Ndjekësi i Tregtarëve të Organeve

Kosova ka një të ardhme të ndritur, por ndërkohë duhet të luftojë disa çështje serioze të korrupsionit dhe të krimit të organizuar — përfshirë në nivelet më të larta — pasi aktualisht është vend me bollëk targetesh për prokurorët.

Kështu thotë prokurori kanadez, Jonathan Ratel, i cili zbardhi rastin Medicus, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Javën e kaluar Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 20 vjet e tre muaj burg pesë persona, në krye me Lutfi e Arben Dervishin, pronarin e ish-klinikës dhe të birin, për krim të organizuar, lëndim të rëndë trupor dhe trafikim me njerëz. 

“Kanë qenë të jashtëligjshme edhe transplantimet edhe premtimet e rreme për pagesë.

“Ata kanë qenë pjesëmarrës kryesorë në një organizatë kriminale të madhe, në rekrutim, transportim, marrje dhe pranim të viktimave të trafikimit të personave me qëllim të heqjes së organeve”, thotë Ratel. “Këto veprime u bënë në klinikën Medicus. Kanë qenë të jashtëligjshme edhe transplantimet edhe premtimet e rreme për pagesë. Viktimat janë eksploatuar”.

Prokurori thotë se me hetimin e kësaj lënde kishte filluar të merrej që nga viti 2010 kur, me të mbërritur në Kosovë, i ishte dhënë rasti që ishte në dorë të hetuesve dhe prokurorëve të UNMIK-ut e të cilët nuk kishin arritur të ngrehin aktakuzë.

“Padyshim, shumë prokurorë do të pajtoheshin që ky ka qenë një hetim shumë kompleks dhe shumë i ndjeshëm. Gjithashtu shtrirja e këtij rrjeti kriminal të organizuar është shumë e madhe”, thotë Ratel. “Mirëpo, duhet të them se verdikti i takon Kosovës. Lënda ishte e gjykatës së Kosovës dhe hetimi ishte iniciuar nga ana e Kosovës”.

Urgjenca e hetimeve

Ratel thotë se ka punuar më herët në Tribunalin Penal të Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi, në Afganistan, Irak, Bosnjë e vende tjera.

“Erdha nga Kanadaja në Kosovë në mars të vitit 2010”, thotë ai. “Kur erdha, rasti m’u ngarkua në ditën e parë dhe lënda veçse po më priste”.

Hetimet ishin kishin filluar nëpërmjet UNMIK-ut në nëntor të 2008-ës, në bashkëpunim me policinë e Kosovës.

“Mendoj se i tërë hetimi paraprak ishte dëmtuar nga mënyra se si ishte kryer”, thotë Ratel.

Sipas tij, bastisja e klinikës Medicus ishte bërë pa urdhër të gjyqtarit paraprak dhe kështu më vonë në gjykatë ishte ngritur çështja e pranueshmërisë së provave për shkak se për bastisje të tilla kërkohet një urdhër i gjykatës.

“Çështja e urdhrit ka qenë shumë me rëndësi sepse aty ka pasur dokumente, regjistra mjekësorë
e regjistra anesteziologjie shumë të nevojshme për t’i bazuar aktvendimet”.

“Hetimi kishte filluar shpejtë e me urgjencë, pasi që në Aeroportin e Prishtinës ishte shfaqur një djalosh turk me emrin Yilmaz Altun (4 nëntor 2008), i cili kishte shfaqur probleme shëndetësore”, thotë Ratel. “Djaloshi kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe ishte kontrolluar nga një mjek në aeroport”.

“Mendoj se i tërë hetimi paraprak ishte dëmtuar nga mënyra se si ishte kryer.

“Policia menjëherë kishte kuptuar se diçka nuk ishte në rregull dhe pas kësaj kishte shkuar në Medicus dhe kishte bllokuar klinikën, ku edhe kishte gjetur pranuesin e organit të transplantuar, një shtetas izraelit me emrin Bezalel Shafran”.

Sipas Ratelit, problem qe se UNMIK-u ishte në fund të mandatit dhe kishte një prezencë të vogël.

Misioni i Kombeve të Bashkuara po ashtu kishte liruar më vonë të akuzuarin Moshe Harel, si gjetës të dhuruesve dhe marrësve të veshkave. “Atij i ishte thënë të kthehej në Kosovë që të përballej me akuzat, por ai nuk është kthyer më”. Ai ishte kapur nga vendorët.

Ratel thotë se, megjithatë, Policia e Kosovës ka bërë punë të mirë në fazën e parë të rastit dhe sidomos vlerëson Njësinë Kundër Trafikimit Njerëzor.

Karakteret kryesore

Jonathan Ratel thotë se aktakuza e veçantë e tij për izraelitin Moshe Harel dhe turkun Youssuf Sonmez është bazë e kërkimit të tyre nga Interpoli. Gazeta nuk ka mundur të gjejë këtë aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Hareli, thotë prokurori, është ndërmjetësi kryesor në sigurimin, shitblerjen dhe transplantimin e organeve njerëzore brenda atij rrjeti kriminal ndërkombëtar.

“Ai është personi kryesor që aranzhonte logjistikën, paratë dhe pagesat ndërkombëtare. Ai aranzhonte takimet me pacientët dhe viktimat dhuruese të organeve”, thotë Ratel.

“Në atë kohë, Hareli ishte banor i Izraelit dhe udhëtonte në Kosovë nëpërmjet Stambollit”, vazhdon prokurori. “Stambolli ishte vendtakimi i pacientëve viktima dhe pacientëve pranues të organeve. Pacientët shpeshherë fluturonin së bashku dhe menjëherë dërgoheshin në klinikën Medicus për t’iu nënshtruar operacionit, bashkë me Moshe Harel-in”.

Sipas Ratelit, në vitin 2008, kur edhe ishte arrestuar Hareli, nuk diheshin saktësisht aktivitetet e tij.

Ai thotë se UNMIK-u kishte shumë mundësi që ta mbante atë në Kosovë. Përmend mundësitë që ai të mbahej në paraburgim përmes arrestit shtëpiak, konfiskimit të pasaportës etj.

Turku Dr.Youssuf Sonmez ndërkaq, thotë prokurori, ka qenë kirurgu kryesor dhe personi kryesor në të gjitha transplantimet e organeve që kanë ndodhur. Rreth 24 transplantime janë vërtetuar. 

“Ai është trafikues famëkeq organesh me prejardhje nga Turqia, të cilin ne e kërkojmë për kohë të gjatë. Ai është në listë të kuqe të Interpolit dhe është i akuzuar në Turqi për shkeljet në klinikën Medicus dhe për mosparaqitjen e tij në gjykatë”.

Dr.Sonmez, sipas tij, ka pasur leje të përkohshme për mjek të përgjithshëm, si mjek i huaj në Kosovë, derisa kryente transplantimet. “Nuk besoj që autoritetet atëherë e kanë ditur historinë e plotë të Dr.Sonmezit dhe se ai ishte ndeshur me ligjin edhe në Turqi”.

Brenda një ore që kur djaloshi Yilmaz ishte ndaluar në aeroport policia ishte në Medicus, por aty nuk gjendeshin më as Sonmez as regjistri i operacioneve.

“Ka teori që ai mund të ketë marrë një veturë me qira dhe të ketë dalë jashtë shtetit përmes një rruge anësore”, thotë prokurori.

Sepse Ratel, gjatë punës së tij në këtë rast, e kishte takuar dhe intervistuar dy herë Sonmezin në Stamboll.

“Për aq sa e kam takuar, ai prezantohet si njeri entuziast dhe inteligjent. Si njeri me shumë vetëbesim në aftësitë e tij”, thotë Ratel. “ Ai ka një krenari të tepërt lidhur me aktivitetet e veta. Por, për mua, ai ka fare pak konsideratë për të mirën ose shëndetin e njerëzve tjerë.

“Dr.Sonmez ka interes të madh të përfitojë shumë e më shumë”, shtoi prokurori.

Ratel tha se besohet se dr.Youssuf Sonmez aktualisht mund të ndodhet në Afrikën e Jugut.

As Hareli as Sonmezi, sipas prokurorit, nuk kanë mundur të ekstradohen në Kosovë për shkak se Izraeli dhe Turqia e ndalojnë këtë.

Dick Martyt nuk iu hoq imuniteti. Fatkeqësisht

Ish-deputeti zviceran Dick Marty, në dhjetor të 2010-tës, kishte nxjerrë një raport me të cilin pohonte se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ishte i përfshirë në ndërmarrje të trafikimit të organeve në fund të luftës në Kosovë.

Në raportin e Martyt ishte përmendur edhe klinika Medicus si një lidhje në mes asaj çfarë kishte ngjarë në 99-tën dhe transplanteve gjatë vitit 2008.

Sipas prokurorit Ratel, Marty kishte thënë se kishte gjetur dëshmi që e ndërlidhnin rastin Medicus me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”, në Brurrel-Shqipëri, ku Marty pohonte se mund të ishin kryer transplantimet e viktimave serbe nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Me kërkesën time, gjykata është pajtuar që t’i bëj thirrje Dick Martyt që të vijë në gjykatë,
mirëpo ajo thirrje është refuzuar mbi bazën se ai gëzonte imunitet  dhe se ai nuk mund të detyrohet të paraqitet në gjykatë”, thotë Ratel.

“Gjykata dhe prokuroria e kanë konsideruar këtë si fatkeqësi të madhe, meqë Dick Marty ka përmendur në raportin e tij, ka pohuar, se ka dëshmi të lidhjes direkte mes klinikës Medicus
dhe dyshimeve për trafikim organesh gjatë luftës”, shton Ratel. “Ne kishim shumë interes për dëshminë e tij”.

“T’ju them të drejtën, nuk e kuptoj pse imuniteti i tij nuk ishte hequr”, tha ai. “Gjatë këtyre katër viteve e gjysmë në këtë rast, për vete mund të them se nuk kam gjetur dëshmi që ndërlidhin Medicusin me dyshimet për trafikim organesh gjatë luftës”.

Dhe, thotë Ratel, ai nuk është ndikuar nga politika për “asnjë pikë” në rastin e tij.
 
Rusia refuzoi

Prokurori thotë se rasti kërkoi kohë të trajtohej dhe përfshinte 30 kërkesa për ndihmë juridike tek vende tjera.

“Fatkeqësisht, Federata Ruse nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare lidhur me kërkesat tona
për të intervistuar tre shtetas rusë të cilët na nevojiteshin shumë, qoftë përmes internetit ose mënyrave tjera”, tha Ratel. “Shteti tjetër, Moldavia, nuk ka dhënë përgjigje zyrtare, mbase për shkak se nuk e ka njohur Kosovën”.

Mirëpo, 12 shtete tjera, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Turqinë, Izraelin, Kanadanë, Zvicrën, kishin bashkëpunuar.

Prokurori thotë se është vërtetuar se viktimat kanë përjetuar gjymtime të rënda fizike.

“Në raste të caktuara, viktimat kanë përjetuar dhimbje të jashtëzakonshme, shëmtime fizike. E drejta për punësim u është kufizuar dukshëm. Disa prej tyre do të jetojnë ashtu tërë jetën”, tha ai.

Sipas tij, edhe pacientët pranues të veshkave kanë pasur problem.

“Disa nga këta pacientë kanë vdekur, duke përfshirë disa prej tyre që kanë dhënë dëshmi në gjykatë. Oër shembull, shtetasi kanadez Ralf Fien”, thotë Ratel. “Është e vështirë të vërtetohet nëse ka pasur ndërlidhje mes vdekjes dhe transplantimit”.

Prokurori thotë se, për qëllime kompensimi, i ka kërkuar gjykatës që konfiskohet objekti, prona tokësore, pajisjet mjekësore dhe gjithçka brenda ish-klinikës Medicus.

Elemente të njohura

Prokurori kanadez thotë se konturat e rastit kanë qenë të njohura për të dhe të ngjashme me elemente nga raste tjera të trafikimit me qenie njerëzore që ai i ka trajtuar.

“Teknikat e përdorura nga rekrutuesit për të bindur qytetarët e mjerë që të bien dakord të shesin organet si dhe teknikat e largimit të organeve, ishin pothuaj të njëjta”, thotë ai.

“Pastaj, premtimet e rreme për pagesë, detyrimet, mashtrimet dhe mënyrat tjera të përdorura kundër tyre, duke përfshirë edhe forma të trysnisë. Këto elemente janë vërejtur në rast tjera të trafikimit, sikurse në prostitucion”.

Po ashtu, thotë Ratel, komunikimi, metodologjia dhe kanalet e përdorura në klinikën Medicus nga këta trafikantë ishin të njëjta me ato të kriminelëve të tjerë në trafikim të narkotikëve, armëve dhe prostitucionit.