I Persekutuar Apo Jo Krejt Naiv?

Korab Sejdiu, 35, kishte shkuar në shtetet e bashkuara si gjashtëmbëdhjetë vjeçar për t’iu shmangur shërbimit ushtarak të ish-Jugosllavisë. 

Atje kreu studimet bachelor në drejtimin biznes ndërkombëtar, bëri studime shtesë që i dhanë titullin Juris Doctor dhe qëndroi rreth trembëdhjetë vjet.

Sejdiu u kthye në Kosovë më 2007 që kur ka mbajtur pozita të rëndësishme – si këshilltar i Presidentit, profesor asistent në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës, avokat dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

“Jam kthyer nga Amerika për t’i ndihmuar këtij vendi”, thotë ai. 

Do të shihej shpeshherë në media përkrah presidentit Fatmir Sejdiu, të cilin e këshilloi për tri vjet që nga 2008-ta si pjesë e projekteve ndërkombëtare për asistim të institucioneve publike. Me ish-presidentin nuk ka lidhje familjare.

Në fakultetin juridik për katër vjet, shkurt 2010 deri në qershor të këtij viti, ligjëroi në studimet bachelor dhe master lëndë nga e drejta tregtare. Fakulteti juridik pranon rreth njëmijë studentë çdo vit.

Si avokat ka përfaqësuar ndër të tjera ish-presidentin Fatmir Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese kur u akuzua se po bënte shkelje të Kushtetutës duke mbajtur pozitën e shefit të shtetit dhe të kryetarit të partisë, ish kryetarin e Ferizajt Bajrush Xhemajli që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në rastin e aksidentit në komunikacion ku mbeti i vdekur një i ri, dhe tash mbron kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku që vjen po ashtu nga PDK-ja në një rast ku dyshohet se ka kryer krime lufte.

Por i riu që i hyri furishëm skenës publike, këtë qershor nuk aplikoi për t’u rizgjedhur profesor asistent në UP. 

Po atë muaj, Ministria e Arsimit ia llogariti gradën që ka fituar gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “jurist i diplomuar” dhe jo si “doktor i jurispundencës”. 

Grada doktor shkence ishte kriter ligjor për të ushtruar profesionin e profesorit dhe të avokatit në rastin e Sejdiut.

Korab Sejdiu thotë se e tërë fushata kundër tij ka prapavijë politike.

MASHT dhe Fakulteti: Juris Doctor ekuivalent me Jurist i Diplomuar

Korab Sejdiu ka nostrifikuar diplomën amerikane më 6 qershor 2013 ani pse kishte aplikuar nëntë muaj më parë, më 19 tetor 2012. 

Nostrifikimi i diplomës së tij është dashur të përfundonte më së largu në muajin shkurt të këtij viti.

“Procedura për shqyrtimin e kërkesës për njohje ose vlerësim të diplomave të fituara jashtë vendit në asnjë rast nuk do të zgjasë më shumë se katër muaj…”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 10 të udhëzimit administrativ për njohjen e diplomave.

Vlerësimi dhe njohja e diplomave të fituara jashtë vendit bëhet nga Këshilli Kombëtar për Njohje që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit. 

“Z.Korab Sejdiu i njihet grada profesionale ‘Juris Doctor’, studime trevjeçare fituar në Widener University”, thuhet në vendimin e këtij këshilli. 

Mirëpo, sipas arsyetimit në këtë vendim, Këshilli Kombëtar për Njohje ka vendosur që kjo gradë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlerësohet si studime të doktoraturës. 

“Programi i studimeve është trevjeçar dhe shkalla e doktorit të jurispundencës në Shtetet e Bashkuara nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesionale por më tepër si një shkallë e parë profesionale”.

“Shkalla e doktorit të jurispundencës në ShBA nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesional” MASHT

Vendimi i nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar për Njohje Bekim Samadraxha dhe sekretari i MASHT-it Xhavit Dakaj është nxjerrë pasi Sejdiu i kishte drejtuar një letër Dakajt më 5 qershor duke i kërkuar që lënda e tij të procedohej urgjentisht meqenëse kishte kaluar afati ligjor.

Përpara se të marrë vendim, Këshilli për Njohje bazohet në mendimin që ofron komisioni i ekspertëve që përbëhet nga tre anëtarë të cilët janë përfaqësues akademikë dhe një përfaqësues i Naric-ut.

Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik e Njohur si Naric formon komisionin e ekspertëve dhe sigurohet që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin e duhur. 

Zyrtarë të kësaj qendre kanë përgjegjësinë që të verifikojnë diplomat duke kontaktuar me universitetet jashtë vendit dhe gjithashtu konsultohen me anëtarë të rrjetit të Naric jashtë Kosovës lidhur me vlerësimin e diplomave.

Rrjeti Naric që vepron në Europë është themeluar nga Komisioni Europian më 1984. Më 2008 me vendim të ministrit të arsimit Enver Hoxhaj është hapur një zyre e saj edhe në Kosovë. Naric bashkëvepron me rrjetin Enic që po ashtu bën vlerësimin e diplomave.

Gjithashtu komisioni i ekspertëve i përbërë nga profesorët e fakultetit juridik Abdulla Aliu dhe Mejdi Bektashi dhe përfaqësueses së ministrisë së arsimit Gjylbehari Llapi, një ditë para këtij vendimi, i kishte rekomanduar Këshillit për Njohje që Sejdiut t’i njihej grada “Jurist i Diplomuar”. 

“I propozohet Këshillit Kombëtar për Njohje që kandidatit t’i njihet grada si e barasvlershme me gradën ‘jurist i diplomuar’ e cila fitohet në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”, shkruan në vendimin e komisionit të ekspertëve që mban datën 5 qershor.

I pakënaqur me vendimin, Sejdiu ka ushtruar ankesë në komisionin e ankesave të MASHT-it kundër vendimit që gradën Doctor Juris e llogarit si Jurist i Diplomuar.

Në ankesën e bërë rreth dy javë pas vendimit të Këshillit për Njohje, Korab Sejdiu ankohet për “konstatim të gabuar të gjendjes faktike” dhe “trajtim të pabarabartë para ligjit”.

Sejdiu ankohet se Këshilli me arsyetimin e vendimit se “shkalla e doktorit të jurispundencës në Shtetet e Bashkuara nuk është konsideruar si një shkallë e “doktoraturës profesionale” bën “tentativë për të degraduar këtë shkallë”. 

“Shihet qartë që Këshilli nuk është bazuar në të dhënat e dërguara nga unë dhe organi kompetent në SHBA”.

Juris Doctor: Interpretime të universiteteve 

Zyrtarët e Naric-ut para se të marrin vendim rreth njohjes së gradës kontaktojnë me universitetin që ka lëshuar diplomën.

Zyrtarja Tamara L. Graham nga Widener University, ku është shkolluar Sejdiu, i ka drejtuar Qamile Sinanajt, i ka shkruar kryesueses së qendrës Naric për Kosovë në lidhje me rastin. 

Letra e dërguar më 15 nëntor 2012, rreth një muaj pasi Sejdiu kishte aplikuar për nostrifikim, konfirmon se Sejdiu ka diplomuar në Widener University dhe mban titullin Juris Doctor.

Mirëpo, universiteti në këtë letër ka ofruar edhe një shpjegim për titullin. Atë e konsideron si gradë “profesionale”.

“Grada Juris Doctor konsiderohet si gradë profesionale nga American Bar Association dhe do të klasifikohej si grada e tetë e Korinzës Europiane për Kualifikim”, thuhet në letrën e Widener University.

American Bar Association është organizatë vullnetare amerikane e themeluar më 1878 me rreth 400 mijë anëtarë e cila merret me akreditimin e shkollave juridike, krijon modele të kodit të etikës dhe mbështet anëtarët e saj në zhvillmin e profesionit ligjor të tyre. 

Sipas Korinzës Europiane për Kualifikim, që është sistemi referues europian i cili ndërlidh sistemet kualifikuese të arsimit në shtetet të ndryshme, grada tetë është grada me e lartë. 

Korniza, sidoqoftë, nuk përmend grada si bachelor, magjistraturë ose doktoraturë por jep sqarim të përgjithshëm për njohuritë, aftësitë dhe kompetencat që mund të fitohen gjatë edukimit arsimor. 

Ministria e Arsimit qëndron prapa vendim të saj.

“Sipas informatave të marra nga ShBA-të, vlerësimit të Komisionit të Ekspertëve dhe vendimit të Këshillit Shtetëror për Njohje, grada Juris Doctor është gradë e parë profesionale në drejtësi, pra nuk është gradë shkencore ose doktoratë shkencore”, thotë këshilltari politik i ministrit, Arbër Morina. 

Gazeta ka kontaktuar me disa qendra të Naric-ut jashtë Kosovës dhe fakultete juridike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Bazuar në të dhënat e mbledhura nuk ekziston një standard i njëjtë për vlerësimin e gradës Juris Doctor. Në Europë dhe SHBA kjo gradë konsiderohet si gradë bachelor, master, gradë profesionale por edhe doktoraturë profesionale. 

Për Yale University dikush që mban gradën Juris Doctor mund të ligjërojë në universitetet e SHBA-së

Asnjë nga institucionet nuk shprehet se Juris Doctor është doktoraturë shkencore.

Në Finlandë, bazuar në të dhënat e ofruara nga Bordi Kombëtar për Edukim i Finlandës, Juris Doctor konsiderohet si bachelor ose gradë e parë e studimeve.

Këshilltarja e lartë e këtij bordi, Saara Louko, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se “sipas informatave që kemi pranuar nga autoritetet amerikane rreth gradës Juris Doctor, kjo është gradë e shkallës së parë (nivel i bachelorit) e cila ofron qasje në studime të magjistraturës”.

Por, shton Louko, aplikacionet për njohjen e kualifikime të huaja janë personale dhe ato vlerësohen individualisht, rast për rast. 

Në Kroaci, grada Juris Doctor konsiderohet si studime magjistrature ose “niveli i dytë” në arsimin e lartë.

Enic/Naric i Kroacisë konsideron se Juris Doctor i lëshuar nga Widener University School of Law është ekuivalent me nivelin e dytë të arsimit të lartë në Kroaci pasi që kërkesë për t’u regjistruar në këtë shkollë është grada e bachelorit, thotë Lida Lamza nga Agjensioni Kroat për Shkencë dhe Arsim të Lartë. 

Sipas standardeve të Georgetown Law University, universitet në SHBA, Juris Doctor është doktoraturë profesionale. 

“Juris Doctor është doktoraturë profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gradë u lejon juristëve që të aplikojnë në provimin e jurispundencës”, thotë Alison M. Spada, drejtoreshë e departamentit për pranimin e studentëve në programin Juris Doctur në Georgetown Law University.

Ajo shpjegon për gazetën se PhD, apo S.J.D siç njihet në SHBA, është gradë më e lartë, e cila zakonisht ndiqet nga ata që planifikojnë të ligjërojnë lëndë juridike në shkolla juridike. 

Ndërsa për Yale University dikush që mban gradën Juris Doctor mund të ligjërojë në universitetet e SHBA-së.

“J.D është dikush që ka përfunduar studimet bachelor. Është program studimi trevjeçar”, thotë Kaitlin Thomas Orfitelli nga zyra për informim e Yale University.

Sipas zyrtares Ofritellit, shumica e profesorëve në Shtetet e Bashkuara kanë J.D dhe nuk kanë gradë tjetër. “Me gradën J.D personi është i kualifikuar të ligjërojë në shkollat amerikane juridike”.   

Edhe në universitetin Harward ka mësimdhënës me kualifikim J.D.

Në Columbia University që po ashtu ofron studime juridike, në një shpjegim ne faqen në internet, thuhet se Juris Doctor “është grada e parë postuniversitare që ofrohet në SHBA. Pas përfundimit të provimit të jurispundencës, personat që mbajnë J.D kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin e avokatit”. 

Titulli “Profesor Asistent” e liroi nga provimi i jurispundencës

Sejdiu në vitin 2010 është licensuar si avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës. 

Kontrata prej profesori Sejdiut i ka skaduar në qershor të këtij viti.

“Nuk jam tërhequr por kur ka ardhur koha për rizgjedhje unë nuk kam aplikuar”, thotë Sejdiu. “Shkaku është se është rritur puna në kompani [firmën juridike]”.  

Mirëpo në letrën drejtuar sekretarit të MASHT-it Xhevat Dakaj, më 5 qershor, shihet se Sejdiu planifikonte të aplikonte përsëri për pozitën e profesor asistentit.

Sejdiu, përmes letrës, kërkonte urgjentisht nga MASHT-i që të bëhej nostrifkimi i diplomës pasi që mungesa e saj i rrezikonte “humbjen e vendit të punës” në kohën kur sapo ishte shpallur konkurs për rizgjedhjen e tij në fakultet.

Konkursi ishte i hapur deri më 11 qershor 2013, bazuar në këtë letër. 

“Ky mosveprim… ka potencial që brenda shumë pak ditëve të më shkaktojë dëm jashtëzakonisht të madh”, shkruan Sejdiu.

Por si u emërua Korab Sejdiu profesor asistent?

Sejdiu thotë se në vitin 2008, një vit pasi ishte kthyer nga SHBA, ka pranuar një ftesë nga Enver Hasani për të ligjëruar në UP. 

“Në këtë kohë fillova të njoftohem me njerëz dhe në një rast u afrua Enver Hasani e më ftoi që të jap mësim në UP. Ai më pyeti nëse jam i interesuar që të ligjëroj të drejtën ekonomike”.

Enver Hasani, që tash është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth angazhimit të Sjediut si profesor asistent. Në atë kohë, Hasani ishte rektor i Universitetit të Prishtinës. 

“Më tha vetëm ma sjell diplomën dhe disa dokumente, si certifikata e lindjes dhe unë ia kam dhënë” tregon Sejdiu.

Rreth një vit më pas, më 21 maj 2009, vetë Hasani kishte nënshkruar vendimin që punësonte Korab Sejdiun si profesor asistent. Sejdiu mbajti këtë pozitë për rreth katër vjet.

Në pjesën e arsyetimit thuhet se UP-ja ka shpallur konkurs për zgjedhjen e një mësimdhënësi për lëndët e drejta ekonomike dhe e drejta ndërkombëtare ekonomike në Fakultetin Juridik. 

Sejdiu nuk ka qenë i informuar për këtë konkurs. “Unë nuk e di a ka pasur konkurs dhe ndoshta edhe ka pasur konkurs, por nuk e di”.

“Thjesht unë kam marrë ftesë dhe nuk kam aplikuar në ndonjë konkurs që e kam parë personalisht. Personalisht ia kam dorëzuar dokumentet e mija në dorë Enver Hasanit në 2008”, shtoi ai.

Statuti i Universitetit të Prishtinësqë gjendet në faqen zyrtare të tij, në paragrafin e parë të nenit 177, thotë se profesor asistent kualifikohet personi që ka gradën e doktorit të shkencës.

“Nuk është PhD. Kurrë s’kam thënë që është PhD. Kudo që nënshkruhem ose e qes ‘J.D’ ose ‘Dr.Jur’”. Korab Sejdiu

“Nuk është PhD. Kurrë s’kam thënë që është PhD. Kudo që nënshkruhem ose e vendos ‘J.D’ ose ‘Dr.Jur’”.

Në vendimin për zgjedhjen e Sejdiut si profesor asistent të nënshkruar nga Hasani shkruan: “Dr. Korab Sejdiu zgjedhet profesor asistent…”. 

Dr. është parashtesë që përdoret për personat që kanë përfunduar doktoraturë shkencore – PhD.

“Vendimin që jam emëruar profesor asistent e kam marr tash në qershor, pasi që u bë e madhe kjo puna ime. As që e kam ditur që ata [Universiteti] në 2009-ën e paskan pas marr këtë vendim”, thotë Sejdiu.

Neni 173 i Statutit të Universitetit të Prishtinës parasheh se emërimet e stafit akademik bëhen në “mënyrë transparente me shpalljen e konkursit publik”.  

Vendimi i Hasanit për të punësuar Sejdiun si profesor asistent në fakt ishte vendosur një vit më parë nga senati, përkatësisht më 22 korrik 2008. Aty nuk jepet ndonjë sqarim pse vendimi është nënshkruar nga Hasani rreth një vit pas vendimit të Senatit.

I pyetur nga gazeta pse nuk është siguruar që të zbatojë procedurën e rregullt të aplikimit në UP, Sejdiu thotë: “Në rastin tim, mendoj që më shumë është punë naiviteti. Është naivitet që nuk i kam këqyr këto sene qysh në fillim”.

“Unë i kam dhënë dokumentet për një vend pune dhe përgjegjës nuk jam unë që po aplikoj”, shtoi ai.

Korab Sejdiu nuk e ka të kryer provimin e jurispundencës, por megjithatë që nga maji i viti 2010 ka licencë avokati.

Një vit pasi kishte filluar të jepte mësim, Sejdiu kishte aplikuar për licencën e avokatit e cila merret në Odën e Avokatëve të Kosovës.

“Jam nis prej dy aspekteve, një që kam provuar diçka që ligji ma ka lejuar dhe dy fakti që kam ligjëruar në atë kohë nuk më ka bërë të dyshoj nëse Oda do të ma pranoj përgatitjen time”, thotë Sejdiu.

Oda e Avokatëve thotë se Korab Sejdiu është avokat i regjistruar në OAK me vendimin e Bordit Drejtues të datës 4 maj 2010. 

Ligji për avokatinë kërkon që kandidatët për t’u regjistruar si avokat duhet të ketë të kryer provimin e jurispundencës. 

“Pas daljes në publik të kontestimit të gradës së studimeve Oda e Avokatëve do ta diskutojë licencën e Sejdiut në mbledhjen e bordit në shtator” Yll Zeka

Ndërsa ligji për jurispundencën që ishte në fuqi në kohën e emërimit të Sejdiut licenconte kandidatët që me sukses kishin kryer provimin që përfshin rreth 15 lëndë.

Ky ligj parashihte një përjashtim.

Provimi i jurispundencës iu pranohej të gjithë atyre juristëve që kanë arritur gradën “magjistër apo doktor shkence nga lëmi i drejtësisë” pa pasur nevojë t’i studiojnë rreth 15 lëndë juridike. Në versionin anglisht të këtij ligji nuk përmendet doktor shkence por vetëm doktor. 

Gazeta ka gjetur se ekzistojnë dy versione të këtij ligji edhe në gjuhën shqipe. Në Kuvendin e Kosovës figuron ligji me nenin që lejon provimin e jurispundencës për personat që kanë arritur gradën magjistër apo doktor shkence. Mirëpo, në gazetën zyrtare të Kosovës i njëjti ligj që mban numër dhe datë të njëjtë të hyrjes në fuqi nuk e ka paragrafin 4 të nenit 3 që mundëson të drejtën e avokatit nëse personi ka titullin magjistër ose doktor shkence. 

Oda e Avokatëve nuk e kishte parë të arsyeshme të verifikonte doktoraturën e Sejdiut pasi që ishte bazuar në faktin që ai tashmë punonte si profesor asistent për të cilën pozitë nevojitej titulli doktor shkence.

“Përgatitja ‘Juris Doctor’ dhe fakti që ai ka ligjëruar në UP nuk e ka bërë bordin të dyshojnë që grada e tij mund të jetë e kontestueshme”, thotë Ylli Zeka drejtor i Odës së Avokatëve.

Fillimisht Zeka gjatë intervistës u shpreh: “Më duket se ai [Korab Sejdiu] ka PhD…”.

Por tash pas daljes në publik të kontestimit të gradës së studimeve Oda e Avokatëve do ta diskutojë licencën e Sejdiut në mbledhjen e bordit në shtator, shtoi ai.

“Kam aplikuar dhe mendoja me hy në provim të jurispundencës. Por pasi provova mos po pranohet J.D-ja dhe u pranua [nuk pata nevojë me hy në provim]”, thotë Sejdiu. 

“Javën e kaluar kam njoftuar Odën e Avokatëve për vendimin e MASHT-it dhe u kam treguar që jam në procedurë të ankesës”, shtoi ai.

Sejdiu në Amerikë i është nënshtruar me sukses tri herë provimit të jurispundencës dhe ka fituar të drejtën të ushtrojë profesionin e avokatit në New York, New Jersey dhe Pennsylvania. 

Fajëson “veglat e PDK-së”

Ish-profesori i Fakultetit Juridik të UP-së pretendon se e “tërë fushata” kundër tij është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Këtë ma kanë bërë veglat e PDK-së”, thotë Sejdiu. Kështu ai kishte deklaruar edhe për gazetën “Zëri” më 3 gusht në shkrimin me titull “Sejdiu ia ‘sheh sherrin’ Isës”. 

Ai beson se lidhja me LDK-në dhe kritikat që i ka bërë menaxhmentit të UP-së janë dy arsyet kryesore pse nuk e duan në fakultet.

Korab Sejdiu është anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, organi i cili në hierarkinë e kësaj partie vije menjëherë pas Kryesisë. 

Në fillim të këtij viti emri i tij është lakuar edhe si kandidat i mundshëm i kësaj partie për Kryetar të Prishtinës, pozitë që ushtrohet që dy mandate nga kryetari aktual i LDK-së Isa Mustafa.

Sejdiu thotë që ai vetë nuk ka qenë në dijeni për propozimin për të parin e kryeqytetit kosovar. 

Në “Facebook” ende ekziston faqja me emrin “Korab Sejdiu për Kryetar të Prishtinës” e hapur më 14 prill 2013 dhe ka mbi 3400 ndjekës.

“Nuk ma marrë mendja që të kandidohem për kryetar të Prishtinës. Nuk mund të jetoj me 800-900 euro sa paguhet kryetari i komunës”, thotë Sejdiu. Ai thotë se ende paguan kredinë e shkollimit në Amerikë.

Një arsye tjetër është momenti kur Sejdiu kishte kritikuar menaxhmentin e Fakultetit Juridik për mosofrimin e kushteve për mësim në një konferencë të organizuar nga studentë të Fakultetit Juridik në fillim të këtij viti.

“Unë aty e kam bërë ‘gabimin’ dhe e kam fajësuar menaxhmentin e universitetit për mungesë të kushteve elementare për punë studimore…përfshirë mungesën e nxemjeve dhe kabineteve për profesorë”, thotë Sejdiu.

Për deklaratat e tij në këtë konferencë është kritikuar nga prodekani i fakultetit juridik Mejdi Bekteshi. 

“Kur shkova në dekanat për t’i dorëzuar disa lista me emra të studentëve Mejdi Bektashi më tha që ‘s’është mirë me sha shtëpinë tënde’ dhe unë i thashë që ‘nuk e kam sharë por vetëm kam treguar atë që është’”, thotë Sejdiu.

“Nuk ma marrë mendja që kandidohem për kryetar të Prishtinës. Nuk mund të jetoj me 800-900 euro sa paguhet kryetari i komunës” Korab Sejdiu

Bektashi ka konfirmuar për gazetën se kjo bisedë ka ndodhur në dekanat. “Të gjithëve u them të mos e kritikojnë shtëpinë ku hanë, por le të bëjnë diçka për të ndryshuar gjendjen”.

Prodekani Bektashi thotë se ky moment nuk ishte përplasje me Sejdiun.

Mejdi Bektashi është një ndër personat që Sejdiu e sheh si “vegël” të PDK-së në Fakultetin Juridik.

Bektashi pranon të ketë qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës deri sa është zgjedhur kryetar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. http://www.bqk-kos.org/?cid=1,20&offset=0

Por ai nuk ka pranuar të komentojë akuzat e Sejdiut.

Sejdiu akuzon edhe profesorin Abdulla Aliu, i cili ligjëron lëndën e së drejtës civile në Fakultetin Juridik, si “vegël” e PDK-së.

Aliu nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës drejtuar në emailin e tij zyrtar që figuron në faqen e Universitetit të Prishtinës.

Aliu është anëtar i komisionit të ekspetëve të MASHT-it që udhëheqet nga Ramë Buja nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ata [Bektashi dhe Aliu] i zbatojnë krejt urdhrat që lypen prej tyre të zbatohen në favor të PDK-së në pozitat ku janë në Fakultetin Juridik dhe përfitojnë nga PDK-ja”, thotë Sejdiu. 

Zëdhënësi i PDK-së Blerand Stavileci nuk është përgjigjur i pyetur në lidhje me këtë koment të Sejdiut.

Gradat “shoshiten” vetëm nga 2012-ta

Kur Sejdiu kishte filluar të ligjëronte, fakulteti juridik e as Mnistria e Arsimit nuk kërkonin nga stafi akademik dëshmi që tregojnë se çfarë vlere kishin diplomat e fituara jashtë vendit.

“Në kohën përkatëse (vitet 2009-2010 kur u pranua në punë Korab Sejdiu), universiteti nuk ka kërkuar ofrimin e dëshmive për njohjen e barasvlerës së diplomave të fituara jashtë”, thuhet në përgjigjet e Fakultetit Juridik të UP-së.

Sipas tyre, kjo kërkesë është arritur vetëm në momentin kur Ministria e Arsimit dhe më pas organet drejtuese të Universitetit u kanë kërkuar të gjithë anëtarëve të personelit akademik që posedojnë diploma të fituara në universitetet jashtë Kosovës, që të ofrojnë dëshmi të barasvlerës së atyre diplomave me diplomat e kërkuara për pozicionet përkatëse.

Edhe në Ministrinë e Arsimit nuk kërkohej njohja e diplomës. “Vlerësimin dhe pranimin e gradave apo të stafit mësimdhënës e ka bërë vetë stafi udhëheqës i universitetit”, thotë Arbër Morina, shef i kabinetit të ministrit.

“Vetëm në vitet e fundit, me kërkesë të MAShT-it, çdo i punësuar apo kandidat për punësim në institucionet publike të Republikës së Kosovës duhet ta ketë vendimin për njohjen e diplomës…”. 

Në Kosovë vlerësohet në vazhdimësi se institucionet arsimore kanë nevojë për kuadro dhe ministria paguan për një program të “kthimit të trurit”.

Dhjetëra juristë e individë tjerë të shkolluar jashtë vendit kanë refuzuar të flasin për rastin e Sejdiut. 

Një avokat i mirë mund të jetë persekutuar dhe studentët të jenë privuar nga përvoja e tij (me këtë titull ka mësimdhënës që ligjërojnë në Yale dhe Harward, ndër universitetet më të njohura), por Sejdiu gjithashtu do të duhej të shikonte procedurat – së paku po punësohej në një fakultet ku procedurat mësohen.