248 Ditë i Lirë Brenda Dy Vitesh

Një ndër njerëzit më të fuqishëm në Partinë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, brenda rreth dy vitesh ka qenë i lirë vetëm për 248 ditë.

Ai është duke u përballur me dy procese gjyqësore ku akuzohet për krime lufte në rastin “Kleçka” përkatësisht krim të organizuar dhe korrupsion në rastin e njohur si “rasti MTPT-së”.

Limaj është deputet në Parlament që nga viti 2001 dhe ka shërbyer edhe si ministër i transportit në periudhën kohore 2007-2010.

I akuzuari Limaj është bërë sinonim i vendimeve të shumta gjyqësore për lirimin, arrestimin dhe paraburgosjen e tij.

Që nga shtatori i 2011-ës deri më 15 korrik Limaj është arrestuar dhe është liruar disa herë për rastin Kleçka, rast ky që drejtohet nga prokurori special italian Mauricio Salustro. Ai ka qëndruar katër herë në arrest shtëpiak, një herë në paraburgim dhe dy herë është mbrojtur në liri. 

Ai nuk është arrestuar asnjëherë për rastin e dytë gjyqësor që ndërlidhet me punën e tij si ministër në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky rast është hetuar nga prokurori Johannes Pickert.

Limaj së shpejti pritet të përballet me procesin e tretë gjyqësor që ka të bëjë me akuza për korrupsion në ministri.

Rasti Kleçka ka filluar në gusht 2011 kur është konfirmuar aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.

Limaj dhe nëntë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime të luftës ndaj serbëve dhe shqiptarëve në një qendër burgimi në fshatin Kleçkë, në vitin 1999.

Të pandehurit akuzohen se në zonën e Kleçkës, në cilësinë e anëtarëve të UÇK-së, kanë vrarë dhe kanë marr pjesë në vrasje si dhe kanë paraburgosur ushtarak serbë, civil serbë dhe civilë shqiptarë të cilët pastaj nuk i kanë trajtuar sipas konventave dhe ligjeve të luftës.

Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat.

Meqenëse Limaj ishte deputet në atë kohë ishin ngritur dilema lidhur me imunitetin e tij dhe nëse ai mund të ndiqej penalisht.

Për këtë arsye, kryministri i Kosovës Hashim Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të interpretonte çështjen e imunitetit të deputetëve, Presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë.

Më 20 shtator 2011, Kushtetuesja kishte vendosur se “nuk ekziston imunitet që pengon ndjekjen penale të deputetëve për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”.

Një ditë pas vendimit të Kushtetues, Maurizio Salustro, kishte paraqitur kërkesen e parë për vendosjen e masës së sigurisë për deputetin Limaj. 

Më 22 shtator 2011, ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë përmes një gjykatësi të EULEX-it për herë të parë kishte vendosur Fatmir Limajn në arrest shtëpiak që do të zgjashtë një muaj. Limajt i ishin konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit. Arresti shtëpiak më pas i është vazhduar.

Gjykimi ka filluar më 11 nëntor 2011, ndërsa Limaj po qëndronte ende në arrest shtëpiak. Gjatë këtij viti Limaj qëndroi në arrest shtëpiak për 100 ditë.

Më 9 shkurt 2012, prokurori Salustro kërkoi nga trupi gjykues që Limajt t’ia ndryshonte masën e sigurisë nga arresti shtëpiak në paraburgim. Deri në këtë kohë Limaj kishte qëndruar 141 ditë në arrest shtëpiak. Sipas prokurorit, ai kishte thyer urdhrin e gjykatës lidhur me arrestin shtëpiak por gjykata refuzoi kërkesën e prokurorit për paraburgosjen e Limajt.

Më 21 mars 2012, trupi gjykues në rastin Kleçka, pasi që kishte vendosur që dëshmitë e dëshmitarit të vetëvrarë X nuk ishin të pranueshme, vendosi që Fatmir Limajt të i hiqet arresti shtëpiak, ndërsa 9 bashkëluftëtarëve të tij ju heq masa e paraburgimit.

Deri në këtë ditë Limaj kishte kaluar 181 ditë apo gjashtë muaj në arrest shtëpiak.

Më 2 maj 2012, Fatmir Limaj dhe tre të tjerët u liruan nga të gjitha akuzat në mungesë të provave.

Mirëpo, prokurori special Salustro i pakënaqur me lirimin e të akuzuarve paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës e cila ktheu rastin në rigjykim.

Më 24 nëntor 2012, ish Gjykata e Qarkut kthey në paraburgim prej 30 ditësh përsëri Limajn dhe të akuzuarit tjerë Nexhmi e Naser Krasniqi dhe Naser Shalën. Nga marsi dëri në nëntor Limaj ishte i lirë.

Sipas gjykatës, Limaj dhe të tjerët rrezikonin të iknin dhe të ndikonin në dëshmitarë dhe prova.

Më 26 nëntor 2012, mbrojtja e Limajt dhe e të tjerëve kërkuan heqjen e paraburgimit përmes ankesës në Gjykatën Supreme.

Më 28 nëntor 2012, Gjykata Supreme refuzoi ankesat e mbrojtjes duke mbajtur vendimin e gjykatës për 30 ditë paraburgim.

Më 18 dhjetor 2012, pas një kërkesë tjetër të mbrojtjes me të cilën kërkonte vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit për Limajn dhe të tjerët, Supremja prapë kishte vendosur që të akuzuarit duhej të qëndronin në paraburgim. Ndërkohë paraburgimi i Limajt ishte vazhduar edhe për dy muaj.

Gjatë 2012-ës Limaj qëndroi në arrest shtëpiak për 80 ditë ndërsa në paraburgim 38 ditë.

Më 22 shkurt 2013, kryetari i trupit gjykues Malcolm Simmons mori vendim me të cilin Limajt ju vazhdua masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Më 8 mars, pas kërkesës së mbrojtjes, me vendim gjyqësor Limaj u kthye në arrest shtëpiak.

Fatmir Limaj nga 24 nëntor 2012 deri më 8 mars 2013 qëndroi 104 ditë në paraburgim.

Më 18 prill 2013, rinisi gjykimi për Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Po këtë ditë prokurori Salustro në të shkruar i kërkoi gjykatës që të vendos masën e paraburgimit në vend të asaj të arrestit shtëpiak për Limajn.  Gjykata refuzoi kërkesën e prokuroit dhe Limaj mbeti në arrest shtëpiak ku qëndroi për 90 ditë.

Më 6 qershor 2013, derisa po vazhdonin seancat në rastin Kleçka, pas kërkesës së mbrojtjes së Limajt dhe të tjerëve, trupi gjykues vendosi që Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij të liroheshin nga arresti shtëpiak. Të gjithë të pandehurit u obliguan që të paraqiten në stacionin e policisë.

Për 13 ditë, Fatmir Limaj mbrohej në liri duke pasur vetëm masën e paraqitjes në stacionin policor.

Më 19 qershor gjykata e apelit ktheu Limajn dhe të tjerët në arrest shtëpiak edhe për dy muaj bazuar në ankesën e prokurorit Salustro.

Më 4 korrik, një ditë pasë seancës gjyqësorë të mbajtur më 3 prill, trupi gjykues pasi dëgjoi dëshmitarët e paraparë nga prokuroria e mbrojtja vendosi që të heq masën e arrestit shtëpiak. Kështu Limaj ishte prapë i lirë nën kushtin që të paraqitej çdo ditë në polici.

Më 15 korrik, pas 12 ditësh “liri” për Limajn dhe një ditë para se të mbahej seanca në rastin Kleçka, Gjykata e Apelit vendosi që Limaj dhe të tjerët të kthehen në arrest shtëpiak. Vendimi erdhi pas kërkesës së prokurorit.

Gjatë 2013-ës Limaj ka kaluar 67 ditë në paraburgim, 114 arrest shtëpiak dhe është paraqitur 25 ditë.

Rasti Kleçka pritet të përfundojë në shtator të këtij viti.