Xhami apo Qendër Tregtare?

Pas kërkesave të vazhdueshme të besimtarëve myslimanë, Prishtina i kishte ndarë vitin e kaluar Bashkësisë Islame të Kosovës një parcelë me 81 ari tokë në lagjen “Ulpiana”, afër selisë së Post-Telekomit në drejtim të Katedrales, për ndërtimin e xhamisë qendrore.

Parcela e tokës që është në pronësi të komunës aktualisht shfrytëzohet për parking.

Më 8 tetor të vitit të kaluar, në mënyrë simbolike, BIK-u kishte vënë gurthemelin e xhamisë.

Gurthemeli i xhamisë qendrore

Bashkësia islame kishte hapur konkurs ndërkombëtar për pranimin e projekteve ideore për ndërtim më 10 dhjetor. Paraqitja e projekteve është bërë deri më 13 shkurt të këtij viti.

Arkitekti i bashkësisë, Esat Ramadani, tha se gjatë procesit ishin regjistruar 130 individë dhe zyre të arkitektëve të interesuar, mirëpo, sipas tij, janë dorëzuar gjithsej 81 punime.

Sipas kalendarit të projektit, fituesi është dashur të shpallet më 22 mars, të premten. Mirëpo, BIK-u ka vendosur që së pari, më 27 mars, të hapë një ekspozitë me të gjitha punimet dhe vetëm atëherë, pas 31 marsit, të shpallë fituesin.

Jurinë e përbëjnë 3 arkitektë të huaj – boshnjaku Amir Pashiq, turku Ibrahim Numan dhe italiani Atillio Petruqolli – dy arkitektë kosovarë, Muhamet Morina dhe Jusuf Xhepa, si dhe dy përfaqësues të bashkësisë islame Sabri Bajgora e Naim Terrnava.

Në dokumentet e konkursit, BIK-u ka kërkuar një sallë të lutjeve për femra me një hapësirë që do t`i zinte 3600 persona dhe një për meshkuj për 3800 persona. BIK-u kërkon edhe objekte të tjera si lokale, garazhe dhe banesë prej 120 metrash katrorë për imamin.

Sipas kërkesave të BIK-ut, në nivelin e parë duhet të jenë prej 15 deri në 20 lokale me sipërfaqe 700 metra katrorë, në të dytin nga 50 deri në 60 lokale me hapësirë 2200 metra katrorë. Në nivelin e dytë parashihet edhe banesa e imamit.

Një pjesë të këtij projekti e zënë edhe garazhet. Në katër nivele tjera, sipas kërkesave të projektit, parashihen garazhe për rreth 230 vetura secila.

Asdren Osaj

Por menjëherë pas daljes së detajeve të konkursit në faqen zyrtare, ka reaguar komuna e Prishtinës.

Zyrtari për informim dhe këshilltari i kryetarit të komunës, Asdren Osaj, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se janë analizuar kërkesat dhe është parë se përveç xhamisë parashihet të ketë edhe 85 lokale dhe një banesë për imamin.

“Ndërtimi i lokaleve dhe banesës është e papranueshme për ne, se lokacioni i është dhënë Bashkësisë Islame për ndërtimin e xhamisë dhe jo për 85 lokale dhe banesën për imam”, tha Osaj.

Sipas tij, komuna e ka informuar bashkësinë islame, duke iu drejtuar me shkrim, se nuk do të lejojë që të ndërtohet një projekt i tillë i cili bie në kundërshtim me vendimin që kishte marrë asambleja komunale në mars 2012.

“Komuna nuk do të lejojë që lokacioni për xhami të shndërrohet për ndërtim të qendrave tregtare”, tha Osaj.

Osaj tha se nga bisedat ndërmjet komunës dhe BIK-ut ka qenë paraparë të ndërtohet një parking nëntokësor, për të cilin ishin pajtuar, mirëpo jo edhe ndërtimi i lokaleve.

Sipas Osajt, drejtoria komunale e urbanizimit i ka kërkuar BIK-ut që të anulohet konkursi dhe të hiqen lokalet nga projekti.

Përndryshe, tha ai, vendimi për parcelën e tokës do të anulohet.

“Na vënë në pozitë që të anulojmë ose të rikthejmë këtë vendim prapë në kuvend që prona t`i kthehet komunës, sepse ne po japim tokë për ndërtimin e xhamisë ashtu siç kanë qenë fjalët”, tha Osaj.

Resul Rexhepi

Por, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, thotë se nuk ka mosmarrëveshje me komunën.

“Edhe sikur të kemi diçka ne do ta rregullojmë atë”, tha Rexhepi. “Thjesht do t`i përfillim kriteret”.

Ai shton se bashkësia i ka marrë me kohë kushtet urbanistike nga komuna dhe, sipas tij, në këtë drejtim nuk ka asgjë për të kontestuar.

Sipas Rexhepit, do të ketë lokale që do të jenë objekte përcjellëse të xhamisë dhe në shërbim të saj.

“Bëhet fjalë për disa objekte përcjellëse që janë në pjesën e bodrumit. Ato nuk janë në sipërfaqe të tokës, nuk do ta ngrehin xhaminë më lartë, përkundrazi bëhet fjalë për dy ose tri etazhet e garazheve”, tha Rexhepi.

“Kështu që kemi paraparë etazhe për parkingje dhe disa lokale, një rezidencë për mysafirë, një sallë të kompjuterëve, një sallë për konferenca…të gjitha këto do të jenë në katin nën xhami”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se në BIK nuk e kanë ditur se duhet ta njoftojnë komunën për planin ideor të xhamisë paraprakisht.

“Nuk e kemi ditur nëse është dashur ta njoftojmë komunën për projektin, prandaj edhe s’e kemi njoftuar”, tha Rexhepi.

Arkitekti i pavarur Ylber Vokshi thotë se edhe koha e paraparë për pranimin e projekteve për një periudhë tremuajshe është e shkurtër. “Kjo i shtynë pjesëmarrësit që sa më shpejt të bëjnë projektin dhe normalisht që zgjidhja nuk do të ishte ashtu siç pritet të jetë një objekti i kultit”. 

Ylber Vokshi

Vokshi nuk pajtohet me planin e ndërtimit të lokaleve pasi kjo, thotë ai, nuk përkon me ritualin fetar. Ai i quan lokalet dhe objektet përcjellëse të banueshme.

“Numri i garazheve për shembull është enorm. Nuk ka lidhje me ritualet në xhami”, tha Vokshi.

“E njëjta çështje është edhe me çerdhen e fëmijëve që është shumë e dyshimtë. Këtu kemi të bëjmë me përzierje të funksioneve të cilat nuk përkasin me xhamitë që ekzistojnë në Kosovë”, shtoi ai.

Në dokumentin e publikuar në websajtin e konkursit, nuk përmendet çerdhja por parashihet ndërtimi i një hapësire për kujdes për rreth 60 fëmijë në ditë. Sipas BIK-ut, kjo është që t’u mundësohet prindërve t’i lënë aty fëmijët derisa i kryejnë lutjet. 

Por, me ndërtimin e lokaleve është pajtuar Partia e Drejtësisë e Kosovës e cila ka një ministër në qeveri.

Deputeti Jeton Svirca thotë se PD përkrah kërkesat e BIK-ut që në xhaminë qendrore të ndërtohen edhe objekte përcjellëse për zhvillimin e aktiviteteve të bashkësisë.

“Në parim ne përkrahim ndërtimin e objekteve përcjellëse si salla për konferenca dhe vende për pritjen e mysafirëve”, tha deputeti Svirca.

Svirca thotë se fillimisht komuna do të duhej të kishte një marrëveshje me BIK-un që të përcaktohen edhe kushtet ndërtimit.

“Besoj që do të ketë gjuhë të përbashkët, pasi kjo kërkesë për xhami është e besimtarëve dhe BIK-ut”, tha ai.

Ndryshe, sipas tij, deklaratat kundërshtuese “nxisin urrejtje dhe nuk kontribuojnë në frymën e bashkëpunimit”.


Esat Ramadani

Esat Ramadani, arkitekt i BIK i angazhuar në projektin për ndërtimin e xhamisë, tha se duke hapur konkurs ndërkombëtar është preferuar të ofrohen mundësi për projekte sa më të mira.

Ramadani thotë se sa i përket lokaleve, kërkesa ka qenë që ato të jenë sa më të ndara dhe të mos ndërhyjnë në fasadën e xhamisë .

“Kjo që kemi kërkuar është parë që është plotësuar nga ana e pjesëmarrësve me projektet që kanë arritur…”, tha ai.

Ende nuk dihet se sa do të kushtojë ndërtimi, mirëpo sipas Ramadanit, në mesin e pjesëmarrësve në konkurs ka oferta që sillen prej 40 deri në 70 e 80 milionë.

“Më afër realitetit janë ata me rreth 40 milionë…”, tha ai.