Besojnë se Drejtësia Europiane Mund t'ua Kthejë 1 Miliard Euro

Tre shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës kanë sfiduar përmes rrugëve ligjore disa shtete të dala nga ish-Jugosllavia duke kërkuar të drejtën e tyre për kthimin e parave të kursyera në bankat e federatës tashmë të shkatërruar. 

Ata kanë paditur Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Maqedoninë duke kërkuar prej tyre kthimin e kursimeve bankare.

Boshnjakët Emina Alisic, Aziz Sadzak dhe Sakib Sadanovic, të cilët tani jetojnë në Gjermani, vetëm disa ditë më parë fituan rastin në gjykatë lidhur me rikthimin e kursimeve të tyre të bëra në Bankën e Lubljanës dhe në Investbank. (shih aktgjykimin e Gjykatës Europiane)

Më 6 nëntor 2012, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, së cilës i ishin drejtuar qytetarët boshnjakë për të kërkuar drejtësi, vendosi që Sllovenia dhe Serbia duhet t’ua kthejnë atyre kursimet.

Sipas kërkesës së parashtruar në gjykatë, ata nuk mundën t’i tërhiqnin paratë e kursyera.

Ato i kishin deponuar për kursim në Bankën e Lubljanës në Sarajevë, e cila bazën qëndrore e kishte në Slloveni dhe në filialën në Tuzla të Investbankës, një banke tjetër me seli qendrore në Serbi.  

Gjykata ka vendosur që Serbia dhe Sllovenia duhet t’u paguajë secilit prej tyre shumën prej katër mijë euro. 

Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia nuk janë gjetur se kanë bërë ndonjë shkelje lidhur me këtë rast.

Por shteti serb ka kundërshtuar vendimin e gjykatës së Strasburgut. 

“Serbia nuk e mohon të drejtën e depozitorëve që të tërheqin kursimet e tyre, por kundërshton mënyrën në të cilën është marrë aktgjykimi prandaj ka ushtruar ankesë në shkallën e dytë”, ka thënë ministri serb i drejtësisë, Nikola Selakoviq, raporton Tanjug.

Sistemi bankar i ish Jugosllavisë ishte atraktiv për qytetarët e saj që të depononin kursime dhe për to kishte garantuar shteti, thuhet në vendimin e gjykatës.

Aty sqarohet se nga viti 1991-92 kur në ish Jugosllavi plasën luftrat, paratë e qytarëve të depozituara në banka për kursim janë ngrirë dhe më vonë janë lënë që t’u kthehen qytetarëve nga shtetet veç e veç, varësisht se nga cili shtet ka qenë banka. 

Por meqë paratë nuk u janë kthyer, atëherë tre personat me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina kishin ushtruar padinë. 

Gjatë procesit, Gjykata e Strasburgut ka gjetur se të kujt ishin “Banka e Ljubjanës” dhe “Investbanka” bazuar në marrëveshjen e trashëgimisë të nënshkruar nga shtetet e dala nga ish Jugosllavia.

Ligjërisht ato banka i takonin Sllovenisë dhe Serbisë. 

Gjykata ka tërhequr vërejtjen se lidhur me kthimin e kursimeve në pritje janë edhe 1.650 raste të ngjashme që përfshijnë 8.000 persona. 

Edhe kosovarët kanë filluar të kërkojnë paratë e tyre nga Serbia

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut është parë si mundësi për të realizuar të drejtën e tyre edhe nga një çift nga Prizreni i cili kërkon kthimin e pensioneve.

Sadif e Xhemail Arënliu ka dy vjet që kanë paditur Kosovën dhe Serbinë në Gjykatën e Strasburgut. 

Ata janë në mesin e 150,424  pensionistëve kontributdhënës e jokontributdhënës  sa ka Kosova. 

Sadif Arënliu (74) ka punuar 38 vjet si daktilografe në gjykatat e niveleve të ndryshme në Prizren e bashkëshorti i saj Xhemaili (78) si arsimtar. 

Më 2 mars 2011, ata e kishin nisur me postë padinë e tyre në Gjykatën e  Strasbourgut e cila dy muaj më vonë edhe u pati kthyer përgjigje se ka pranuar lëndën dhe se ajo tashmë është regjistruar si Arënliu Vs Serbia. (shih kërkesën drejtuar gjykatës) 

Më vonë, me një autorizim të veçantë nga Shaban Kajtazi, kryetar i Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, çifti autorizohet të përfaqësojë të gjithë pensionistët kontribut-dhënës të Kosovës.

Paralelisht me këtë padi, më 2 mars 2011, familja Arënliu ka ushtruar padi edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës. Çifti Arënliu pretendonte se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka qenë ajo që kishte ndërprerë pensionet në vitin 1999. 

 

 

Sadif e Xhemail Arënliu

 

 

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë këto pretendime pasi që “MPMS nuk është  trashëgimtare e pensioneve të gëzuara para luftës nga ish Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor”. (shih aktgjykimin e Gjykatës Supreme) 

Betejën ligjore me dy shtete, prej të cilave Serbia është anëtare e Këshillit të Europës dhe nënshkruese e Kartës për të Drejtat e Njeriut,  çifti i moshuar e nisi pasi kishte lexuar një deklarim të Verena Graf. 

Graf është përfaqësuese e Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Popujve pranë  Kombeve të Bashkuara, organizatë kjo që merret me mbrojtjen e të drejtave kolektive të njerëzve në mbarë botën.

“Në vitin 2010, isha duke punuar punë dore dhe dola të blej gazetë. Aty lexova  kritikën e  fortë të Verena Graf, se ‘nuk po bën askush asgjë për të kërkuar nga Serbia që pensionet të kthehen në Kosovë’”, thotë Sadif Arënliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nga ai moment kemi filluar të kërkojmë pensionet tona”. 

“Për çështjen e pensioneve nuk ka çfarë të bisedohet sepse e drejta për të marrë pensionin u takon atyre”, tha Graf për Gazeta Jeta në Kosovë.

Ajo është e lumtur me kërkesën e çiftit nga Prizreni por porosit kosovarët se një gjë e tillë duhet të bëhet nga të gjithë. 

Në qershor 1999, gjatë largimit nga Kosova, Serbia ka marrë edhe Fondin Pensional duke lënë më shumë se 35 mijë pensionistë kontributdhënës pa paratë që do të duhej t’i merrnin në pleqëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale.

Sipas përllogaritjeve të Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, organizatë që mbledh rreth vetës të gjithë pensionistët e vendit, ky fond ishte rreth 700 milionë euro. 

Shaban Kajtazi, kryetar i kësaj organizate beson se tash pas 12 vjetësh, me vlerën e shtuar nga kamatat, shuma e Fondit arrin rreth një miliard euro.

“Situata e pensionistëve do të ishte krejt tjetër me ato para”, thotë Kajtazi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Kosova mund të përfitojë nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut

Pensionistët nga Kosova mund të padisin Serbinë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre, thotë avokati Korab Sejdiu.

“Serbia si anëtare e Këshillit të Europës mund të paditet aty. Mirëpo vlen të cekët se këto padi mund të bëhen vetëm pasi të shteren të gjitha mjetet juridike që ekzistojnë në Serbi”, thotë Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nëse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk adresohet shkelja, atëherë dhe vetëm atëherë mund të shkohet në Gjykatën e Strasbourgut”. 

Ndërkohë, ka edhe padi të tjera të bëra ndaj shtetit serb në gjykatat e Serbisë për kthimin e pensioneve. 

Shaban Kajtazi, kryetar i Bashkimi të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, thotë se edhe ata si organizatë kanë ushtruar padi. 

“Ata [gjykatat në Serbi] kurrë nuk i kanë shqyrtuar. Kjo na ka penguar ta padisim Serbinë në Gjykatën e Strasbourgut sepse para se të shkojmë atje,  duhet të kemi aktgjykimet e gjykatave në Serbi ”, thotë Kajtazi. 

“Gjykata e Strasburgut nuk i pranon rastet pa i shterë të gjitha mundësitë ligjore në shtetet përkatëse”.  

Nga kjo organizatë janë deponuar tri padi në Gjykatën e Qarkut në Beograd. 

 
Foto: Council of Europe Credits  

 

Precedenti

Çifti Arënliu ka shumë shpresë se do ta fitojnë gjyqin me Serbinë. 

“Jemi 100 për qind të bindur”, thotë Xhemail Arënliu. 

Edhe më shumë zemër atyre u ka dhënë rasti i çiftit Grudiç, shtetasve kosovarë me përkatësi etnike boshnjake nga Mitrovica të cilët tash jetojnë në Novi Pazar të Serbisë.

Pas katër vjet beteje ligjore në Gjykatën e Strasbourgut, më 17 prill 2012, ata kanë fituar rastin dhe tash shteti serb, detyrohet që pensionet t’u paguajë në mënyrë retroaktive, nga viti 1999 së bashku me kamatën përkatëse. 

Gjykata në Strasburg e ka nxjerrë aktgjykimin e parë sipas ankesës së Ljutvije e Mahmut Grudiçqit nga Mitrovica, të cilët kanë qenë shfrytëzues të pensionit invalidor të Fondit Republikan Pensiono-Invalidor kurse pagesa e të ardhurave të tyre ka pushuar nga viti 1999.

Me arsyetimin se Fondi duhet të bëjë suspendimin e pagesës së pensioneve për shkak se Kosova gjendet në administrimin ndërkombëtar, ata sikurse mijëra pensionistë të tjerë, nuk merrnin paratë e tyre. 

Por Gjykata në Strasburg këtë vendim e ka kontestuar me aktvendimin e 17 prillit 2012 dhe ka urdhëruar që çiftit Grudiç t’u paguhen të gjitha borxhet që ua ka borxh shteti respektivisht Fondi Pensional.

Avokati i Popullit në Serbi: po shkelen të drejtat e pensionistëve

Avokati i Popullit i Serbisë, Sasha Jankoviq, në tetor të këtij viti i është drejtuar Qeverisë së Serbisë duke i sqaruar se duke mos u kthyer paratë pensionistëve kosovarë, është duke shkelur të drejtat e tyre. 

Ai ka kërkuar që kosovarëve t’u kthehen paratë e tyre.

Jankoviq ka thënë se fjala është për disa mijëra pensionistë kosovarë të cilëve pensionet nuk u janë paguar që nga marsi i vitit 1999.  Ai ka thënë se zyrës së tij deri më tash i janë drejtuar rreth 150 qytetarë, kryesisht të nacionalitetit shqiptar, romë dhe boshnjakë që kanë jetuar në Kosovë.

Përveç tij, është edhe Graf e cila disa herë ka kërkuar që çështja e pensioneve të zgjidhet sa më shpejtë. 

Në mbledhjen e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB, në sesionin e dhjetë të mbajtur në mars 2009, ajo paraqet gjendjen e vështirë të pensionistëve kosovarë dhe në fund kërkon që Serbia t’i kthejë mjetet e marra.(apeli i Verena Graf) 

Dymbëdhjetë vjet më vonë, shpresat për zgjidhjen e kësaj çështje janë  varur në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, të nisur për çështje teknike një vit më parë dhe i cili po vazhdon ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve. 

Për këtë çështje, Bashkimi i Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, më 6 nëntor  të këtij viti i është  drejtuar me një kërkesë zyrtare Qeverisë me të cilën kërkohet që të zgjidhet kjo çështje. 

“Shpresojmë se dialogu do t’i kthejë pensionet tona”, thotë Shaban Kajtazi, kryetar i kësaj organizate.