No Comment Për Përgjimet E Aleatëve

Një hartë ilustruese e publikuar në qershor nga britanikja “The Guardian”, paraqiste territorin e Kosovës të ngjyrosur me të portokalltë.  

Vendet e prezantuara me këtë ngjyrë llogariten si “më të mbikëqyrura”, nga përgjimet e Agjencisë Amerikane për Siguri Kombëtare (NSA) bazuar në dokumentet e nxjerra në publik nga Eduard Snowden. 

Ish punonjësi i kompanisë “Booz Allen Hamilton”, e kontraktuar nga NSA-ja dhe Agjencia Amerikane e Inteligjencës CIA, tronditi botën në maj të këtij viti, kur nxori në publik informata për sistemin amerikan të përgjimit. 

SHBA-ja ndërtoi një sistem përgjimi të quajtur Prism që mundëson qasjen e agjentëve amerikanë në të dhënat private në internet dhe komunikimet telefonike. 

Rrjedhja në publik e informacioneve, pasoi reagimet shtetërore dhe të kompanive të mëdha në botë, kundër përgjimeve që kryhen nga SHBA-ja. 

Autoritetet në Kosovë, një vend i prekur nga përgjimet amerikane, nuk kanë komentuar publikisht as katër muaj pas zbulimit të sekreteve nga Snowden-i,  një shtetas amerikan që ndiqet për spiunazh kombëtar. 

Gazeta Jeta në Kosovë priti për më shumë se një muaj që të marrë qëndrimin e Presidencës, Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, lidhur me përgjimet amerikane. 

Asnjë prej institucioneve nuk pranoi të jepte një qëndrim publikisht.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Artan Behrami deklaroi se qëndrimi zyrtar i MPJ-së është:  “Nuk duam të komentojmë për këtë çështje”.

SHBA-të përshkruhen si aleat i pazëvendësueshëm në  “Objektivat e Politikës së Jashtme të Republikës së Kosovës”, një dokument i publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vend shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Kosovës. SHBA-ja, si vend prijës, si flamurtar i lirisë dhe demokracisë në botë dhe si vend i përkushtuar për ta përkrahur Kosovën, është aleat i pazëvendësueshëm”, thuhet në këtë dokument.

Ministri Enver Hoxhaj gjatë një takimi me delegacion amerikan | Foto: MPJ

Ndërkohë, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Kosovës, institucion i funksionalizuar që nga shtatori i vitit 2010, thotë që nuk mban përgjegjësi për cenimin e privatësisë së qytetarëve kosovarë nga jashtë.

“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoritet përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave të cilat kryhen nga organet publike dhe private qe operojnë  brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thotë Mentor Hoxhaj, mbikëqyrës shtetëror në këtë agjenci.

Megjithatë, Hoxhaj thotë se kjo  agjenci ka përcjellë zhvillimet rreth këtij rasti dhe është në dijeni për reagimet e ngritura në nivel europian për përgjimet e NSA-së amerikane. 

Florian Qehaja, një ekspert sigurie që drejton Qendrën Kosovare për Studime Sigurie, thotë se veprimet e NSA-së jo domosdoshmërisht kanë për qëllim ndërhyrjen dhe observimin e aktiviteteve private të qytetarëve në Kosovë.

“.. ato në fakt kryesisht fokusohen në çështjet që në një mënyrë ose tjetër prekin potencialisht interesin vital të SHBA-ve”, vlerëson ai.

Qehaja nuk e sheh si të domosdoshëm reagimin e autoriteteve kosovare për përgjimet e kryera nga NSA-ja. Ai thotë se reagime më së shumti ka pasur prej shteteve të cilat i kushtojnë rëndësi të madhe privatësisë dhe të dhënave personale. 

“Fjala është për shtetet kyçe të BE-së, ku Gjermania prin sa i përket avokimit për këtë të drejtë. Reagimet e shteteve tjera “të vogla”, ishin pothuajse inekzistente, për shkak të ndikimit të vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Qehaja.

Çështja e përgjimeve të kryera nëpërmjet programit “Prism” shqetësoi  liderët e vendeve të Bashkimit Europian. 

BE-ja si mekanizëm, kishte reaguar ndaj skandalit të përgjimeve amerikane që prekën Europën, duke kërkuar llogari nga SHBA-ja. Në qershor të këtij viti, zëvendëspresidenti i BE-së, Viviane Reding, i nisi një letër me shtatë pyetje të detajuara kryeprokurorit të SHBA-ve Eric Holder, me të cilat kërkoi sqarime për programin “Prism”.

Shqetësime tjera lidhur me përgjimet e programit “Prism” erdhën edhe nga Kanadaja, Afrika e Jugut, Egjipti e deri edhe nga Zimbabveja.

Ndërkohë në Gjermani nga Bundestagu u themelua një komision hetimor që intervistoi edhe kancelaren e shtetit Angela Merkel, si dhe drejtuesit e tri shërbimeve të inteligjencës gjermane. 

Ligjvënësit gjermanë kërkonin llogari nga Merkel dhe drejtuesit e inteligjencës, për mbajtjen fshehur të dijenisë së tyre për ekzistencën e programit sekret të NSA-së. Merkel nuk kishte dhënë përgjigje në shumë pyetje të ngritura nga parlamentarët. 

Në këtë shtet, në fund të korrikut në 40 qytete  u zhvilluan protesta me mbi 10 mijë pjesëmarrës që kundërshtonin lejimin e përgjimeve amerikane. 

“Kosovarët të pambrojtur nga përgjimet” 

Për prekjen e Kosovës nga përgjimet e NSA-së amerikane, nuk ka qenë në dijeni Avokati i Popullit dhe deri tash nuk ka kërkuar llogari nga asnjë institucion kompetent në Kosovë. 

“Për raste të shkeljes së të drejtës së privatësisë në raste të tjera IAP-ja ka reaguar”, thotë drejtuesi këtij institucioni, Sami Kurteshi.

Ai thotë se çështja e mbrojtjes të së drejtës së privatësisë nga përgjimet, duhet të rregullohet me ligj.

“..qytetarët e Kosovës me gjasë janë personat më të rrezikuar në Europë sa i përket çështjes së përgjimeve”, thotë Kurteshi.

Qeveria e Kosovës procedoi në fund të vitit të kaluar Projektligjin e kritikuar të përgjimeve, i cili ende nuk është miratuar. 

Avokati i Popullit përmend rastet kur në Kosovë janë përgjuar edhe funksionarët shtetërorë.

Bajram Rexhepi në shtator të vitit 2011 pohonte në një takim të Komisionit parlamentar për siguri, se ishte përgjuar nga ndërkombëtarët që nga viti 2002. 

Rexhepi thoshte se nuk e dinte saktë se nga cili person përgjohej, por ishte i sigurt se po mbikëqyreshin telefonatat e tij.  

Sipas tij, përgjimi i pushtetarëve tregon se sa me lehtësi mund të përgjohen qytetarët.

Në një rast tjetër, në aferën “Pronto”, në nëntor të vitit 2012,  përgjohet kryeministri Hashim Thaçi teksa bisedonte me Adem Grabovcin,  shef i deputetëve të PDK-së. 

Pjesë e përgjimeve të rrjedhura në publik ishin edhe ato që iu bënë kryetarit të i Skënderajt Sami Lushtakut, e zv/kryetarit të PDK-së Kadri Veselit,  i cili më herët kishte udhëhequr vetë për vite më radhë Shërbimin e Inteligjencës të Kosovës (SHIK). EULEX-i kishte konfirmuar se kishte kryer përgjimin, por se do të hetonte se kush i kishte nxjerrë ato në publik. 

Mundësinë e lehtë të përgjimit të qytetarëve e pohon edhe Florin Krasniqi, kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë  Kosovare të Inteligjencës. 

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë të pambrojtur nga siç e quan ai “interferimet e palëve të treta”. 

“Çdo komunikim i qytetarëve kosovarë është i pambrojtur. Komunikimet tona mund të jenë të interferuara nga palë të treta dhe institucionet kosovare nuk kanë aktualisht kapacitete për të mbrojtur qytetarët nga këto interferime, që edhe mund të prekin privatësinë”, thotë Krasniqi, një deputet i partisë opozitare Vetëvendosje.

“Edhe nëse një kamion me pajisje përgjuese mund të stacionohet në kryeqytet dhe të përgjojë dikë, as AKI-ja, por as institucionet tjera s’kanë aftësinë për ta lokalizuar dhe ndërprerë aktivitetin e  tij”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, njëra nga arsyet për ekspozim të kosovarëve ndaj këtyre përgjimeve, është fakti që Kosova nuk ka kod telefonik dhe as domen të vetin. 

Kosova për shërbime të telefonisë fikse dhe një pjesë të konsiderueshme të internetit, përdor kodin telefonik të Serbisë, derisa për shërbime të telefonisë mobile përdor atë të Monacos (operatori publik Vala) dhe të Sllovenisë (operatori privat IPKO).

Eduard Snowden

Dalja publike e Snowden-it 

Tri gazetat prestigjioze  “The Guardian”, “The Washington Post” si dhe “The New York Times”, publikuan në maj të këtij viti  të dhëna se kompanitë më të fuqishme private që ofrojnë e-maila, i kishin çelur NSA-së një “derë nga mbrapa”, për të pasur qasje në të dhënat e klientëve të tyre.

Gazetat bazonin informatat në dokumentet e siguruara nga Snowden-i.

Publikimet do të vazhdonin më vonë dhe programi “Prism” nuk do të mohohej as nga SHBA-ja. 

Eduard Snowden, një specialist kompjuterësh duke pasur vetë qasje në sistemet e përgjimeve, tregoi me dokumente, se NSA-ja përgjon bisedat telefonike dhe komunikimet elektronike në tërë botën. 

Ai tash jeton në Rusi ku ka përfituar azilin. SHBA-të e ndjekin nën akuzën për spiunazh, pasi që zbuloi sekrete kombëtare.

Snowden publikoi të dhëna që tregojnë se vetëm në Gjermani çdo muaj përgjoheshin rreth gjysmë miliard komunikime. 

Dokumentet tregojnë se të dhënat në rang global të poseduara nga NSA-ja janë aq të mëdha, sa që mund të ruhen për një kohë të gjatë. 

NSA-ja, sipas Snowden-it, po ndërton në shtetin e Utah-ut një qendër të re të dhënave për të ruajtur të gjitha komunikimet e përgjuara. 

Publikimet lidhur me përgjimet amerikane kanë vazhduar edhe javën e kaluar. 

“The New York Times”, publikoi dokumente që tregojnë se si NSA-ja tashmë ka ndërtuar superkompjuterë për të thyer kodet e kriptimit. 

NSA-ja po ashtu ka krijuar partneritet me kompani teknologjie, për të ndërtuar “dyer nga prapa” në softwerët e tyre.

Por shërbimi sekret amerikan nuk është i kënaqur vetëm me përgjimin e të dhënave në Internet dhe komunikimeve telefonike. 

Edhe posta e SHBA-së është pjesë e përgjimit. 

“New York Times”, raportoi se të gjithë zarfet e dërguara brenda vendit fotografohen automatikisht. 

Në vitin 2012 ishin 160 miliardë. Se sa gjatë ruhen këto të dhëna, nuk dihet ende me saktësi.

Edhe drejtuesit e automjeteve janë në fokus të autoriteteve amerikane. Policia gjithnjë e më shpesh skanon automatikisht targat e makinave që kalojnë në rrugë. 

Afera e përgjimeve, nxiti reagime të shumta nga kompanitë e mëdha, qeveritë e shteteve të ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare. Kompanitë si “Microsoft”, “Yahoo”, “Google”, “Facebook”, “PalTalk”, “AOL”, “Skype”, “YouTube” dhe “Apple”,  shprehën shqetësim lidhur me dëmtimin e reputacionit të tyre.

Larry Page, kryeshef ekzekutiv i “Google”-s, pati deklaruar se kompania e tij nuk ka kurrfarë marrëveshjeje me qeverinë amerikane për dorëzimin e të dhënave të përdoruesve të saj.