Vertari i Dekoruar

Aty ka shumë qetësi.

“Është shumë jetë depresive këtu sepse nuk shikon asgjë ndryshe”, thotë Sergjan  Petroviç (39) nga Hoça e Madhe e Rahovecit.

Atmosferën në këtë fshat të banuar me rreth 1 mijë serbë të Kosovës nuk e nxehë shumë as vera e kuqe dhe e bardhë që prodhon Sergjan Petroviqi.

“Prodhimin e verës e kemi traditë familjare me gjenerata”, thotë Petroviq për Gazetën Jeta në Kosovë. “Licencën e kemi që nga koha e Perandorisë Osmane”.

Në këtë fshat që ka 13 kisha ortodokse, po ku fare pak mund të shihen djem e vajza të reja,  javëve të fundit, Sergjani është bërë më i veçanti.

Për nder të festës së 28 nëntorit, Ditës së Flamurit shqiptar, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ia ka ndarë atij një dekoratë me motivacionin për- inovacione, kërkime dhe zhvillim.

 
Sergjan Petroviq  

 

Emri i tij ndodhet në mesin e 128 personaliteteve të artit, kulturës, organizatave, shoqatave, dëshmorëve, martirëve e grave të vrara në luftë.   

“Jam i pafat. Ditën kur duhej ta merrja dekoratën, u deshtë të shkoja në Beograd për ta përkujtuar vdekjen e tezës”, thotë ai. “Tash nuk e di se si duhet ta marr atë dekoratë”.

Ai nuk e di se në çfarë mënyre Presidentja Jahjaga e ka marrë vendimin që atij t’ia ndajë këtë çmim, por thotë se bodrumin e vogël ku mban verën që ai prodhon, e kanë vizituar shumë persona.

“Ka qenë Presidentja e Kosovës, edhe ambasadori amerikan Christopher Dell. Ndoshta ambasadori Dell iu ka treguar për mua…nuk e di”, thotë Sergjani.

Në fund të tetorit të këtij viti, në Hoçën e Madhe ishte për vizitë Presidentja Atifete Jahjaga e cila së bashku me Smajl Latifin, kryetarin e komunës së Rahovecit, dhe zëvendëskryeministrin Slobodan Petroviq, takuan banorët e këtij fshati. 

“Kosova ka popuj, kultura dhe besime të ndryshme. Kjo është pasuri e jona, gërshetim i vlerave për të cilat jemi krenarë dhe për të cilat jemi dëshmuar me një tolerancë dhe mirëkuptim shumëshekullor”, kishte thënë Presidentja Jahjaga.

Gjatë asaj vizite, Jahjaga vizitoi edhe bodrumin e verës së Sergjanit.  “Kam ardhur t’iu jap përkrahje dhe gjithashtu t’iu dëgjoj për preokupimet”, kishte thënë ndër të tjera Jahjaga.

Por nga ajo ditë, Sergjani thotë se asgjë nuk ka ndryshuar. “Pa ndihmuar shteti, nuk mund të ketë përparim në prodhimtari”, thotë ai.

Puna në prodhimin  verës, thotë Sergjani se nuk është e lehtë. Por meqë vite më parë, prindërit e tij, gruaja dhe vetë ai kanë punuar në kantinën e verës “Stone Castle”, atëherë ka vendosur ta vazhdojë traditën familjare.

“Këtu vijnë shpesh të huaj, ushtarë të KFOR-it, Kombeve të Bashkuara, EULEX’it, apo turistë dhe blejnë ndonjë shishe verë”, thotë Sergjani. “Fitimet nuk janë shumë të mëdha, por duhet punuar”.

Për prodhimin e një litre verë, duhen 2.5 kilogram rrush, të cilën Sergjani thotë se e siguron nga 2 hektarë tokë që ka të mbjellur me vreshta.

“Gjyshi im kishte 25 hektarë, por ia morën në kohën e komunizmit”, thotë ai. Në fotografinë e vjetër të varur në murin e bodrumit, shihet Sergjani i ri dhe anëtarët e tjerë të familjes, shumë prej të cilëve nuk jetojnë më.

 
Paraardhësit e Sergjanit merreshin po ashtu me prodhimin e verës.  

 

“Tash jetoj me prindërit, gruan dhe djalin 14 vjeç”, thotë ai. 

Prindërit janë në pension të cilin e marrin nga Serbia dhe Kosova, kurse gruas dhe atij — si të papunë zyrtarisht — u duhet të merren me rrushin dhe verën.

Një shishe verë të kuqe nga rrushi, të emërtuar “Zaviça” apo një të bardhë të quajtur “Carsko”,  Sergjani e shet nga 1.5  deri në 2 euro. “Mesatarisht në muaj fitoj 150 euro. Nuk ka shumë fitim”, thotë ai. “Sa për të jetuar”.

Thotë se ka 500 deri 600 litra verë, por shumë prej saj e ndal për konsum familjar e pak për ndonjë dhuratë.

Për ta bërë sa më atraktive verën e tij, ai nuk përdor vetëm shishe standarde të zakonshme. Por edhe të tilla që kanë forma të ndryshme.

Disa kanë formën e mollës, fletës së rrushit, disa të zemrës apo të tjera me simbole të ndryshme.

“Shishet e zbrazura i blej nga të mundem, në Kosovë, kryesisht në Prizren, në Shqipëri apo Serbi”, thotë ai.  “Nuk kam verë të vjetër, më së shumti 3 deri 4 vjeçare”. 

Ai thotë se familja e tij jeton mesatarisht mirë. Por thotë se nuk duhet pajtuar me këtë gjendje në të cilën ndodhet fshati i tij.

Sergjani shton se ka kërkuar ndihmë nga komuna e Rahovecit e cila e ka ndarë një fond për rregullimin e qendrës së fshatit dhe një parku të vogël.

“Ishte iniciativa ime. Por është problem t’i bësh bashkë njerëzit për të vendosur qoftë një tabelë që tregon emrin e fshatit”, thotë ai. “E keni parë se fshati ynë s’ka as tabelë”.  

Në prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Hoçën e Madhe. Ky ligj është kundërshtuar nga Komuna e Rahovecit dhe organizata si KMDLNJ apo Lëvizja Vetëvendosje. Në reagimin e tyre, zyrtarë të komunës së Rahovecit kishin thënë se i gjithë roli udhëheqës i është lënë Kishës ortodokse serbe dhe banorëve të Hoçës së Madhe, ndërsa roli i Komunës është inferior.           

Por Sergjan Petroviqi thotë se atij nuk i intereson politika. “Nuk dua të merrem me të e as që më intereson”.

 
Fuçi të vogla vere