Gjyqësori i Paqartë Sipas Marrëveshjes Thaçi-Daçiq (TV)

Me marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve me dy vendeve, rregullohet edhe integrimi i komunave me shumicë serbe në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Pika dhjetë e marrëveshjes së Brukselit i kushtohet kësaj fushe, me theks të veçantë rregullimit të autoritetit gjyqësor në komunat serbe në veri të Kosovës. (shih marrëveshjen)

Autoriteti përgjegjës për implementimin në praktikë të kësaj pike është Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), institucion ky i pavarur që merret me administrimin e gjykatave, dhe rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për pozita gjyqësore.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zhvilluar intervistë më kryesuesin e KGJK-së, Enver Peci, në lidhje me zbatimin e pikës dhjetë të marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Peci e sheh zbatimin e saj sfidë të madhe.

“Sfiduese do të jetë jo vetëm për Këshillin Gjyqësor të Kosovës por për krejt Kosovën, por situata status quo që ka ekzistuar deri më tani ka qenë e pa tolerueshme”, tha Peci.

Sipas Enver Pecit, pritja kryesore nga zbatimit i kësaj marrëveshje është shuarja e të gjitha strukturave ilegale serbe.

“Sfiduese do të jetë jo vetëm për Këshillin Gjyqësor të Kosovës por për krejt Kosovën”

“Marrëveshja është shumë e qartë. Do të shuhen të gjitha strukturat paralele dhe nuk ka dallime mes delegacioneve,” tha Peci.

Mirëpo, vështirësia kryesore për Pecin duket të jetë mospërcaktimi i afateve kohore të zbatimit të kësaj marrëveshje.

“Koha se deri kur do të shuhen (ilegalet) është në diskutim e sipër, nuk është e specifikuar”, tha Peci.

Sipas marrëveshjes, “Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themelojë një panel tëpërbërë me shumicë serbe të gjyqtarëve serbe të Kosovës për të gjykuar të gjitha rastet në komunat me shumicë serbe”.

Krijimi i këtij paneli, me shumicë serbe, për kryesuesin e KGJK-së Enver Peci nuk është i qartë.

“Duhet të sqarohet ende për shkak se flitet edhe për një divizion të apelit të kësaj gjykate”.

Ekzistimi i një paneli shtesë në kuadër të Gjykatës së Apelit nuk parashihet me ligjin për gjykatat i cili rregullon funksionimin e kësaj gjykatë.

“Me ligjin e gjykatave është paraparë vetëm një Gjykatë e Apelit në tërë territorin e Kosovës”, thotë Peci.

Sipas ligjit për gjykata, Gjykata e Apelit përbëhet nga gjithsej pesë departamenteve përkatësisht departamenti i përgjithshëm, për krime të rënda, për çështje ekonomike, departamenti për çështje administrative dhe departamenti për të mitur. 

“Me ligjin e gjykatave është paraparë vetëm një Gjykatë e Apelit në tërë territorin e Kosovës”

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk e di se si do të rregullohet çështja e mungesës së bazës ligjore që te ekzistojë një divizion i apelit. 

“Se si do të sistemohet ai panel do të rregullohet më tutje me marrëveshje dhe implementim të marrëveshjes që është në proces e sipër…”, tha Peci.

Ky ligj garanton pjesëmarrjen, përkatësisht ulëse në këto departamente të apelit, për gjykatësit që janë nga komuniteti jo shqiptar (pesëmbëdhjetë për qind të ulëseve).

Delegacionet në Bruksel kanë përcaktuar edhe lokacionin e divizionit të Gjykatës së Apelit, që do të jetë Mitrovica (pjesa veriore).

Por, me ligjin për gjykatat nuk është e paraparë që Apeli të ketë një divizion në ndonjë qytet tjetër, përveç asaj kryesore në Prishtinë.

“Selia e Gjykatës së Apelit është në Prishtinë”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 17 të ligjit për gjykatat. (shih ligjin)

“Ne jemi duke shikuar mundësinë se si do të inkorporohet ai panel apo si do të veprojë në kuadër të gjykatës së apelit në Prishtinë”, tha Peci.

Divizioni i Gjykatës se Apelit i paraparë me marrëveshje do të gjykojë “vetëm rastet gjyqësore në komunat me shumicë serbe”.

“Me rëndësi është që do të punojnë me ligjin e Kosovës”

Aktualisht Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit kanë mungesë të gjykatësve nga radhët e komuniteteve.

Peci thotë se këto vende do të plotësohen me gjykatës të nacionalitetit serb ndërsa procedurat e rekrutimit do të kryhen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. 

“Ka mungesë të minoriteteve kështu që kemi menduar që në këtë strukturë të inkuadrojmë edhe gjyqtarët e nacionalitetit serb”.

“Nuk dihet mënyra e shuarjes së gjykatave ekzistuese ilegale”

Por sa është afati kohor brenda së cilit një gjykatës serb mund të integrohet në sistemin gjyqësor të Kosovës? 

“Ne jemi duke i analizuar afatet e mundshme. Afati i arsyeshëm kishte me qenë tre deri në katër muaj më së shumti”, tha kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci.

Paneli i gjykatësve që pritet të krijohet, i përcaktuar sipas marrëveshjes, do të ketë përbërje me shumicë serbe.

Sipas Enver Pecit nuk do të thotë që të “gjithë do të jenë serbë”. Kryesuesi nuk ka sqaruar se nga cili komunitet mund të jenë gjykatësit e tjerë.

Një muaj pas arritjes së marrëveshjes Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka mbajtur asnjë takim me gjykatësit serbë.

Deri më tani nuk është sqaruar mënyra e zbatimit të pikës dhjetë të kësaj marrëveshje.

“Nuk ka sqarime… por ne do t`i sqarojmë këto situata edhe me Bashkimin Europian dhe me delegacionin serb në bisedime”, shtoi Peci.

Liidhur me vendosjen e rasteve që kanë të bëjnë me serbët në shkallën e parë nuk është përcaktuar me marrëveshje. 

“Nuk mund të them se qysh edhe kush do të vendosë si shkallë e parë për lëndët gjyqësore të serbëve”, tha Peci.

Nëse serbët dëshirojnë të ankohen në vendimet e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, atëherë këtë duhet ta bëjnë në Gjykatën Supreme dhe Kushtetuese të Kosovës.

“Supremja dhe Kushtetuesja mbesin të paprekshme”, tha Peci.

Po ashtu ai shtpo se “Nuk dihet mënyra e shuarjes së gjykatave ekzistuese ilegale”.