Gjykatësi me Veturë, Lokale, Vilë Në Ulqin, Shtëpi Në Çagllavicë...

Një aktakuzë e re e prokurorit special Ali Rexha, e katërta në lidhje me Kolë Pukën, do të shpie përpara Gjykatës Themelore me akuza për shpërlaje parash babanë e ish-gjykatësit nga Klina, vëllain në Gjermani, një ish-shoqërues të vajzës dhe familjarë tjerë të tij nga Kosova e Australia.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte dënuar Kolë Pukën me 10 vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimit të zyrës së gjykatësit duke përfituar miliona euro. Po ashtu, gjatë vitit 2012, ai u dënua edhe nga Gjykata e Qarkut në Pejë për keqpërdorime shtesë të zyrës së gjykatësit dhe të 70 mijë eurove, me pesë vjet burg.

Prokurori special Rexha nuk e kishte ndalë me kaq punën e tij në hetimin e ish-gjykatësit. Ai gjeti prova edhe për një aktakuzë e cila u konfirmua në Qarkun e Pejës me të cilën Puka akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Por, sa më shumë që hetonte aq më shumë po dilnin fakte e prova të reja.

Dilnin edhe prona të shumta që ai i kishte bartur tek babai, vëllai ose kushërinjtë e tij. Këto ai i përfshiu në aktakuzën e deponuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 22 nëntor.

Të gjitha këto transaksione Kolë Puka i kishte kryer në kohën sa ai ishte gjykatës.

Ish-gjykatësi i fitonte paratë nga lëndët e vjetra të sigurimeve duke i mbajtur për vete e duke mos ua dhënë palëve i ndihmuar nga lufta dhe rrethana tjera të ndërlidhura me të. Kështu, ai mblodhi më shumë se 2 milionë euro.

Ish-gjykatësi i fitonte paratë nga lëndët e vjetra të sigurimeve duke i mbajtur për vete… Kështu, ai mblodhi më shumë se 2 milionë euro. 

Por çfarë bëri ai me paratë?

Prokurori jep një zgjidhje me anë të aktakuzës së tij të fundit në të cilin e akuzon Ilir Gegën, Kastriot Gegën, Zef Pukën (babai i Kolë Pukës), Kushtrim Ademin dhe Tomë Pukën (vëllai i Kolë Pukës) për veprën penale të shpëlarjes së parasë, e paraparë me Ligjin për parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit.

“Të pandehurit, duke ditur për të gjitha rrethanat, i kanë ndihmuar Kolë Pukës në atë mënyrë që pasurinë e tundshme dhe të patundshme, të përfituar nga mjetet financiare të përfituara me aktivitet kriminal, i kanë marrë në posedim duke mos i shfrytëzuar fare, në mënyrë që ta fshehin apo maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e Kolë Pukës”, thuhet në aktakuzën e prokurorit special Rexha.

Vetura, vila në Ulqin, banesa

Ilir Gega jeton dhe vepron në Australi, por as largësia nuk e kishte penguar që ta ndihmonte Kolë Pukën.

Ai kishte bartur në emrin e tij një veturë të tipit Audi A6 të cilën Kolë Puka dhe anëtarët e tij të familjes kishin vazhduar ta përdornin.

I pandehuri më pas e kishte bartur veturën në emër të vëllait të tij, Kastriot Gegës, i pandehur tjetër në këtë lëndë.

Ilir Gega nuk e ndihmoi ish-gjykatësin vetëm me veturën. Ai më 9 mars të 2011-së kishte transferuar në emër të tij një vilë luksoze në Ulqin dhe një parcelë toke që më parë ishin në emër të Kolë Pukës.

Këtë vilë luksoze, siç përshkruhet në aktakuzë, dhe parcelën e tokës, Kolë Puka më parë e kishte transferuar në emër të babait të tij Zef Puka, me një padi gjyqësore në procedurë kontestimore.

Ilir Gega nuk kishte përgjigje se pse vetura Audi A6 kishte qëndruar tek Kolë Puka

Para policisë, kur ishte marrë në pyetje, Ilir Gega fillimisht kishte refuzuar të përgjigjej, por kur kishte parë se policia posedonte prova dhe kontratat e transaksioneve, i pandehuri kishte filluar të tregonte se kishte një pronë në Malin e Zi, por nuk kishte treguar se nga kush e kishte blerë atë.

I pandehuri nuk kishte përgjigje se pse vetura Audi A6 kishte qëndruar tek Kolë Puka, por kishte njoftuar policinë se ai i kishte paguar 28 mijë euro për veturën, ndërsa paratë i kishte dorëzuar përmes njerëzve nga Australia e jo përmes bankës.

Ai më pas kishte treguar se i kishte dhënë autorizimet për Kolë Pukën dhe Mire Pukën (motrën e tij, bashkëshorten e Kolë Pukës), por kishte thënë se asnjëherë nuk i kishte dhënë autorizim Kastriot Gegës (vëllait të tij).

Kastriot Gega, përveç që kishte marrë në emrin e tij veturën Audi A6, i ishte transferuar në emër tij nga Kushtrim Ademi (ish-dhëndër i Kolë Pukës) një banesë në sipërfaqe prej 72 metrash katror në Klinë.

Kjo banesë kishte qenë më parë pronë e Kolë Pukës.

Më 12 gusht 2012, policia kishte dëgjuar Kastriot Gegën, në cilësinë e të pandehurit, ku i njëjti e kishte mohuar në tërësi veprat penale. Ai kishte treguar para policisë se kishte një banesë në Klinë dhe dy vetura, njëra nga të cilat ishte Audi A6.

I pandehuri kishte thënë se banesën e kishte paguar 10 mijë euro dhe paratë ia kishte dhënë Kushtrim Ademit, e ky i fundit ia kishte shitur atë pasi që ishte ndarë me vajzën e Kolë Pukës.

Paratë, Kushtrimi i kishte marrë nga vëllai i tij Luigj Gega nga Australia.

Kurse për veturën Audi A6, policisë i kishte thënë se është në emrin e tij pasi që vëllai i tij Ilir Gega, nuk kishte pas mundësi ta barte në emrin e tij në mungesë të dokumentit të UNMIK-ut. Kështu, ai e kishte bartur atë në emrin e tij. Autorizimin për makinën kishte deklaruar se ia ka dhënë Mire Pukës dhe Driton Pukës.

“Padia” nga babai

Aktakuza në shpëlarjen e parave e përfshin edhe babanë e Kolë Pukës, Zef Pukën.

I pandehuri Zef Puka akuzohet se para datës 29 tetor 2010 ka bërë padi fiktive dhe përmes procesit gjyqësor në bazë të aktgjykimit mbi pranimin ka përfituar pronësinë për vilën dhe tokën në Ulqin të cilat ishin të Kolë Pukës, e që më pas ato ai i kishte transferuar në emrin e Ilir Gegës përmes kontratave po ashtu fiktive.

Sipas aktakuzës, prona për të cilën flitet në Ulqin ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 479 metrash katrorë në të cilën parcelë gjendet shtëpia (pushimorja) prej 308 metrash katrorë. 

“Zef Puka para datës 29 tetor 2010 ka bërë padi fiktive dhe ka përfituar pronësinë për vilën dhe tokën në Ulqin të cilat ishin të Kolë Pukës”

Kolë Puka dhe familjarët e tij ende vazhdojnë ta shfrytëzojnë këtë pronë në mënyrë të rregullt, thuhet po ashtu në aktakuzë.

Zef Puka në polici kishte mohuar të ketë pronë në Ulqin apo të ketë pasur ndonjë herë pronë në Ulqin. Ai po ashtu nuk e dinte se eikishte dhënë autorizim ndonjë avokati dhe se e kishte paditur djalin e tij Kolë Puka.

Në fund ai kishte thënë se nuk ka njohuri as për lidhjen e kontratës me Ilir Gegën, edhe pse atë e njihte me që ishte miku i Kolës.

Por përkundër këtyre deklarimeve, prokurori në aktakuzë, thotë se është i bindur se Zef Puka kishte njohuri për të gjitha veprimet ilegale.

Maskimi i Banesës

Kushtrim Ademi në vitin 2010 po bashkëjetonte me vajzën e Kolë Pukës. Më pas ishin ndarë.

Më 22 prill të 2010-së, Kolë Puka për ta fshehur ose maskuar burimin e pasurisë të përfituar nga kryerja e veprave penale, përmes një kontrate kishte bartur në emrin e të pandehurit Ademi banesën në sipërfaqe prej 72 metrash katrorë në Klinë.

I pandehuri Ademi, këtë banesë e kishte shitur tek Kastriot Gega kinse për 10 mijë euro, thuhet në aktakuzë.

Interesohej për kontratat e vëllait

I pandehuri i fundit Tomë Puka, vëllai i Kolë Pukës, i cili jetonte në Gjermani, kishte nënshkruar një kontratë fiktive mbi shkëputjen e bashkësisë familjare në mes tij dhe Kolës.

Ata kontratën e kishin vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë.

“Në bazë të kësaj kontrate, Tomë Puka ka transferuar (bartur) në emrin e tij prona të paluajtshme si një truall në sipërfaqe prej 011.82 hektarë me dy ngastra, në njërën gjendet shtëpia dy katëshe me oborr, dhe një lokal afarist me sipërfaqe prej 39.86 metrash katrorë në Klinë”, thuhet në aktakuzë.

Për dyqanin në Klinë, prokuroria kishte intervistuar F. V., dëshmitar në këtë çështje, i cili mbante lokalin me qira. Ai kishte deklaruar se fillimisht kontratën e kishte bërë me Kolë Pukën e më pas vet Kola ishte interesuar që ta bënte kontratën e re me vëllain e tij Tomën.

“Këto lokale i kam blerë nga vëllai i tij sa kishin qenë bashkë në familje dhe më pas i kishte kthyer në emër të vëllait” Kolë Puka

Kolë Puka u ka thënë prokurorëve se këto lokale ishin blerë nga vëllai i tij sa kishin qenë bashkë në familje dhe më pas i kishte kthyer në emër të vëllait, po ashtu se ishte ndarë edhe me babain, se me banesën duke e shitur më lirë kishte dashur të ndihmonte dhëndrin e tij dhe se veturën e kishte shitur për të kthyer një kredi bankare.

Megjithatë, Prokuroria beson se Kolë Puka i shfrytëzonte të gjitha këto prona dhe po ashtu kishte gjetur edhe një shtëpi të re në emër të tij në Çagllavicë, në afërsi të Prishtinës.

Prokurori special thotë në aktakuzë: “Të gjitha këto të mira materiale të luajtshme dhe të paluajtshme i ka blerë Kolë Puka duke përfituar nga aktiviteti i tij kriminal duke e keqpërdorë autorizimin e gjykatësit të Gjykatës Komunale në Klinë për një kohë të gjatë”.

“Përndryshe i njëjti (Kolë Puka), me të ardhurat prej gjykatësit dhe të ardhurat e bashkëshortes me shkollim të mesëm në shëndetësi, nuk do të kishte mundur asnjëherë që t’i blej ato”.

Të pandehurit tani pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë.