Vjedhja Milionëshe e Bandës Kosovare në Hotelin e Barcelonës

Katër shqiptarë të Kosovës akuzohen për vjedhjen e stolive dhe mallrave luksoze në vlerë prej gati 2 milionë eurosh në dhomën e hotelit me pesë yje në Barcelonë të një gjenerali, birit të Presidentit kurd irakian Massoud Barzani.

Hotel Arts, që vizitohet nga personalitete botërore si Mick Jagger, Eric Clapton dhe Cindy Crawford, është votuar si një nga vendet më të preferuara në botë për të takuar yje.

Por më 20 korrik 2009, mrekullia arkitektonike e xhamit dhe çelikut, e cila është pjesë e zinxhirit Ritz-Carlton, ishte nikoqire e një grumbulli të çuditshëm të vizitorëve: katër hajdutë shqiptarë të Kosovës që kishin shënjetstruar birin e Presidentit të Kurdistanit, Gjeneralin Mansour Barzani, Kreun e Forcave Speciale të Kurdistanit, zbulon Gazeta Jeta në Kosovë.

Haki Januzi dhe Artan (Xhafer) Jelliqi akuzohen se kanë hyrë me forcë në dhomë të hotelit duke ikur me byzylykë, unaza, vathë, qafore dhe telefona të shtrenjtë mobilë, të gjitha në vlerë prej 1.3 milionë dhe 1.9 milionë euro, ndërsa Sami Makolli dhe Shemsidin Benarba bënë roje në korridor dhe hutuan vëmendjen e stafit të recepcionit.

Makolli dhe Benarba kishin udhëtuar në Barcelonë me pasaporta të rrejshme, dhe të gjithë – përveç Januzit i cili theksoi se nuk ishte në Spanjë në atë kohë – kanë thënë se kishin ardhur në qytet për të luajtur bixhoz në kazino.  

Afrim Ymeri, Abedin Beka – pronar i Hotelit Kalaja në Vushtrri – dhe Saim Januzi – pjesëtar i suspenduar i njësisë speciale të policisë së Kosovës ROSU, që është edhe vëllai i të bashkakuzuarit Haki – akuzohen se kanë ndihmuar kryerësit pas plaçkitjes.

Në seancë në Gjykatën e Qarkut në korrik, gjyqtari konstatoi se provat mbështesin pikat e aktakuzës dhe gjykimi i plotë pritet të mbahet në vjeshtë. Akuzat kundër Sami Makollit ishin të ndara nga të bashkakuzuarit sepse ai nuk ishte i pranishëm në seancë.

Erhan Brnicanin, Dusan Kadijevic dhe Nebojsa Bojovic, që të gjithë nga Serbia, gjithashtu përballen me akuza për tentim-pranim të mallrave të vjedhura.

Plaçkitja

Më 15 korrik, Afrim Ymeri kontaktoi me Artan (Xhafer) Jelliqin. Jelliqi i tha Ymerit se ishte në Barcelonë me “Saminë”, “Shemin” dhe “Hakinë”, duke shtuar se Shemi sapo ishte liruar nga burgu. Ymeri shtoi se ai do të ishte në aeroportin e Prishtinës të nesërmen.

Regjistrat e aeroportit tregojnë se Ymeri kishte qenë në Barcelonë nga 6 korriku, por ishte kthyer në Kosovë më 16 korrik.

Sipas bisedave telefonike ndërmjet Ymerit dhe Jelliqit, të përgjuara si pjesë e një hetimi tjetër, ky i fundit ishte ende në Barcelonë më 17 korrik 2009.

Sipas aktakuzës, Jelliqi ankohej te Ymeri se ishte bërë shumë vështirë për të vjedhur sepse Barcelona ishte mbushur me hajdutë.

Pastaj ai shpjegoi se zakonisht janë tri grupe që presin të vjedhin çanta nga “njerëzit mendjetrashë”. 

“Afrim Ymeri pastaj i tha Artan (Xhafer) Jelliqit, ‘Tamam kur nuk e pret, ata dalin në sipërfaqe’ dhe shtoi ‘fatmirësisht ne jemi të mirë’”, shkruante në aktakuzë.

Më vonë gjatë bisedës, Ymeri i tha Jelliqit se do ta thërriste atë të nesërmen dhe do t’i tregonte “të gjitha”. Pastaj i tha Jelliqit, “të mos kesh merak fare, se krejt do bëhet mirë”.

Sipas raporteve të policisë së Spanjës, më 18 korrik, një shtetas irakian, Manzour Barzani, shkoi në Njësinë Hetimore të Policisë në qarkun Eixample të Barcelonës për t’u ankuar se gjersa ishte në taksi i është vjedhur një çantë në të cilën kishte stoli dhe objekte në vlerë prej 150,000 eurosh. Gjithashtu, atij i ishte vjedhur edhe kartela hyrëse e suitës së tij në Hotelin Arts.

Gazeta Jeta në Kosovë konfirmoi se personi i listuar në aktakuzë me mbiemrin Barzani ishte biri i Massoud Barzanit, Presidentit aktual të Rajonit të Kurdistanit në Irak dhe udhëheqësit të Partisë Demokratike të Kurdistanit.

Dy ditë më vonë, Barzani parashtroi një ankesë të dytë në polici në qarkun Ciutat Vella të Barcelonës, duke cekur se “persona të panjohur kishin hyrë me forcë në dhomën e tij në Hotelin Arts, në Barcelonë, dhe kishin vjedhur stoli dhe objekte të cilat sipas tij kishin vlerë prej rreth 1.9 milionë eurosh”.

Imazhet e kamerave vëzhguese të sigurisë në Hotelin Arts tregojnë se pesë njerëz ishin përfshirë në futjen me dhunë në dhomën 3009.

Jelliqi dhe Haki Januzi ishin në korridor jashtë dhomës 3009 dhe e hapën derën me forcë gjersa Makolli dhe Benarba dhe një person tjetër i paidentifikuar kontrollonin qasjen në korridor përmes ashensorit dhe largonin vëmendjen e stafit të hotelit në recepcion.

Jelliqi, Makolli dhe Benarba pranojnë se ishin në Barcelonë gjatë kohës së plaçkitjes, por mohojnë të kenë qenë të përfshirë. Benarba dhe Makolli kishin udhëtuar me pasaporta të rrejshme.

Para vjedhjes, Ymeri veçse kishte qenë në kontakt me një blerës potencial të mallrave të vjedhura në Serbi.

Sipas aktakuzës, në periudhën 5 korrik dhe 16 gusht 2009, ai ka rënë në kontakt me persona të ndryshëm në Serbi dhe Shqipëri, duke rregulluar që Erhan Brnicanin, Dusan Kadijevic dhe Nebojsa Bojovic të bënin vlerësimin dhe blerjen e mallrave të vjedhura, gjegjësisht stolive dhe orëve, për një bos në Serbi emri i të cilit nuk është bërë i njohur.

foto  
Foto: hotelartsbarcelona.com  

Takimi

Takimi me blerësit potencialë nga Serbia ishte caktuar përfundimisht për 16 gusht, vetëm një muaj pas plaçkitjes, në Hotelin Kalaja në Vushtrri, pronarë të së cilit, sipas aktakuzës, ishin Abedin Beka dhe një person i papërmendur.

Sipas deklaratës së dëshmitarit Remzi Januzi, recepsionisti i hotelit dhe nipi i të dyshuarve Hakiut dhe Saimit, Hakiu dhe Beka arritën së bashku në hotel në kohën ndërmjet orës 20.00 dhe 21.00. Ai tha se pak kohë më vonë kishin ardhur disa “mysafirë specialë” të cilët janë përcjellë në njërën nga dhomat e hotelit.

Pohohet se Brnicanin, Kadijevic dhe Bojovic ishin mysafirët specialë, të cilët kishin ardhur për t’i vlerësuar mallrat e vjedhura për bosin e tyre.

Pjesëtari i njësisë ROSU, Saim Januzi, ishte i pranishëm në Hotelin Kalaja për arsye “private”, theksoi ai, dhe shtoi se kishte menduar që vetëm ta pinte një kafe.

Ai ishte në rroba civile, mirëpo kur arritën policët tjerë, pjesëtarë të operacionit, Saimi prezantoi veten si hetues i rastit dhe tregoi kartelën identifikuese policore të tij.

Pohohet se kur policët mundoheshin t’i ndalonin njerëzit, përfshirë të dyshuarit, që të mos largoheshin nga hoteli, intervenoi Saimi, duke lejuar largimin e të dyshuarve. Lista e thirrjeve tregon se Saimi ishte në kontakt më vëllain e tij Hakinë në ora 21.14 atë mbrëmje, në kohën e intervenimit të policisë.

Pronari i hotelit Beka u arrestua rreth 200 metra larg Hotelit Kalaja, nga i cili kishte ikur në këmbë. Ai është kapur bashkë me një çantë në të cilën gjendeshin të gjitha stolitë dhe orët e vjedhura.

Haki Januzi është arrestuar duke pasur në posedim dy telefona mobilë tejet të çmuar të markës Vertu. Jelliqi e kishte një.

Të gjithë mohojnë keqbërjet

Jelliqi ngul këmbë se ai i kishte blerë artikujt e shtrenjtë duke luajtur poker në Barcelonë me një “arab” të quajtur Abdel në korrik 2009.

Haki Januzi mohon të ketë shkuar në Spanjë. Ai deklaroi se gjatë muajit korrik 2009 ishte në Kosovë. Ai tha se më 16 gusht ishte me Abedin Bekën dhe shkoi në Hotelin Kalaja për t’u takuar me Jelliqin. 

Në dhomë të hotelit, Jelliqi kishte hapur çantën me stolitë, theksoi ai. Hakiu thotë se e mori një telefon Vertu nga çanta ndërsa tjetrin e kishte blerë në Republikën Çeke. Sipas regjistrit në aeroportin e Prishtinës, Januzi kishte ikur nga Kosova më 4 korrik dhe është kthyer më 20 korrik.

Sami Makolli pranon se ka qenë në Barcelonë për të luajtur bixhoz në kazino në atë kohë, por thotë se nuk e ka parë Haki Januzin apo Jelliqin dhe se nuk i njeh ata. Ai kishte përdorur një pasaportë serbe me emrin Bastri Makolli, për të hyrë në Spanjë.

Shemsidin Benarba pranon se gjatë periudhës qershor deri në korrik 2009 ishte në Spanjë. Ai thotë të ketë qëndruar në Hotelin Arts në Barcelonë me të dashurën e tij.

Në kazinonë e hotelit ai takoi Haki Januzin dhe Artan (Xhafer) Jelliqin dhe kishte parë Sami Makolli, pohon ai. Ai kishte përdorur pasaportë bullgare me emrin Mehmet Hasanov për të hyrë në Spanjë.

Ymeri tha se me kërkesë të Jelliqit kishte kontaktuar me Brnicanin, Bojovic dhe Kadijevic për t’i vlerësuar artikujt. Ai pohon se kishte menduar se mallrat ishin siguruar në mënyrë të ligjshme.

Bojovic dhe Kadijevic theksuan se një mik i tyre – i njohur si “Jupi” – i kishte lutur që të shkonin në Kosovë për të vlerësuar një sasi ari. Bojovic tha se ishte argjendar dhe se puna e tij kryesisht përfshinte përcaktimin e vlerave të stolive. Ai nuk kishte qenë në dijeni për faktin se mallrat ishin vjedhur. 

Brnicanin tha se ishte bashkuar në udhëtim vetëm për t’i ndihmuar mikut të tij, pa pasur njohuri fare për takimin. Ky i fundit e kishte lutur atë që të shoqëronte Bojovic dhe Kadijevic në Kosovë sepse ishte më sigurt për ta nëse do të udhëtonin nëpër Kosovë bashkë me një mysliman.

Saim Januzi mohon çfarëdo sjellje kriminale, duke thënë se në mbrëmjen e 16 gushtit kishte shkuar vetëm për të pirë kafe në Hotelin Kalaja, duke mos ditur se vëllai i tij, Hakiu, ishte në hotel dhe nuk kishte komunikuar me të atë mbrëmje. Kur e kishte parë policinë, ai u mundua t’i ndihmojë dhe kurrë nuk kishte tentuar të linte të pandehurit të ikin, shtoi ai.

Perandoria Barzani

Massoud Barzani është Presidenti aktuali i Rajonit të Kurdistanit në Irak dhe udhëheqës i Partisë Demokratike të Kurdistanit.

Barzani u lind në Mahabad, në Iran, gjatë sundimit të Republikës Mahabad. Ai ka pesë djem – përfshirë Masrour, udhëheqës i agjencisë së inteligjencës, dhe Mansour, i cili është Gjeneral, dhe ka tri vajza.

Massoud Barzani trashëgoi babanë e tij, ish udhëheqësin nacionalist kurd Mustafa Barzani, në pozitën e udhëheqësit të Partisë Demokratike të Kurdistanit, KDP, në vitin 1979.

foto  
Facebook: Barzani me ish-Sekretaren amerikane Condoleeza Rice  

Sipas telegrameve diplomatike të SHBA-së, të publikuara nga organizata Wikileaks, KDP “përbëhet nga klane familjare, dhe ajo funksionon sikur një organizatë mafioze”.

“Për shembull, daja i tij [i Massoud Barzanit], Hoshyar Zebar, është Ministër i Punëve të Jashtme, nipi i tij/dhëndri, Nechirvan Barzani, është Kryeministër i QRK-së dhe biri i tij, Masrur [sic] është udhëheqës i Drejtorisë së Inteligjencës së QRK-së.”

Në një tjetër telegram diplomatik raportohet se një kompani ndërkombëtare e sigurimeve kishte vështirësi në veprimtarinë e saj në rajonin autonom kurd për shkak të korrupsionit dhe përfshirjes së familjes Barzani në biznese.

“Është një ndërmjetës vendor i sigurimeve me lidhje me Qeverinë Rajonale të Kurdistanit (QRK) që […] përmes kompanisë amë, Ster Group, ka larguar tërë konkurrencën nga industria.

Kompania pretendonte se “Shefi i Inteligjencës së QRK-së Masr’ur [sic] Barzani është aksionari më i madh i Ster Group.

“Burime tjera të ERR [Ekipi Rajonal i Rindërtimit] theksojnë se Ster Group është në pronësi të njërit prej bijve të Presidentit të QRK-së President Mas’ud [sic] Barzani, por nuk saktësojnë cilit.”

Gazeta ka bërë përpjekje për të kontaktuar me Massoud përmes zyrës së Qeverisë Rajonale Kurde në Spanjë, por na është thënë se zyra nuk kishte informata zyrtare rreth këtij rasti prandaj dhe nuk mund të na ndihmojnë për momentin.