Konkurrencë e Gjallë për Funerale

Veturat e gjata e të zeza i shikon të parkuara afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Në heshtje, automjetet e kompanive për transportimin e kufomave presin  ndonjë vdekje që t’ia bëjnë udhëtimin e fundit nga kjo botë.

Fitimet e këtyre kompanive nuk dihen saktë, por tetë vjet më parë ishin të regjistruara më pak se dhjetë të tilla. Ato ofronin kryesisht transportim kufomash. Për çdo vit, numri i tyre është rritur e bashkë me to edhe shërbimet që ofrojnë.

Tash transportojnë të vdekurin, përgatisin kufomën për varrim, hapin varrin, sigurojnë shërbesën fetare, arkivolin, deri te dhënia e lamtumirës së fundit- mbulimin me dhe. E gjitha kjo ka çmim dhe është i ndryshëm- varësisht nga shërbimi që kërkohet.

Me arkivol jo shumë të shtrenjtë e me kërkesa minimale për ceremoni mortore, vendosja në banesën e fundit, një kosovari i kushton deri 400 euro. E në rast se i vdekuri është nga Mitrovica apo Gjilani, për shkak të marrëveshjeve të këtyre dy komunave, njëra me Këshillin e  Bashkësisë Islame e tjetra me shoqatën humanitare “Bereqeti”, çmimi është nga 210 deri 240 euro. Në këto komuna, faturat e funeraleve mbulohen prej tyre.

B. Gashi, pronar i njërës prej këtyre kompanive që biznesin e bartjes së kufomave e ka nisur në vitet 90-ta, atëherë kur babai i tyre transportonte të vdekurit nën emrin “Klubi i Besimtarëve”, thotë se shtimi i shërbimeve ka bërë që emrin e firmës ta ndryshojë tri herë.

“Pastaj kompanisë ia ndërruam emrin në ‘Loti i fundit’ e në vitin 2009, sërish e ndryshuam firmën”, thotë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë, duke kërkuar që emri i saj të mos përmendet që të mos ndikojë tek perceptimet e mundshme të klientëve të tij e që nuk kërkojnë shërbime funerali. “Merremi edhe me bartjen e VIP-ve (personave të rëndësishëm e famshëm) e organizimin e dasmave”.

Me katër veturat për bartjen e kufomave sa ka kompania e tij, kanë transportuar edhe në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. Në dy muajt e fundit, kompania ka dërguar nga Prishtina tri kufoma myslimanësh në Tetovë dhe dy në rrethinën e Ferizajt.

Shumë prej këtyre kompanive jo vetëm bartin kufoma, por merren edhe me përgatitje dasmash e ahengjesh familjare. Ka raste kur ata paradite planifikojnë si duhet të duket vetura e stolisur për të transportuar nusen apo si ta bëjnë rregullimin e ambientit për vallëzim. Por, pasdite përfundojnë duke transportuar kufomë a hapur varr.
Kjo formë ka fillua t’i konkurrojë seriozisht mënyrës tradicionale të varrimit.

Kur pesë vjet më parë Ymer Rrudhanit nga fshati Roganë i Kamenicës i vdiq babai, atij përveç dhimbjes për humbjen e prindit iu shtua edhe mërzia nga refuzimi i hoxhës së fshatit për t’ia kryer ceremoninë fetare të varrimit.

Arsyetimi i Fehmi Lecit, në atë kohë imam në xhaminë e fshatit, ishte se familja Rrudhani, për disa vjet nuk ia kishte paguar anëtarësinë vjetore prej 2 eurosh për person Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

“Baba im ka qenë fetar dhe gjithmonë i ka shlyer obligimet”, thotë Rrudhani për Gazetën Jeta në Kosovë. “U deshtë të marrim një hoxhë tjetër”.

Por imam Leci thotë se ka respektuar një rregull të BIK-ut, sipas të cilit, atyre që i kanë kushtet e mira ekonomike nuk duhet t’u kryhen ceremonitë fetare në ditën e varrimit, pa shlyer borxhin e anëtarësisë. 

“Vendimin më obligoi ta respektoj Këshilli i Xhematit për shkak se ajo familje i kishte kushtet e mira ekonomike”, thotë Leci, për Gazetën Jeta në Kosovë, tash imam në xhaminë e fshatit Koretin të Kamenicës. 

“Shkova më vonë ta kryej varrimin nga keqardhja, por ata nuk më pranuan”, thotë hoxhë Fehmiu. Këtë e konfirmon edhe Rrudhani. Familja gjeti një hoxhë tjetër që e njihnin.

Tek popullata myslimane, zakonisht, varrimet kryhen nga imamët e BIK-ut dhe kërkojnë mes 200 deri në 250 euro për një ceremoni. Besimtarët preferojnë këtë mënyrë varrimi.

Në tetë vitet e fundit, megjithatë, hoxhallarëve kanë nisur tu bëjnë konkurrencë për funerale kompanitë private të cilat në një ditë të rëndë vdekjeje i bëjnë të gjitha.  

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), janë të regjistruara 57 të tilla.

foto  
Veturat e bartjes së kufomave para QKUK-së  

 

Konkurrenca

Reklama të kompanive për transportim  kufomash shihen edhe brenda klinikave të  QKUK-së. 

“Ato vendosën nga individë të papërgjegjshëm. QKUK vazhdimisht i heq ato reklama që  vendosen brenda hapësirave”, thotë Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së për Gazetën Jeta në Kosovë. “Për QKUK’në është e papranueshme vendosja e reklamave të tilla në hapësirën e saj”.

Sipas tij, qëndrimi i automjeteve për bartje kufomash para QKUK-së nuk është përgjegjësi e kësaj qendre. “Pjesa ku janë vendosur i takon Komunës së Prishtinës”.

Asdren Osaj, zyrtar për media në Komunën e Prishtinës, gishtin e drejton nga policia. “Përgjegjësi e komunës është vendosja e shenjave  të trafikut ku ndalohet parkimi. Policia është përgjegjëse për largimin e tyre”, thotë Osaj për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Rregullat e trafikut anash, është e qartë se ato janë të rëndësishme për klientët.

Kompania e parë e regjistruar me këtë fushëveprimtari është evidentuar në vitin 2000, tani janë 57. Ato janë regjistruar si biznese individuale, kryesisht me zero kapital të deklaruar,  me 1 deri në 10 të punësuar dhe me shtrirje gjeografike edhe në zonat e banuara nga pakica serbe në veri të vendit si Leposaviq e Zubin Potok.

Prishtina mbetet rajoni me numrin më të madh të kompanive për funerale, ku janë të regjistruara 14 të tilla, pasuar nga Prizreni me 8, Gjakova me 4, Mitrovica e Peja me nga 3 etj.

Kryeqyteti i Kosovës, në të njëjtën kohë prin edhe me shifrën më të lartë të personave që vdesin.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2011 ka regjistruar 7.556 vdekje në nivel të vendit, prej të cilave 2.272 në Prishtinë, 785 në Prizren, 452 në Gjilan etj.

Ky total i shumëzuar me 300 euro – mesataren e kostos së funeraleve – është baras me mbi 2 milionë e 266 mijë euro.

Brenda vitit ndërkohë lindin më shumë se 34 mijë foshnje.

Shumica dërmuese prej 1.7 milionë banorëve ose rreth 95 për qind, sipas rezultateve preliminare të regjistrimit të fundit të popullsisë në prill 2011, janë deklaruar se i përkasin besimit islam.

BIK-u është institucioni i vetëm në vend që merret me drejtimin e imamëve në tërë vendin, e të cilët janë të obliguar të kryejnë edhe ceremonitë e varrimit. Ajo ka edhe Kushtetutën e vet të miratuar në vitin 2002.

Në kapitullin VI, ku flitet për Organet e Bashkësisë Islame, neni 36 përkufizon çështjen e  xhematit, detyrimet sjelljen dhe kontributet e tyre ndaj BIK’ut.
 
“Xhemati është grup myslimanësh në një territor të ngushtë, në kuadër të të cilit kryhen detyrat e përbashkëta fetare, mirëmbahen xhamitë, pronat, varrezat, grumbullohen anëtarësia, të ardhura dhe kontribute për nevoja të Bashkësisë Islame, si dhe kryhen punë të tjera, të cilat i caktojnë organet më të larta të Bashkësisë Islame”, shkruan në këtë nen.

Aty nuk tregohet sa është shuma që një besimtar duhet të paguajë për këtë institucion fetar nga xhemati, por sqarohet se “…këshilli i xhematit është trup ndihmës i Këshillit të Bashkësisë Islame”.

Kisha Katolike thotë se nuk obligon besimtarët të paguajnë për shërbimet e priftërinjve.

Don Rrok Gjonlleshaj, famullitar i Prishtinës dhe financier në Ipeshkvinë e Kosovës, thotë se përgatitjen e kufomës për varrim, si veshja e të tjera, i bënë familja. “Prifti vetëm bekon të ndjerin në shtëpi dhe kryen ceremonitë tjera te varrezat. As që bëhet fjalë për pagesë”, thotë Gjonlleshaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se të 40 priftërinjtë e Ipeshkvisë së Kosovës, nuk marrin paga mujore dhe këtë e dinë në momentin kur marrin drejtimin për t’i shërbyer Zotit. “As që kemi dashur e as që kemi menduar të merremi me përgatitjen e të vdekurit për varrim. Familja është e lirë të zgjedhë kompani, apo këdo që ta përgatis të ndjerin për varrim”, thotë Gjonlleshaj.

“Prifti kurrë nuk kërkon para. As që bëhet fjalë. Vetëm nëse vet familja dëshiron t’i japë”, shtoi ai.

Por, zakonisht, pas meshave, besimtarët janë të lutur të kontribuojnë me donacione për kishën.

foto  
   

 

BIK-u më i motivuar

Gjilani dhe Mitrovica janë dy komunat që e kanë rregulluar ndryshe çështjen e varrimit edhe për arsyen e pastrimit të regjistrave civilë. Me ndërmjetësim të Këshillave të Bashkësisë Islame, vetë komunat  paguajnë për varrimin e banorit të vet.

Ahmet Jashari, zyrtar për media në Komunën e Mitrovicës, thotë se ky projekt ka filluar të zbatohet prej fillimit të vitit 2011 dhe kanë ndodhur rreth 300 vdekje.

“Projekti ka kushtuar rreth 70 mijë euro aq sa janë ndarë edhe për këtë vit. Me këtë projekt është  mundësuar sistemimi i të dhënave për rastet e vdekjeve, regjistrat civilë etj”, thotë Jashari për Gazetën Jeta në Kosovë.  

Me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet kryetarit të komunës dhe BIK-ut në Mitrovicë, nëse personi nuk ka vdekur në spital, së pari informohet mjeku familjar për verifikim, hapet varri, sigurohet imami, shtypen afishet, bartet kufoma për në varreza dhe krejt kjo procedurë bëhet me veturat përkatëse.

“Në tërësi një rast kushton 210 euro. Por ka procedura tjera që kryejnë disa nga imamët tanë, por jo gjithherë, si pastrimi i xhenazes (kufomës) për të cilën punë kushdo që kryen, paguhet për atë shërbim”, thotë Jetish Berisha, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë.

Pavarësisht se komuna paguan për varrim, pagesa e anëtarësisë në BIK është obligim për çdo qytetar – që nuk ka të bëjë me varrimin. “Nëse pala nuk ka qenë pagues i rregullt, nga ata kërkojmë që ky obligim të paguhet, por për raste të veçanta sociale jo rrallë bëjmë lëshime (lirim nga pagesa e anëtarësisë)”, thotë Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Prej që kemi kontratë me Komunën kemi kryer rreth 530 varrime. Nuk është aspak e ndershme që këto shërbime t’i kryej dikush tjetër që si qëllim ka vetëm anën materiale”.

Por zyrtarë të BIK-ut në Prishtinë tregojnë se çmimet e varrimit të një personi, nuk janë fikse dhe ato ndryshojnë varësisht nga komuna.

“Kushton rreth 150 euro, duke llogaritur, pastrimin, përcjelljen te varrezat (50 euro),gusullhanja (vendi i pastrimit) 15 euro, qefini (25 euro), dërrasat (30 euro), transporti (25 euro). Këto çmime ndryshojnë prej komunës në komunë, por nuk janë të mëdha”, thotë Kasim Gërguri, financier në BIK.

Pavarësisht pagave që marrin imamët, ai thotë se pagesa shtesë që marrin në raste të varrimit, janë minimale. “Varrimet nuk janë të përditshme”, thotë Gërguri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai thotë se BIK-u ka rreth 730 imamë në tërë Kosovën, paga mesatare e të cilëve është prej 200 deri 400 euro, varësisht nga buxheti i secilit këshill.

“Këtu nuk flas për disa nga imamët që të ardhurat e tyre i realizojnë drejtpërdrejt nga xhemati i tyre në bazë të një marrëveshjeje paraprake në mes tyre, e që nuk e arrin 450 euro në muaj në rastin më të mirë”, tha ai. 

“Kompanitë e funeraleve paraqesin përzierje në çështje të BIK-ut, por nuk duhet t’i frikësohemi konkurrencës, përkundrazi, na motivojnë të jemi më të mirë në ofrimin e shërbimeve më të mira në çdo segment”, thotë financieri i BIK-ut.

Sipas tij, kompanitë për funerale këtë punë e kanë biznes e nuk kanë kujdes për çështje shpirtërore, të cilën BIK-u mund ta ofrojë. “Pas varrimit, imami përkatës qëndron disa ditë (ne rajone te caktuara) edhe në të pame, për të qenë afër familjes së të vdekurit”.
 
Kompanitë private, që kryejnë vetë të gjitha shërbimet në një pako, thonë se çmimet ndryshojnë varësisht nga kërkesa e familjeve (për mënyrën e larjes së kufomës dhe arkivolin) dhe largësia e distancës në të cilën kufoma transportohet. Përgjithësisht, çmimi i tyre fillon me 300 euro.

Xhabir Hamiti, profesor i exegjezës islame në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë se çështja e varrezave dhe varrimit, duhet të rregullohet me ligj, sipas standardeve të vendeve të avancuara. “Duhet të jetë një çmim i unik për të gjithë njëjtë, përveç nëse familjarët dëshirojnë të shpenzojnë diçka shtesë”, thotë Hamiti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Aktualisht nuk ka ligj që rregullon mënyrën e varrimit.