Kthehet Rilindja

Një qytetare e Gjilanit, Luljeta Bexheti-Halimi, pasi ka lexuar shkrimin e Gazetës Jeta në Kosovë “Vetëm Rilindja e Dymbëdhjetë”, të datës 3 tetor, që tregonte se as arkivi dhe as biblioteka kombëtare nuk e kishin numrin e parë të gazetës Rilindja, ia ka dhuruar arkivit shtetëror kopjen që familja e saj e ruante për 67 vjet.

Zonja Bexheti kishte shkruar një koment në hapësirën nën artikull disa orë pas botimit të tij: “Në bibliotekën e vogël të familjes sime e kam gjetur numrin e parë të gazetës Rilindja të datës 12.02.1945”, shkruante ajo.

Pasi është kontaktuar nga gazeta, Bexheti-Halimi ka shprehur gatishmëri që t’ia dorëzojë numrin arkivit shtetëror ashtu që ai të ruhet më mirë. Vajza e kryetarit të Gjilanit në vitet 1985-86 Fahredin Bexheti, ia dorëzoi atë degës së arkivit shtetëror në këtë qytet, të enjten. (Shiko edicionin e plotë)

Ajo tha se numri ishte ruajtur nga dajët e babait të saj – Ali, Munin e Shyqyri Jakupi nga komuna e Gjilanit. “Ata jetonin në Turqi pas largimit me dhunë për shkaqe politike dhe të gjithë ishin profesorë universiteti atje”, tha Bexheti-Halimi. “Babai im e kishte marrë atë numër prej tyre”.

 
Luljeta Bexheti – Halimi  

 

Numri i parë i “Rilindjes” kishte katër (4) faqe, botohej më “12 fruer 1945” dhe kushtonte 8 dinarë ose 1 lek. Krah logos ishte ylli komunist dhe ajo shënohej “organ i frontit të përbashkët nacional çlirimtar të Kosmetit”.

Në ballinën e gazetës ishte editoriali i Fadil Hoxhës me titullin “T’i përvishemi punës”.

“Kurrë ndonji here nuk ka dale lirisht ne Kosmet ndonji fletore Shqipe e drejtueme prej bijve te vertete te popullit, si kjo”, shkruante Hoxha. “T’i pervishemi punes pra shoke me vullnet te pathyeshem dhe me zemer plot gezim t’i brohorisim Rilindjes”.

Në faqen dy është një artikull i Esad Mekulit me mbititull “Pershendetja e popullsis Shqiptare te Kosmetit” dhe me titull “Per pergjigjen burnore te popujve te Jugosllavis me rastin e msymjes së reakcionit kunder marëveshjes Tito-Shubashiq”.

Më pas, në faqen tre Sat Hoxha ka një shkrim me titullin “Edhe grueja e jonë hec drejt perparimit…”. Ndërsa në faqen e fundit ka një artikull që bën thirrje për të ndihmuar viset e dëmtuara nga lufta dhe një tjetër që lajmëron hapjen e bilibiotekës së parë popullore në Prishtinë.

“Biblioteka qysh sod disponon, perveç te gjitha fletushkavet dhe broshuravet Nacional-Çlirimtare me 1300 libra ne gjuhen serbishte dhe shqipe”.


Tetor 03, 201210:14

Vetëm Rilindja e Dymbëdhjetë

Përveç që shumë të dhëna tjera për Kosovën dhe qytetet e saj shihet që mungojnë nga regjistrat e tyre, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës nuk gjendet asnjë kopje deri në edicionin e 12 të gazetës “Rilindja”…të konstituimit të asamblesë krahinore të Kosovës e Metohisë ose, siç e quante gazeta, “asamblesë së triumfit”.

Kosovarët e interesuar do të mund të kishin një burim të besueshëm se çfarë ka ndodhur në vend dhe si janë parë ngjarjet të paktën mes 8 majit dhe 14 gushtit 1945 – që nga dorëzimi i Gjermanisë deri tek ai i Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Por në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje për të siguruar një kopje të edicionit të parë të gazetës “Rilindja”, numri më i hershëm që është gjetur është i 12-ti, i botuar në Prizren më 2 gusht 1945. Kliko këtu për ta gjetur tërë edicionin.

Jusuf Osmani, kryeshef ekzekutiv i Arkivës Shtetërore të Kosovës, thotë se arkivi nuk ka mundur të sigurojë numrat e parë të “Rilindjes”.

“Nuk kemi pasur mundësi me i siguru numrat e Rilindjes pasi që arkiva është themeluar në vitin 1951, ndërsa gazeta është botuar më 1945” Jusuf Osmani

“Nuk kemi pasur mundësi me i siguru shkaku që arkiva është themeluar në vitin 1951, ndërsa gazeta është botuar më 1945, e nuk ka pas arkiv që i ka ruajtur ato gazeta”, tha Osmani. “Ne si arkiv jemi mundu me i mbledhë të gjitha ato gazeta që janë ruajtur nga persona të ndryshëm, por jo edhe numrat e parë”.

Atëherë “Rilindja”, që kishte përkrah logos edhe një yll, botohej një herë në javë. Gazeta kishte moton “Vdekje Fashizimit, Liri Popullit” dhe ishte Organ i Frontit t’Unjisuem Nacional  Çlirimtar të Kosovës – Metohis”. Edicioni i 12-të përmbante 10-të faqe, të formatit A3.

Ballina kishte një artikull të vetëm – temën kryesore – me titull “Asambleja Krahinore” ndërsa me nëntitullin “Mbledhja e parë e përfaqësuesve popullor të Kosovës e Metohis”.

Teksti fillon me fjalët “Krahina jonë, ka mërri ditë të rralla”, pasi “per te paren herë në historin e vet, popujt e Kosovës e të Metohis kanë krijue konditat me te cilat munden me thanë mendimin e vet mbi çështjet aktuale te krahines së vetë, me anën e perfaqsuesvet te tyne lirisht të zgjedhun”.

“Kjo asamble, e cila si mbas te gjith zhvillimit te sajë mund te quhet Asamble e triumfit”, vazhdon artikulli, “ka ardhë si rrjedhim i përfundimit të luftes fitimtare kundra Gjermanis hitlerjane dhe mbeturinave te sajë”. 

Teksti tregon se Asambleja, ishte formuar me pak vonesë në krahasim me krahinat tjera, por se ditët e mbledhjes së saj “kane me hy ne historin e krahines sone si ma te medhajat dhe me te randesishmet”. 

Dhe, “Më 8 korrik në mëngjes u nisën delegatët kah shtëpia e kulturës në mbledhjen e parë të vetën”. Përshkruhet gatishmëria e popullit për të qenë pjesë e një festimi kaq të madh, “pritja, dritaret e dekorume me flamujt t’onë dhe me qylyma të bukur të Prizrenit, populli dhe rinija, shiqimet e të cillve me plot interes dhe dashuni i kanë ndie ne vehte të gjitha këto së bashku”.

Pjesëmarrësve në emër të Armatës Jugosllave, u foli koloneli, shoku Fadil Hoxha.
Ai midis të tjerave tha: “Armata jonë asht vepra e popujve  t’onë liridashës. Ajo asht vepra e heroit të Jugosllavisë Marshallit TITO, i cili diti aq mirë me udhëheqë luftën për ekzistencë dhe për liri”.


“Por akoma ka njerzë të cilët nuk e duen pushtetin tonë, të ciltë merren me ngatërresa të ndryshme per me i nda popujt t’one…”, alarmon Hoxha.

Artikulli i ballinës zinte edhe hapsirën e faqes së dytë, e cila përfundonte me telegramet përshëndetëse, drejtuar Asamblesë Krahinore. Në një nga to, sekretari i komitetit shqiptar Xhavit Nimani thotë se “komiteti i ka demaskue para popullit shqiptar njerëzit të ciltë në çfarëdo mënyre kanë pengue punën për forcimin e vllaznim bashkimit, si armiq”.

Më pas zinte pjesë sektori i Kulturës dhe Letërsisë, ku kryesori ishte artikulli “Arsimi për të gjith popullin” i Mehmet Gjevorit.

“Niveli përparimtar i një populli shifet nga gjendja arsimore e tij. Pra, arsimi ka nje randësi të veçantë në zhvillimin e çdo populli”, shkruante Gjevori.

“Sikur toka, sa do e çmushme dhe e pasun që të jetë, po u la djerr nuk jep fryte veçse barishte t`egra, njashtu mbetet edhe shpirti dhe mendja e nji populli, në qofte se nuk lavrohet e zhvillohet nga fuqit e mendjes, të vullnetit te ndjesivet, në qofte se nuk bahet i aftë për vepra të mbëdha ditunije, morali e arti, me një fjalë në qofte se nuk shkollohet”, vazhdonte ai.

Një poezi e Dyl Tahirit me titull “Jemi vllazen” thoshte: “Vllazen jemi Kosmetohijas / Shqiptar, Serb e Malazijas / Kush punon me na ngatrre / Grusht’i jonë ka m’e derme”.

Në po të njëjtën rubrikë, kishte edhe një “Leter nga Moska” e autorit që nuk shkruhet e që kujton ngjarjet e luftës në Tiranë ndërkohë që duket se gjendet në Moskë. “Shok, jam ne Pjacen e Kuqe…disa metra largë Maouzoleut të Leninit që ngrihet impozante e madhështore…”.

Sektori i lajmeve nga bota, i cili zinte faqen e fundit të gazetës kishte një lajm për zgjedhjet në Londër që i kishte humbur “Çerçilli i cili me nji herë mbas zgjedhjeve dha dorhjekjen” dhe një lajm nga Tirana i cili lajmëronte arritjen në Korçë të Misionit Ushtarak Sovjetik.

Gjithashtu, në të njëjtën faqe shkruhej edhe një lajm i shkurtër për emrimin e Ali Shukrisë Prokuror Publik për Kosmet (Kosova Metohi).

Numri i parë i fletushkës Rilindja në katër faqe ishte botuar më 12 shkurt 1945 botohet, e që kishte tirazh 1000 kopje. Ajo filloi punën me një redaktor dhe tre gazetarë.

Gazeta Rilindja në vitin 1984 bëri një shpërthim në treg, kur mbërriti një tirzh ditor prej 48.768 copësh.

Më 5 korrik 1990, mbi 100 policë të armatosur e kishin rrethuar pallatin e shtypit me të njëjtin emër, duke bërë presion dhe duke keqtrajtuar gazetarë e punonjës shqiptarë.

Më 5 korrik 1990, mbi 100 policë të armatosur e kishin rrethuar pallatin e shtypit me të njëjtin emër, duke bërë presion dhe duke keqtrajtuar gazetarë e punonjës shqiptarë. Në këtë kohë nga puna ishin larguar rreth 1600 punëtorë të Rilindjës. Ndërhyrja u shoqërua edhe me demolmin e hapsirave të punës dhe njëherësh u plaqkitën pjesa dërmuese e pajisjeve.

Në maj të vitit 1993 regjimi serb shoi tërësisht xhirollogarinë e Rilindjes duke marrë të gjithë pasurinë që kishin krijuar gjatë 50 vjetëve të veprimtarisë, sipas redaktorit të saj Behlul Jashari.

“Rilindja” u botua në Prishtinë edhe gjatë kohës të luftës, nga 22 shkurti deri më 24 mars 1999, me po këtë emër. 

Numri i fundit i saj special ishte botuar më 30 dhjetor 2008, në ballinën e së cilës shkruante “Gazeta Tradicionale e Kosovës”, dhe artikulli kryesor i këtij numri ishte “Kosova shtet në OKB”.