Shteti Rregullon Transplantimin e Veshkave

Ka më shumë se katër muaj që kur është diagnostifikuar me paaftësi të funksionimit të veshkave dhe prandaj çdo javë i nënshtrohet terapisë së dializës – heqjes artificiale të ujit të tepërt nga gjaku si pasojë e mosfunksionimit të veshkave.

Në nevojë për të, E.K. nga Prishtina, i cili thotë se është 19 vjeç, ka gjetur edhe donatorin për veshkë. Donatori është nëna e tij.

Tash për tash, megjithatë, këtë organ ai nuk mund ta marrë nga nëna pasi që në Kosovë transplantimi i organeve vazhdon të mbetet ilegal.

E jashtë vendit, E.K. i tha Gazetës Jeta në Kosovë, ai nuk ka para që ta kryej këtë operacion. Sipas tij, në vendet e rajonit ky transplantim kushton rreth 20 mijë euro.

Dhe E.K. është vetëm njëri nga 12 personat që këtë vit kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ndihmë në transplantim të organeve e të cilët, në mungesë të bazës ligjore për këtë fushë, duhet të shërohen jashtë vendit.

Kjo mungesë e bazës ligjore – që do të lejonte transplantimin e organeve – është kritikuar në vitin 2012 edhe nga Komisioni Europian përmes “raportit të progresit”.

Tani, një projektligj që lejon transplantimin e organeve e që ndalon shitblerjen e tyre është në procedurë në Kuvendin e Kosovës. Sponzorizuesi i tij, ministria e shëndetësisë, pret që në pjesën e dytë të këtij viti ai të bëhet ligj.

Titullohet “projektligji për transplantimin e organeve”. Faik Hoti, zëdhënësi i ministrisë, thotë se “në të përfshihet edhe transplantimi i veshkave”.

“Vetëm për sigurimin e produkteve medicinale që përdoren në trajtimin e mbi 650 pacientëve me dializë, shpenzohen rreth 4 milionë euro në vit. Ferid Agani

Ministri Ferid Agani e kishte arsyetuar nxjerrjen e ligjit, në Kuvendin e Kosovës në janar të këtij viti, edhe me implikimet financiare.

“Vetëm për sigurimin e produkteve medicinale që përdoren në trajtimin e mbi 650 pacientëve me dializë, shpenzohen rreth 4 milionë euro në vit, që paraqet 25 për qind të buxhetit të përgjithshëm të barnave në Kosovë”, thoshte Agani më 21 janar.

Ligji po shtyhet përpara derisa Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 20 vjet burg 7 persona për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor në rastin e njohur Medicus. Gjykata vërtetoi se në klinikën private ishin kryer 24 transplantime ilegale veshkash.
 
Prokurori Jonathan Ratel thotë se po ashtu në gjykatë ekziston edhe një aktakuzë e tij për të dyshuarit kryesorë, izraelitin Moshe Harel dhe turkun Youssuf Sonmez, dhe se ka nisur një hetim krejtësisht të ri ndaj 8 personave.

Transplantimet ishin kryer në periudhën 2006-2008.

Atëherë nuk kishte ligj për transplantim të organeve si dhe për transplantimin e indeve dhe qelizave. Ishte në fuqi një udhëzimi administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, me të cilin është ngritur një program për trajtim jashtë vendit, i cili edhe ashtu ishte konstatuar se qe shkelur.

Të paktën për dy vjet, vitin 2010 dhe 2011, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka gjetur shkelje të këtij udhëzimi, që kryesisht ishin shkelje procedurale në procedurë e përzgjedhjes së personave – për shembull duke futur në program për shërim jashtë vendit persona të tjerë kur kishte edhe më meritorë se ata si dhe me mungesë të dokumentacionit.

Transplantimi ilegal vepër penale vetëm nga janari i 2013-ës

Baza ligjore në Kosovë nuk kishte munguar vetëm për transplantimin e organeve, por deri më tash ka munguar edhe për trajtimin e transplanteve ilegale.

Vetëm nga janari i vitit 2013, kur edhe hyri në fuqi kodi i ri penal i Kosovës, transplantimi i organeve është përkufizuar si vepër penale.

Në mungesë të kësaj baze ligjore, prokurorët e EULEX-it në rastin “Medicus” përdornin nenin 219 “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” të kodit të vjetër penal.

“Kemi pranuar rreth 40 raste për veprën penale trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Policia e Kosovës 

Policia e Kosovës i tha Gazetës Jeta në Kosovë se gjatë tri viteve të fundit ka pranuar rreth 40 raste për veprën penale trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. 

Më 2010, ishin regjistruar 16 raste ndërsa më 2011 dhe 2012 nga 11 raste.

Policia nuk ka të dhëna të sakta për rastet që kanë të bëjnë më trafikim ilegal të organeve sepse gjatë viteve të kaluara kjo vepër penale nuk ka ekzistuar.

EULEX shqetësohet për transplantimin në klinikat private

Projektligji për Transplantim të Organeve, në formën aktuale, lejon klinikat private që të kryejnë këso operacionesh gjë që e ka shqetësuar EULEX-in.

Misioni europian i ka shkruar një letër komisionit parlamentar për shëndetësi të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

“Ne kemi shqetësime se ky projektligj, edhe pse kërkohet për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që u duhen trajtime dialize, prapë…nëse lejohen klinikat private të marrin leje për të kryer operacione për transplantimin e organeve, do të jetë vështirë të monitorohen me saktësi se janë kryer sipas ligjit dhe praktikave më të mira”, thuhet në letrën e  EULEX-it.

EULEX-i është pyetur, por nuk ka dhënë shpjegime të reja për arsyet e këtij shqetësimi deri më tash për gazetën.

“EULEX-i duhet t’i sjell propozimet në mënyrë të detajuar, me nene e pika, që të mund t’i inkorporojmë në projektligj. Time Kadrijaj

Zëvendëskryetarja e komisionit për shëndetësi, Time Kadrijaj, thotë se komentet e EULEX-it për momentin nuk mund të inkorporohen në projektligj.

“Ligji është duke u draftuar nëpër komisione dhe nuk është në dëgjim publik. EULEX-i duhet t’i sjell propozimet në mënyrë të detajuar, me nene e pika, që të mund t’i inkorporojmë në projektligj”, thotë Kadrijaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Leximi i parë i këtij projektligji në Kuvendin Kosovës kaloi më 21 janar të këtij viti.

Time Kadrijaj thotë që ai është në fazë të plotësimit, por se deri më tash nuk ka pasur ndonjë lobim në komisionin për shëndetësi as nga ana bizneseve private dhe as nga grupet tjera të interesit.

Ndalohet tregtimi i organeve

Edhe projektligji për transplantimin e organeve edhe ai për transplantimin e indeve dhe qelizave, të sponsorizuar nga ministria e shëndetësisë dhe që kanë kaluar këtë vit shqyrtimin e parë në Kuvend, ndalojnë tregtimin e organeve.

Sipas ish-sekretarit Permanent të MSh-së, i cili ishte i akuzuar në rastin “Medicus”, por u shpall i pafajshëm në fund të muajit të kaluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, nisma për një ligj të tillë ishte e hershme.

Rrecaj në prill të këtij viti, derisa po jepte mbrojtjen e tij para trupit gjykues, pati deklaruar se pas interesimit të klinikës “Medicus”, kishte nisur draftimi i bazës ligjore që lejon transplantet.

Me gjithë këtë deklaratë, gjykata më vonë pati gjetur se transplantimi ilegal në “Medicus” kishte filluar edhe para se klinika të bënte kërkesën për ligjin në fjalë.

Edhe pse kanë kaluar katër vjet nga ajo kohë për të cilën flet Ilir Rrecaj, ligji vazhdon të mbetet në procedurë.

MSh-ja pret që me miratimin e legjislacionit në këtë fushë do të plotësohet një zbrazëtirë ligjore në fushën e transplantimeve.

Ndërkohë, në projektligjin e ri, që në nenet e para të tij, është definuar qartë se me këtë ligj lejohet transplantimi, ku janë përshkruar kritere rigoroze, dhe është cekur prerazi se ndalohet tregtimi me organe.

“Është e ndaluar dhënia ose marrja e përfitimeve financiare ose ndonjë avantazhi tjetër si kompensim për dhurimin e organeve ose pjesëve të organeve për transplantim”, thuhet në nenin 6 të këtij projektligji.

“MSh-ja pret që me miratimin e legjislacionit në këtë fushë do të plotësohet një zbrazëtirë ligjore në fushën e transplantimeve. 

Projektligji për transplantimin e organeve, në 10 kapituj dhe në 67 nene, rregullon në mënyrë të detajuar dhe përcakton shërbimet themelore të përfshira në veprimtarinë  e transplantimit të organeve, llojet e transplantimeve, atë se kush ka të drejtë të jetë donator dhe mënyrat e procedimit të këtyre veprimtarive, rregullon aktivitetet lidhur me organizimin, menaxhimin dhe monitorimin e proceseve të transplantimit. (Projektligji)

Në këtë dokument rëndësi e veçantë i kushtohet monitorimit dhe inspektimit, i cili bëhet nga Instepktoriati i MSh-së dhe mund të bëhet në çdo kohë pa paralajmërim.

Janë të përcaktuara edhe sanksionet administrative të cilat, për shkelje më të rënda shkojnë deri në 30 mijë euro, deri në 5 vjet ndalim të ushtrimit të profesionit e deri në evokim përfundimtar të licencës.

Është përcaktuar të themelohen edhe organet përkatëse që janë bartëse të zbatimit të ligjit, siç janë: Qendra Shtetërore e Transplantimeve e Kosovës e cila organizon dhe e koordinon procesin e transplantimit të organeve e që themelohet në kuadër të ministrisë.

Me anë të këtij ligji, sipas zëvendëskryetares së komisionit për shëndetësi në kuvend, Time Kadrijaj, transplantimi si operacion u lejohet edhe institucioneve private që licencohen për këtë veprimtari nga MSh-ja, derisa Banka e Organeve do të jetë institucion i centralizuar bashkë me Laboratorin për Tipizim.

Me këtë projektligj formohet edhe një bord për Qendrën Kombëtare të Transplanteve, anëtarët e të cilit planifikohet të zgjidhen me konkurs publik.

Pa leje, të dhënat nuk përdoren as për shkencë

Me anë të këtij ligji është definuar qartë që se donatorët eventualë të organeve duhet ta bëjnë këtë me vullnet të lirë dhe me deklarata formale.

Donatorët mund të tërhiqen kurdo që e shohin të arsyeshme të ndërrojnë mendim.

Projektligji rregullon edhe marrjen e organeve nga personat e vdekur me qëllim transplantimi. Aty thuhet se asnjë personi të vdekur nuk mund t’i merret organ pa pasur një deklaratë me shkrim të vërtetuar në Qendrën Shtetërore për Transplantime në të gjallë të tij, ose edhe ndonjë dëshmi nga familjarë që kanë jetuar tri vitet e fundit me të dhe që janë të besueshme për të konfirmuar vullnetin e tij për të dhënë organet për transplantim.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së të dhënave të dhuruesve dhe të marrësve të organeve me anë të transplantimit, të cilat, sipas këtij projektligji, nuk mund të përdoren as edhe për qëllime shkencore pa marrë miratimin e personave që janë dhurues dhe marrës të organeve.

“Donatorët mund të tërhiqen kurdo që e shohin të arsyeshme të ndërrojnë mendim.

Ligji është shumë i detajuar dhe në seancën e miratimit të parë të tij ka pasur vërejtje nga deputetët për këtë aspekt, por Time Kadriaja arsyeton formën e hartimit të ligjit me synimin për të mos lënë asnjë nen të interpretueshëm.

Dr.Ibrahim Rudhani, ushtrues detyre i drejtorit të klinikës së nefrologjisë, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se projektligji do të ndihmojë rritjen  cilësisë së jetës për personat që kanë nevojë për transplantime pasi që, sipas tij, shkurtohet afati kohor se për sa një pacient mund ta marrë organin që i nevojitet.

Ai thotë se deri më tash ka mbi 680 persona që trajtohen nga sëmundja e dializës në klinikë e të cilët, sipas tij, shumica janë edhe kandidatë potencialë për transplantime të veshkës.

Rudhani po ashtu tha se klinika ka mbi 80 pacientë që kanë kryer transplantime veshkash jashtë vendit por që bëjnë përkujdesin e vazhdueshëm mjekësor në këtë institucion.

Mjeku thotë se zbatimi i ligjit do edhe një kohë si dhe ngritje të kuadrove, por shton se “transplantimi i organeve në Kosovë është gjë që mund të bëhet me standardet e Bashkimit Europian”.