Ministria Para Drejtësisë

Një “shef” tjetër akuzohet se kreu krime financiare gjatë ushtrimit të pozitës së drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë për shkak se bëri shkelje të rregullave të prokurimit publik në pesë tenderë me vlerë rreth dy milionë euro.

Besnik Dërmaku, aktualisht udhëheqës i suspenduar i prokurimit, Hidajete Sadiku zyrtare në prokurim dhe Naim Krasniqi zyrtar transporti në MD pritet të përballën me sistemin gjyqësor të Kosovës për dëmtim të buxhetit të Kosovës përmes veprimeve kriminale.

Sipas aktakuzës prej 70 faqesh të ngritur nga prokurori special Besim Kelmendi më 29 korrik, veprimet kriminale dyshohen të kenë ndodhur nga 22 nëntori 2008 deri më 31 dhjetor 2010.

Të tre të dyshuarit kanë mohuar akuzat për keqpërdorime por akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljet që dyshohen të jenë bërë.

Dërmaku, i cili ndër të tjera kishte pranuar një iPhone nga kompania Pcb Kosova dhe kishte shkëmbyer sms me pronarin e kompanisë Albus – të dyja përfituese tenderësh, gjatë deklarimit në prokurorinë speciale ka hedhur fajin tek komisioni vlerësues ku bënin pjesë Sadiku dhe Krasniqi.

Në sms-at që figurojnë në aktakuzë Dërmakut i referoheshin si “shef”.

Ndërkohë Sadiku, e cila dyshohet të jetë “koordinuar” me Dërmakun për tenderë, gjatë hetimeve ia ka hedhur fajin këtij të fundit duke thënë se ai vendoste për prokurimet.

I akuzuari tjetër, Naim Krasniqi, i cili kishte nënshkruar raporte të pakompletuara që kishin mundësuar dhënien e tenderit në kundërshtim me ligjin e prokurimit, ka deklaruar se e ka bërë këtë nga naiviteti. 

Në njërin nga pesë tenderët, që kishte të bënte me pajisje të teknologjisë informative e që e kishte fituar kompania PCB Kosova, drejtori i prokurimit Dermaku nuk kishte respektuar afatin kohor prej tetë ditësh për ankesa të operatorëve të tjerë ekonomikë.

Prokuroria beson që Dërmaku “kishte aranzhuar specifikat” e këtij tenderi “përpara se të bëhej vlerësimi i tij”.

PCB drejtohet nga Gazmend Selmani, sipas aktakuzës. 

Sms-të e shkëmbyer me Dërmakun, të cilat përshkruhen në aktakuzë, zbulojnë që biznismeni Selmani kishte blerë një iPhone për djalin e Dermakut. “Bab qoje nëser n.n ka 17.00 le ta merr telefonin”. Gazeta posedon emrin e të birit të tij por nuk e publikon për arsye ligjore.

Lidhur me këtë sms Dërmaku kishte deklaruar se bëhej fjalë për një telefon që i biri i tij e kishte prishur sepse ishte zhytur në pishinë me rroba dhe se ia kishte thënë Selmanit për t’ia rregulluar.

Kjo deklaratë nuk përkon me atë të Selmanit i cili në prokurori kishte thënë: “Unë ia kam blerë djalit të Besnikut një telefon iPhone të tipit 2-sh ose 3-sh të përdorur”.

Në dhjetor 2009 ishte nënshkruar kontrata dhe ende pa kaluar afati i ankesës ishte bërë kërkesë për pajisje të teknologjisë informative.

Paisjet teknologjike të pranuara menjëherë pas shpalljes së fituesit të tenderit në fakt duhet të pranoheshin përgjatë afatit kohor prej 12 muajsh.

Lidhur me këtë tender akuzohet vetëm drejtori i prokurimit Besnik Dërmaku. Ai ka mohuar këtë akuzë. “Drejtori i prokurimit, pas njoftimit të ofertuesve për fitimin e tenderit, nëse mendon që nuk do të ketë ankesa, mund të nënshkruaje kontratën dhe kjo ka ndodhur për shkak se është mbyllur viti kalendarik i thesarit”.

Vonesa e paarsyetuar 105-ditëshe e kompanisë Lesna.

 

Më 12 qershor 2011 ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi kishte promovuar objektin për dëshmitarë të mbrojtur të dënuar në Dubravë. 

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se projekti ka kushtuar “tre milionë euro” dhe se “plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”. 

 Gjatë procesit të tenderimit, kompania Lesna kishte bërë ofertën më të shtrenjtë për ndërtimin e këtij objekti prej 626 mijë e 969 eurosh dhe prapë kishte fituar tenderin.

Ministria e drejtësisë kishte shpërblyer kompaninë Lesna me tender për shkak se “kishte ofruar planin dinamik me afatin më të shkurtër për ndërtimin e këtij objekti”, sipas aktakuzës.

Lesna kishte premtuar se objektin do ta përfundonte brenda gjashtë muajsh, por ishte vonuar për 105 ditë pune. 

Vonesat ishin arsyetuar për shkak të “kushteve atmosferike apo festive të ndryshme dhe vikendeve”.  

Ditët e punës ishin shënuar në ditarin e punës në mënyrë të rrejshme nga Agim Beqiraj i cili punonte në Lesna dhe në këtë rast akuzohet për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

“Ka pasur raste kur për shkak të kushteve atmosferike punëtorët kanë hyrë për të punuar, por nuk kanë pasur mundësi që të punojnë…”, ka deklaruar Beqiraj në prokurori, në nëntor të vitit të kaluar.

Dërmaku i prokurimit e ka arsyetuar vonesën duke thënë se “ burgu nuk ka i ka lejuar punëtorët që të futen brenda territorit të burgut për të punuar”. “Këtë ma ka thënë Shkëlqim Osmani”, shtonte ai.

Ajo çfarë zyrtarë të Lesnës dhe Ministrisë së Drejtësisë nuk dinin ishte se gjatë ndërtimit të këtij objekti mbahej një ditar ku shënoheshin hyrje-daljet e secilit person në ndërtesë.

Kur prokurori krahasoi ditët e punës që deklaroheshin nga Lesna dhe të dhënat e ditarit të burgut të Dubravës doli që “punëtorët e kësaj kompanie kishin punuar gjatë atyre ditëve [“ditëve të festive”].

Pra Lesna ka premtuar të kryejë ndërtimin brenda 180 ditësh, por nuk kishte arritur të bënte një gjë të tillë. Sipas tyre, objekti do të përfundohej sikur të mos ishin festat dhe problemet atmosferike, por prokurori ka gjetur evidenca që dëshmojnë që ishte punuar edhe gjatë atyre ditëve.

Sipas kontratës, Lesna duhej të penalizohej për këtë vonesë por përgjegjësi ministror Besnik Dermaku asnjëherë nuk mori vendim për të dënuar këtë kompani për vonesat e bëra.

“Më ketë rast i është shkaktuar dëm ministrisë së drejtësisë…në shumën prej 220 mijë e 595 eurosh”, shkruan aktakuza.

Lidhur me këtë ndërtim edhe Shkëlqim Osmanaj, ekspert në kompaninë Vizion Projekt nga Prishtina që ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e ndërtimit, akuzohet se ka keqpërdor autorizimet në ekonomi kur kishte raportuar “se puna… [në projekt] është duke u kryer sipas planit dinamik” dhe se “nuk kishte pengesa”.

Fitoi tender pa dokumentacion të kompletuar

Një ndërtesë tjetër ishte promovuar nga ministria e drejtësisë vetëm katër muaj para objektit për mbrojtjen e dëshmitarëve të mbrojtur në Dubravë

Objekti ishte promovuar nga kryeprokurori Ismet Salihu dhe sekretari permanent i MD-së Sylejman Sopa.

Sipas prokurorit Besim Klemendi, edhe gjatë dhënies së këtij tenderi zyrtarë të MD-së kanë bërë veprime kriminale.

Vlera e kontratës të cilën kompania Getoari & Dreni Inginiering e ka nënshkruar më 5 maj 2009 është 936 mijë e 333 euro.

Tenderin për ndërtimin e objektit të prokurorisë së qarkut dhe komunale në Prizren e kishte fituar kompania Getoari & Dreni Inginiering nga Skenderaj edhe pse dokumentacioni nuk ishte i plotë.

Kjo kompani, sipas prokurorisë speciale, nuk përmbante kodet e veprimtarisë. Kodet e veprimtarisë që tregojnë se çfarë veprimtarie ushtron një kompani lëshohen nga ministria e tregtisë dhe industrisë dhe kërkohen me ligjin për prokurim publik.  

Dërmaku në prokurori kishte deklaruar se “besonte” që kjo kompani kishte kodet e veprimtarisë.

Kompania, përveç që nuk kishte kodet e veprimtarisë, ishte vonuar në kryerjen e punëve rreth objekteve.

Projekti, sipas kontratës, duhej të kryhej brenda 100 ditësh. Prokuroria ka gjetur se “ky operator ekonomik kishte vonesa jashtë afatit kontraktues së paku 200 ditë pune”.

Naim Besimi, pronari i kompanisë Getoari, ka deklaruar në prokurori se vonesa ka ndodhur për shkak se objekti i paraparë ka qenë më i madh se toka. “…e kemi njoftuar investitorin se nuk mund të fillojë ndërtimi për këtë arsye”. 

 As për këto vonesa, drejtori i prokurimit në MD nuk kishte penalizuar këtë kompani, ashtu siç obligohej me ligj.

Dëmi i shkaktuar me këtë kontratë konsiderohet të jetë 93 mijë e 633 euro. 

Edhe në këtë tender i pandehuri Shkelqim Osmani akuzohet se keqpërdori autorizimet e tij ekonomike kur raportoi se nuk kishte vonesa në realizimin e projektit, sipas aktakuzës.

Furnizimi me automjete

Më 8 qershor 2010 Ministria e Drejtësisë kishte nënshkruar kontratë me kompaninë Auto Kaqandolli në vlerë prej 227 mijë e 900 euro.

Operatori ekonomik, sipas këtij tenderi, duhet të ofronte 20 vetura me kubikazh 1.4 të cilat duhej të ishin të zeza.

Auto Kaqandolli kishte ofruar vetura Suzuki Sfift me kubikazh 1.3. Pra kompania kishte sjellë automjete të tjera ndërsa drejtori i prokurimit i kishte bërë presion komisionit për pranim brenda MD-së që të pranonin automjetet. 

“Unë kam kërkuar të pranohen [veturat]…”, ka deklaruar Dërmaku në prokurori, “në bazë të konsultimit me komisionin për vlerësim”.

Veturat e Auto Kaqandollit nuk ishin të zeza por të bardha. Kështu ishin ofruar nga kompania, në kundërshtim me dosjen e tenderit.

Sipas dosjes së aktakuzës, Dërmaku nuk është përgjigjur direkt në pyetjen për ngjyrën e veturave por vetëm kishte deklaruar se “kështu ka qenë në ofertë”.

Ndërkaq e akuzuara tjetër, Hidajate Sadiku, gjatë dëshmisë së saj ka thënë: “Unë nuk kam marrë vendim lidhur me procedurën e prokurimit pa u konsultuar me drejtorin”.

“Bindja ime është se anëtarët e komisionit janë vetëm këshillëdhënës… dhe ai [drejtori] vendos a me i aprovu apo mos me i aprovu”, thuhet në deklaratën e Sadikut.

Naim Krasniqi ishte po ashtu anëtar komisioni në tenderin e veturave. Ai ishte zyrtar transporti dhe vozitës personal i ish sekretarit të MD-së Florian Dushi. Dushi nuk është i akuzuar. 

Ai ka deklaruar në prokurori se “përveç kubikazhës pothuajse 90 për qind ka qenë në rregull”.

Krasniqi kishte nënshkruar raportin përfundimtar që lejonte Auto Kaqandollin që të fitonte tenderin.

“Ndoshta u tregova naiv dhe i besova drejtorit të prokurimit Besnik Dërmaku dhe zyrtares së prokurimit Hidajete Sadiku.

Toneri që nuk ekzistonte fare

Më 2009 ministria e drejtësisë kishte hapur tender për furnizim me tonerë (ngjyrë për printer).  Në panelin vlerësues për tenderë merrnin pjesë Artan Iberhysaj, Drenushe Fazliu dhe Hidajete Sadiku. 

Drejtori i prokurimit, Besnik Dërmaku akuzohet se ka ushtruar presion ndaj Iberhysajt dhe Fazliut.

“I pandehuri Besnik Dermaku u ka bërë presion anëtarëve të komisionit vlerësues…duke ua hudhur letrën në të cilën shkruante emri i operatorit ekonomik ‘Albus’” thuhet në aktakuzë. 

Gjatë marrjes në pyetje, më 20 maj të këtij viti, ai kishte deklaruar se nuk ishte prezent gjatë vlerësimit të  tenderëve.

Mirëpo, kur prokurori e ka ballafaquar atë me deklarimet e të pandehurve tjerë të cilët në prokurori kishin treguar se ishin vënë në presion nga Dermaku, ai kishte thënë se “kjo është e papranueshme, e pavërtetë”.

Duke u përgjigjur në pyetjen tjetër të prokurorit se pse anëtarët e komisionit kanë thënë që Dermaku ka bërë presion përmes një letre ai është përgjigjur se “qëllimi i tyre [anëtarëve të komisionit vlerësues] ka qenë që të rrisin [të ngriten] pozitën e tyre pasi që unë jam i suspenduar”.

Sipas kontratës, ministria e drejtësisë duhej të furnizohej nga Albusi me dy lloj tonerësh që mbanin kodin “laserjet p1005/1006 cb435 përkatësisht laserjet p1005/1006 cb436”. E para kushtonte 11.50 euro ndërsa e dyta 63 euro.

Toneri me çmimin me të lirë nuk ekzistonte por ishte përmendur në dokumentacionin e tenderit në mënyrë që Albusi ta fitonte atë.

Ky toner “nuk ekzistonte fare sipas të pandehurit Kushtrim Muqolli”, thuhet në aktakuzë.

Muqolli është përfaqësues i Albusit, i cili poashtu është i akuzuar nën dyshimin se ka keqpërpodrë autorizimet në ekonomi.“… [Kushtrim Muqolli] ka ofruar apo prezantuar ofertë të rreme… për ta fituar tenderin”

Kompania Albus dhe pronari i tij Halim Muqolli nuk ishin njerëz të panjohur për drejtorin e prokurimit Besnik Dërmaku. 

“Po e kam njohur [Halim Muqollin] dhe ndonjëherë kam pirë kafe me të” ka deklaruar Dërmaku në prokurorinë speciale të Kosovës. 

Duke e ditur se ky toner nuk ekzistonte, menjëherë pas dhënies së kontratës kompanisë Albusi i cili e ka nënshkruar atë më 11 nëntor 2009, Hydajete Sadiku së bashku me drejtorin e saj Besnik Dermaku ishte siguruar që ky toner të mos kërkohej fare nga ministria e drejtësisë.

Të dytë kishin “njoftuar njësitë kërkuese në ministrinë e drejtësisë se mund të porosisin vetëm tonerin me çmimin prej 63 eurosh…”

Sadiku, shkruan organi i akuzës, ka deklaruar se listën e gjërave që zyrtarët e ministrisë mund të kërkonin nga kompania e kishte hartuar Besnik Dermaku. “Unë nuk e kam hartuar atë listë”.

Përgjatë zbatimit të kontratës ministria e drejtësisë asnjëherë nuk ka pranuar tonerin që kishte çmimin më të lirë.

Me këtë veprim të paligjshëm, prokuroria akuzon Dermakun dhe Sadikun se kanë dëmtuar buxhetin e ministrisë së drejtësisë për 10 mijë e 80 euro.

Dërmaku ka mohuar në tërësi akuzat ndërsa prokuroria bazon akuzën edhe në disa sms të shkëmbyer në mes të tij dhe Halim Muqollit.

“Shef jam në Stamboll e jom met pa pare. Kushtrimi më tha që ta ka qu një faturë nja 5.000 Euro. Please ngute diqysh urgjent se na e shpëton jetën”. 

Dërmaku ka deklaruar se “nuk më kujtohen [sms-të]… ”. Njëjtë ka deklaruar edhe Halim Muqolli.

Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka caktuar seancë gjyqësore. Rreth 20 dëshmitarë pritet të dëshmojnë në këtë rast dhe një listë e gjatë dokumenteve që kanë të bëjnë kryesisht me tenderë janë propozuar si prova.