Hajnia Pothuajse Nuk Ndëshkohet

Një gurthyesi në Gjakovë në fund të shkurtit iu vodhën rreth 4,500 kilogramë kabllo të rrymës elektrike duke ia pamundësuar fillimin e punës sezonale.

Dhe nuk është hera e parë që cak i vjedhjeve bëhet prona e familjes Podrimja.

Pronari Bashkim Podrimja thotë se nga viti 2004 e kanë vjedhur mbi njëzet herë. Dëmi nga këto vjedhje, sipas tij, arrin 300 mijë euro.

Podrimja ankohet se rastet nuk janë duke u zgjidhur nga gjyqësori.

“Kjo pronë (ku është i vendosur gurthyesi) ka dy hektarë e 75 ari. Është fabrikë e përpunimit të gurit dhe të zhavorrit, mirëpo kemi shumë probleme me rastet e vjedhjeve”, thotë ai. “Na vjedhin hekur, bakër, metal në vazhdimësi…”.

Vjedhja e parë, rrëfen ai, kishte ndodhur në maj 2004. Që nga atëherë hajnia në pronën e tij dhe të vëllezërve nuk është ndalur.

“Kohën e fundit nga dëmet e mëdha që na kanë shkaktuar, na është bërë i pamundur edhe fillimi i punës sezonale”, thotë Podrimja.

Në atë rast, vetëm dëmi nga kabllot e vjedhura, sipas vlerësimit të KEK-ut, kapte shumën e 27,097 eurove.


Gurthyesi

Njëri prej kryesve të mundshëm të vjedhjeve është lajmëruar në polici.

Ai, duke kërkuar që të mos i zbulohet identiteti, pranoi të rrëfejë se si dhe pse ka vjedhur në pronën e Podrimjes.

“Fillimisht kam shkuar me një shok”, fillon ai. “Një herë kemi marrë hekur me golf 2, e kemi shitë. I kemi marrë 45 euro, i kemi nda nga 22,5 për shoq”.

“Tani kemi shku prapë me kamionetë”, vazhdon kryesi i mundshëm. “I kemi këputur krejt kabllat çka ka pasë, i kemi bo copa-copa nga një metër. I kemi çitë anej reke, edhe i kemi çu në shtëpinë e shokut tjetër”.

“Ai m’i ka dhënë vetëm 40 euro edhe më ka thënë ‘hajt tasht baju’. Vetë i ka shitë edhe pale sa pare i ka marrë”.

“Për inat tasht jam tu tregu”, shtoi ai. “Jam penduar për krejt atë çka kam bërë, se atëherë kam qenë i papunë”.

Kryesi i mundshëm tha se është i vetëdijshëm për faktin se me pranimin e fajësisë mund edhe të ndëshkohet, mirëpo tha se këtë e ka bërë me vullnetin e tij të lirë, ngase është penduar për kryerjen e kësaj vepre.

I dëmtuari Podrimja tha se problemi më i madh qëndron te bashkëpunimi në mes të hajnave dhe deponive të cilat mbledhin hekur dhe bakër.

Ai shtoi se, për shembull, disa herë e ka gjetur mallin e tij në deponinë e Ruzhdi Komnovës, Gjakovë. Ky i fundit vetëm ka thënë se bakër nuk ka blerë, kurse sasinë e blerë të hekurit, në bashkëpunim me policinë, e ka ndarë nga deponia dhe pret që policët të merren me rastin.

Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, thotë se është në dijeni për rastet e vjedhjeve në familjen Podrimja.

“Gjithsej në polici (Podrimja) i ka të paraqitura 18 raste”, tha Gjokaj. “Vetëm këtë vit i ka të raportuar tri raste të vjedhjeve. Prej këtyre tri rasteve të fundit, pas hetimeve intensive që kemi bërë, janë zbuluar kryesit dhe me anë të kallëzimit penal i kemi dërguar në Prokurorinë e Gjakovës”.

Kryeprokurorja e Themelores në Gjakovë, Shpresa Bakija, tha se tri nga këto raste vjedhjesh janë zgjidhur me aktgjykim përfundimtar.

“Në rastet kur kemi pas fakte janë zgjidhë; ato janë tri. Kemi pasë raste të tjera të cilat nuk kemi mundur t’i zgjidhim, ndërsa ka pasur edhe raste tjera që kanë qenë me kryes të panjohur”, tha Bakia.

Në tri rastet e zgjidhura kryesit kanë marrë dënime me kusht, ndërsa njëri është gjobitur me 250 euro.

“Mirëpo…në gjykatë është krijuar si shprehi që kryesit t’i ndëshkojnë me gjoba shumë të ulëta”, tha prokurorja.


Bashkim Podrimja

I dëmtuari Podrimja thotë se vlera e përgjithshme e dëmit në pronën e tij kap shumën rreth 300 mijë euro, mirëpo shton se nuk pret nga askush që ta kompensojë, për faktin se rastet e tij nuk janë zgjidhur.

Vjedhja – vepra më e shpeshtë penale në Kosovë

Vepra penale e vjedhjes ka qenë dhe vazhdon të mbetet vepra më e shpeshtë penale e paraqitur në Gjykatat e Kosovës.

Sipas statistikave të siguruara nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2010, në gjykatat tona, ishin zgjidhur 2,499 raste të vjedhjeve.

Në vitin 2011, qenë zgjidhur 4,390 raste, derisa në vitin 2012 numri i rasteve të vjedhjeve arrinte në 5,910 raste të zgjidhura.

Dënimi i shqiptuar nga gjykatat për vjedhje është i ulët. Në vetëm 1.2 për qind nga të gjitha rastet, për të tri vitet, është shqiptuar dënimi me burgim. Në shumicën e rasteve tjera është shqiptuar gjoba dhe dënimi me kusht.

Vetëm në vitin 2012 në stacionin policor në Gjakovë janë paraqitur mbi 700 raste të vjedhjeve.

Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, në këtë stacion janë paraqitur afër 300 raste.


Intervistë me komandantin Kristë Gjokaj

Kjo për komandantin Gjokaj është mjaft shqetësuese.

“Vjedhjet janë veprat penale më të shpeshta në komunën tonë”, tha ai. “Në vitin e kaluar kemi pasur 767 vjedhje dhe vjedhje të rënda, ndërsa në këtë periudhë tre mujore kemi 280 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda”.

Në Malishevë flet kryesi, prokuroria thotë s’ka prova materiale

Me vjedhje të shpeshta është përballur edhe fshati Astrazub i Malishevës.

Aty janë thyer e demoluar disa shtëpi, mes tyre edhe e noterit Ibrahim Elshani.

Familja Elshani kishte pasur një rast vdekje jashtë fshatit Astrazub dhe asnjëri nga anëtarët e familjes nuk ishte në shtëpi.

Kur ishin kthyer në mbrëmje e kishin parë se dritarja dhe dera ishin të thyera dhe çdo gjë brenda shtëpisë ishte demoluar.

I dëmtuari Elshani thotë se vetëm ari i vjedhur në këtë shtëpi kalon vlerën e mbi 4 mijë eurove.

“Duke mos marrë parasysh dëmet tjera si demolimet dhe thyerjet e dritareve dhe dyerve të shtëpisë, më janë vjedhur vetëm ari në vlerë afër 5 mijë euro, si dhe para të thata 700 euro”, thotë Elshani.


Ibrahim Elshani

Në ndërkohë një person është kapur nga policia. Atij iu ka gjetur një gjenerator në shtëpi, pastaj ka treguar se ka vjedhur edhe shtëpinë e Elshanit.

“I gjithë përshkrimi i tij është përputhur me atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë në shtëpinë time”, thotë Elshani. “Por në fund çka ka qenë shumë befasuese për mua, ka qenë fakti se prokurori nga Gjakova ka marrë vendim me të cilin i ka pushuar hetimet”.

“Ka thënë se nuk ka gjetur prova materiale në vendin e ngjarjes. A po pret prokurori që hajni t’ia lë edhe mjetet me të cilat e ka kryer veprën penale, e ndoshta edhe lëternjoftimin në mënyrë që t’ia lehtësojë punën?”, shprehet Elshanit.

Gazeta ka siguruar procesverbalin e intervistimit të të dyshuarit në polici.

Ndër të tjera në faqen e tretë thuhet: “Po, tek avokati Ibrahim Elshani kemi qenë që të pestit. Ne tre kemi hyrë në një lokal-shitore te I., kemi marrë nga një birrë, kurse B. dhe M. kanë shkuar dhe e kanë thyer dhe vjedhur shtëpinë, kryesisht kanë vjedhur ari, sa muj me ditë. I. është axha i Ibrahimit”.

“Kah kemi shkuar ne veturë i kam thënë B. se mos është rrezik që ditën ta kryejmë këtë vjedhje. Ai më tha se nuk është problem i yti, ‘ju hyni e pine nga një birrë, ne e kryejmë vjedhjen’”.

“Ora ka qenë rreth 15:00 ose 16:00. Aty kemi pritur diku rreth një orë e gjysmë. Ka pasur edhe persona tjerë, mirëpo asnjë nuk i kam njohur përveç I., më herët kam qenë në Itali me të”.

“I kemi pirë nga dy birra, që në fund i paguan ata dy personat që unë nuk po i njoh. Janë të moshës rreth 30 vjeçare. B. dhe M. i njohin”.

“Veturën e kemi pasur të parkuar para shitores. B. dhe M. kanë zbritur nga vetura para se të shkojmë te shitorja, edhe kanë hipur aty ku i kemi zbritur me qëllim që mos të shihen nga personat që kanë qenë në shitore”.

“Kemi vjedhur ari, sipas tyre një sasi të madhe, por sa saktësisht nuk na kanë treguar. Nga aty kemi ardhë në Malishevë te ‘Rozafa’, kemi pirë pije të ndryshme, kemi qëndruar rreth një orë”.

“Unë jam larguar, ata i kam lënë aty. Pas dy dite më ka thirrë B. në ‘Kajot’ dhe m’i ka dhënë 50 euro për shërbim dhe më tha se është për ngut…nuk më ka treguar se ku dhe sa e ka shitur arin”.


Avokati Rrahman Kastrati

Gazeta e ka kontaktuar Bekim Kryeziun, avokatin e të dyshuarit. Ai ishte prezent edhe gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor.

Avokati Kryeziu tha se e ka njoftuar klientin për të drejtat e tij, mirëpo ky i fundit me vullnet e ka pranuar fajësinë në mënyrë që kjo t’i merret si rrethanë lehtësuese në aktgjykimin përfundimtar.

Pastaj, sipas avokatit Kryeziu, klienti ka qenë i kërcënuar nga bashkëkryesit tjerë dhe në prokurori siç duket e ka mohuar atë që e ka thënë në polici.

“Deklaratën e ka dhënë me vullnet. Unë si avokat e kam njoftuar me të drejtat e tij, mirëpo vetë ka dashtë që ta pranojë fajësinë. Në asnjë mënyrë nuk ka pasur ndonjë presion nga ana e policisë që ai ta pranojë fajësinë”, shtoi avokati.

Meqë prokurori Xhavit Osmani nga Gjakova ka marrë vendim me të cilin i ka pushuar hetimet përë këtë rast, avokati Rrahman Kastrati, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuari Elshani, duke mos parë rrugë zgjidhje tjetër, ka bërë kërkesë te kryeprokurori i shtetit për anulimin e aktvendimit të prokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Tani ai thotë se është duke pritur përgjigje nga kryeprokurori i shtetit.

“Kam bërë kërkesë te kryeprokurori i shtetit për anulimin e vendimit të cilin e ka ndërmarrë prokurori i Gjakovës”, tha avokati. “Është rregull që çdo deklaratë e të dyshuarit e dhënë në polici, kur jepet në prezencën e avokatit të tij, konsiderohet provë e pranueshme në procedurat e mëtutjeshme penale, e nga ana tjetër prokurori tëhotë se nuk kishte prova të mjaftueshme për t’u bazuar dyshimi i mirë”.

Gazeta e ka kontaktuar prokurorin e rastit Xhavit Osmanin, mirëpo ai nuk ka pranuar që të prononcohet. Ai vetëm tha se t gjithë lëndën tani e ka marrë Prokuroria e Shtetit.