Universiteti Kontrakton Kompaninë me Parregullsi

Rektori i Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi, më 10 prill të këtij viti, hipi në autobusin e kompanisë “Vëllezërit Thaçi” nga Drenasi.

Gashi po niste solemnisht projektin e universitetit për t’u ofruar studentëve udhëtim pa pagesë.

Për të zbatuar projektin është angazhuar kompania me pronar Mehdi Thaçin, bashkëvendësin e rektorit, nga fshati Llapushnik i Drenasit.

Rektori nuk dha informacione rreth angazhimit të kësaj kompanie edhe pse një gjë e tillë iu kërkua për dy javë.

Mehdi Thaçi figuron si pronar i vetëm i kompanisë “Vëllezërit Thaçi” në regjistrat e biznesit në Ministrinë e Tregtisë.

Thaçi tha se fitoi tenderin meqë kishte ofertë të mirë, por ai nuk pranoi të tregojë se kur kishte konkurruar dhe kur kishte lidhur kontratën me UP-në.

“Fakti që jemi nga i njëjti fshat me rektorin nuk do të thotë asgjë”, thotë Thaçi. “Pse është ai rektor, nuk do thotë që unë me ndalë punën. Unë duhet të punoj”.

Thaçi tha se është i zënë me punë dhe se nuk ka kohë të flasë më shumë për kompaninë.

Ligji i Prokurimit Publik parasheh që Autoriteti Kontraktues duhet të bëjë publikë emrat e Operatorëve Ekonomikë që lidhin kontratë publike.

As Afrim Bajraktari, drejtor i prokurimit në Universitetin e Prishtinës, nuk dha informacione se cilat kritere plotësoi kompania private për të lidhur kontratë publike.

Bajraktari fillimisht tha se tenderi nuk ishte i hapur dhe se për këtë arsye nuk gjendet në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KRPP.

Në këtë rast, sipas tij, ishte aplikuar tender i mbyllur. Për procedurat e këtij aktiviteti prokurimi, Bajraktari pohoi se gazeta do të njoftohej me shkrim. Ai pastaj nuk pranoi të japë përgjigje edhe pse u prit për dy javë.  

Fakti që jemi nga i njëjti fshat me rektorin nuk do të thotë asgjë. Mehdi Thaçi

Në faqen zyrtare të KRPP-së publikohen edhe Njoftimet për Dhënie Kontrate të tenderëve të mbyllur.

Autoritetet Kontraktuese obligohen që nëpërmjet KRPP-së të bëjnë publikë fituesin që del nga procedurat e hapura të prokurimit, procedurave të kufizuara si dhe procedurave të negociuara të prokurimit.

Njoftimi për shpalljen fitues të kompanisë “Vëllezërit Thaçi” nuk figuron në asnjë prej rubrikave në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Një nga arsyet pse, sipas ligjit, modeli i negociuar i prokurimit mund të aplikohet janë “emergjencat ekstreme të shkaktuara nga ngjarje objektivisht të verifikueshme”.

Gashi foli për projektin

Kur autobusi ishte lëshuar për qarkullim, rektori Gashi kishte mbajtur një konferencë shtypi ku kishte prezantuar projektin.

Ai kishte thënë se autobusi është kontraktuar për këtë semestër dhe se do të funksionojë deri më 15 korrik të këtij viti. Universiteti i Prishtinës ofron shërbime udhëtimi pa pagesë për studentët.

“Është si fazë provuese për të parë se sa dhe si do ta vlerësojnë studentët. Nëse shihet se është gjë që u ndihmon atyre, UP-ja do të mendojë nëse duhet të angazhohet edhe një autobus tjetër”, përcjell koha.net deklaratën e Gashit.

Ai kishte thënë se UP-ja ka kontraktuar vetëm një autobus i cili do të lëvizë dhjetë herë në ditë përreth njësive akademike të UP-së.  

Nëse shihet se është gjë që u ndihmon studentëve, UP-ja do të mendojë nëse duhet të angazhohet edhe një autobus tjetër. Ibrahim Gashi

Kjo, sipas tij, do t’u mundësojë studentëve që për çdo orë të kenë në dispozicion autobusin para fakulteteve ku studiojnë.

“Në ofertën që e kemi shpallur, e kemi zgjedhur ofertën më të lirë, kemi përzgjedhur kompaninë e cila ka ofruar lëvizje më shumë gjatë ditëve të javës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se kostoja mujore e qarkullimit të këtij autobusi për bartjen e studentëve do të jetë 2.500 euro.

Parregullsitë e kompanisë “Vëllezërit Thaçi”

Instituti për Studime të Avancuara GAP publikoi në nëntor të vitit të kaluar raportin “Letërnjoftimi i Drenasit”.

Raporti përmend edhe një rast që ka të bëjë me kompaninë “Vëllezërit Thaçi”.

Ajo udhëhiqet nga asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në kuvendin komunal, Elmi Thaçi.

“Kjo kompani ka marrë tender për bartjen e nxënëseve në 11 relacione të Komunës së Drenasit”, thotë raporti.

Thaçi nuk dha përgjigje në kërkesën e Gazetës Jeta në Kosovë për të komentuar për gjetjet e këtij raporti.

Ai figuron si person kontaktues në Njoftimet për Dhënie Kontrate të Komunës së Drenasit ku kompania është shpallur fituese.

Minibusët ishin mbingarkuar me nxënës si dhe në një rast një minibus i kompanisë kishte shkelur dy nxënës në fshatin Terstenik. GAP

Raporti pohon se vlera e parave që kompania “Vëllezërit Thaçi” kishte marrë nga komuna në gjysmëvjetorin e parë të mësimit për vitin 2012 ishte mbi 55 mijë euro.

Komisioni mbikëqyrës i komunës së Drenasit kishte konstatuar parregullsi gjatë bartjes së nxënëseve në relacionet e parapara.

“Komisioni kishte gjetur se minibusët ishin vozitur nga personat nën moshën 18 vjeçare (pa patentshoferë), minibusët ishin mbingarkuar me nxënës si dhe në një rast një minibus i kompanisë kishte shkelur dy nxënës në fshatin Terstenik duke u shkaktuar atyre lëndime trupore”, thuhet në raportin e GAP-it.

Në raport thuhet se, përkundër këtyre konstatimeve, kompania “Vëllezërit Thaçi” kishte fituar prapë tenderin për bartjen e nxënëseve në gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti në 6 relacione të ndryshme të komunës së Drenasit.