Në Restorant Përkundër “Arrestit Shtëpiak”

I akuzuari për korrupsion Ilir Tolaj, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, ka drekuar të enjten rreth orës 13:00 në restorantin Tiffany përkundër faktit që ai ndodhet zyrtarisht “në arrest shtëpiak”.

Tolaj ka arritur në restorant në ora 12.45 pas përfundimit të pjesës së parë të seancës gjyqësore e cila është mbajtur të enjten në Kinema ABC1. 

Gazeta Jeta në Kosovë sjell fotografi dhe xhirime ku Tolaj shihet duke drekuar me bashkëshorten e tij dhe të pranishëm të tjerë.

Ai e ka filluar drekën duke cakërruar gotën me një person tjetër.

Tolaj ka qenë i shoqëruar nga dy zyrtarë policorë të cilët gjithashtu kanë drekuar në restorant. Policë të tjerë janë parë edhe jashtë ambientit të restorantit.

Por a kishte të drejtë Tolaj të dilte jashtë objektit të gjykatës ku ai po gjykohej?

Kryetarja e trupit gjykues të EULXI-t, Cornelie Peeck, e cila është duke gjykuar Tolajn, ka konfirmuar se ka lejuar Tolajn që të dilte në drekë.

“Nënkuptohet që Tolaj ka mundur të takohet me persona të tjerë”, tha ajo.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, thotë se arresti shtëpiak vlen edhe gjatë pushimit të drekës dhe se janë raste të veçanta kur gjykata mund të japë leje për të dalë nga vendi ku mbahet arresti shtëpiak. 

Për shembull, thotë ai, i pandehuri mund të shkojë në spital, bankë etj. 

“Gjykatësi mund të japë këtë leje, por jo që i pandehuri të shëtitet rrugëve. Ligji jep leje me dalë në restorant vetëm kur ka ndonjë arsye të fortë familjare”, thotë Ibrahimi.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/bYbfmCkqYTo” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Avokati Korab Rexhepi tha se Tolaj kishte leje nga gjykata, por ai shtoi se nuk mund të komentojë kur u pyet në lidhje me arsyet që kishte Tolaj për këtë drekim.

Në vendimin e EULEX-it për lirimin e Tolaj thuhet se “i pandehuri Ilir Tolaj nuk mund të lëviz nga vendbanimi i tij aktual dhe se i ndalohet kontakti me persona të tjerë përveç atyre me të cilët jeton”.

Zbatimin e këtij vendimi duhet ta bëjë Policia e Kosovës dhe ajo mund të verifikojë në çdo kohë nëse është duke u respektuar masa e arrestit shtëpiak, thuhet në vendimin e EULEX-it.

Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

Masa e arrestit shtëpiak është e rregulluar edhe me kodin e procedurës penale sipas së cilit “gjykata me aktvendim vendos se i pandehuri nuk guxon të largohet nga lokalet ku ai e ka vendbanimin ose vendqëndrimin apo nga institucioni publik për trajtim ose përkujdesje”

Sipas po të njëjtit nen parashihet që ka raste kur gjykata mund të lejojë atë të largohet nga lokalet ku mbahet arresti shtëpiak për përmbushjen e nevojave jetësore ose për kryerjen e ndonjë pune.

Ish sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj është liruar në arrest shtëpiak më 10 janar 2013 pasi kishte mbajtur masën e arrestit paraburgim prej një viti duke filluar nga 10 janari 2012.

Tolaj është duke u gjykuar për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose i autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.