Çerdhet e Paarritshme Publike

Mjekja Besa Gashi, e cila jeton në Prishtinë, ka dy vjet që mundohet të regjistrojë vajzën e saj, tash katër vjeçe, në çerdhen publike “Fatosat”, afër banesës së saj.

Mirëpo, ajo nuk ka pasur sukses në përpjekjen e saj dhe është detyruar ta regjistrojë fëmijën në një çerdhe private.

Gashi thotë se është shumë problem të regjistrosh fëmijën në publike “nëse nuk ke të njohshëm”.

“Unë kam provuar për dy vjet rresht”, tregon ajo. “Vajzën nuk ma pranonin me arsyetimin se nuk ka vend”.

Në të njëjtën çerdhe publike, një tjetër prind e pranoi se fëmijën e tij, tash po katër vjeç, e regjistroi “me të njohshëm”.

Prindi H.B. thotë se ka shumë konkurrencë e pak hapësirë në çerdhet publike në Prishtinë dhe se për këtë nuk mundesh lehtë ta regjistrosh fëmijën. 

Ai thotë se i ka rënë rasti që të sheh se si për 30 vende të lira kishin konkurruar rreth 300 fëmijë.

“Gjithmonë përparësi kanë pasur ata që kishin të njohur”, tha ai. “Edhe unë për me regjistru fëmijën kam pasur të njohshëm, por nuk mundem të tregoj se kë”.

Çerdhja publike “Fatosat” gjendet në lagjen Ulpiana, ka 1700 metra katrorë hapësirë dhe gjithsej 292 fëmijë me 13 grup mosha.

 
Kadime Kallaba  

Drejtoresha Kadime Kallaba mohon sugjerimet për regjistrime me të njohur. “Vazhdimisht ka kërkesa për të pranuar fëmijë, por ne nuk kemi kapacitet për më shumë”, tha ajo. 

Në komunën e Prishtinës, gjatë vitit 2011 kanë lindur 3,832 fëmijë – prej tyre 1999 meshkuj dhe 1832 femra, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në nivelin fillor të arsimit në Prishtinë ka 42 shkolla me 32 mijë e 400 nxënës kurse shkolla të mesme janë 12 me 13 mijë nxënës.

Mirëpo, kryeqyteti ka vetëm 9 çerdhe publike. Tetë nga to kanë statusin publik dhe një është në partneritet publiko-privat. 

Në çerdhet “Dielli”, “Yllkat”, “Fatosat”, “Xixëllonjat”, “Buzëqeshja”, “Ardhmëria”, “Lulevera”, “Gëzimi ynë” momentalisht kanë 88 grup-mosha, me gjithsej 1773  fëmijë.

Kështu, Prishtina nuk mbulon as gjysmën e fëmijëve që lindin për një vit me të gjitha vendet e saj në çerdhet publike. 

Qasja në çerdhe dhe shkollimin e hershëm vlerësohet me rëndësi për dhënien e shanseve të barabarta për fëmijët. Sociologët, para së gjithash, nënvizojnë rëndësinë e komunikimit në inteligjencën e fëmijëve dhe socializmin e tyre. 

Çerdhja publike “Lulevera” në lagjen Dardania, me 1700 metra katrorë hapësirë, ka 9 grupmosha nga një deri në gjashtë vjeç, me gjithsej 210 fëmijë. 

“Nganjëherë kalohet limiti i pranimit të fëmijëve se nevojat janë shumë të madhe”, thotë drejtoresha Fahrije Gashi. 

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, hedh poshtë se për t’u regjistruar në çerdhet publike “duhet të kesh dikë në komunë”.

“Janë shfrytëzuar të gjitha hapësirat që kanë çerdhet, por nuk mund të them se tejkalohet shumë numri se nuk ka shtrat pastaj për fëmijët”, tha Halimi.  

Ai thotë se komuna po bën përpjekje që të krijojë hapësirë më të madhe për çerdhet. 

Sipas Halimit, kjo drejtori është duke meremetuar dy objekte për t`i shfrytëzuar ato si çerdhe, njërën në lagjen “Ajvalia” tjetrën në lagjen “Mati”.

 

 
Fahrie Gashi  

Një projekt tjetër sipas tij, është shtimi i anekseve në dy çerdhet ekzistuese, tek “Lulevera” dhe “Xixëllonjat”.

“Këto do të bëhen gjatë 2013-ës. Dy objektet në Ajvali dhe Mat janë gati në përfundim”, tha Halimi.

Kjo drejtori ka buxhet total për çerdhet e Prishtinës 2 milionë e 422 mijë euro. 

Në kryeqytet sipas Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve figurojnë të regjistruara 83 Institucione Parashkollore.

Përveç publikeve, Prishtina ka edhe 40 çerdhe private. “Prej tyre vetëm dy i plotësojnë kushtet për të qenë çerdhe”, thotë drejtori i drejtorisë së arsimit Halimi.

Sipas tij, ato kanë probleme kryesisht me hapësirat e tyre. Çerdhet private në shumicën e rasteve nuk kanë as licencë.

Çerdhja private “Chippolino” e cila është hapur në janar të vitit 2012 ka një vit që ka aplikuar për licencë në ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, mirëpo sipas drejtoreshës Dafina Krasniqi, nga kjo ministri ka marrë një dokument , sipas të cilit, një komision ka vlerësuar se i plotësojnë kushtet për të hapur çerdhen.

Në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thonë se ka filluar procesi i licencimit në bazë të një urdhërese administrative të datës  14 shtator 2011 për licencimin dhe regjistrimin e institucioneve edukative-arsimore parashkollore private. 

Sipas zëdhënësit të ministrisë së arsimit, Arbër Morina, ky proces është ende duke vazhduar, mirëpo deri më tani janë dhënë 4 licenca për çerdhe për Prishtinën.

 “Ndërkohë që janë në përgatitje edhe 20 vendime tjera”, tha Morina.

Vonesat në Pagesa

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e auditimit për vitin 2011 për komunën e Prishtinës kishte gjetur se kishte raste të pagesave me vonesë për fëmijët në çerdhe dhe raste kur nuk janë bërë pagesat.

 
Halim Halimi  

Drejtori i drejtorisë së arsimit Halim Halimi thotë se të gjeturat e raportit kanë ardhur shkaku i kërkesave për lirim që janë bërë gjatë gjithë vitit, nga prindërit.

Të liruar nga pagesa dhe zbritje në pagesë janë fëmijët e dëshmorëve dhe invalidëve, fëmijët që kanë nënën mbajtëse të familjes dhe në rastet kur ka me shumë se një fëmijë nga një familje. 

Halimi tha se për të mos u përsëritur ajo që është shkruar në vitin 2011 në raport, “Janë bërë disa përmirësime”.

Sipas Halimit, kur është shpallur konkursi për vendet e lira në muajin korrik, në një afat prej 15 ditësh prindërit kanë mundur të bëjnë kërkesë për lirim, duke shmangur kështu problemet e mundshme. “Sepse viteve tjera këto kërkesa janë bërë kur kanë dashur prindërit”.

Çmimi në çerdhet publike është 50 euro në muaj. Në pagesë përfshihet edhe mëngjesi, zamra (ushqimi pas gjumit) dhe dreka. Çerdhet fillojnë punën prej orës 6 e gjysmë deri në orën 17 pasdite .

Kurse, çmimi në çerdhet private fillon nga 50 euro deri në 100 euro.

Në rast të mos respektimit të kontratave mes çerdhes dhe prindërve për pagesën, të gjitha çerdhet mund të bëjnë çregjistrimin e atyre fëmijëve. 

Mirëpo, nga çerdhet e intervistuara nga gazeta nuk ka raste të çregjistrimit. Janë vetëm tre fëmijë, të së njëjtës familje, që janë larguar në muajin janar nga çerdhja “Lulevera” për mos-pagesës për tre muaj. 

Drejtoresha Fahrie Gashi thotë se nuk është bërë çregjistrimi i fëmijëve. “U është dhënë mundësi që nëse paguajnë të kthehen prapë”.  

Drejtoresha e çerdhes “Dielli”- Arguriana Kastrati thotë se prindërit kohëve të fundit janë më të përgjegjshëm edhe më të saktë në pagesa. 

“Zakonisht nuk vonohen shumë, më së shumti deri në datën 10 të muajit”. Kjo çerdhe e cila ndodhet në Kodrën e Diellit, nga 260 fëmijë sa ka, dikund rreth 30 fëmijë i ka liruar nga pagesa.

Drejtoresha Fahrie Gashi thotë se në kopshtin “Lulevera” janë vetëm pesë  fëmijë pa pagesë. 

“Një fëmijë është liruar tërësisht derisa katër të tjerë janë me 30% zbritje”tha Gashi.

Në cerdhen private “Chippolino”momentalisht janë të regjistruar 20 fëmijë nga mosha 8 muaj deri në 8 vjeç. Pagesa në këtë çerdhe për orar të plotë është 90 euro kurse për gjysmë (për 5 orë në ditë) orari është 50 euro.

Dafina Krasniqi, drejtoreshë në këtë çerdhe, thotë se prindërit janë të përkushtuar në pagesa. 

“Në çerdhen time bëhet zbritje prej pagesës kur nga një familje janë dy e më shumë fëmijë”, tha ajo.

 

Çerdhja Fatosat