Deklarata Publike Që Çoi Tetë Persona në Burg

Një mësues gjeografie po mbante letërnjoftimin në duar për të dëshmuar identitetin e tij para mediave dhe po rrëfente se kishte vrarë vetë një njeri dhe kishte marrë pjesë në shumë aksione të vrasjeve. 

Rrëfimi i Nazim Bllacës në nëntor të vitit 2009 kishte tronditur opinionin publik. 

Nofka e tij “Seiko”, që pohon se e kishte në kohën kur ishte agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës, ishte bërë e famshme. 

Vetë Bllaca, nga një i panjohur i asaj dite nëntori, më pas për tre vjet e gjysmë do të bëhej pjesë e lajmeve kryesore të mediave, me rrëfimet për krimet e kryera nga një grup njerëzish që ai i quante “Skuadra e Vrasjeve”. 

“Po flas për vrasje në nivel të Kosovës. Nuk bëhet fjalë për vrasje të nivelit komunal”, thoshte Bllaca derisa mbante “konferencë shtypi” në sheshin Skënderbeu gjatë 2009-ës. 

Bllaca thoshte se deri në vitin 2007 në fshatin e tij të lindjes në Ribar të Madh të Lipjanit, së bashku me anëtarë të tjerë të Shërbimit Informativ të Kosovës kishin eliminuar njerëz gjatë dhe pas luftës.

Mediat kishin raportuar lajmin, ndërsa njerëzit e përmendur nga Bllaca, si Azem Syla, Fatmir Xhelili e Xhavit Haliti, thonin se një lajm i tillë është i pavërtetë. 

Asnjë nga personat e akuzuar publikisht nga Bllaca atë ditë nëntori, nuk janë dënuar në proceset gjyqësore të zhvilluara nga deklarat e Bllacës.

Megjithatë Azem Syla, i përmendur nga Bllaca, konkludohet në aktgjykimin Bllaca II si një figurë qendore e grupit kriminal. Sipas aktgjykimit grupi ku bënte pjesë Nazim Bllaca kishte lidhje me Shërbimin Informativ të Kosovës. 

Gjykata kishte ftuar në qershor të vitit 2012 të dëshmonte edhe Kadri Veselin që kishte udhëhequr SHIK-un. 

Veseli, tash zëvendëskryetar i PDK-së, kishte bërë veprime prej agjenti, kur ishte shfaqur në një sallë të Gjykatës Supreme ku mbahej seanca e rastit “Bllaca 2”. 

Njeriu që për më shumë se një dekadë kishte udhëhequr shërbim spiunazhi, kishte shfrytëzuar hyrjen e pasme të objektit, duke iu ikur kështu kamerave. Njëjtë kishte vepruar  edhe kur kishte dalë pas gjashtë orësh marrje në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, në rastin “Bllaca 2”.

“Dëshmitari juaj (i prokurorisë) as nuk ka qenë kurrë në SHIK, e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un”, thoshte Veseli

Por, dëshmia publike e Bllacës ka çuar në tri procese gjyqësore dhe burgosje të tetë personave, duke përfshirë edhe vetë Bllacën, të cilët janë dënuar kryesisht për ekzekutime të njerëzve të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Rastet gjyqësore janë pagëzuar si Bllaca I, II dhe III.

Bllaca III – Vrasja e Ibush Kllokoqit 

Të premten përfundoi Bllaca III ku Nazim Bllaca u shpall fajtor për vrasjen e Ibush Kllokoqit në natën e 6 gushtit 1999 dhe u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg.

Seanca e shpalljes së verdiktit u zhvillua nën masa të rrepta të sigurisë, edhe pse Bllaca nuk ishte prezent në seancë. Aty ndodhej prokurori italian Maurizio Salustro.

Për arsye sigurie, Bllaca merrte pjesë në seancë në mënyrë virtuale, përmes videolidhjes.

I ulur në një karrige e i veshur me një bluzë të zezë, Bllaca qetësisht dëgjoi vendimin për dënimin e tij. Ai nuk u ngrit në këmbë, gjersa u lexua dënimi, ashtu siç kërkon tradita gjyqësore. 

Gjykatësit Mariola Plasnik, Faik Hoti dhe Franceska Fisher gjykuan lëndën. “Katër vjet e gjashtë muaj dënim me burg është adekuat për veprën që është kryer”, tha Plasnik.

Aktakuza e shkurtër kundër Bllacës prej vetëm pesë faqesh që akuzonte atë për vrasjen e Kllokoqit, është përpiluar nga prokurori special i Misionit Europian për Sundim të Ligjit  Maurizio Salustro.

Dënimi i shqiptuar është minimal, sipas kërkesës së prokurorit dhe për shkak se gjykata ka marrë parasysh bashkëpinimin e tij në dy rastet tjera gjyqësore.

Në këtë dënim do të llogaritet koha prej një viti që Bllaca ka kaluar në arrest shtëpiak nga 30 nëntori 2009 deri më 29 nëntor 2010. Kështu, ai do të vuajë burg vetëm tre vjet e katër muaj.

Gjykata ende nuk ka vendosur se ku do të vuajë burgun Bllaca, i cili ka shprehur frikën e tij për sigurinë në burgjet aktuale, për shkak të ndjeshmërisë së dëshmive të tij.

Ai u dënua për veprën penale vrasje të rëndë, të cilën e ka pranuar gjatë gjykimit, ndërsa më herët i ka kërkuar falje familjes së Ibush Kllokoqit.

 “Nazim Bllaca ka vrarë Ibush Kllokoqin duke e qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Kjo ka ndodhur në Prishtinë më 6 gusht 1999”.

Kështu thuhet në aktakuzën e rastit Bllaca III të ngritur nga prokurori special i Misionit Europian për Sundim të Ligjit Maurizio Salustro.

Nazim Bllaca ka pasur dy nofka në periudha të ndryshme kohore. Gjatë viteve 1998-1999 ai është quajtur “Gjeografi” ndërsa prej 1999-ës deri më 2007 është quajtur “Seiko”.

Sipas aktakuzës, vrasja e Ibush Kllokoqit ka qenë e organizuar.

“Fahredin Gashi është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion” për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës, derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë, Bllaca e ka qëlluar”, përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Kllokoqi.

Nazim Bllaca e ka pranuar fajin, thuhet edhe në aktakuzë. “Siç dihet, Nazim Bllaca fillimisht ka pranuar vrasjen e viktimës Ibush Kllokoqi në një deklaratë të xhiruar. Më 30 nëntor 2009, kur ai është intervistuar si i pandehur, z. Bllaca përsëri ka pranuar përgjegjësinë e tij.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku Fahredin Gashi është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.

Në të dyja rastet, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur Bllacën dëshmitar bashkëpunues.

Deklaratat e tij, sipas aktakuzës, janë shqyrtuar me kujdes nga dy panele gjyqësore dhe janë konsideruar të sakta, të besueshme dhe kanë rezultuar edhe në sigurimin e dëshmive shtesë.

Lidhur me këto dy raste ku Bllaca ishte i përfshirë, gjykata ka ndaluar inicimin, zhvillimin e ndjekjes penale dhe shqiptimin e dënimit kundër tij.

Mirëpo, gjykata nuk e ka liruar atë nga akuza për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit, për të cilën vrasje Bllaca u shpall fajtor.

Bllaca II – Dënimi i “Skuadrës së Vrasjeve”

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 17 dhjetor 2012, pati shpallur aktgjykimin kundër Sadik Abazit, Shaban Sylës, Driton Hajdarit, Bekim Sylës, dhe Shpresim Ukës. Tre të fundit ende gjenden në arrati që nga ajo datë kur nuk ishin paraqitur as në gjykatë, ndërsa kërkohen edhe nga Interpol-i.

Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla akuzoheshin që në bashkëkryerje me dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca kishin vrarë Ibush Kllokoqin. Për këtë pikë të aktakuzës gjykata të tre të pandehurit i pati shpallë fajtorë duke u shqiptuar dënim me burg.

Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla akuzoheshin po ashtu edhe për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit, në bashkëkryerje me Nazim Bllacën. Gjykata e kishte rikualifikuar veprën penale në tentim-rrëmbim të personit, e cila vepër ishte parashkruar dhe akuza për pikën dy qe refuzuar.

Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla në bashkëpunim me Nazim Bllacën akuzoheshin edhe për vrasjen e rëndë të mbetur në tentativë të Adem Salihajt, ish kryetarit të Ferizajt nga radhët e LDK-së. Secili ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burg.

Të pandehurit morën një dënim total prej 54 vjetësh burg.

Dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca ishte bazë e aktgjykimit. (Për më shumë http://gazetajnk.com/?cid=1,979,5378)

Bllaca I – Dënimi i Fahredin Gashit

Gjykimi për rastin Bllaca I ka përfunduar më 23 nëntor 2011, ku Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Fahredin Gashi ka kryer vrasjen e anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sali Gashit, duke kryer kështu krime lufte kundër popullatës civile.

Fahredin Gashi në kohën e kryerjes se veprës ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se sipas një raporti të NATO-s, lufta në terren ende nuk kishte përfunduar, prandaj edhe veprimet e tyre kanë qenë krime lufte.

Gjykimi në rastin Bllaca I është bazuar kryesisht në deklaratat e Nazim Bllacës, i cili ka treguar të gjitha rrethanat e vrasjes së Sali Gashit.

Fahredin Gashi është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 vjet burg nga gjykata.

I akuzuari tjetër në këtë rast ishte edhe Hysri Rama që është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë muaj burg me kusht, për ndihmën e kryesit në fshehjen e krimit.