Çarjet në Fe Alarmojnë Kosovarët

Besimtarët të cilët si zë hapësira brenda xhamisë, janë ulur para portës, përgjatë një trotuari të mbuluar me sexhade. Zëri i klerikut dëgjohet përmes tyre deri në rrugë.

Në lutjet e të xhumasë në xhaminë kryesore në Prishtinë, kryeqytetit të Kosovës, nuk ka më vend për të gjithë besimtarët, të cilët kishin ardhur ta dëgjojnë predikimin e imamit.

“Armiqtë e Allahut po e prishin rininë myslimane”, paralajmëron kleriku. Ai përmend alkoolin, drogat dhe ndikimin e rrezikshëm të internetit, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për “të penguar hovin e Islamit”.

“Imoraliteti është në ngritje”, ua kujton, ai dëgjuesve. “Kjo s’duhet lejuar. S’mund t’i mbyllim sytë karshi kësaj dukurie”.

 
Lutje jashtë një xhamie të ngarkuar në Prishtinë.  

 

Nuk ka nevojë të ecet shumë larg për të kuptuar shenjat e imoralitetit, të cilit i referohet kleriku. Jo shumë larg nga xhamia, kafeteritë moderne janë të mbushura përplot me të rinj e të reja, të përzier, që pinë kafe e birra.

Aty afër janë përmendoret që tregojnë historinë jo të largët të Kosovës. Një statujë e madhe bronzi e Bill Clintonit, me dorën e ngritur në triumf ose përshëndetje, stolis bulevardin që mban emrin e tij. Ish-presidenti amerikan është hero këtu, i brohoritur për nisjen e avionëve të NATO-s kundër forcave serbe gjatë luftës së vitit 1999.

Një skulpturë tjetër, model gjigant i fjalës angleze “Newborn” [I Porsalindur], feston një gurthemel në procesin e vënë në lëvizje nga ato sulme ajrore të NATO-s – shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Mirënjohja ndaj Shteteve të Bashkuara – dhe aleatëve të saj në fushatën e bombardimeve – mbështet vizionin e këtij territori si komb i lirë në vete. Por, një tjetër pasojë indirekte e atij konflikti tani po shihet me dyshim.

Një lëvizje e rreptë e Islamit po tërheq besimtarët anembanë Kosovës. Rritja e saj është sfiduese ndaj traditave dhe aspiratave të një shoqërie që është përkufizuar më pak nga besimi Islam dhe më fort nga etniciteti shqiptar dhe pro-amerikanizmi.

Të padëgjuar deri në vitin 1999, konservativët dhe fanatikët fetarë janë një grup i vogël, por që po del gjithnjë e më shumë në pah, me ndjekës në gjithë qytetet e mëdha dhe në disa nga pjesët më të varfra të fshatrave.

 
Islami ka patur një lloj ringjallje në Kosovë në vitet e pasluftës.  

 

Zyrtarë të sigurisë i thanë Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) që format më të rrepta të besimit kishin zënë rrënjë pas luftës, duke ndjekur fluksin e organizatave islamike të ndihmave dhe shkollimin e klerikëve vendas në vendet arabe.

Të intervistuar nën kushte anonimiteti, zyrtarë të sigurisë thanë se ata besojnë së deri në 50 000 njerëz në vend, kanë filluar të ndjekin forma më konservative të Islamit.

Nuk ka mënyrë të pavarur të konfirmohet kjo shifër, që përfaqëson një pjesë të vogël të popullsisë së përgjithshme në Kosovë, e llogaritur të jetë rreth 1.8 milion banorë.

Rritja e konservativëve i ka alarmuar kosovarët sekularistë si dhe klerikët e rrymës më të moderuar Islame. Megjithatë, konservatorët gjithashtu ankohen se kundërshtarët e tyre shumë lehtë të gjithë – dhe gabimisht – i akuzojnë ata për lidhje me ekstremistët e dhunshëm.

BIRN-i mund të konfirmojë që disa nga klerikët dhe besimtarët kanë tërhequr vëmendjen e agjencive të brendshme të inteligjencës. Por, nuk ka parë ndonjë dëshmi që të sugjerojë se ata përfaqësojnë ndonjë kërcënimi për sigurinë e vendit.

“Standardet Europiane”

Brezi i ri i konservativëve fetarë thonë se kushtetuta laike e Kosovës diskriminon besimtarët e devotshëm. Ata kanë kritikuar ligjet që e pengojnë shprehjen e Islamit në arsim.

Ata duan edhe lehtësimin e kufizimeve të simboleve fetare në shkollat publike, që i pengojnë vajzat dhe gratë myslimane të mbajnë mbulesë.

Klerikët konservativë po kërkojnë të drejtën e praktikimit të besimit të tyre lirisht. Pasuesit e tyre, ndërkohë, thonë se përballen gjerësisht me diskriminim në shoqëri, veçanërisht në tregun e punës.

“Pas luftës, fillova të mësoja më shumë për Islamin”, thotë një vajzë e re, e cila mbante mbulesë teksa udhëtonte në një autobus lokal të Prishtinës, por e cila nuk pranoi t’i bëhej publik emri.

“Mendoja se jam e lirë nga regjimi serb dhe mund ta praktikoj besimin tim pa frikën e paragjykimit”, thotë ajo. “Por njerëzit prapëseprapë më ngulin sytë për shkak se mbaj mbulesë. Është e vështirë të gjej punë, apo të aplikoj për ndonjë vend pune në sektorin publik, për shkak të mbulesës”.

Megjithatë, ankesat e konservativëve i kanë bezdisur shumë gra me botëkuptim laik.

“Jam myslimane, siç kemi qenë gjithmonë”, thotë Linda, 27-vjeçare e ulur në një kafeteri në qendër të Prishtinës, e cila tregoi vetëm emrin. “Por nuk shkoj në xhami. Jam vërtet e shqetësuar për këtë Islam të ri që erdhi pas luftës”.
 
“Nuk kishim parë të rinj me mjekra dhe pantallona të shkurta deri atëherë”, thotë ajo, duke iu referuar pamjes dhe veshjes së aplikuar nga shumë besimtarë të formave më strikte të besimit.

Marrëdhënia mes shtetit dhe konservativëve karakterizohet nga pasiguria dhe trazimi. Të dyja palët kanë nxjerrë në tavolinë dispozitat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ose si mbrojtje për pozicionin e vet, ose si pengesë kundër veprimit.

“Nëse dikush thotë se ne kemi liri fetare, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Shefqet Krasniqi, kleriku udhëheqës, apo imami, i xhamisë kryesore në Prishtinë. “Ne kërkojmë të njëjtat të drejta që kanë myslimanët në Londër apo ShBA”.

 
Shefqet Krasniqi  

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, thotë se shqetësimet lidhur me të drejtat e njeriut i kanë penguar përpjekjet e tij për të frenuar veprimtaritë e fanatikëve të dyshuar islamistë. Ai i tha BIRN-it se është përpjekur të promovojë një ligj kundër “sekteve radikale”, gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër i vendit, nëntë vjet më parë.

Por, ai tha se iu pre rruga nga “ndërkombëtarët” – zyrtarët e misionit të Kombeve të Bashkuara që administroi Kosovën nga viti 1999 deri më 2008.

“I pyeta ata se a do t’i toleronin sektet fetarë të rrezikonin shtetin e tyre. Ata u përgjigjën se këto ishin standardet evropiane”.

Zyrtarët e misionit të OKB-së në Kosovë thonë se në atë kohë nuk ka pasur nevojë për masa të tilla.

“Bazuar në një vlerësim sigurie nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë për atë kohë, nuk ka pasur nevojë për ligje kundër grupeve radikale myslimane”, thotë Olivier Salgado, zëdhënës i misionit.

Behxhet Shala, kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj), tha se rreziku i ekstremizmit është nënvlerësuar nga zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë.

“Ndërkombëtarët janë këtu sot, por do të ikin nesër. Ata po na e lënë bombën e pashpërthyer”, ka thënë Shala për BIRN-in. Sipas tij, varfëria dhe kufijtë lehtë të kalueshëm të Kosovës e bëjnë atë një vend të përshtatshëm për radikalizëm.

Megjithatë, zyrtarët e huaj sugjerojnë që kërcënimet e mundshme të sigurisë të mos mbivlerësohen që të rrezikojnë shkeljen e lirive individuale.

Jean-Francois Fitou, ambasadori francez në Prishtinë, thotë se këto kushte nuk janë unike vetëm për Kosovën. Ai tha se të gjitha kërcënimet e mundshme duhen marrë shumë seriozisht. Por, shtoi se, edhe përgjigja duhet të peshohen kundër çdo dëmi të mundshëm ndaj lirive individuale.

“Është gjë e ndërlikuar. Gjithmonë është çështje balanci”, i tha ai BIRN-it, duke vënë re se edhe Franca – vendi me popullsinë më të madhe myslimane në Europën Perëndimore – kishte provokuar debate të ashpra pas miratimit të ndalimit të bartjes së mbulesës nëpër shkolla.

Rezistimi ndaj “sekularizmit”

Shpërbërja e Jugosllavisë socialiste u shoqërua nga një ringjallje fetare në rajon. Kishat katolike dhe ortodokse në Kroaci e Serbi tani janë më të forta nga ç’ishin para luftërave të viteve 1990-të.

As Kosova s’është përjashtim. Anembanë vendit janë ndërtuar xhami të reja, shpesh të financuara nga donatorë prej vendeve islamike.

Por, ashtu si pjesa tjetër e rajonit, nacionalizmi i ka dhënë formën të shkuarës së afërt, më fort sesa besimit. Popullsia etnike shqiptare, më e madhja në Kosovë, shpesh e shihte veten si pakicë të persekutuar brenda Jugosllavisë së sunduar nga serbët.

Në fund të viteve1990-të, ata në mënyrë masive mbështetën një luftë guerile kundër serbëve. Ndërhyrja e NATO-s i zgjeroi synimet e asaj përpjekjeje dhe bindi shumë shqiptarë se aleatët e tyre më të ngushtë ishin në Washington dhe Bruksel.

 
Ndërtesat në pazarin e vjetër të Shkupit reflektojnë të kaluarën osmane — dhe një trashëgimi më të moderuar islamike.   

 

Shumica e kosovarëve janë myslimanë dhe praktikojnë një formë të butë të Islamit, me ngjyra nga tradita otomane dhe sufiste mistike. Shumica prej tyre duan ta shohin vendin e vet si një vend laik brenda Bashkimit Europian, ashtu siç është e definuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Për ata që nuk shohin ndonjë kontradiktë mes besimit dhe vlerave liberale, shtimi i fanatikëve fetarë është trazues.

“Është e turpshme që të thuhet se kemi radikalë në mesin tonë, sepse shumica e kosovarëve nuk i mbështesin të tillët”, thotë Luljeta Shala, ekonomiste në Prishtinë. “Jemi pro-amerikanë, siç e dinë të gjithë”.

Fanatikët duket se ndikohen më shumë nga interpretimet arabe të besimit, sesa nga traditat osmane, që janë më të zakonshme në Kosovë. Ata shpesh quhen vahabistë apo salafistë, megjithëse shumica e tyre i hedhin poshtë këto etiketime.

Këta terma rrjedhin nga sektet e Arabisë Saudite që janë bërë sinonime të Islamit puritan. Fanatikët priren ta përshkruajnë vetveten si mbrojtës të besimit që i kundërvihen imponimit të sekularizmit “perëndimor” mbi Kosovën.

Fuad Ramiqi, përfaqësues i lëvizjes “Bashkohu”, thotë se grupi i tij favorizon protestat publike dhe rezistencë jo të dhunshme për të theksuar kërkesat e veta. Ata janë ankuar për ndalimin e mbulesës në shkolla, si dhe për rëndësinë që u jepet përmendoreve të krishtera në Prishtinë.

“Ne i kërkojmë klasës politike… të respektojë të drejtat e shumicës myslimane në Kosovë”, i tha ai BIRN-it. “Ata po diskriminojnë shumicën, duke u përpjekur ta paraqesin veten si pro-perëndimorë”.

“S’mund të jetë demokratik një shtet që ma imponon sekularizmin”.

Ramiqi thotë se së pari e konsideron vetveten si mysliman, e pastaj si kosovar. Ai ka luftuar në Bosnjë gjatë viteve 1990-të dhe ishte në bordin e anijes “Mavi Marmara”, e cila u zbulua nga ushtria izraelite në vitin 2010, teksa dërgonte furnizime humanitare te palestinezët në Gaza.

Ramiqi është tejet kritik ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës. Megjithatë, ai këmbëngul që grupi i tij nuk e pranon dhunën dhe nuk përbën kërcënim për askënd.

“Jemi të kujdesshëm, sepse armiqtë tanë duan të na portretizojnë si faktor destabilizues për rajonin”, thotë ai. “Nuk ka absolutisht asnjë rrezik në dhënien e të drejtës dhe lirisë njerëzve për të praktikuar besimin e tyre fetar”.

Reagimi sekular

Disa klerikë konservatorë kanë folur edhe kundër asaj që ata i konsiderojnë si kufizime të një shteti laik dhe rreziqet e një shoqërie të pafe.

Por, ata hedhin poshtë sugjerimin se janë vahabistë. Krasniqi, imam i xhamisë kryesore në Prishtinë, thotë se nuk beson në asnjë dallim apo ndarje mes myslimanëve.

Ai nuk beson që ka ekstremistë të dhunshëm në Kosovë. “Më tregoni një grup ekstremist, radikal vahabist”, kërkon ai, në mënyrë retorike.

Mesazhi konservativ ka depërtuar tek ndjekësit në zonat e varfra rurale, madje edhe pse ka provokuar reagim të kosovarëve me botëkuptim laik.

Në vitin 2010, Ajnishahe Halimi, një aktiviste nga qyteti i Skenderajt, organizoi një peticion kundër një imami të një fshati fqinj, i cili thuhej se i nxiste vajzat dhe gratë të vinin mbulesë.

Peticioni i Halimit mori me mijëra nënshkrime dhe mbështetjen e politikanëve vendas. “Kam pasur informacione se gratë e fshatit po mashtroheshin dhe se po mësohej një formë jotradicionale e Islamit”, ka thënë ajo për BIRN-in.

Shumë nënshkrues të peticionit ishin të shqetësuar nga veprimet e imamit, të cilat edhe pse nuk ishin të jashtëligjshme gjykoheshin si përpjekje për t’u imponuar veshje fetare fëmijëve të vegjël.

Imami në fjalë, Kastriot Duka, u dëbua në Shqipëri, prej nga kishte ardhur në mars të vitit 2010.
Një deklaratë nga Policia e Kosovës thotë se ai u dëbua sepse kishte shkelur kushtet e lejes së qëndrimit, që ishin dhënë specifikisht për ndihmë humanitare.

“Leja e qëndrimit lëshohet për zhvillimin e veprimtarive humanitare dhe jo [për] veprimtari të tjera, që z. Duka ka zhvilluar në vend”, thuhej në deklaratë. Nuk është e qartë se a lidhej dëbimi i Dukës me ankesat në peticion, apo jo.

Fshati Marinë ku kishte qëndruar Duka, është një nga zonat më të varfra në Kosovë. Rajoni ishte qendër e konfliktit ndërmjet luftëtarëve shqiptarë dhe forcave serbe dhe ka një numër të madh të vejash dhe familjesh pa baballarë.

Gjatë një vizite në Marinë këtë verë, disa banorë flisnin mirë për imamin e dëbuar. Ata konfirmuan që Duka iu kishte mbajtur leksione për islamin fëmijëve dhe thanë që veprimet e tij ishin krejtësisht në përputhje me rolin e tij si klerik.

Puna e Dukës në Marinë financohej nga një organizatë bamirëse islamike britanike “Rahma Mercy”. Përfaqësuesi i saj, Khalil Patel, thotë se organizata e tij i ka dhënë ndihmë humanitare fshatarëve qysh prej luftës, më 1999.

Ai tha se hixhabet u ishin ofruar vajzave që po studionin besimin, por nuk kishin qenë të detyrueshme për t’i veshur ato jashtë xhamisë. “Ne krijuam një mjedis të mrekullueshëm atje”, thotë ai. “U dhamë uniforma djemve dhe mbulesa vajzave.”

Prozelitizmi nuk është i paligjshëm në Kosovë. Shumica e bamirësive që veprojnë në vend kanë lidhje me institucione të krishtera, apo myslimane, dhe përfshijnë haptas një element fetar në punën e vet humanitare.

Myslimanët konservativë në gjithë rajonin, megjithatë, ankohen se në të shumtën e rasteve atyre u vihet nofka e ekstremistëve.

Bekir Halimi, imam shqiptar, ka një dyqan dhe shtëpi botuese në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë fqinje, jo shumë larg nga Prishtina, më pak se dy orë me makinë. Policia e bastisi pronën e tij në vitin 2008 dhe i konfiskoi kompjuterët dhe materialet e tjera fetare.

 
Ndërhyrje policore  

 

Bastisja në fillim u raportua në shtypin vendas si goditje kundër terrorizmit, megjithëse Halimi e kishte mohuar çdo lidhje të mundshme me radikalët e dhunshëm. Policia më vonë ia ktheu materialet e konfiskuara. Halimi s’u akuzua kurrë për asnjë shkelje, por ai thotë se dëmi ndaj reputacionit të tij nuk është riparuar.

“Askush nuk raportoi në lajme që ne nuk ishim të përfshirë në radikalizëm”, thotë ai. Halimi beson se akuzat ndaj njerëzve si ai motivohen më shumë nga rivalitete të dobëta, sesa nga një frikë e vërtetë për ekstremizëm.

“Nuk ka rrezik për radikalizëm”

Disa kritikë të ekstremizmit ankohen se janë sulmuar, apo që u janë shkatërruar pronat, për shkak të pikëpamjeve të tyre. Ata akuzojnë vahabistët për banditizëm dhe frikësim. Por, motivi i saktë për sulme të tilla mbetet ende i paqartë.

Incidentet shfaqen sporadikisht – tri raste brenda një periudhe trevjeçare – dhe vetëm njëri prej tyre rezultoi me përndjekje të suksesshme ligjore.

Musli Verbani, ish-imam në qytetin e Kaçanikut, zhvilloi një predikim më 2007, duke paralajmëruar xhematin për ekstremizmin. Menjëherë pas kësaj, makinës së tij të parkuar iu vu flaka. Në janar të vitit 2011, një person nga ai vend u dënua për këtë incident me tre muaj burgim.
Sulme të tjerë kundër njerëzve që kanë folur kundër ekstremizmit nuk kanë përfunduar me arrestime. Xhabir Hamidi, profesor i Fakultetin e Studimeve Islame dhe kritik i njohur i vahabistëve, u rrah nga njerëz me maska në vitin 2008. Ai beson se është sulmuar për shkak të bindjeve të tij.

Osman Musliu, imam nga qyteti i Drenasit, u rrah brenda xhamisë në vitin 2009. “Humba vetëdijen dhe mu thye dora”, tha ai për BIRN-in. “Gjithmonë kam folur kundër vahabistëve në mesin tonë”.

 
Osman Musliu, një kritik i Wahhabive, ishte rrahur në xhami. Askush nuk është ndjekur për këtë.  

 

Një zyrtar i lartë policor ka bërë me dije se me këto raste është marrë policia, porse nuk ka ende prova të mjaftueshme për të ngritur akuza për sulmet kundër Hamidit dhe Musliut.

Musliu dhe Verbani thonë se u zhgënjyen nga mosreagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj sulmeve të tyre. Të dy thonë se institucioni duhej t’i kishte dënuar sulmet ndaj anëtarëve të saj, me më shumë forcë.

Megjithatë, Ahmed Sadria, zyrtar i lartë nga Bashkësia Islame e Kosovës, hedh poshtë pohimet që institucioni duhej të kishte bërë më shumë në lidhje me sulmet, duke thënë se kjo është detyrë e policisë.

“Nuk është e vërtetë që nuk kemi reaguar në lidhje me rrahjet. U kërkuam autoriteteve të gjejnë se kush i kreu ato”, thotë ai, për të shtuar se sulmet ishin shqetësuese, porse motivet pas tyre mbesin të paqarta.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të kthehet në dukuri”, thotë ai, “por unë s’mund të komentoj mbi këto raste, pa i ditur arsyet [e sulmeve]”.

Zyrtarët e ligjit në Kosovë thonë se e mbajnë një sy çelë mbi fanatikët islamistë dhe janë vigjilentë për çdo kërcënim të mundshëm të sigurisë.

“Ka pasur disa arrestime, të përcjella nga hetime të departamentit të terrorizmit”, thotë Shpend Maxhuni, shefi i policisë në Kosovë.

Megjithatë nuk ka pasur ndonjë dënim të shquar për terrorizëm. Shumica e njerëzve të dyshuar për ekstremizëm janë akuzuar për mbajtje të paligjshme të armëve, një problem i përhapur në vend dhe relativisht shkelje e vogël.

Zyrtarët kosovarë të sigurisë, në kushte anonimiteti, i thanë BIRN-it se ekstremistët e dyshuar kanë qenë në mbikëqyrje në 30 nga 650 xhamitë e vendit.

Këta zyrtarë kanë bërë me dije se kishin hetuar shtatë imamë për dyshim të nxitjes së radikalizmit. Megjithatë, nuk ishte ngritur asnjë akuzë kundër ndonjërit prej klerikëve.

Shumica e imamëve në listën, të cilën e ka parë BIRN-i, punojnë në xhamitë nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Sadria, zyrtari i lartë i bashkësisë, hodhi poshtë çdo sugjerim që në xhami të kenë depërtuar radikalë të rrezikshëm.

“Nuk shoh ndonjë rrezik këtu dhe nuk ka nevojë të theksohet kjo çështje”, i tha ai BIRN-it.

Edhe pse s’ka pasur dhunë serioze ekstremiste në Kosovë, disa ekspertë besojnë se autoritetet duhet të vazhdojnë të dëgjojnë me kujdes se çka po thonë fanatikët, edhe në mungesë të ndonjë veprimtarie ilegale.

“Do të thosha se shprehjet e urrejtjes dhe predikimet radikale, ekstremiste, definitivisht mund të çojnë drejt dhunës”, thotë Usama Hasan, hulumtues i njohur në “Quilliam Foundation”, një institut i Londrës që bënë fushatë kundër ekstremizmit. Hasan tregon raste kur myslimanët britanikë janë radikalizuar përmes predikimeve.

Megjithatë, legjislacioni në këtë fushë shpesh mund të jetë e mjegullt, bile edhe në Britaninë e Madhe. Ndërkohë që nxitja për dhunë është e paligjshme, ligjet e lirisë së fjalës i japin liri të madhe kritikave të bazuara mbi arsye fetare.

Për t’u kthyer në Prishtinë, fanatikët nga lëvizja “Bashkohu” e Ramiqit vazhdojnë ta shfaqin armiqësinë e tyre kundrejt zyrtarëve shtetërorë.

Më 8 tetor të këtij viti, ceremonia për hedhjen e gurthemelit të xhamisë së re në Prishtinë u ndërpre për pak kohë nga një grup prej kësaj lëvizjeje, që kishin mjekrat dhe pantallonat tradicionale të fanatikëve.

Aktivistët fishkëllyen dhe bërtitën gjatë fjalimit të presidentes, për t’u larguar më pas nga policia.

Arbana Xharra është gazetare nga Kosova. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nismë e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. U redaktua nga Neil Arun.