BIRN-i Nderohet për Gazetari Kundër-Korrupsion

Parim Olluri i Gazetës Jeta në Kosovë ka fituar çmimin për shkrimin më të mirë kundër-korrupsion në mediat online.

Ai ka marrë çmimin për një seri të shkrimeve që ndërlidhin Kryeministrin me biznesin e që është përmbyllur me artikullin “Vizita e Famshme e Kryeministrit me Veturën e Biznesmenit” . Po ashtu, për suksesin që kanë biznesmenët dhe politikanët e afërt me Kryeministrin (Mesic e Sanader Nuk e Lëkundën Kosova Petrol-in & Bedri Selmani Miliona Euro Borxh Shtetit) si dhe për Aktivitetet e Heshtura të Kadri Veselit në Biznes & Kontrata Me Zyrën e Kryeministrit dhe Kompanitë e Lidhura me PDK-në.

Juria tha se çmimi është dhënë për kualitetin, ndikimin e shkrimeve dhe për insistimin e ndjekjes së këtyre rrëfimeve në vazhdimësi.

Kreshnik Gashi dhe Alban Selimi morën çmimin për hulumtimin televiziv kundër-korrupsion me storjen “Mitoja në Polici” të emisionit “Drejtësia në Kosovë” të BIRN-it. Ajo ishte xhiruar nga kameramanët Valdet Salihu e Visar Kryeziu.

Storja kishte rezultuar me ndjekjen e policëve nga organet e drejtësisë.

Juria ka lavdëruar xhirimet, ndikimin e storjes, paketimin si dhe procedurën që kanë ndjekur gazetarët në realizimin e saj.

Për mediat e printuara, gazetarët Vehbi Kajtazi dhe Besnik Krasniqi të “Kohës Ditore” u shpërblyen  për artikujt “Thaçi e bën zëvendësministër të akuzuarin për vepra kriminale” dhe “Pacolli shkel ligjin me investimet në Nigeri”, ndërsa gazetari i “Zërit”, Jeton Llapashtica, çmimin e mori për temën “MPB-ja avullon 1.4 milion euro”.

Ndarja e çmimeve për raportimet më të mira kundër korrupsionit u organizua për të shtatën herë me radhë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) dhe Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGKP).

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i AGPK-së, tha se “mediat nuk mund ta fitojnë luftën kundër korrupsionit, mirëpo pa mediat lufta kundër korrupsionit është e pamundshme”.