“Delja e Zezë” Mustafi Flet për Montim

Ish-prokurori Nazmi Mustafi, i dënuar javën e kaluar me pesë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë për shpërdorim të detyrës zyrtare duke kërkuar në mënyrë indirekte para nga të hetuarit e tij me premtime të mbylljes së ndjekjes, është nisur drejt burgut në Prizren duke lënë prapa një akuzë publike ndaj prokurorëve tjerë të vendit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, të enjten, Mustafi akuzoi kryeprokurorin e apelit Aleksandër Lumezi për montim të rastit me qëllim që ta shpëtonte të vëllain, bankierin Albert Lumezi, nga hetimet. Po për montim, ai e akuzoi edhe kryeprokurorin e shtetit Ismet Kabashi.
 
“S’ka drejtësi këtu, dihet kush qëndron në prapavijë…”, tha Mustafi pas aktgjykimit. “Emrat janë Aleksandër Lumezi, që e ka mbrojtur vëllain e vet dhe Ismet Kabashi”.

“Ata kanë krijuar monopol në drejtësinë në Kosovë”, shtoi ai.

Qysh në kohën e ngritjes së aktakuzës Nazmi Mustafi pretendonte se rasti ishte hakmarrje e Vullnet Latifit (zyrtar në bankën BpB), Lavdim Koshutovës dhe Albert Lumezit (zyrtarë në bankën NLB Prishtina) pasi që ai kishte nisur hetime penale kundër tyre në fund të vitit 2011.

Ata dyshoheshin se kishin kryer shpërdorime në ekonomi derisa ishin shitur Kasabanka dhe Banka e Re e Kosovës. Ndaj tyre ishte iniciuar kallëzim penal bazuar në letra anonime të marra nga policia më 2008.

Mirela Ndoci, shtetase e Shqipërisë, është dënuar me gjashtë muaj burg dhe 10 mijë euro gjobë pasi ka ndihmuar ish-prokurorin Mustafi në shpërdorimin e detyrës zyrtare ose autorizimit duke marrë një shumë të pacaktuar parash nga të dyshuarit, siç pretendonte aktakuza.

Mustafi kishte folur për montim nga Lumezi edhe gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Themelore të Pejës.

Ai thoshte se kishte pasur dy takime me prokurorin e apelit Lumezi. “Aleksandër Lumezi kishte kërkuar që ta mbyllë lëndën e vëllait të tij Albertit”, thoshte ai.

Sipas Mustafit, takimi i parë ishte mbajtur në restauranitn “Molla e Kuqe” në Çagllavicë afër Prishtinës ndërsa herën e dytë Lumezi, së bashku me dy persona të tjerë, i kishin shkuar në shtëpi Mustafit duke ia kërkuar të njëjtën gjë – mbylljen e lëndës së vëllait bankier.

Për mudnësinë e ndikimeve në këtë gjykim ka folur edhe mbrojtësi i të akuzuarës Mirela Ndoci, avokati Haxhi Millaku. “…Janë vënë në pyetje disa rivalitete të personave me influencë, janë vënë disa interesa në pyetje, sepse Kosova, është vend potencial për përfitime dhe shpëlarje të tjera të parave”, tha Millaku.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë prokurori Aleksandër Lumezi kishte thënë se nga vëllai i tij kishte kuptuar se ai ishte në presion nga Mustafi.

Lumezët, Aleksandri dhe Alberti, nuk kanë pranuar të komentojnë akuzat e Mustafit për gazetën duke thënë se gjithçka e kanë thënë në gjykatë.


Aleksandër Lumezi

Prokurori i EULEX-it i cili e ka ndjekur Mustafin, Cezary Michalczuk, thotë se Aleksandër Lumezi ishte dëshmitar.

“Aleksandër Lumezi ka qenë njëri prej dëshmitarëve tanë”, tha Michalczuk. “Ai është vëllai i Albert Lumezit, që kishte informata me rëndësi rreth një periudhe të caktuar kohore. Nuk ishte dëshmitar me rëndësi të madhe, por thjeshtë na duhej çdo këndvështrim i rastit”.

Prokurori tha ndërkohë se kurrë nuk ishte takuar me kryeprokurorin Ismet Kabashi në lidhje me këtë rast. Kabashi po ashtu refuzoi të fliste për akuzat e Mustafit. “Nuk dëshiroj t’i komentoj vendimet e gjykatës e po ashtu nuk dëshiroj t’i komentoj as fjalët e Nazmi Mustafit”, tha Kabashi për gazetën.

Prokurori Cezary Michalczuk tha se Mustafi e kishte akuzuar jo vetëm Kabashin e Lumezin por edhe vetë atë për montim.

“Nëse ai ka ndonjë dëshmi ose informatë konkrete për ndonjë montim, qoftë në këtë ose raste tjera, ai ka mundur të dërgojë raportin penal tek policia ose prokuroria, që ato dëshmi të hetohen”, thaMichalczuk. “Por, gjatë gjithë atyre muajve në dispozicion, asnjëherë nuk ka ofruar informata konkrete”.

“Nuk e di, mbase kjo ka qenë strategjia që z.Mustafi ka vendosur të ndjek në këtë rast (v.j. të akuzojë për montim)”, tha Michalczuk. “Por, thjeshtë, kjo gjë nuk është e vërtetë. Po të ishte e vërtetë, ai do të duhej të ofronte dëshmi por, asnjëherë nuk ka ofruar dëshmi lidhur me këtë”.

Ish-prokurori Nazmi Mustafi nuk ka ofruar kësi dëshmi as për gazetën në prononcimin e tij pas aktgjykimit. As Mirela Ndoci nuk ka pranuar të flasë.

Mustafi është ndjekur dhe gjetur fajtor edhe në lidhje me bashkëpunimin me vëllezërit Xhelal dhe Reshad Zherka të cilët i kishin kërkuar të dëmtuarit Pashk Mirashi 50 mijë euro. Sipas prokurorisë, Zherkat dhe Mustafi kishin shkëmbyer qindra mesazhe.

Mustafi “delja e zezë” e prokurorisë

Prokurori Cezary Michalczuk i është referuar Mustafit si “delja e zezë” e zbuluar e prokurorisë së vendit.

Por ai tha se nuk pajtohet se dënimi i ish-kryendjekësit të korrupsionit është imazh i keq për prokurorinë e vendit.

“Është e vërtetë se një prokuror ka dalë si ‘dele e zezë’ e prokurorisë”, tha Michalczuk. “Por, në anën tjetër, edhe mekanizmi që eliminon njerëzit e tillë nga prokuroria ka funksionuar me sukses”.


Cezary Michalczuk

“Prandaj, unë them se çdo profesion ka njerëz të mirë dhe njerëz që dalin ‘mollë e kalbur’, por nëse mekanizmi funksionon në mënyrën e duhur, sikurse që besoj se ka ndodhur në këtë rast, atëherë them se e ardhmja është e bardhë”, shtoi prokurori.

“Gjithsesi, ai ka qenë prokuror, por e ka shfrytëzuar detyrën e tij për të zhvatur para nga disa njerëz”, tha Michalczuk. “E vetmja gjë që mund të them është se nëse dikush është kriminel, pa marrë parasysh postin dhe pa marrë parasysh kontekstin profesional, qoftë edhe kolegu im, ai person meriton gjykim, dhe nëse vërtetohet fajësia – meriton dënimin”.

“Dhe mendoj se në këtë rast drejtësia është vënë në vend. Ky është mendimi im personal dhe profesional”.