Ilustrim

Sy-Vëzhguesit Po u Shohin

Tregtari kinez Ye Pei You, rreth të dyzetave, më 11 qershor të vitit të kaluar ishte therur me thikë në qytetin e Pejës. 

Ai vdiq nga plagët e shkaktuara nga sulmuesit që ishin futur në dyqanin e tij në rrugën “Eliot Engel”.

Dhjetë ditë më vonë, policia kishte arrestuar tre të dyshuar. 

Ajo kishte njoftuar se identifikimi i të dyshuarve ishte mundësuar nga kamerat që janë të vendosura në rrugët kryesore të Pejës. 

Agron Galani, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Pejës, i tha gazetës se kamerat e vendosura në qytet kanë ndihmuar në zbardhjen  e shumë rasteve të këtilla. 

“Kamerat e kanë ndihmuar policinë dhe prokurorinë në arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e tregtarit kinez”, tha Galani. 

“Na kanë ndihmuar edhe në zbardhjen e rreth 40 rasteve të tjera, siç janë vjedhjet, bastisjet, rrahjet e vepra të tjera”.

Qyteti, që nga viti 2011, është i vëzhguar nga kamerat të cilat janë të vendosura në rrugët kryesore të tij. 


Peja | Foto: Kaltrina Rexhepi

Rreth katërdhjetë kamera të vendosura në Pejë regjistrojnë pandërprerë për 24 orë . 

Abdyl Lajqi, drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim në Pejë, i tha gazetës se faza e parë e vendosjes së kamerave i ka kushtuar komunës rreth 67 mijë euro. 

“Këto kamera kanë ndihmuar dukshëm në zbulimin e rasteve të ndryshme të veprave kriminale, sipas informatave që kemi nga Policia e Kosovës”, tha Lajqi. 

Lajqi tregoi se një person i autorizuar nga drejtoria e tij kujdeset për xhirimet, derisa qasje në to mund të kenë edhe zyrtarët e autorizuar nga policia. 

“Duke e parë si projekt të dobishëm në aspektin e sigurisë së qytetarëve, për këtë vit janë ndarë mjete në shumën prej 50 mijë eurosh për rritjen e numrit të kamerave në Pejë”, tha Lajqi.

Një projekt të tillë, së fundmi e ka filluar edhe komuna e Mitrovicës, atje ku situata e sigurisë vlerësohet më e brishtë. 

Ahmet Jashari, drejtori për informim i komunës, i tha gazetës se me vendosjen e kamerave në Mitrovicë, synohet të rritet niveli i sigurisë.

“Kamerat do të vendosen në rrugët kryesore, disa sheshe e shkolla. Me to synojmë ta ngrehim nivelin e sigurisë dhe parandalimin e problemeve të ndryshme”, tha Jashari.

Ai shtoi se projekti është ndihmuar nga komuna e Mitrovicës, derisa në monitorimin e saj do të ketë qasje edhe policia e vendit.

“Kamerat do të vendosen në jug të qytetit, përderisa ato mbi urën e Ibrit ka kohë që janë të vendosura”, tha Jashari. 

Kamera të tilla janë të vendosura edhe në Graçanicë. 


Graçanica | Foto: Flickr

Kështu pritet të veprojë edhe Komuna e Prishtinës e cila më 30 prill ka shpallur tender të ri për vendosjen e kamerave në shkolla dhe semaforë, pasi dy të tillë i kishte anuluar në muajin shkurt të këtij viti dhe në dhjetor të vitit të kaluar. 

Komuna e Graçanicës nuk ka dhënë përgjigje se çfarë rezultate janë arritur pasi janë vendosur kamerat. As komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje si është duke shkuar projekti për vendosjen e kamerave. 

Kamerat ndihmojnë Policinë

Policia e Kosovës e ka mirëpritur vendosjen e kamerave në hapësirat publike. 

Sipas saj, kamerat ndihmojnë pozitivisht në parandalimin e rasteve të krimit. 

“Kamerat që vendosen në objekte publike ose private ndikojnë pozitivisht në parandalimin e rasteve të ndryshme kriminale si dhe në zbulimin e rasteve të ndryshme që ndërlidhen me komunikacionin rrugor”, thuhet në përgjigjën e zyrës për informim të policisë. 

Ajo thotë se nuk është përgjegjëse për monitorimin e kamerave. 

“Policia menaxhon kamerat që janë të vendosura nga vet PK-ja, por jo edhe kamerat tjera që vendosen nga institucione dhe kompani të ndryshme”, tha zyra për informim.  

Sipas saj, kur ekziston dyshimi i bazuar, xhirimet që i bëjnë institucionet dhe objektet tjera private, e të cilat nuk i menaxhon policia, mund të përdoren si dëshmi në raste të caktuara. 

“Xhirimet mund të merren vetëm me urdhëresë të gjykatës përkatëse dhe të përdoren si dëshmi në proceset gjyqësore”.


Prishtina | Foto: Liridona Hyseni

Një kompani që merret me shitjen e kamerave pohon se qytetarët shpeshherë bezdisen nga policia që kërkon incizimet. 

Granit Hasani, drejtori i përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Besa Security”, i tha gazetës se policia shpeshherë kërkon edhe ndihmën e kompanisë për të siguruar xhirimet e kamerave. 

Kompania vendos kamera nëpër shtëpi e banesa private kur qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë.

Hasani tha se një pjesë të qytetarëve po i bezdis ardhja e policisë para shtëpive të tyre duke i kërkuar xhirimet që mund të kenë kapur kamerat private. 

“Disa nga ta na thonë  ‘mos na e vendosni kamerën aty ku kapen pamje nga rruga’”, tha Hasani. 

Megjithatë, sipas tij, kanë shënuar rritje kërkesat e qytetarëve për të vendosur kamera të sigurisë në shtëpitë e tyre.

“Kur bëjmë krahasime me dy vitet paraprake, numri i kërkesave për kamera është rritur shumë”, tha Hasani. 

“Përgjithësisht në Ballkan, këto vite ka ndërruar mënyra e të menduarit për kamerat”.

Drejtori i përgjithshëm i “Besa Security” tha se një kamerë mund të kushtojë nga 40 deri në 12 mijë euro. 

Ligji ka zbrazëti…kritikohen autoritetet

Mentor Hoxhaj, zëvendësmbikëqyrësi kryesor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDP), i tha gazetës se vendosja e kamerave është e rregulluar me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

“Secili person juridik mund të vendosë kamera për vëzhgim pasi ta nxjerrë një vendim në të cilin tregohen arsyet për vendosjen e kamerave të cilat duhet të jenë në përputhshmëri me legjislacionin përkatës”, tha Hoxhaj.

Por ligji nuk e përcakton nëse hapësirat publike, siç janë rrugët, sheshet, shkollat e pjesë të tjera mund të jenë të vëzhguara nga kamerat. 

Në nenet 61, 62 dhe 63 tregohet se cilat janë rregullat si duhet të bëhet vëzhgimi i ndërtesave zyrtare, atyre të biznesit, apartamenteve, por jo hapësirave tjera, që konsiderohen të jenë publike.

Hoxhaj tha se “çështja e vëzhgimit të kamerave në hapësirat publike është e rregulluar me ligjin e Policisë së Kosovës”. 

Ligji për polici, në nenin 25 thotë se “Policia është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale…”.

Ky ligj tregon për kamerat të cilat i ka vendosur policia në pjesë të caktuara të vendit, por jo edhe për kamerat të cilat vendosen nga institucione tjera. 

Hoxaj thotë se agjencia nuk e di numrin e saktë të kamerave të vendosura në tërë territorin e vendit. 

Sipas tij, ajo aktivizohet kur sheh se kamerat janë të vendosura dhe bën vlerësimin se a janë vendosur bazuar në rregullat që parashihen në ligjin përkatës. 

Po ashtu, sipas tij, agjencia bën verifikim edhe kur ndonjë qytetar mund të ankohet se janë vendosur kamera në mënyrë të parregullt.

Policia e Kosovës nuk dha përgjigje kur u pyet sa sa kamera janë të vendosura në vend. 

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, i tha gazetës se kamerat e vendosura në hapësira publike, ndihmojnë në ngritjen e sigurisë për qytetarët. 

Por, thotë Shala, këto kamera duhet të vendosen sipas rregullave të parapara në legjislacionet përkatëse. 

“Në çdo vend ku ka kamera, aty duhet të ketë edhe shenjë paralajmëruese që tregon për këtë”, tha Shala, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Në momentin që nuk ka shenja që tregojnë se ka kamera përreth, kjo automatiksht është shkelje e privatësisë”.

Shala shpreh shqetësimin e tij për ligjin e të dhënave personale. “Ne jemi larg me ligjet të cilat tregojnë se në çfarë hapësire duhet të vendosen kamerat e në cilat hapësira jo, kush duhet t’i monitoroj ato etj…”


Islustrimi: Visar Kryeziu

Për një rast të lidhur me kamerat vëzhguese Dilaver Kryeziu, i cili drejtoi ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ishte shkarkuar nga ky post në maj të vitit 2012. 

Ai ishte denoncuar nga valltaret e ansamblit se kishte instaluar kamera të fshehta në zhveshtore për më shumë se një vit. 

Rasti i Kryeziut pati shkuar në Gjykatën për Kundërvajtje e cila, sipas ansamblit, e kishte gjobitur. 

Mentor Hoxhaj nga AShMDP i ka tha gazetës se në rastet kur bëhet xhirim i paautorizuar, dënimet ndaj palës mund të shkojnë nga 4 deri në 10 mijë euro, nëse kamerat nuk hiqen deri pas vërejtjes së tretë që behët me shkrim nga kjo agjenci.  

“Në rastin e Dilaver Kryeziut, ne nuk kemi shqiptuar gjobë pasi që ai i ka hequr kamerat nga çdo hapësirë e vendosur kur ne i kemi dërguar vërejtjen e dytë” tha Mentor Hoxhaj. 

Në ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thuhet se “Pamjet të cilat i marrin këto kamera duhet të ruhen deri në gjashtë muaj, përveç nëse nuk kërkohet ndryshe për qëllime legjitime”.

Ligji për Policinë rregullon më ndryshe këtë çështje pasi kërkon ruajtjen e xhirimeve për një periudhë më të shkurtër kohore. 

“Incizimet video dhe audio nga vëzhgimi parandalues do të mbahen jo me gjatë se tridhjetë (30) ditë nga dita e incizimit, përveç kur pas kontrollimit, verifikohet se incizimi përmban të dhëna për veprimtari kriminale. 

Mbretëria e Bashkuar dhe Historiku i “Sy-Vëzhguesve”

Kamerat vëzhguese ose ClosedCircuitTelevision (CCTV) janë video kamerat që vendosen në një vend të caktuar, të cilat sjellin sinjal në një numër të kufizuar monitorësh. 

Përdorimi i parë i tyre ishte bërë nga “Rajhu i Tretë”, siç quhej Gjermania e udhëhequr nga Adolf Hitler, në vitin 1942 gjatë testimeve të sistemeve reaktore V2 ku hyjnë edhe raketat e njohura “tokë-ajër”. 

Hapësirat publike kanë filluar të vëzhgohen nga CCTV në New York gjatë vitit 1973. 

Sot, Mbretëria e Bashkuar është vendi me më së shumti kamera të vendosura në botë. 

Sipas gazetës “The Guardian”, në vitin 2011 sistemi nëntokësor i transportit publik në Londër kishte të instaluara rreth 11 mijë video-kamera, ndërsa në pjesën tjetër të qytetit janë të instaluara edhe rreth 10 mijë të tjera.

E gjithë Mbretëria e Bashkuar ka rreth 2 milionë “sy-vëzhgues”, që janë vendosur nga persona privatë e nga shteti, e që për 24 orë ndjekin çdo veprim të britanikëve.

Vendosja e këtyre kamerave kishte filluar gjatë viteve të 70-ta dhe mori hov më të madh pas sulmit terrorist të Ushtrisë Republikane të Irlandës (IRA) në qendrën financiare të Londrës në vitin 1993, i njohur ndryshe si “bishop gatebombing”.  

Mbretëria e Bashkuar çështjen e vendosjen së kamerave e ka të rregulluar me  Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe me Kodin e Praktikës gjithnjë duke respektuar edhe Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut (1998).

Kjo bazë ligjore rregullon se kur pamjet e personit te regjistruara nga CCTV mund të përdoren. 

Kamerat vëzhguese kanë luajtur rol të rëndësishëm në identifikimin e personave të përfshirë në sulme terroriste në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. 

Rasti i fundit ishte sulmi terrorist në Boston me ç‘rast pamjet e regjistruara nga CCTV-të quan edhe në arrestimin e vëllezërve Tsaranev nga Rusia.