ata që janë plagosur, ose që kanë shërbyer si ushtarë profesionistë.

“Do të doja të isha plagosur, të paktën do të kisha ndonjë të ardhur tani,” thotë “Vanja”, që doli vullnetar në luftë në moshën 19 vjeçare.

Ai luftoi në njësitë paraushtarake në Bosnjë dhe Kroaci dhe tani lyp lëmoshë në qytetin Baçka Palanka. I dëshpëruar dhe me duar që i dridhen, ai kërkoi të mos ia përmendnim emrin.

Mirko Rudiç është gazetar nga Beogradi. Ky artikull u redaktua nga Neil Arun dhe u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nismë e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.