Më i Forti “Promovohet” Nga Shoqëria

Videoja e shfaqur më 7 tetor pa censurë nëpër rrjetet sociale dhe e transmetuar njësoj nëpër portale e me mjegullim fytyrash në media pak më serioze, shfaqte dhunë ekstreme të një adoleshenteje ndaj tjetrës, ndërsa ndizte alarmin se çështja e dhunës në shkolla duhet të trajtohet më seriozisht. 

Vetëm një muaj para daljes së kësaj videoje, 15 vjet pas krijimit të Departamentit të Arsimit në vitin 1999 dhe 12 vjet qëkur u themelua Ministria e Arsimit më 2002, MAShT-i në datën 6 shtator 2013 miratoi Rregulloren mbi Protokollin për Parandalimin dhe Rreferimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Parauniversitar.

Rregullorja synon ta trajtojë çështjen e dhunës në shkolla, nëpërmjet bashkëpunimit të shumë institucioneve përgjegjëse për parandalimin e së keqes, por ende nuk u është shpërndarë institucioineve të tilla arsimore. 

Sipas rregullores institucionet që do ta trajtojnë dhe parandalojnë dhunën në shkolla janë: Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës,Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,Ministria e Shëndetësisë si dhe OJQ që në tematikën e tyre trajtojnë grupmoshën e fëmijëve.

“Ky dokument përcakton obligimet dhe përgjegjësitë e çdo institucioni për parandalimin e dhunës në arsimin parauniversitar. Pjesa e dytë e dokumentit është një aneks ku do të shënohen rastet e dhunës nga institucionet arsimore ku ka ndodhur dhuna, të cilat më pas do të adresohen në institucionet relevante për trajtimin e rastit”, thotë Merita Jonuzi, koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit.

“Ky dokument përcakton obligimet dhe përgjegjësitë e çdo institucioni për parandalimin e dhunës në arsimin parauniversitar. Merita Jonuzi

Sipas saj, rregullorja që do të mbikëqyret  nga Zyra Ligjore e Kryeministrit si dhe Inspektorati i Arsimit, ndërsa donator gjatë implementimit do ta ketë UNICEF-in, rastet e rënda të dhunës në shkolla do t’ia përcjellë për hetim Policisë së Kosovës, ndërsa ato më të lehtat do të zgjidhen brenda institucioneve arsimore. 

Sociologia Linda Gusia, duke komentuar videon e postuar, shpjegon edhe fenomenin e dhunës mes nxënësve, të njohur si “bullying”. 

“Bullying” definohet cilado formë e dhunës fizike dhe psikologjike me tendencë përsëritjeje prej një nxënësi (grupi nxënësish) më të fuqishëm ndaj një nxënësi më pak të fuqishëm”, thotë ajo. 

Gusia për ngjarjen nuk e bën fajtore vetëm nxënësen që rrahu bashkëmoshataren e saj, por edhe mentalitetin e shoqërisë kosovare, sipas të cilit gjithmonë fiton më i forti. 

“Kultivimi i mentalitetit të dhunës promovohet nga vetë shoqëria.Fakti që vajza vetë e ka postuar videon, pohon qartë se ky rast tregon një imitim të shembullit social që ajo merr nga shoqëria se “më i forti fiton”, thotë sociologia Linda Gusia. 

Shkaqet e shumta të dhunës në shkolla e mes nxënësve, i rendit edhe Kaltrina Kelmendit  ligjëruese e psikologjisë në UP.

“Klasat e mbipopulluara, ndikimi i moshatarëve me probleme në sjellje, atmosfera negative në klasë,  toleranca ndaj dhunës, mungesa e motivimit nga ana e arsimtarëve për t’u marrë me këtë çështje, ose relativizmi i kësaj dukurie, refuzimi social nga bashkëmoshatarët, janë faktorët që rrisin riskun për  shfaqjen e sjelljeve agresive”, thotë Kelmendi, teksa shpjegon se kjo dhunë nuk është vetëm prezente, por ka marrë përmasa relativisht të theksuara. 

Shifra shqetësuese të dhunës në shkolla

Këtë e tregojnë edhe shifrat e rasteve të konflikteve në shkollla, të regjistruara nga Policia e Kosovës.

Vitin e kaluar, sipas shënimeve të policisë, janë paraqitur 351 raste të tilla, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shifra ka arritur në 213. Megjithëse vërehet një rritje e këtyre rasteve në krahasim me vitin 2012, viteve të mëparshme ka pasur edhe më shumë raste të tilla. 

440 raste janë paraqitur në polici gjatë vitit 2011, ndërsa 489 gjatë vitit 2010.

Sipas rregullores për parandalimin e dhunës nëpër shkolla parashikohet që pala që ka pësuar dhunën duhet fillimisht të ankohet brënda institucionit të shkollës ku ndodh shkelja, e nëse çështja nuk zgjidhet, duhet ta çojë ankesën në DKA(Drejtoria Komunale e Arsimit),pastaj në MASHT  te Komisioni i   Ankesave që në bashkëpunim me Njësinë për të Drejtat e Njeriut, e adreson në gjykatë rastin nëse ka nevojë.

Një hulumtim me nxënës të intervistuar nëpër shkollat e Kosovës, i zhvilluar nga MAShT-i dhe UNICEF-i në vitin 2005, nxjerr të dhëna shqetësuese për dhunën mes tyre.

37 për qind të fëmijëve të anketuar nga hulumtimi thonë se dhuna në institucionet arsiomore të vendit është fenomen mjaft i përhapur, 75 për qind të tyre thonë se ajo zhvillohet në rrugë, e jashtë objekteve shkollore. 

“440 raste janë paraqitur në polici gjatë vitit 2011, ndërsa 489 gjatë vitit 2010. Policia e Kosovës

24 për qind të nxënësve, të përfshirë në hulumtim, kanë thënë se janë lënduar fizikisht nga bashkëmoshatarët e tyre, 27 për qind kanë deklaruar se i janë nënshtruar dhunës fizike, 18, 5 për qind asaj emocionale, derisa 50 për qind të tyre kanë pohuar sekanë qenë viktima të dhunës verbale. 

Katër për qind të nxënësve, pjesëmarrës në hulumtimin e MAShT-it dhe UNICEF-it, para tetë vjetësh mendojnë se dhunë ushtrohet nga nxënësit ndaj arsimtarëve. 

Duke iu kthyer dhunës së shfaqur në video, drejtori i Departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, Agim Bërdyna tha se një ngjarje e tillë është shumë e rëndë për shoqërinë tonë. 

“Një kohë të gjatë nuk kemi pasur konflikt të përmasave të tilla”, thotë ai, derisa sociologia Linda Gusia dhe psikologia Kaltrina Kelmendi, zvogëlimin e rasteve të tilla, e shohin si të mundshëm nëse dukurisë i jepet trajtim i nevojshëm nga shumë aspekte dhe institucione. 

“Një fenomen i tillë kërkon një reagim serioz dhe multidisplinar të institucioneve, profesionistëve edhe shoqërisë civile në disenjimin dhe implementimin e programeve të duhura parandaluese edhe intervenuese”, thotë Kaltrina Kelmendi, derisa Linda Gusia kërkon profesionistë të përgatitjes psikologjike të nxënësve nëpër shkolla. 

“Nëse duam t’i eliminojmë raste të tilla të shfaqjes së dhunës, duhet që krahas stafit pedagogjik, në çdo institucion arsimor të ketë psikolog e sociolog që do të trajtojë profesionalisht probleme të tilla të sjelljes së adoleshentëve”, shpjegon Gusia. 

Trajtimi i gabuar medial 

Drejtori Bërdyna, mendon se rastit të rrahjes së paraqitur në video, iu rritën përmasat, edhe nga paraqitja joprofesionale mediale. 

“Ajo që e ka përshkallëzuar më shumë ka qenë trajtimi që i bëri media.U komentua e u përfol konflikti, e nuk u përcollën lidhjet shkollë-kujdestar-prind, me zanafillën e këtij problemi”, thotë Bërdyna.

Për trajtimin medial të ngjarjes së rëndë vërejtje dha edhe Komisioni i Pavarur për Media. 

Komisioni i Pavarur i Mediave në bazë të monitorimeve të bëra për transmetimin e materialit televiziv më 7 tetor 2013, lidhur me konfliktin mes dy adoleshenteve në Mitrovicë, ka vërejtur se nuk u është modifikuar zëri i protagonisteve.

“Të dyja vajzat tanimë janë viktima të trajtimit nga mediat sociale, për faktin që mediat sociale nuk e respektojnë privatësinë. Linda Gusia 

“KPM-ja për këtë rast ka dërguar njoftim për Shkelje të Rregullores KPM 2013_01, konkretisht nenit 4, për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio-vizuele”, thuhet në njoftimin e komisionit që monitoron sjelljen mediale, të lëshuar në tetor.

Pas publikimit të videos dhe ripublikimit të saj nëpër portale lajmesh, shumë njerëz kanë gjetur profilin e Facebookut të vajzës që kishte sulmuar bashkëmoshataren e vet dhe aty kanë komentuar, duke përdorur gjuhë thellësisht ofenduese dhe jorrallë edhe kërcenuese. 

Përveç kësaj në Facebook janë hapur edhe “hate page” apo faqe të urrejtjes me emrin e vajzës së dhunshme, ku përdoruesit tjerë të Facebookut janë ftuar të postojnë foto dhe komente ngacmuese, kërcënuese e ofenduese ndaj saj.   

“Të dyja vajzat tanimë janë viktima të trajtimit nga mediat sociale, për faktin që mediat sociale nuk e respektojnë privatësinë”, thotë sociologia Linda Gusia.