Përkthimi i Dëshmitarëve Anonimë

Dëshmitë kryesore me të cilat të pandehurit shpallen fajtorë ose të pafajshëm në gjykimet për krimet e luftës që zhvillohen në gjykatat e Kosovës janë deklarimet e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzat i mbështet pikërisht në deklarimet e dëshmitarëve të bëra gjatë fazës së hetimeve, qofshin okularë ose rrethanorë.

Por shpesh deklarimet e dhëna gjatë hetimeve po ndryshojnë në seanca kryesore.

Aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë duke u mbajtur dy gjykime shumë të rëndësishme për krimet e luftës. Që të dyja janë rigjykime, pasi që Gjykata Supreme kishte prishur vendimet e ish-Gjykatës së Qarkut.

Rasti i parë është Kleçka ku akuzohen deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, si dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij.

Rasti i dyti është Grupi i Llapit, ku akuzohen deputeti tjetër i PDK-së, Latif Gashi, i cili në kohën e luftës mbante pozitën e shefit të inteligjencës në zonën e Llapit si dhe Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ish-deputet i PDK-së dhe ish komandat i zonës së Llapit. Së bashku me ta akuzohet edhe Nazif Mehmeti po ashtu ish anëtar i UÇK-së.

Prokurorët specialë në të dyja rastet aktakuzat e tyre i kanë mbështetur në deklarime të dëshmitarëve të mbrojtur dhe anonimë, por këta të fundit po dalin publikisht për të dëshmuar përkundër marrjes së masave mbrojtëse nga prokuroria.

“Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzat i mbështet pikërisht në deklarimet e dëshmitarëve të bëra gjatë fazës së hetimeve, qofshin okularë ose rrethanorë.

Rushid Bollofci, dikur i njohur si dëshmitari anonim 7 në rastin e Grupit të Llapit, më 4 prill të këtij viti kur doli para trupit gjykues zbuloi identitetin e tij dhe mohoi të gjitha deklarimet e bëra në fazën e hetimeve.

Bollofci dëshminë e tij të parë e kishte dhënë me 20 gusht të 2002-ës përpara policisë së UNMIK-ut. 

Ai trupit gjykues në seancë i tha: “Deklaratës në polici i qëndroj prapa, por përkthyesja ishte serbe. Unë qëndroj prapa të gjitha deklaratave, por nuk e di çfarë është shkruar”.

Dëshmitari Bollofci në deklaratën e 20 gushtit 2002 kishte thënë: “Në intervistën e dytë në Llapashticë (qendër ndalimi e UÇK-së), Latif Gashi më ka pyetur dhe Nazif Mehmeti më ka rrahur”.

E në seancën e 4 prillit dëshmitari e mohoi këtë duke e fajësuar përkthyesen: “Unë kam thënë se kushtet nuk kanë qenë të mira”.

Ai në polici kishte thënë se kishte parë rrahje çdo ditë në Llapashticë ndërsa në seancë tha: “Nuk kam parë rrahje e as që kam dëgjuar”.

Pastaj, Bollofci në deklaratën e dhënë para gjykatësit hetues kishte thënë: “Nazif Mehmeti më ka rrahur. Më ka rrahur me shkop druri për një orë. Pas një pushimi prej 30 minutash, prapë më ka rrahur me shkop druri dhe shkop elektrik”.

Pasi që kjo iu lexua dëshmitarit, ai e mohoi deklaratën duke thënë: “Kjo nuk është e vërtetë se me më pas rreh ky (v.j. Nazif Mehmeti), mu kon edhe kulshedër pa marrë hak nuk e kisha lonë”.

Ballofci, në të gjitha pyetjet që iu drejtuan nga prokurori e trupi gjykues, u ballafaqua me atë që  kishte thënë në polici e para gjykatësit hetues. Dëshmitari deklarimet para policisë dhe gjykatësit hetues i kishte kundërshtuar edhe gjatë gjykimit të parë në vitin 2003 për Grupin e Llapit.

Dëshmitari tregoi se atij nga UNMIK-u i ishte ofruar shkuarja jashtë vendit, në këmbim të deklarimit kundër të pandehurve. Por ai tha se këtë nuk e kishte pranuar, duke mohuar se i ishin ofruar para.

Rushid Ballofci ishte arrestuar në nëntorin e 1998-së nga UÇK-ja në fshatin Barilevë për t’u dërguar më pas me një thes në kokë deri në fshatin Llapashticë, ku kishte qëndruar i ndaluar deri më 31 dhjetor 1998. Dëshmitari ishte amnistuar më vonë.

Rrëfimi tjetër i Anonim 4-shit

Në rastin e njëjtë tek Grupi i Llapit, dëshmitari anonim 4 zbuloi identitetin e tij dhe doli publikisht për të dhënë dëshminë.

Avdyl Avdyli kishte dhënë dy deklarata në periudhën e hetimeve para gjykatëses hetuese më 14 maj 2002 dhe më 18 tetor 2002. Deklarata e 14 majit 2002 u shpall provë e papranueshme nga trupi gjykues në seancën e 8 majit 2013.

Avdyli në seancën e 8 dhe 10 majit po ashtu i mohoi deklarimet e bëra më 18 tetor 2002 para gjykatëses hetuese. Këto deklarata i kishte mohuar edhe në gjykimin e parë të mbajtur më 2003. 

“Nuk qëndroj prapa përgjigjeve të dhëna në hetuesi më datën 18 tetor 2002”, tha Avdyli.

Ai shtoi: “Qëndroj vetëm prapa deklaratës së dhënë në ‘Boro Ramiz’, që ia kam dhënë gjykatës”.

Dëshmitari deklaroi se nuk ishte rrahur asnjëherë nga UÇK-ja, por nga një individ, “hasëm” i tij, dhe se vetëm pas luftës e kishte kuptuar se kush ishte ai që e kishte rrahur.

Në një rast, dëshmitari Avdyli, më 18 tetor 2002, kishte thënë: “Më çuan në Llapashticë. Lata (v.j. Latif Gashi) i ka thënë Policisë Ushtarake për mua se ky është një person që rri me serbë dhe ata më kanë rrahur para burgut ku rrinim”.

Ndërsa në dëshminë e tashme dëshmitari Avdyli thotë: “Aty më ka rrahur vetëm personi për të cilin u tregova, por edhe të tjerë nuk kanë pas qejf me më pa hiç”.

“Nuk qëndroj prapa përgjigjeve të dhëna në hetuesi më datën 18 tetor 2002. Avdyl Avdyli

Avdyli po ashtu mohoi të ketë deklaruar se ai gjatë luftës kishte marrë vesh dhe kishte parë se edhe të burgosurit e tjerë ishin rrahur, derisa po qëndronin në Llapashticë. Madje, në deklaratën e 18 tetorit 2002, vetë dëshmitari kishte thënë se sa herë që merreshin në pyetje, të burgosurit rriheshin.

“Çka kanë bërë përkthyesit nuk e di…”, tha ai.

Avokati Mexhid Syla i paraqiti gjykatës procesverbalin e hetimeve të datës 14 maj 2002. Aty kishin marrë pjesë gjykatësja hetuese, dëshmitari 4, procesmbajtëset, dy përkthyese serbe dhe prokurori.

Për mbrojtjen, vetë fakti që kanë marrë pjesë përkthyeset serbe në këtë seancë, tregon më së miri se si është përkthyer deklarata, pasi që vetë dëshmitari ka treguar se nuk e di mirë gjuhën serbe.

Dëshmitari Avdyli tregoi se Policia e UNMIK-ut ka kërkuar të bashkëpunojë me të.

“Ata ishin tek unë shumë herë. Më panë se isha i frikësuar dhe më thanë se do të kem vizë dhe dëmshpërblim për çka më ka ndodhur”, tha Avdyli. “Unë si i ri jam mashtruar nga pretendimet e tyre”.

Ndryshe flet edhe Anonim A

Avokatit Sokol Dobruna nga Prokuroria Speciale i ishin ofruar masat mbrojtëse dhe i ishte dhënë kodi “dëshmitari anonim A”.

Por, më 23 prill në gjykimin e rastit Kleçka, edhe Dobruna doli publikisht për të dëshmuar.

“Nuk pranoj të jem dëshmitar i prokurorisë, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk do t’u përgjigjem pyetjeve”, tha ai.

Dobruna kishte shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Berishë dhe Divjakë nga 16 dhjetori 1998 deri në përfundim të luftës si shef i Shërbimit Juridik.

Në këtë cilësi, ai kishte qenë në themelim e sipër të Gjykatës Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.

“Fatmir Limaj nuk kishte fuqi në burgun e Kleçkës dhe nuk kishte kompetencë për të liruar të burgosurit”, tha ai, gjatë deklarimit të tij. Ai shtoi se “i vetmi organ kompetent, në kushte normale, ka qenë shërbimi juridik-gjykata ushtarake”.

“Fatmir Limaj nuk kishte fuqi në burgun e Kleçkës dhe nuk kishte kompetencë për të liruar të burgosurit. Sokol Dobruna

Kjo deklaratë e dëshmitarit ra në kundërshtim më atë që ai kishte dhënë në prokurori me 23 shtator 2010, më të cilën prokurori e ballafaqoi dëshmitarin.

Në deklaratën e tij të dhënë në prokurori, dëshmitari kishte deklaruar se i vetmi ishte Limaj që kishte fuqi për të liruar të burgosurit.

Limaj është i akuzuari kryesor i rastit “Kleçka”.

Mirëpo dëshmitari prapë e kundërshtoi këtë duke shtuar se Limaj ka mundur të konsultohej me policinë ushtarakë, shef i së cilës ka qenë, mirëpo nuk ka qenë i vetmi që ka vendosur.

Anonim C ishte nisur për Llapushnik…

Një dëshmitar tjetër në rastin Kleçka ishte dëshmitari i mbrojtur C, i cili para gjykatës u paraqit më 30 prill të këtij viti.

Dëshmitari C mohoi shumë nga deklarimet që kishte bërë në seancat e mëhershme, e të  cilat prokurori ia rifreskoi duke e ballafaquar me deklaratën e dhënë në hetime.

I mbrojturi i prokurorisë me nofkën C në hetuesi kishte deklaruar se gjatë marsit të vitit 1999, dikush nga strukturat e LDK-së i kishte treguar se kishte pranuar një telefonatë që ai duhej të paraqitej në Kleçkë.

Këtë dëshmitari e kundërshtoi duke treguar se kishte shkuar në Llapushnik për ta parë djalin, ndërsa i kishin thënë se ai ndodhej në Kleçkë, duke treguar se kur kishte shkuar në shtabin lokal të UÇK-së në këtë vend ishte arrestuar. 

“Dëshmitari mohoi se në Kleçkë ka njohur mirë katër të burgosur tjerë, njërin prej të cilëve të prangosur aty si bashkëpunëtor të serbëve. Dëshmitari C

Dëshmitari tregoi pastaj se e kishin dërguar drejt Tërpezës, ku një person me nofkën “Bashkim Fino”, e kishte mbajtur të prangosur për gjashtë ditë, për ta kthyer përsëri në Kleçkë.

Dëshmitari mohoi se në Kleçkë ka njohur mirë katër të burgosur tjerë, njërin prej të cilëve të prangosur aty si bashkëpunëtor të serbëve.

Ai tha se në Kleçkë gjatë marsit të ’99-tës kanë pasur mundësinë e lëvizjes së lirë dhe ushqimit të bollshëm, në ambientet ku mbaheshin, derisa më parë kishte thënë se ushqim kanë pasur vetëm çdo njëzet e katër orë dhe nuk i linin të dilnin jashtë.

C-ja mohoi se ishte keqtrajtuar në Kleçkë, ndërsa pohoi se një person i njohur me nofkën “Murrizi”, i kishte thënë të largohej nga Kleçka dhe se e kishte ngarkuar atë që të burgosurit Arben Avdylin dhe një serb nga Mali i Zi t’i dërgojë në destinacione përkatëse.

Në fund të deklaratës së tij, dëshmitari i mbrojtur C uroi që të akuzuarit të lirohen sa më parë.

Dëshmitarë të mbrojtur

Gjykimet në të dy rastet do të vazhdojnë, Grupi i Llapit me fjalët përfundimtare ndërsa Kleçka me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në rastin “Grupi i Llapit” janë dëgjuar edhe tre dëshmitarë të mbrojtur – I, C dhe P.
 
Ata nuk i kanë ndryshuar deklaratat, por janë dëshmitarë rrethanorë. C dhe P kanë qenë fizikisht në sallë për të dëshmuar, ndërsa I është parë në korridorin e gjykatës por nuk ka qenë në sallë.
 
Në rigjykimin e rastit “Kleçka” nga rreth 40 dëshmi, shumica prej të cilave janë pranuar vetëm të lexohen, vetëm 8 dëshmitarë janë ftuar që të dëgjohen.

Përveç anonim C dhe Anonim A që u vetëzbuluan, edhe pesë dëshmitarë të tjerë figurojnë  të mbrojtur dhe ende kanë për të dëshmuar.

Shqetësimet për dëshmitarët

Dhe përderisa këta dëshmitarë janë vetëzbuluar dhe kanë kritikuar UNMIK-un, Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Ministria e Brendshme në Kosovë nënshkruan një memorandum në muajin janar për të bashkëpunuar për mbrojtjen e dëshmitarëve.

EULEX-i pati thënë se Memorandumi u draftua në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve që hyri në fuqi më 1 shtator 2012, pa sqaruar shumë detaje të tij.

Shqetësimet për dëshmitarët qenë forcuar pasi dëshmitari Agim Zogaj, i ashtuquajturi “Dëshmitari X” në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, dhe nëntë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte ndaj serbëve dhe shqiptarëve në burgun e Kleçkës, në vitin 1999, ishte gjetur i vdekur në një park në gjermani.

Zogaj ishte dëshmitari kryesor në rast, derisa u gjet i vdekur në shtator të vitit 2011 në Duisburg të Gjermanisë. Të akuzuarit e rastit “Kleçka” fillimisht ishin liruar pasi dëshmitë dhe ditari i Agim Zogajt ishin shpallur si prova të papranueshme nga prokuroria pasi ai nuk kishte mundur të sfidohej nga mbrojtja.

Brukseli e pati kritikuar EULEX-in rreth mbrojtjes së dëshmitarëve.

Së voni, në artikullin e The New Yorker të titulluar “Bring Up the Bodies” është folur edhe për probleme të dëshmitarëve gjatë gjykimeve të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt në Hagë, të cilët akuzoheshin për krime lufte.
 
Sipas artikullit, në procesin e Haradinajt, gjykatësit e liruan atë në prill të vitit 2008 por nënvizuan “ndjenjën e tyre se gjykimi ishte zhvilluar në një atmosferë ku dëshmitarët ndiheshin të pasigurtë”.

“Edhe pse transkriptet publike mbronin dëshmitarët duke përdorë pseudonime, të akuzuarit ua kishin mësuar identitetin para gjykimit dhe, gjatë gjykimit, ata qëndron vetëm disa metra larg”, thotë artikulli. Mbrojtja e Haradinajt ka hedhur poshtë mundësitë që lirimi i tij ishte shtyrë me frikësim.

Limaj ishte akuzuar më 2003 në lidhje me qendrën e paraburgimit në Llapushnik. Artikulli i the New Yorker thotë se sipas një dokumenti të brendshëm të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i vitit 2004, të afërmit dhe miqtë e Limajt kishin nisur një fushatë të “frikësimit serioz dhe ndërhyrjes tek dëshmitarët kryesorë”.

“Ne punonim në tri rrafshe. Vrit bashkëpunëtorët (e Serbisë), vrit dëshmitarët e Hagës dhe vrit njerëzit e LDK-së. Nazim Bllaca

Artikulli vazhdon se dy meshkuj kishin dalë përpara shtëpisë së një dëshmitari dhe e kishin paralajmëruar që të mos dëshmonte. “Nëse e bëni këtë gabim, do të jeni i vdekur”, i kishin thënë, sipas dokumentit. Dikush thirri gruan e një dëshmitari tjetër dhe e kërcënoi: “Do të likuidoheni”. Dëshmitari i tretë ishte tërhequr pasi një kushëri kishte dëgjuar një grup meshkujsh, në një kafene në Prishtinë, duke thënë se të gjithë ata që do të dëshmonin kundër Limajt “do t’i djegim së bashku me shtëpitë e familjet”. Dëshmitari i katërt kishte refuzuar të takonte hetuesin e ICTY-së duke thënë se “nuk donte të vdiste”.

Nazim Bllaca, dëshmitari kryesor në dy raste që kanë çuar në dënime të gjashtë personave deri më tash, i ka thënë New Yorkerit: “Rasti i Limajt u mbyll në atë mënyrë”.
 
Bllaca, i cili tash pret të gjykohet si i akuzuar për vrasje, i ka thënë gazetës amerikane se ai mori pjesë në një numër të veprimeve kriminale për ish-anëtarë të UÇK-së duke përfshirë vrasje, kidnapime dhe frikësime dëshmitarësh.

“Ishte shumë e thjeshtë”, thoshte Bllaca. “Ne punonim në tri rrafshe. Vrit bashkëpunëtorët (e Serbisë), vrit dëshmitarët e Hagës dhe vrit njerëzit e LDK-së”.

Limaj i ka mohuar akuzuat në New Yorker. “Unë gjendesha në Hagë. Nëse dikush këtu ka bërë diçka të gabuar, ai person duhet të përgjigjet”.

Edhe një dëshmitar i cili ishte deklaruar kundër Limajt në EULEX, biznesmeni Mehmet Shkodra nga Gjilani, kishte vdekur disa vjet më herët në një aksident komunikacioni në Austri. Limaj aktualisht gjykohet për rastin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit ku akuzohet se udhëhiqte një grup që kishte mbushur xhepat me ryshfete.