Gjysmë Milioni Libra në Depo

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paguar gjysmë milioni libra më shumë se sa kanë nevojë shkollat në Kosovë dhe në disa raste dy kompanitë e kontraktuara për prodhimin dhe shpërndarjen e librave kanë dërguar në shkolla libra me të njëjtin titull.

Nga porosia dhe prodhimi i tepërt i librave shkollorë buxheti i Kosovës është dëmtuar për më shumë se një milion euro. 

Këtë konstatim e ka bërë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në raportin vlerësues për MASHT-in për vitin 2012. Sasia e tepërt e librave është gjetur në gjashtë shkollat e vizituara nga auditorët. 

“Nuk kishte kontrolle të mjaftueshme gjatë pranimit të librave. Në disa raste ato nuk ishin pranuar në pajtim me kontratat”, thuhet në raportin e ZAP.  

Pas gjetjeve, zyra e auditorit kishte rekomanduar ministrinë e arsimit që të formojë komision për evidentimin e teksteve shkollore të tepërta dhe të pashfrytëzuara.

Komisioni ad-hoc i krijuar nga MASHT-i gjeti se 566 mijë e 467 tekste shkollore që kapin vlerën e rreth 1 milion e 129 mijë e 873 euro nuk janë shpërndarë fare në shkolla, thuhet në raport të ZAP-it.  “Kjo sasi dhe vlerë mund të jetë edhe më e lartë”. 

Gazeta ka kërkuar informacione nga MASHT lidhur me kohën e formimit të komisionit dhe përbërjen e saj por nuk ka marrë përgjigje. 

Ministria e Arsimit bën porositjen e shtypjes së librave bazuar në kërkesën e drejtorive komunale të arsimit.

“Disa nga komunat kanë fryer numrin e nxënësve”, tha Arbër Morina, këshilltar i ministrit të arsimit. “Librat janë shpërndarë sipas kërkesës së drejtorive të arsimit”.

Sipas Morinës, arsyeja kryesore për rritjen e numrit të nxënësve është përfitimi i granteve nga MASHT-i të cilat ndahen varësisht nga numri i nxënësve që vijojnë shkollën.

Morina nuk ka treguar se cilat janë komunat që kanë kërkuar libra për numër më të madh të nxënësve por ai ka premtuar kontroll më rigoroz.

“Këtë vit shkollor do të ketë rishikim të listave zyrtare që i sjellin drejtoritë komunle të arsimit për numrin e nxënësve që kanë dhe nuk do të lejojmë të ndodhin lëshime”, tha Morina.

“Në pikët e shpërndarjes së librave, do të ketë edhe një zyrtar të ministrisë i cili do të bëjë monitorimin e shpërndarjes së librave”. 

MASHT

Furnizim i dyfishuar me libra

Shtëpitë botuese me të cilat ka lidhur marrveshje ministria e arsimit për shpërndarjen e librave shkollor janë “Dukagjini” dhe “Libri Shkollor”.

Të dy këto kompani kanë shpërndarë librat me të njëjtin titull në të njëjtat shkolla.

Sipas raportit të ZAP-it, kjo ka ndodhur për shkak të “mosdefinimit të qartë të përgjegjësive ndërmjet përgjegjësve të shkollave, drejtorisë komunale të arsimit dhe zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë”.

ZAP tutje ka konstuar se librat në disa raste janë pranuar nga persona të paautorizuar. “Kjo shihet nga fletëdërgesat qe ne i kemi marrë nga shkollat e vizituara”.

“Kërkesat për numrin e librave që duhet botuar i marrin edhe shtëpitë botuese dhe ato i shpërndajnë tekstet  në drejtoritë e arsimit”, tha Morina.

Tefik Bekteshi, kryeredaktor në shtëpinë botuese Libri Shkollor, thotë se vitin e kaluar  kanë shpërndarë 2 milionë e 139 mijë e 528 libra në 35 komuna të Kosovës. 

“Shpërndarjen e bëjmë sipas kërkesës së MASHT-it”, tha Bekteshi.  

Gazeta ka provuar të kontaktojë me shtëpinë botuese “Dukagjini” në numrat që figurojnë në faqet e saj të internetit, por kontakti ka qenë i pamundur. Dukagjini nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet dërguar me email.

Ministria e arsimit, për vitin shkollor 2011-2012, kishte ndarë shtatë milionë euro nga buxheti për shpërndarjen e librave në të gjitha shkollat e Kosovës. 

Për vitin 2013, ajo ka ndarë 2.6 milionë euro apo rreth pesë milionë euro më pak se viti paraprak.

“Librat që kanë mbetur si tepricë në depot e shkollave fillore nga viti i kaluar do të përdoren në vitin e ri shkollor”, tha Morina, këshilltari i ministrit.

Rekomandimi i auditorit për ministrinë është që sasinë e tepërt të librave ta deponojnë në vende të sigurta dhe t’i zvogëlojë sasitë e porositura për vitin e ardhshëm.

Auditori edhe në raportet e vitit 2011 dhe 2010, kishte gjetur se buxheti në ministri kishte ndryshuar nga fillestar në final dhe pjesa më e madhe e këtyre të hollave kishte shkuar për blerjen e librave.